23 Prill 2018
Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, një numër i madh i profesorëve kanë statusin e të angazhuarve apo bashkëpunëtorëve të jashtëm. Kjo e ka vështirësuar punën në disa fakultete të këtij universiteti në atë masë saqë rreziku për mbyllje të disa departamenteve është shumë i madh. Arsyet përse po ndodh një gjë e tillë janë të ndryshme, por ndër më të rëndësishmet përmendet mungesa e politikave adekuate për krijimin dhe rekrutimin e kuadrove, menaxhimi i keq dhe mungesa e buxhetit.
Për ta parë situatën më afër Preportr ka biseduar me tre profesorë, të cilët për vite të tëra kanë punuar si bashkëpunëtorë të jashtëm në fakultete të ndryshme të UP-së. Ata flasin për kriteret që janë vendosur nga UP-ja për pranimin e stafit të rregullt dhe hedhin dyshime se mospranimi i tyre është bërë me qëllime të caktuara pasi ata në një mënyrë a tjetër kanë arritur të krijojnë një karrierë të pasur jashtë Kosovës dhe në fusha të veçanta që në masë të madhe u mungon profesorëve të rregullt në UP. Pas punës disavjeçare ata janë larguar nga UP-ja për t’u marrë me punë të tjera.
Të dhënat e siguruara nga Preportr tregojnë se UP-ja në masë të madhe është e varur nga bashkëpunëtorët e jashtëm, madje në disa raste disa fakultete më shumë funksionojnë me bashkëpunëtorë të jashtëm se me profesorë të rregullt. Bashkëpunëtorët e jashtëm konsiderohen vlerë për përvojën që e sjellin në universitet, por në UP në shumë raste ata nuk janë të rregullt në ligjërata, në konsultime e në ushtrime, sepse zakonisht e kanë një punë tjetër me orar të plotë dhe UP-ja i paguan pak për punën që e bëjnë.
Të dhënat për vitin akademik 2017/2018 tregojnë se numri i profesorëve të angazhuar apo i bashkëpunëtorëve të jashtëm vazhdon të jetë i madh. Sipas këtyre të dhënave, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 41 profesorë janë me statusin e të angazhuarve, ndërsa 32 janë të rregullt. Në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 39 profesorë janë të angazhuar, ndërsa 41 janë të rregullt. Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit numri i profesorëve të angazhuar është 21, aq sa është edhe numri i profesorëve të rregullt. Në Fakultetin e Arteve 78 profesorë janë të angazhuar, ndërsa 79 janë të rregullt.
Refuzimi i kuadrove
Shkelzen Cakaj është profesori i vetëm shqiptar që ka doktoruar në fushën e komunikimeve satelitore. Ai ka kryer studimet në Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës, ka përgatitur punimin e magjistraturës pranë Institutit të Komunikimeve dhe Inxhinierimit të Radio-frekuencave pranë Universitetit Teknik të Vjenës dhe doktoraturën në Universitetin e Zagrebit.
Si përfitues i donacionit Fulbright, Cakaj ka kryer edhe hulumtimet e postdoktoraturës në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (National Oceanic and Atmospheric Administration - NOAA) në SHBA. Në NOAA, që është simotër e NASA-s, ai ka kryer hulumtime në lidhje me aplikimin e satelitëve në kërkim-shpëtim në rast të fatkeqësive të ndryshme ajrore dhe detare.
Për dallim prej profesorëve të tjerë që kanë vështirësi me avancimet e tyre për shkak të mungesës së punimeve në revista shkencore, Cakaj nuk e ka fare këtë problem. Ai në CV-në e tij ka 60 punime në revista dhe konferenca shkencore, është i cituar nga shumë autorë ndërkombëtarë dhe ka qenë vlerësues i punimeve në fushën e sistemeve satelitore për konferenca dhe revista ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe ato të Institutit të Inxhinierëve Elektrikë dhe Elektronikë (Institute of Electrical and Electronics Engineers IEEE), si institucioni më i njohur botëror në fushën e publikime nga lëmia e elektroteknikës.
“Publikimet e mia janë të realizuara me bashkautorë nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Zagrebit, Universiteti Teknik i Vjenës dhe me ata të NOAA-së të SHBA-së”, thotë Cakaj.
Cakaj i cili edhe më tutje vazhdon angazhimin e tij si pedagog i ftuar duke ligjëruar lëndën “Sistemet Satelitore” për studentët e nivelit master pranë Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës, është autor i librit “Local User Terminals for Search and Rescue Satellites” ku prezenton hulumtimin shkencor të realizuar në NOAA. Ai është edhe bashkautor (si autor i parë) i një materiali me titull: “Sistemet satelitore - ushtrime”, i cili është publikuar në kuadër të Fakultetit të Teknologjisë Informative në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Në faqen referuese për publikime shkencore “Scopus”, së cilës i referohet edhe Universiteti i Prishtinës me rastin e avancimeve akademike, ka të përfshira 27 publikime, dukshëm më shumë se profesorët e rregullt të Fakultetit të Inxhinierisë Kompjuterike dhe Elektrike në Prishtinë.
Por pavarësisht krejt këtij bagazhi shkencor, Cakaj nuk arriti të bëhet profesor i rregullt në UP e as ta vazhdojë punën si bashkëpunëtor i jashtëm pasi më 2017 në FIEK e kishin njoftuar se lëndën Komunikimet Satelitore do ta mbajë një profesor tjetër i cili është në marrëdhënie të rregullt pune. Cakaj thotë se profesori i cili tash e tutje do ta ligjërojë lëndën e tij nuk ka përgatitje profesionale në atë fushë, ndërsa thotë se është i gatshëm ta mbajë këtë lëndë edhe pa pagesë vetëm që t’i përgatisë sa më mirë studentët.
Punën si bashkëpunëtor i jashtëm e ka ndërprerë edhe Mentor Agani i cili për disa vite rresht (2003-2016) ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Fakultetin Filozofik, në Departamentin e Sociologjisë. Ai tregon se gjatë disa viteve ka qenë i ngarkuar tej mase, duke mbajtur deri në nëntë lëndë brenda një viti akademik.
“Ngarkesa ka qenë shumë e madhe, por e kam pasur atë vullnet t’i mbaj të gjitha ato lëndë. Ka qenë shumë e vështirë sepse bëheshin mbi 1000 teste brenda një afati dhe duhej punë shumë e madhe”, thotë ai.
Atyre që e kanë një pjesë të shkollimit jashtë vendit duhet t’i hapen dyert, por këtu është e kundërta, kur të vjen dikush i përgatitur e shohin si rrezik
Mentor Agani, ish-profesor në Fakultetin Filozofik
Ai thotë ta ketë lënë këtë punë pasi në UP shpërfillen kuadrot e përgatitura, sidomos ata që e kanë kryer shkollimin jashtë vendit.
“Atyre që e kanë një pjesë të shkollimit jashtë vendit duhet t’i hapen dyert, por këtu është e kundërta, kur të vjen dikush i përgatitur e shohin si rrezik. Ka edhe gjëra të tjera, duhet të jesh mjaft dogmatik që të mund të përshtatesh, nuk ka aq përkushtim, nuk po them që nuk ka fare, por nuk ka fort përkushtim ndaj së vërtetës shkencore. Mendimi është mjaftë dogmatik dhe tash nëse ti je i prirë kah mendimi i lirë, përnjëherë je rrezik dhe kjo mund të jetë një nga arsyet e mbylljes”, u shpreh Agani.
Ai thotë se nuk është pranuar si profesor i rregullt për shkak të mungesës së punimeve në revista shkencore, por thotë se ka publikuar punime në libra, por të cilat nuk i janë vlerësuar, pasi që punimet në libra nuk vlerësohen si kontribut shkencor nga UP-ja.
“Kur kam doktoruar e kisha kaluar këtë kufirin prej 50 vjetëve, mandej ishte çështja që për moshë më thanë se mund të bëhet një zgjidhje, por duhet t’i kem punimet shkencore. Unë punime shkencore u kam dërguar, ato janë libra që kanë dalë jashtë vendit të bëra kryesisht me universitetet e Zvicrës. Po e marr njërin si ilustrim: ka qenë një libër i botuar nga Universiteti i Friburgut të Zvicrës nga Shtëpia botuese “Peter Lang” e cila është shumëkombëshe dhe është në Amerikë, Angli, Gjermani, Austri, Zvicër etj. Libri është titulluar “20 Years after the Collapse of Communism”, theksoi Agani.
Ai në këtë punim ka trajtuar përvojën e paskomunizmit në Kosovë dhe thotë se rektorati i ka thënë se punimet në libra nuk njihen si kontribut shkencor për t’u avancuar dhe se duhet të jenë të botuara vetëm në revista.
“Mendoj se librat janë të nivelit më të lartë se revistat, por këta (rektorati) paskan vendosë mos me i njohtë”, thotë Agani.
Mentor Agani e ka kryer një pjesë të shkollimit në SHBA, ndërsa ka doktoruar në Kosovë për teoritë mbi kombin dhe nacionalizmin.
Fatin pak a shumë të njëjtë me Cakajn dhe Aganin e ndan edhe profesori i Fakultetit të Arkitekturës Ilir Gjinolli. Ai që nga viti 1988 është i angazhuar si asistent dhe pastaj si ligjërues në këtë fakultet. Nga viti 2004 punon si profesor i angazhuar. Ai ka CV shumë të pasur profesionale. Në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në vitin 2006 nën udhëheqjen e tij është bërë hartimi i planit hapësinor të Kosovës.
“Në vitin 2016 e kam mbrojtë doktoraturën në Graz të Austrisë dhe kjo në një mënyrë e ka hapur rrugën të avancohem në profesor, por konkursi ka ardhur në fund të vitit 2016, por atëherë në qershor 2016 ishte aprovuar një rekomandim në UP që një punim shkencor të jetë i listuar në databazat që i kishin publikuar në UP. Personalisht nuk e kam konsideruar shumë serioze këtë punë, sepse ndoshta nuk isha vonuar, por për këtë konkurs nuk e kam mbërritur afatin, edhe pse një punim të tillë e kam publikuar dy muaj pasi që është mbyllur afati i konkurrimit dhe nuk është gjetur një mirëkuptim që ai publikim të merret parasysh si pjesë e konkurrimit”, thotë Gjinolli.
Atij nuk i është njohur një libër si kontribut shkencor për t’u punësuar si profesor i rregullt në Fakultetin e Arkitekturës. Gjinolli thotë se ky libër është rezultat i ekspozitës “Modernizmi Kosovar - Një Abetare e Arkitekturës”, e cila është mbajtur në Galerinë Kombëtare si pjesë e programit ku kanë konkurruar për këtë ekspozitë në vitin 2015.
“E njëjta ekspozitë është mbajtur në Zagreb në Muzeun e Arkitekturës dhe të Arteve dhe në Universitetin Teknik të Vjenës. Ajo është paraparë të mbahet edhe në Shkup”, shton ai.
Pagesa minimale për bashkëpunëtorët e jashtëm
Universiteti i Prishtinës varet në masë të madhe nga puna e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Por ndryshe nga profesorët e rregullt, bashkëpunëtorët e jashtëm paguhen pak.
Mentor Agani tregon se përkundër punës së madhe që e ka bërë, paga e tij ka qenë shumë e vogël.
“Një semestër ka qenë 104 euro, në semestrin tjetër 208 euro, kur i heq tatimet nuk mbeteshin as 100 euro në muaj. Pra nuk paguhesha gjatë gjithë vitit, por vetëm gjatë semestrave. Kur i shikoja krejt të hollat gjatë tërë vitit dhe i pjesëtoja me 12, shuma ishte më pak se 100 euro në muaj”, theksoi ish-profesori Agani.
Dy profesorët e tjerë nuk e kanë pasur shumë të rëndësishme punën e pagesës, pasi vullneti i tyre është shumë i madh që të punojnë me studentë. Ilir Gjinolli thotë se si bashkëpunëtor i jashtëm, punë të cilën e vazhdon ende, paga është shumë e vogël dhe nuk ka punuar për pagë, por për tërë këto vite vazhdon ta bëjë këtë punë nga vullneti për të dhënë kontribut në fakultet për studentët dhe për reformimin e studimeve.
Mosha - kriter diskriminues
Kriteri i moshës për avancim në profesor të rregullt është njëri prej kritereve që ka paraqitur problem për shumë fakultete. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike ku më shumë se gjysma e stafit janë bashkëpunëtorë të jashtëm, kriteri i moshës e pengon edhe më tej punën.
“Edhe ashtu në tregun e Kosovës nuk kemi njerëz, dhe në qoftë se imponojmë edhe kufizime në moshë atëherë vështirësohen edhe më shumë kriteret”, thotë dekani i këtij fakulteti Enver Hamiti.
Si pasojë e mungesës së kuadrove në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike rrezikohet të mbyllet Departamenti i Elektroenergjetikës, që konsiderohen si ndër departamentet kryesore të këtij fakulteti.
Ne nuk do të kemi asnjë mësimdhënës në periudhën e ardhshme të akreditimit në fushën e elektroenergjetikës, që është shumë e rëndë, shumë e vështirë dhe është një prej dështimeve më të mëdha
Enver Hamiti, dekan i FIEK
Dekani Enver Hamitit thotë se ky departament rrezikon të mbyllet për shkak se aktualisht nga tre mësimdhënës të cilët janë në marrëdhënie të rregullt të punës, dy do të pensionohen këtë vit dhe i treti pensionohet në vitin 2019, atëherë kur duhet startohet me akreditimin e ri.
“Kjo i bie se ne nuk do të kemi asnjë mësimdhënës në periudhën e ardhshme të akreditimit në fushën e elektroenergjetikës, që është shumë e rëndë, shumë e vështirë dhe është një prej dështimeve më të mëdha që na shkruhet neve, edhe si menaxhment, si fakultet, si universitet dhe si shoqëri”, thotë Hamiti.
Ndonëse e konsideron diskriminues kriterin e moshës, Dukagjin Pupovci, njohës i fushës së arsimit, thotë se megjithatë jo secili që i mbush 50 vjeç duhet të zgjedhet profesor. Këtu, sipas tij, duhet të ketë kritere.
Megjithatë, disa vite më parë ka pasur një vendim gjykate me të cilin hiqej kufizimi i moshës për t’u bërë profesor në UP. Sipas vendimit të Gjykatës, neni i Statutit të UP-së që e përcakton moshën është antikushtetues, në shpërputhje me Ligjin e Punës dhe me të drejtat e njeriut.
Në UP thonë se ky vendim i gjykatës për moshën ka të bëjë me një rast të vitit 2010 kur kjo e drejtë ishte kufizuar në kundërshtim me dispozitat e statutit, pra kufizimi i moshës nuk ishte i normuar me statutin e vitit 2004-2012.
“Ndërsa nga miratimi i statutit të ri në vitin 2012 ky kufizim i moshës deri në 50 vjeç është normuar edhe në statut prandaj ne jemi të obliguar ta respektojmë si të tillë”, thotë Esat Kelmendi, sekretar i UP-së.
Për profesorin e UP-së, Arben Hajrullahu, mosha nuk duhet të jetë përcaktuese e lidhjes së kontratës si staf i rregullt i UP-së.
“Primare do të duhej të ishte se çfarë mund t’i ofrojë UP-së kandidati/ja në fjalë. Më shumë fleksibilitet si dhe forma inovative të kontratave do të mund të ishin zgjidhja. Ne në përgjithësi si vend kemi shumë pak shkencëtarë të mirëfilltë e ekspertë nga të gjitha fushat që t’i anashkalojmë ata, apo që t’ua pamundësojmë angazhimin potencial edhe në universitet”, thotë ai.
Pasojat e angazhimit të profesorëve
Duke marrë parasysh se profesorët e angazhuar, apo bashkëpunëtorët e jashtëm siç quhen rëndom, e kanë një punë të rregullt, kjo nënkupton se ajo punë është prioritet i tyre dhe mësimdhënia është sekondare. Kjo ndikon në pjesëmarrjen e tyre në ligjërata dhe në cilësinë e mësimdhënies në përgjithësi.
Ata e kanë edhe një punë tjetër primare diku tjetër dhe ka obligime primare që ata nuk mund t’i shtyjnë, mandej dalin telashe në procesin e realizimit të mësimit, konsultimeve, provimeve, mentorimeve etj
Enver Hamiti, dekan i FIEK
Këtë e pranon edhe dekani Enver Hamiti. Ai thotë se numri i madh i profesorëve të angazhuar krijon probleme sepse për çdo vit duhet të hapet konkursi dhe të bëhet vlerësimi për njerëzit e njëjtë.
“Mandej angazhimi i tyre krijon probleme të tjera gjatë vitit akademik, sepse ata e kanë edhe një punë tjetër primare diku tjetër dhe ka obligime primare që ata nuk mund t’i shtyjnë, mandej dalin telashe në procesin e realizimit të mësimit, konsultimeve, provimeve, mentorimeve etj”, thotë Hamiti.
Në situata të caktuara, sipas Pupovcit, angazhimi i bashkëpunëtorëve të jashtëm mund të jetë edhe përparësi, pasi u siguron studentëve njerëz me përvojë praktike, e cila shumë shpesh u mungon atyre që janë përcaktuar për karrierë akademike.
“Megjithatë, tek ne, në shumë raste, angazhohen si bashkëpunëtorë të jashtëm profesorët që punojnë me orar të plotë të punës në ndonjë universitet tjetër dhe që vërtet nuk mund t’i kushtojnë kohën e duhur detyrave shtesë të punës. Të mos flasim për armatën e ministrave, deputetëve, këshilltareve dhe funksionarëve të tjerë politikë që shpesh synojnë angazhimin si bashkëpunëtorë të jashtëm në ndonjë universitet pa i plotësuar kriteret themelore akademike”, thotë ai.
Pupovci përmend edhe kategori të tjera politikanësh që e shfrytëzojnë rastin të angazhohen si bashkëpunëtorë të jashtëm dhe të cilët në mungesë të kohës i dërgojnë asistentët e tyre të mbajnë mësimin.
Nëse nuk bëhet balancim i stafit të angazhuar me atë të përhershëm, sipas profesorit Hajrullahu do të pësojë edhe cilësia e studimeve.
“Programet e studimeve nuk do të duhej të ishte e mundur të implementohen kryesisht me staf të angazhuar apo me staf që nuk është kompetent t’i ofrojë ato. Nëse kjo ndodh, atëherë gjithsesi do të pësojë edhe cilësia e studimeve”, thotë ai.
Në UP janë të vetëdijshëm për pasojat që mund t’i sjellë angazhimi kaq i madh i stafit jo të rregullt. Mirëpo kjo, sipas tyre, po ndodh për disa e arsye por kryesoret janë tri: Mungesa e buxhetit të nevojshëm, mungesa e normës së plotë si kusht për pranim të personelit të ri për pozitë të caktuar, dhe në shumë raste mungesa e kuadrit adekuat që i plotëson kushtet sipas statutit (mosha, punimet shkencore, përvoja akademike së paku tri vjet, etj.)
“Problemi më i madh me të cilin po ballafaqohemi është fakti se shumica e personelit të angazhuar si bashkëpunëtorë të jashtëm kanë së paku edhe një vend pune diku tjetër apo janë të angazhuar në disa universitete apo kolegje, dhe natyrisht kjo e dëmton cilësinë apo përkushtimin për t’u angazhuar maksimalisht me detyrat dhe përgjegjësitë që i caktohen në bazë të kontratës. Universiteti i Prishtinës e ka të pamundur t’i ndalojë këto dukuri nëse ato nuk ndalohen nga institucionet vendimmarrëse në nivel të shtetit”, thotë Kelmendi.
Në Universitetin e Prishtinës këtë vit është shpallur konkurs për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime për afro 430 pozita.