English
Scroll top

Preportr fiton dy çmime për storien më të mirë mbi varfërinë

17 Tetor 2016

Gazetarët e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese – PREPORTR, Besnik Boletini dhe Leonida Molliqaj, kanë fituar vendin e parë në konkursin e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) për shkrimin më të mirë publikuar në mediat online të mbi varfërinë. UNKT gjithashtu ka dhënë çmimin special për Besnik Boletinin për trajtimin e veçantë dhe shumë dimensional të kësaj storie dhe plotësimin e saj me video dhe foto-storie, të cilat në mënyrë kronologjike e trajtojnë dukurinë e mbledhjes së skrapit nga komunitetet RAE.

Ky është viti i 11 me radhë që UNKT e ndan këtë çmim, i cili ka për qëllim të promovojë dhe zgjerojë debatin mbi çështjet dhe shkaqet e varfërisë, dhe në mënyrë të tërthorët të ndikohet në uljen e varfërisë përmes presionit ndaj qeverisë për të bërë ndryshime në politika. Në të njëjtën kohë, ky çmim synon to inkurajojë zgjidhje kreative për zvogëlimin e varfërisë përmes prioritizimit konstruktiv dhe targetimit efektiv të audiencës.

Hulumtimi fitues “Sot Punon Sot Han”, ka trajtuar përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në mbledhjen e skrapit (mbeturinave të riciklueshme).  Ekipi i Preportr për disa ditë me radhë ka përcjellë punën që bëjnë mbledhësit individualë me fokus në rajonin e Prishtinës, Fushë Kosovës si dhe në deponinë e Gjilanit, duke pasur parasysh që në këto vende është i koncentruar një numër i madh i tyre.

Hulumtimi tregon se si biznesi me skrap është shumë fitimprurës, ndonëse joproporcional për palët e përfshira në këtë punë, pasi që kompanitë që merren me grumbullimin dhe eksportimin e mbeturinave fitojnë miliona euro, ndërsa një pjesë e qytetarëve të Kosovës që i mbledhin ato mbeturina mezi arrijnë që të sigurojnë mbijetesën. Ata që mbledhin skrap, si fuqi punëtore, nuk kanë ndonjë marrëveshje zyrtare me kompanitë dhe si pasojë, kompanitë mbledhëse i ndryshojnë shpesh çmimet dhe për këtë arsye mbledhësit individual i shesin materialet e skrapit me çmimet minimale tek pikat grumbulluese.

Hulumtimi tregon edhe për përfshirjen e fëmijëve në këtë punë, pasi që ata e kanë ndërprerë shkollimin në mënyrë që gjatë gjithë ditës të mbledhin mbeturina nëpër kontejnerë. Nga kjo punë ata fitojnë 5 deri në 7 euro në ditë. Puna e fëmijëve është e ndaluar me ligj në Kosovë.

Hulumtimi tregon se pjesa e më e madhe e pikave grumbulluese punojnë ilegalisht, pra nuk janë të licencuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Janë vizituar edhe disa nga pikat grumbulluese (legale dhe jo legale) për të parë procesin e punës që nga grumbullimi, klasifikimi presimi përkatësisht blerja e metaleve dhe përgatitja për eksport. Ky cikël i punës është vizualizuar edhe me video dhe fotostorie që nga mbledhja nëpër kontejnerë e deri tek faza finale përgatitja për eksport.

Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve, e cila u mbajt në librarinë “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, janë ndarë edhe çmimet për kategoritë e tjera. Dy çmime për kategorinë e televizioneve i kanë fituar gazetarët e KTV-së Ardiana Thaçi dhe Durim Abdullahu, çmimin për storien më të mirë në media të shkruara e ka fituar gazetari i Kohës Ditore Nexhat Tovorlani, ndërsa vendin e dytë e ka fituar Donika Lamaxhema nga Klan Kosova dhe çmimin për storien më të mirë në radio e ka fituar gazetarja Maja Fiçoviç për storien e publikuar në Radion Evropa e Lirë.