English
Scroll top

Loja e Lekajt me subvencionet

Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për kohën sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, thuhet se me veprimet e Lekajt dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë aktakuzë, Komuna e Gjakovës është dëmtuar me afërsisht 70 mijë euro. Procesi gjyqësor, gjatë të cilit Lekaj është deklaruar se ndihet i pafajshëm, do të vazhdojë pasi të përfundojë një ekspertizë e re financiare lidhur më këtë rast...

Prishtinë, 04 Dhjetor 2019

Pal Lekaj u bë i njohur për opinionin në vitin 2007 kur fitoi mandatin për kryetar të Komunës së Gjakovës, edhe pse para këtij viti ishte i angazhuar në Komunën e Gjakovës si drejtor, asambleist dhe kryeshef ekzekutiv. Mandatin e kryetarit për këtë komunë e fitoi edhe pas dy vitesh, më 2009 por herën e tretë qytetarët e Gjakovës nuk ia dhanë besimin. Ai u mund nga Mimoza Kusari- Lila.

Karrieria e tij politike nuk përfundoi këtu. Pal Lekaj u bë deputet nga radhët e AAK-së në vitin 2014 . Doktori nga Gjakova ishte i zëshëm në mandatin si deputet madje si një pjesë e mirë e deputetëve të opozitës në mandatin e kaluar kishte hedhur gaz lotsjellës në kuvend, kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lekaj u arrestua nga policia për këtë veprim, madje ai është pjesë e një lënde që ishte dërguar në gjykatë ndaj deputetëve që hodhën gaz lotsjellës. Rasti i Lekajt dhe i disa deputetëve të tjerë ende nuk është kryer.

Shiko Gazetën #29

Pal Lekaj është njëri prej figurave qendrore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nënkryetar i saj. Në mandatin e fundit kryeministri Ramush Haradinaj, i la Pal Lekajt nën menaxhim dikasterin qeveritar që menaxhon me më së shumti mjete nga buxheti i shtetit, Ministrinë e Infrastrukturës. Në këtë ministri, Pal Lekaj nuk solli diçka të re, vazhdoi si pararendësit e tij që gati krejt mjetet i orientojnë në ndërtimin e rrugëve dhe autostradave.

Në mandatin e tij si ministër Pal Lekaj, u akuzua se i fali kompanisë Bechtel Enka 53 milionë euro për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit. Për aneks kontratën që ishte nënshkruar me kompaninë që po i kryente punimet në këtë autostradë, Lekaj e akuzonte ish- ministrin Lutfi Zharku. As Lekaj e as Zharku nuk kanë treguar se për çfarë në të vërtetë u desh që kompania Bechtel Enka të marrë mjete shtesë për autostradën, përveç faktit se ishin vonuar në pagesa. Sipas gazetës Koha Ditore, hetime ndaj Ministrisë së Infrastrukturës janë duke u zhvilluar në dy raste këtë për autostradën e Arbën Xhaferi dhe për homologimin e veturave.

Lekaj dorëlirë me mjetet e ministrisë

Konzorciumi Bechtel&Enka pritet të marrë edhe 32 milionë euro tjera nga buxheti i shtetit të Kosovës. Kjo pasi Qeveria e Kosovës një nga mbledhjet e mbajtura në maj të këtij viti kishte vendosur që këto 32 milionë euro i shkojnë Bechtel-Enkas për dy kyçje dhe një mbikalim që do të ndërtohen në autostradën Arbën Xhaferi.

Kyçjet sipas vendimit që e ka siguruar Kallxo.com janë paraparë të ndërtohen në fshatin Gërlicë të Vitisë dhe një në Ferizaj si dhe mbikalimi në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

Vendimi për t’ia dhënë të drejtën e ndërtimit të këtyre dy kyçjeve vetëm konzorciumit “Bechtel&Enka”, sipas kallxo.com përjashton mundësinë e një gare tenderimi.

Problem gjatë mandatit sa ministër ishte Lekaj, nuk ishte vetëm autostrada Arbën Xhaferi. Një tjetër problem u paraqit kur mediat raportuan se edhe në autostradën Prishtinë-Gjilan ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të kësaj ministrie.

Një hulumtim të “Drejtësia në Kosovë”, është gjetur se si kompania e familjarëve të zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriut, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan. Kjo kompani sipas hulumtimit, ka furnizuar me beton ndërtimin e kësaj autostrade.

Me gjithë problemet dhe dyshimet që janë ngritur nga shoqëria civile dhe mediat për autostradën Arbën Xhaferi, Qeveria Haradinaj planifikonte ndërtimin edhe të një autostrade tjetër-atë të Dukagjinit.

Pal Lekaj tashmë e ka një aktakuzë për korrupsion dhe procesi gjyqësor ndaj tij është duke u zhvilluar për një rast të keqpërdorimit të pozitës zyrtare sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës për subvencionet që u janë ndarë fermerëve në këtë komunë dhe dëmi për komunën sipas kësaj aktakuze shkon në gati 70 mijë euro. Kjo nuk e ka penguar atë që ta përfundojë mandatin prej ministri edhe pse gjithë kohën është folur dhe është kërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor se në Qeverinë e Kosovës nuk duhet të ketë persona të akuzuar për korrupsion. Kryeministri Ramush Haradinaj nuk e largoi Lekajn, nga Qeveria edhe kur këtë e bëri partneri në qeverisje PDK me ministrin Besim Beqaj dhe zëvendësministrin Agim Çekun. Kur u pyet për këtë Haradinaj tha se të gjitha partitë i kanë specifikat e veta dhe se do t’i largojë ministrat e tij vetëm nëse ata akuzohen sa janë duke e ushtruar mandatin e ministrit.

Haradinaj nuk i largoi ministrat me aktakuza por këtë e bëri me dy zëvendësministra, njëri prej tyre nuk kishte aktakuzë -Musa Cenën, i cili ishte zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal, i cili dyshohej për veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërkaq liroi nga detyra zëvendësministrin e Administratës Publike, Bujar Nerjovajn, për siç kishte thënë Haradinaj me qëllim të vazhdimit të procesit gjyqësor. Nerjovaj ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ai ishte akuzuar për kohën sa ka qenë drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prizrenit.

E njëjta gjë nga organizatat e shoqërisë civile dhe ambasadat e huaja është kërkuar edhe për personat që do të futeshin në lista për të marrë mandatin e deputetit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka futur në listë për deputet, Pal Lekajn, pavarësisht aktakuzës për korrupsion. Lekaj e ka fituar edhe mandatin e tretë për deputet.

Preportr, e ka parë pasurinë e Pal Lekajt të deklaruar ndër vite në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Pal Lekaj nuk menaxhon vetëm në ministri me miliona euro. Edhe pasuria e tij e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), arrin në miliona euro. Deri në vitin 2017 pasuria e tij arrinte në 6.5 milionë euro, po atë vit pasuria e tij ra në 1.8 milionë euro, pasi siç kishte deklaruar ai ishte ndarë me vëllezërit e tij.

Aktakuzë për subvencione

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi akuzohen se duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet “Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”.

Sipas aktakuzës, subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Ndërsa Veli Hajdaraga sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

I akuzuari Veli Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.

Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 69 mijë euro.

Pal Lekaj dhe Ssmet Isufi akuzohen se me këto veprime, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria aktvendimin për fillimin e hetimeve e ka marrë me 12 prill 2016, por rasti i Lekajt dhe të tjerëve ka zgjatur shumë pasi ai herë është hedhur poshtë pjesërisht, herë është kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit.

Presioni publik arsye për ngritje të aktakuzës

Në seancat që janë mbajtur në rastin ku Pal Lekaj është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nga pala mbrojtëse është thënë se prokuroria në këtë rast nuk ka pasur asnjë provë për ngritje e aktakuzës por fakti që po kërkohet nga opinioni publik luftimi i korrupsionit. Në njërën nga seancat pasi e kishte dëgjuar prokurorin dhe përfaqësuesin e ATK-së, mbrojtësi i Lekajt, Arianit Koci kishte thënë se fushata e pandërprerë publike për luftimin e korrupsionit e ka ka bërë prokurorin të bëjë gabime të tmerrshme duke ngritur aktakuzë pa asnjë provë të bazuar.

“Boshti i kësaj aktakuzë është ngritur në prova të pabaza. Prokuroria ka bërë keqinterpretim të provave gjatë periudhës hetimore. Sa u përket vendimeve për ndarjen e subvencioneve ekspertët kanë thënë se këto vendime janë nënshkruar nga ana e zotit Lekaj, pasi që të njëjtat janë nënshkruar paraprakisht nga bordi komunal dhe pasi që janë përgatitur vendimet nga zyra ligjore e komunës, e cila ligjërisht ishte kompetente që asnjë vendim të mos përpilohet apo të nënshkruhet në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Koci.

Në fjalën hyrëse prokurori special Atdhe Demaj, tha se aktakuza është mbështetur në prova sipas të cilave tha se do të vërtetohet që të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë.

Fjalës së prokurorit si dhe aktakuzës në këtë seancë kishte thënë se i bashkangjitet edhe përfaqësuesi i Administratës Tatimore të Kosovës Shpend Pllana.

Por mbrojtja nuk ishte pajtuar as me ekspertizën financiare që ishte bërë në këtë rast edhe për faktin se personi që e kishte bërë atë kishte ndërruar jetë, prandaj kërkuan nga gjykata që të bëhet një ekspertizë e re financiare. Kjo kërkesë e mbrojtjes u pranua nga trupi gjykues, por kërkesa tjetër ajo që ekspertiza paraprake të shpallet si provë e pa pranueshme u refuzua pasi që sipas gjykatës eksperti është caktuar me urdhëresë dhe vendim të Prokurorit të Shtetit dhe kjo provë sipas tij, palëve në procedurë u është dorëzuar para seancës fillestare.

Ping pong me rastin

Prokuroria në rastin ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve kishte akuzuar një numër të madh të zyrtarëve komunalë të Gjakovës, por në disa raste aktakuza ishte hedhur poshtë ndaj disa personave të akuzuar fillimisht. Gjykimi ndaj Lekajt dhe të tjerëve ishte bërë në janar të këtij viti nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Po ashtu Gjykata e Apelit në mars të këtij viti, e kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të marrë me 10 janar 2019, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), me të cilën aktakuzë, Lekaj dhe I.I po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse Hajdaraga për mashtrim në subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Kjo gjykatë kishte konsideruar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hedhjen e aktakuzës dhe se provat e paraqitura në aktakuzë janë të pranueshme.

Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit kishte vendosur në lidhje me ankesat e mbrojtësve në këtë rast.

Kështu, Apeli e kishte kthyer në rivendosje rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve për sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën pikë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur e kishte konfirmuar akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ndaj të akuzuarve dhe kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të tyre.

Kurse, sa i përket veprës tjetër të përvetësimit në detyrë, për të cilën edhe Themelorja kishte hedhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të vitit 2018.

Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën në këtë rast e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Gjithçka rreth këtij rasti në të cilin fillimisht kanë qenë të përfshirë disa zyrtarë të Komunës së Gjakovës, duket e pa qartë. Në një rast ku akuzohet edhe një zyrtar tjetër I Komunës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, rasti ndaj tij herë ishte hedhur poshtë e herë ishte rikthyer në gjykim. Ndërkaq seanca që u mbajt në këtë rast ndaj ish zyrtarit G. R me propozim të prokurorit Atdhe Dema i është bashkuar lëndës se ish kryetarit të Gjakovës, Pal Lekajt.

“Pasi që në këtë Gjykatë është ngritur aktakuzë edhe kundër të akuzuarve Pal Lekaj, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga, për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit publik” nga neni 422, dhe se në këtë çështje në fillim janë zhvilluar hetimet kundër të pandehurit Gani Rama, provat në këtë çështje penale janë të njëjta dhe të ndërlidhura, kemi ekspertizën e ekspertit financiar Gani Gashi, ku në mendimin e tij ka dhënë mendim që zyrtari kryesor i Administratës është përgjegjës kryesor për menaxhimin e buxhetit, dhe po ashtu nga ekspertiza e siguruar nga Prokuroria Speciale, eksperti Qazim Hoxha, i cili në ndërkohë ka ndërruar jetë dhe nga ana e këtij trupi gjykues është marrë vendim që të angazhohet një ekspert tjetër, dhe nga ana e trupit gjykues jam njoftuar se këto ekspertiza janë siguruar, andaj i propozoj Gjykatës që të bëjë bashkimin e lëndës PKR.nr.64/18 me atë PKR.nr.16/18” , deklaroi prokurori Dema.

Trupi gjykues në këtë rast, e ka aprovuar propozimin e prokurorit special, me arsyetimin se provat janë të përbashkëta dhe se në këtë çështje kemi të bëjmë me diapozitivin e njëjtë të aktakuzës, dhe për shkak të ekonomizimit të procedurës penale.

G.R ishte liruar nga akuzat në vitin 2017, me arsyetimin se nuk ishte arritur të vërtetohet që ai e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Pas ankesës së prokurorisë rasti i tij ishte kthyer në rigjykim për t’u hedhur prapë poshtë me 2018. Rasti ishte kthyer për herë të dytë në rigjykim nga Gjykata e Apelit dhe tani Gjykata Themelore e Gjakovës, ka marrë vendim që rasti të bashkohet.

Në rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve fillimisht janë akuzuar edhe disa zyrtarë të tjerë të Komunës së Gjakovës, por gjykata i ka hedhur poshtë akuzat ndaj tyre.

Shënim: Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Organizatës Çohu dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.