Prishtinë, 07 Korrik 2017
Të premten e 30 qershorit një eskavator ka përplasur për vdekje 23 vjeçarin Elbasan Isufi. Ngjarja kishte ndodhur në deponinë e mbeturinave në Gjilan ku Elbasani shkonte në kërkim të hekurishteve e plastikave të cilat pas selektimit i dërgonte për shitje.
“Nga hetimet e para mësohet se i dyshuari, punëtor në deponi të mbeturinave tregon se në mënyrë aksidentale pa qëllim e kishte lënduar viktimën. I dyshuari deri sa ishte duke punuar me mjetin bager deklaron se duke lëvizur prapa e ka goditur viktimën”, ka shpjeguar Ismet Hashani nga policia rajonale e Gjilanit.
Edhe pse u bënë shtatë ditë prej se ndodhi aksidenti dhe dy ditë nga vdekja tragjike e Elbasanit, asnjë institucion publik nuk ka reaguar lidhur me këtë rast.
Dhjetëra fëmijë e të rritur qëndrojnë çdo ditë në deponinë e Gjilanit duke kontrolluar në mbeturina për të gjetur materiale për shitje. Disa prej tyre edhe kanë ngritur tenda në të cilat qëndrojnë për të pritur kamionët që shkarkojnë mbeturinat. Ata punojnë pa asnjë mjet pune dhe qëndrojnë gjithë kohën në ambient të kontaminuar. Këtë punë të rëndë e bëjnë vetëm për të fituar pak para për mbijetesë. Mbledhësit nuk kanë ndonjë marrëveshje zyrtare me kompanitë private që ua shesin lëndën e parë edhe pse punojnë për ato.
Aktivistja Elizabeth Gowing e cila përkrahë mbledhësit e mbeturinave dhe familjet e tyre, ka thënë për Preportr se ky rast shpërfaqë jetën e vështirë të këtyre njerëzve.
Është tragjike që ka humbur jetën Elbasan Isufi duke gropuar nëpërmjet mbeturinave dhe është tragjike që çdo ditë ka njerëz në Kosovë, shqiptar, rom, ashkali, egjiptas apo të tjerë, që kështu e fitojnë një kafshatë bukë për familjet e tyre
Elizabeth Gowing, The Idea Partnership
"Është tragjike që ka humbur jetën Elbasan Isufi duke gropuar nëpërmjet mbeturinave dhe është tragjike që çdo ditë ka njerëz në Kosovë, shqiptar, rom, ashkali, egjiptas apo të tjerë, që kështu e fitojnë një kafshatë bukë për familjet e tyre. Mund të imagjinojmë të gjithë si është me e kalu ditën duke hallakatë nëpër xhama të thyer, pampers, mish të kalbur e mbetje të tjera. Nuk po besoj që ndonjë shtet apo kompani përgjegjëse mund të mendojë që kjo është punë e përshtatshme", ka thënë ajo.
Preportr para rreth një viti ka publikuar një hulumtim lidhur me rreziqet shëndetësore që kanosin personat që mbledhin mbeturina në këtë hapësirë por institucionet e vendit asnjëherë nuk janë interesuar që të ndalin këtë veprimtari e cila çdo ditë po rrezikon jetën e njerëzve që punojnë aty, e në kurriz të të cilëve kompanitë private po fitojnë miliona euro. Në këtë hulumtim është pasqyruar jeta e vështirë e mbledhësve individual të mbeturinave, të cilat të shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike dhe sociale po punojnë në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për të siguruar mbijetesën.
Policia e Kosovës dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave të Kosovës po i hedhin fajin njëra tjetrës lidhur me mos intervenimin në këtë aktivitet.
Përgjegjësit e deponisë thonë se kanë provuar të bisedojnë disa herë me mbledhësit, por nuk kanë arritur që t'i largojnë nga aty. Ata thonë t'i kenë lajmëruar policinë lidhur me këtë rast por këta të fundit nuk kanë kryer punën e tyre.
As policia nuk ka arritur t'i largojë këta persona nga deponia pavarësisht se qëndrimi i tyre aty është i ndaluar. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashanit ata largohen sapo të shohin veturat e policisë, për t’u kthyer brenda deponisë menjëherë pas largimit të tyre.
"Policia e Kosovës shumë shpesh e ka vizituar ketë deponi me kërkesën e punëtorëve të saj, por shumë shpesh edhe pa kërkesën e tyre. Deri më tani janë të ngritura tri kallëzime penale ndaj tre personave të ndryshëm të cilët kanë penguar punën në ketë deponi duke u futur brenda në mënyrë të pa autorizuar. Përgjegjës kryesor janë menaxhmenti i deponisë pasi që dihet se deponia është pronë publike dhe menaxhmenti i saj duhet të jetë mbikëqyrës kryesor", ka thënë ai.
Rasti me fatalitet i deponisë së mbeturinave në Gjilan, por edhe lejimi në vazhdimësi i veprimtarisë së mbledhjes së mbeturinave në rrethana të rrezikshme, përfshinë një numër të madh shkeljesh të të drejtave të njeriut. Duke u nisur nga e drejta për jetë, e drejta për siguri sociale, e drejta në shëndet, e drejta në punë, mbrojtja e fëmijëve, etj.