10 Mars 2020
U rrit në një ambient ku merreshin shumë vendime të rëndësishme për vendin. Shtëpia e tij përdorej për nevojat e njërit prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, Presidencës së Kosovës. I ati, Ibrahim Rugova, për një dekadë ndoqi atë që njihet si rezistenca paqësore e Kosovës, dhe udhëhiqte levizjen më të madhe shqiptare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke u bërë kështu njëri prej figurave kyqe edhe për faktorin ndërkombëtar.
Megjithëse i ati ishte prej figurave më të rëndësishme të Kosovës, fëmijët e tij i mbante larg nga vëmendja e publikut. Ata do të vinin në vëmendje të publikut tek pas vdekjes së tij.
Ukë Rugova, fëmija i dytë i ish-presidentit Rugova, ka kryer studimet në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kthimit nga Amerika, Rugova iu qas jetës publike në një mënyrë që askush nuk e kishte besuar. Ai bashkë me disa figura të tjera themeloi Listën Ibrahim Rugova, që në fillim dukej si oponencë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilën e themeloi babai i tij dhe e udhëhoqi deri në ditën e fundit të jetës. Këtë listë e themeloi bashkë me Bujar Bukoshin – një figurë kontraverse sidmos në raport me Ibrahim Rugovën. Bukoshi, si kryeministër në ekzil, udhëhiqte me fondin e 3 përqindëshit.
Me këtë listë Ukë Rugova hyri në zgjedhjet paralamentare të vitit 2010 dhe fitoi mandatin e deputetit. Ai është pronar i disa bizneseve dhe pronar i një pasurie milionëshe për të cilën në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se në shumicën e saj është e përbashkët.
Pas përfundimit të mandatit Rugova u përball me një aktakuzë të ngritur për krim të organizuar, nga Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit – EULEX, mision ky që për dhjetë vjet u mor me raste të mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Ai madje për disa orë ishte arrestuar nga ky mision. Pasi këtij misioni i pushoi pothuajse tërsisht mandati, gjersa lënda kaloi në duart e autoriteteve vendore.
Pas ngritjes së aktakuzës, Rugova gjatë intervistimit nga EULEX-i sipas Insajderit, kishte thënë se këtë e ka bërë për t’ua lehtësuar qytetarëve marrjen e një vize dhe si arsyetim e kishte përdorur rastin më të rëndë të vdekjes së qyetarëve në lumin Tisa në Hungari në përpjekje për ta kaluar kufirin për të ikur në vendet perëndimore. Për të shmangur një tragjedi të tillë pati thënë se e kishte parë të nevojshme t’u ndihmonte qytetarëve të siguronin një vizë.
Dëshmitarët që janë dëgjuar në gjykatë për këtë rast kanë thënë se për sigurimin e një vize të tillë atyre u duhej të jepnin shuma të mëdha të parave që shkonin deri në 4000 euro.
Deputeti Rugova
Në jetën publike, përve si djali i ish-presidentit Rugova, ai njihet edhe si themelues i një subjekti politik dhe si deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë një mandati.
Listën Ibrahim Rugova ai e kishte themelur bashkë me Bujar Bukoshin, Astrit Haraqinë dhe Dardan Gashin. Që të tre këta në raste të ndryshme kanë rënë ndesh me ligjin dhe janë ngritur aktakuza ndaj tyre. Në një rast Bujar Bukoshi si ish-ministër i Shëndetësisë bashkë me disa zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie është akuzuar për korrupsion. Në rastin e dytë ai është akuzuar për keqpërdorimin e fondit të 3 përqindëshit.
Në të dy rastet, ndaj Bujar Bukoshit, është veçuar procedura për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të tij. Në të dy rastet ai shpesh kishte munguar në seanca.
Aktakuzë të ngritur ka pasur edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija. Ai ishte akuzuar dhe pastaj ishte dënuar me një vit burgim me kusht për keqpërdorimin e një fondi që ishte ndarë për prodhimin e një filmi. Ky rast nga Gjykata e Apelit ishte kthyer në rigjykim ku lënda kishte arritur afatin e parashkrimit.
Dardan Gashi, themeluesi tjetër i kësaj liste, po ashtu është dënuar vitin e kaluar me 1700 euro gjobë, megjithëse për një rast të një natyre tjetër – për posedim të pautorizuar të armës.
Këto raste kishin ndodhur para dhe pas themelimit të Listës Ibrahim Rugova, e cila ndonëse nuk arriti të kishte një elektorat të konsoliduar shkoi ne zgjedhje në kuadër të listës që Aleanca për Kosovën e Re (AKR) e krijoi në vitin 2010, duke u dhënë shumë pushtet themeluesve të saj.
Dy themeluesit e kësaj liste kishin marrë poste të rëndësishme në Qeverinë Thaçi II. Vetëm Rugova u bë deputet, derisa Bujar Bukoshi dhe Dardan Gashi u bënë pjesë e Qeverisë. Rugova nuk ishte shumë aktiv sa ishte deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai nuk mbahet mend të ketë folur shpesh apo të ketë ngritur ndonjë çështje të rëndësishme në Kuvend.
Lista Ibrahim Rugova ishte jetëshkurtër. Ajo u shua pas katër vitesh aktiviteti dhe njëri nga themeluesit e saj, Astrit Haraqija, pati thënë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 ata mbështesin Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në listën e kësaj partie për deputete po kandidonte edhe vajza e ish-presidentit, Teuta Rugova. Ajo fitoi këtë mandat si dhe një tjetër pas tij por zëri i saj në Kuvendin e Kosovës nuk u dëgjua kurrë. Megjithatë, ajo gjatë gjithë kohës është përmendur për rolin e saj që e ka pasur në shërbim të koalicionit PAN, në vitin 2017 dhe për krejt këtë thuhet të ketë pasur gisht vëllai i saj bashkë me Dardan Gashin dhe Astrit Haraqinë. Ai disa ditë para formimit të Qeverisë Haradinaj ishte parë në takim me tre krerët e këtij koalicioni – Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn. Teuta Rugova në disa raste i shërbeu koalicionit PAN, qoftë duke qëndruar në sallë për ta bërë kuorumin, qoftë duke e dhënë votën e saj edhe pse partia e saj ishte kundër.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e kandidoi për deputete Teuta Rugovën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Aktakuza për krim të organizuar
Në vitin 2016, ishte ngritur aktakuzë për krim të organizuar ndaj Ukë Rugovës dhe disa personave të tjerë. Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016 e ngarkon Ukë Rugovën se nga maji i vitit 2011 deri në shkurt të vitit 2014 ka menaxhuar një grup kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, të siguruara nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit të të dhënave apo korrupsionit. Bëhet fjalë për më shumë se 500 viza.
Rugova akuzohet edhe për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikatorë.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick thotë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit italian në Kosovë, Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast është akuzuar edhe një figurë tjetër publike, Astrit Haraqija, ish-ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Fillimisht në këtë aktakuzë kanë qenë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Pasi procesi po zvarritej në mungesë të të akuzuarve të cilët nuk vinin në seancë, vitin e kaluar ishte vendosur që lënda të veçohet dhe procesi të zhvillohet ndaj Ukë Rugovës, Astrit Haraqisë, Izet Beqirit, Qefser Bahollit dhe Florjan Petanit.
Rasti tani përfaqësohet nga prokurorja Florie Shamolli, ndërsa trupi gjykues udhëhiqet nga gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica
Prokuroria pretendon se ky grup kriminal kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material asisoji që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Të gjithë personat e përfshirë në këtë rast janë deklaruar se ndihen të pafajshëm. Ukë Rugova dhe Astrit Haraqija nuk kanë hezituar që për rastin të prononcohen për media. Rugova e ka pranuar se u ka ndihmuar qytetarëve të pajisen me viza, por ka thënë se këtë nuk e ka bërë që si shpërblim të marrë të holla por se ndihma e ofruar ka qenë e karakterit humanitar.
Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqia, i cili po akuzohet se siguroi klientë për viza për grupin e Ukë Rugovës, ka pranuar se është marrë me rregullimin e vizave për simpatizantë e anëtarë të partisë së tij. Në një bisedë për KALLXO.com Haraqia ka pranuar se ka lehtësuar procesin e marrjes së vizave.
“Pas arrestimit e kam thënë edhe publikisht se kemi bërë diku 40 deri në 80 viza njerëzve të Gjakovës, raste qoftë humanitare, për shembull çështje shëndetësore ose ekonomike, i kam përkrah për viza edhe nuk m’u ka dukur asgjë tmerr për arsye se ne kemi suportuar njerëz nga viti 1995, nuk ka qenë diçka e re për mu”, thotë Haraqia.
Haraqia mohon pretendimet e Prokurorisë se veprimtaria e tij ishte ilegale. Madje pretendon se të gjithë ministrat e zëvendësministrat e Kosovës ndërmjetësojnë për viza.
Sipas aktakuzës, Izet Beqiri akuzohet për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë. Kjo pasi që sipas aktakuzës, i njëjti kishte kryer disa aktivitete kriminale përkitazi me marrjen e vizave shengen në ambasadën Italiane.
Për Izet Beqirin, Rugova ka thënë se e njeh prej vitit 1992-93. Ai kishte thënë se familja e Beqirit ishte përkrahëse e madhe e ish presidentit Rugova. Vetë Ukë Rugova kishte filluar të shoqërohej me Izet Beqirin në vitin 2006. Ne (familja Rugova) kishte thënë ai gjatë marrjes në pyetje nga EULEX-i- material ky i siguruar nga Insajderi-nuk do ta harrojmë ndihmen që Izet Beqiri dhe familja e tij kanë dhënë për presidentin Rugova gjatë viteve të 90-ta.
Një tjetër i akuzuar në këtë rast Florian Petani, ishte zyrtar kryesor për viza i Ambasadës Italiane në Prishtinë. Në mungesë të ish ambasadorit, Petani, mirrej me kërkesat që Rugova i bënte për viza në këtë ambasadë.
Dëshmitarët pranojnë se grupi i pajisi me viza
Dëshmitarët në rastin ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve pranojnë në gjykatë se ata janë pajisur me viza nga ky grup që po përballet në gjykatë me akuzën për krim të organizuar.
Duke filluar nga viti i kaluar kur rasti ishte veçuar, një numër i dëshmitarëve e kanë dhënë dëshminë e tyre në rastin ndaj Rugovës dhe të tjerëve. Disa prej tyre kanë thënë se për t’u pajisur më vizë kanë dhënë shumë të konsiderueshme të hollash – deri në 4000 mijë euro. Njëri nga dëshmitarët ka thënë se ai nuk ka plotësuar aplikacion apo diçka tjetër por se vetëm i është kërkuar t’i japë të hollat, për të cilat thotë se 500 i kishte dhënë në dorë e pjesën tjetër prej 3500 eurove më vonë.
Disa prej dëshmitarëve nuk kanë përmendur që kanë dhënë të holla për t’u pajisur me viza, por kanë thënë se i kanë marrë ato – se u kishte ndihmuar Rugova – pasi ata kishin punuar për një kohë të gjatë në familjen Rugova. Sebahate Halili, Luar Hoxha, Fidan Hasani, Skender Halili, kanë dëshmuar se kanë punuar në shtëpinë e Rugovës.
Njëri prej dëshmitarëve Sami Baliu, ka thënë se vizën e ka siguruar përmes vëllait të tij i cili, sipas tij, kishte punuar me Ukë Rugovën.
Njëra prej dëshmitareve Hajrije Kutllovci, ka deklaruar në gjykatë se ajo s’e kishte kuptuar se si pasaporta e saj kishte përfunduar në shtëpinë e Ukë Rugovës. Ajo ka thënë se kishte aplikuar për vizë në ambasadën italiane në Prishtinë, pa ndërmjetësimin e askujt.
Disa nga dëshmitarët që janë pajisur në vizë kanë thënë të mos jenë ndier të dëmtuar. Ata kanë thënë të kenë aplikuar për vizë italiane në procedurë normale, ku një agjenci ua kishte bërë gati dokumentet.
Disa dëshmitarë të tjerë kanë treguar se si ata kanë dhënë shuma të mëdha të parave – nga 3500 deri në 4000 euro për t’u pajisur më viza italiane, për të cilat nuk kishin aplikuar vetë, por përmes personave që sipas tyre, nuk i kishin njohur më parë.
Paratë të cilat i kishin dhënë për këto viza dëshmitarët kanë thënë se i kanë siguruar në mënyra të ndryshme. Njëri prej tyre Neki Duraku, tha se i kishte mbledhur paratë, 4000 euro, nga puna që ai me familjen kishte bërë gjithë verën.
Një tjetër Fitim Deliu, tha se paratë në vlerë prej 3500 eurove i kishte marrë borxh dhe se nuk ia kishte parë aspak hajrin vizës që e kishte marrë.
Disa dëshmitarë të tjerë, Kujtim Doli, Shpëtim Uka, kanë thënë se për t’u pajisur me vizë i kishte ndihmuar i akuzuari Astrit Haraqija, por kanë mohuar që ata të kenë dhënë të holla për këtë. Madje kishin thënë të mos jenë marrë me asnjë procedurë sepse të gjitha ishin kryer nga personat që kishin ndërmjetësuar dhe se ata vetëm dorëzonin pasaportat e tyre dhe dy fotografi.
Vonesat në procesin gjyqësor
Aktakuza në rastin ndaj Rugovës dhe të tjerëve është ngritur që në vitin 2016. Që prej asaj kohe vonesat në proces kanë qenë shumë të mëdha. Seancat në shumicën e herave kanë dështuar të mbahen pasi mungonin të akuzuarit.
Pas zvarritjes së kësaj procedure, trupi gjykues në njërën nga seancat vitin e kaluar pati vendosur që ta veçojë procedurën në këtë rast.
Pas veçimit, Ukë Rugova, Astrtit Haraqija, Izet Beqiri, Qefser Baholli dhe Florjan Petani, po gjykohen ndaras nga të akuzuarit e tjerë në këtë rast.
Pas dorëzimit të kësaj lënde nga EULEX te autoritetet vendore, njëra prej arsyeve që ajo është vonuar të procedohej ishte fakti se gjykata se kishte parë të udhës të caktonte seancë me arsyetimin që ky rast nuk ishte prioritet për të (gjykatën).
Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Po atë muaj një seancë tjetër që ishte caktuar nga gjykata kishte dështuar të mbahej për arsye se disa prej të akuzuarve nuk ishin paraqitur në gjykatë. Në atë senacë ishte paraqitur nevoja që procedura në këtë rast të veçohej, dhe kjo gjë kishte ndodhur.
Pasi që është veçuar procedura në këtë rast, vitin e kaluar janë mbajtur një numër seancash ku të akuzuarit janë deklaruar se ndihen të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Dyshime për përfshirje në krime të tjera
Mediet në Kosovë kanë raportuar se si autoritetet në Itali, pas një séance dëgjimore kundër ish-ambasadorit italian në Kosovë, Michael Giffoni, kishin përmendur aty edhe Ukë Rugovën. Në procesverbalin e kësaj seance që e kishte siguruar Insajderi, thuhet se autoritetet italiane Rugovën e përshkruajnë si të përfshirë në trafikim të drogës, armëve dhe mallrave.
Giffoni ishte dëgjuar më 26 majit të vitit 2014 nga Bordi Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Ishte vendosur për shkarkimin e tij, pasi ishte gjetur se kishte pasur keqadministrim të sektorit të vizave gjatë udhëheqjes së ambasadës nga Giffoni.
Në këtë dokument thuhet se Giffoni tërë këtë e kishte bërë në favor të një politikani në Kosovë. Bëhej fjalë për Ukë Rugovën.
Në këtë dokument tregohet arsyeja se pse ishin mbledhë informacione për Ukë Rugovën. Arsyeja kishte të bënte me vizat e lëshuara nga ambasada italiane në Prishtinë.
Giffoni kishte mohuar se kishte qenë në shërbim të klanit të udhëhequr nga ish-deputeti Ukë Rugova.
Kishte thënë se vetëm ka ndihmuar familjen Rugova duke i favorizuar në dhënien e vizave me procedurë të shpejtë. Por, sipas tij, ishte Florian Petani ai që e mashtroi duke ia prezantuar një rreth të gjerë të njerëzve si anëtarë të familjes Rugova.
Por versioni i Giffonit nuk kishte qenë shumë bindës për eprorët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kishin marrë vendim që ta shkarkonin nga pozita e ambasadorit të shtetit italian në Kosovë.
Preportr, ka dërguar pyetje në Ambasadën Italianë në Prishtinë, për të parë se çfarë ka ndodhur tutje më rastin e ish-ambasadorit, por përgjigja ka qenë e shkurtë. Kjo ambasadë përmes Zyrës për Informim ka thënë se “Faktet për arsyen e ndërprerjës së marrëdhënies së punës me z. Giffoni u janë komunikuar menjëherë autoriteteve kompetente gjyqësore për zhvillimin e punës sipas kompetencave. Kjo Ambasadë nuk është në dijeni të detajeve të mëtutjeshme”
Nga autoritetet italiane përmendet edhe fakti se Rugova e ka mik njërin prej të akuzuarve edhe në rastin që po zhvillohet ndaj tij në Kosovë, Izet Beqirin.
Izet Beqiri sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, përmendet nga shteti italian se është i kërkuar nga Interpoli sepse ishte i dënuar për përfshirje në trafik të drogës.
Ukë Rugova e Beqiri në intervistat e dhëna para hetuesisë i kanë mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta. Beqiri kishte deklaruar se ai nuk e dinte që është i kërkuar nga Interpoli.
Pasuria milionëshe e Rugovës
Në Agjencinë Antikorrupsion në kohën sa ishte deputet prej vitit 2011-2014, Rugova kishte paraqitur një pasuri prej miliona eurove që përfshinin shtëpi, truall, kredi, biznes, pagë prej deputeti dhe pagë që familja e tij gëzon nga shteti.
Një shtëpi prej 500 mijë eurove, një tjetër prej 1.5 milionë eurosh, banesa në vlerë prej 68 mijë eurove, truall në vlerë prej 100 mijë eurove, veturë 25 mijë euro, aksionar në shoqërinë komerciale Cafe ULIKSI SH.P.K, ku deklaron aksione në vlerë prej 50 përqind ndërsa kapitali në euro i këtij biznesi është 350 mijë euro. Ai po ashtu ka deklaruar një kredi në vlerë prej 250 mijë eurove.
Në vitin 2012 pasuria ishte e njëjtë vetëm se tani deklaronte se kishte 20 përqind të aksioneve në shoqërinë komerciale Zero8, ndërsa kapitali në euro i kësaj shoqërie ishte 350 mijë euro.
Në vitin 2013 figuron e njëjta pasuri.
Në 2014 e njëjta pasuri por me disa ndryshime: një veturë e bashkëshortes në vlerë prej 20 mijë eurove. Në deklarimin e pasurisë në vitin 2014, Rugova deklaron se bashkëshortja e tij posedonte 30 përqind të aksioneve në shoqërinë komerciale Zero8 Sh.P.K.
Vonesa të mëdha
Seanca e parë në këtë rast qe caktuar në janar të vitit 2017. Në atë vit lënda trajtohej nga EULEX-i dhe ishin mbajtur disa seanca- e fundit në nëntor të këtij viti. Pas kësaj rasti kaloi te vendorët dhe për një vit e disa muaj nuk ishte caktuar asnjë seancë. Ishte tentuar që një seancë të mbahej në janar të vitit 2019, por kishte dështuar. Dy të tjera u caktuan për qershor dhe korrik të vitit të kaluar. Për të mos u shtyrë më procesi në seancën e korrikut u vendos që procedura të veçohet dhe pas kësaj në vitin 2019 ishin mbajtur edhe tri seanca të tjera njëra në shtator dhe dy në nëntor. Kurse këtë vit me 2020 janë mbajtur tri seanca- e fundit ka dështuar në mungesë të një gjyqtari, një avokati dhe faktit se prokurorja ishte e angazhuar në një rast tjetër. Seanca tjetër është caktuar të mbahet në fund të këtij muaji.
Shënim: Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Organizatës Çohu dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.