Prishtinë, 23 Maj 2016
Me rreth 226 milionë euro të investuara në fushën e bujqësisë, për pesë vitet e fundit Qeveria nuk ka arritur të realizojë objektivat për ulje të papunësisë dhe rritje të prekshme ekonomike. Investimet në këtë fushë janë bërë pa ndonjë studim të fizibilitetit dhe mjetet kanë shkuar shpesh në adresa të gabuara. Sektori bujqësor në Kosovë nuk i mbulon nevojat e qytetarëve pothuajse me asnjë kulturë bujqësore. Në disa raporte për kultura të veçanta që i ka bërë Ministria e Bujqësisë, shihet se me gjithë investimin përgjatë viteve, Kosova ende importon shumë produkte bujqësore dhe blegtorale. Vetëm me patate dhe kumbulla mbulohen gati 100 përqind të nevojave të tregut në Kosovë. Në të tjerat, duke u bazuar në këto raporte por edhe ato të Doganës së Kosovës, vërehet një ulje e importit për vitet 2012 dhe 2013, kurse në vitet 2014 - 2015 në shumicën e artikujve si mishi, qumështi, produktet e qumështit, pemët, perimet vërehet rritje e importit. Vetëm tek gruri ka rënie të vazhdueshme të importit, derisa tek mielli ka përherë rritje.
Gjatë vizitave që ekipi i Preportr ka bërë në terren, fermerët janë ankuar se kushtet i kanë shumë të vështira dhe nuk kanë përfituar asgjë nga ministria sepse në shumicën e rasteve atyre u është kërkuar të japin ryshfet ose të jenë militantë të partisë që udhëheq me Ministrinë e Bujqësisë.
Preportr gjatë hulumtimit ka gjetur stalla moderne që janë financuar nga Ministria e Bujqësisë e që kanë mbetur bosh. Fermerët në këto raste ose i kanë shitur lopët, ose vetëm e kanë ndërtuar stallën dhe nuk kanë mbajtur fare lopë ose viça. Në anën tjetër një numër i madh i fermerëve nuk kanë se ku t’i mbajnë lopët. Ata janë të detyruar që ato t’i mbajnë në stalla të improvizuara, ku kushtet janë shumë të këqija. Fermerët kanë aplikuar për grante, por projektet u janë refuzuar nga Ministria e Bujqësisë me arsyetime të ndryshme, ndërsa thonë se as që i ka vizituar ndokush për të parë gjendjen reale. Një pjesë e tyre tanimë i kanë shitur lopët, ndërsa pjesa tjetër thonë se nëse nuk do të marrin përkrahje nuk u mbetet zgjidhje tjetër pos t’i shesin ato.
Refuzimi që u është bërë nga Ministria e Bujqësisë u ka kushtuar fermerëve për faktin se ata është dashur të paguajnë për përgatitjen e projekteve, pasi që vetë nuk kanë përgatitje të duhur për ta bërë një gjë të tillë. Përgatitja e një projekti për të konkurruar për grant për një stallë fermerit i kushton 500 deri në 1000 euro, ndërsa ka fermerë që kanë bërë deri në pesë projekte të tilla ndër vite dhe nuk e kanë fituar grantin.
Një pjesë e madhe e fermerëve refuzohen padrejtësisht pa iu shqyrtuar fare projektet dhe kjo bëhet për shkak se atyre u mungon ndonjë dokument. Vetëm në vitin 2015 kanë aplikuar mbi 2100 fermerë, ndërsa gjysma janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacioneve. Zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), në bazë të udhëzuesit për aplikim që vetë e kanë përgatitur, kanë për obligim që të mos u pranojnë dokumentet e aplikimit fermerëve nëse ato nuk janë të kompletuara dhe duhet t’u rekomandojnë se cilat dokumente shtesë duhet t’i sjellin në mënyrë që aplikimi të jetë i kompletuar. Fermerët ankohen edhe për shkak të shtimit të kritereve përmes Udhëzimeve Administrative që i nxjerr Ministria e Bujqësisë, e që ata nuk janë të informuar me kohë për to. Këto kritere fermerët i quajnë si të padrejta dhe me qëllimin e vetëm që të gjenden arsye për refuzim. Ka fermerë që kanë përvojë 30-40 vjeçare në bujqësi dhe ata refuzohen për shkak të përvojës së padëshmuar. Ka fermerë që e kanë pasur projektin shumë të mirë dhe arsyeja e refuzimit ka qenë se Ministria e Bujqësisë nuk ka fonde që të përkrahet ai projekt. Në anën tjetër ka fermerë që kanë marrë dy herë grante brenda një viti dhe ka fermerë që kanë marrë grante për dy vite radhazi. Preportr ka shikuar të gjitha grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë në periudhën 2010-2015 dhe ka gjetur se dy persona kanë marrë nga dy grante brenda një viti, njëri në vitin 2013 e tjetri në vitin 2014. Ndërsa 54 persona kanë marrë nga dy grante brenda tri viteve.
Edhe Auditori Gjeneral ka gjetur se Ministria e Bujqësisë “ka subvencionuar dy Organizata joqeveritare, edhe pse projektet e subvencionuara nuk ishin të natyrës për prodhimin, përpunimin e produkteve bujqësore dhe agro-ushqimore vendore. OJQ-të kanë ofruar projekte të cilat ishin të natyrës administrative dhe financiare”.
Se ka pasur keqpërdorime të granteve e konfirmon edhe Ministria e Bujqësisë. Kjo ministri ka ngritur kallëzime penale ndaj disa fermerëve për këtë çështje.
Komunat e favorizuara nga ministria
Ministria e Bujqësisë nuk i ka bërë publike të gjitha listat e përfituesve të granteve. Lista e përfituesve të traktorëve dhe pajisjeve të tjera bujqësore nuk është publike. Preportr e ka siguruar këtë listë nga burimet e saj dhe kërkesës për qasje në dokumente publike për përfituesit e traktorëve ia ka bashkangjitur edhe këtë listë dhe, pas insistimit, Ministria na ka dërguar listën e përfituesve të traktorëve vetëm për vitin 2013.
Lista e traktorëve ku është dhënë një shumë e madhe e mjeteve tregon se paraja publike përmes granteve është shpërndarë në rajonin e Drenicës që konsiderohet si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës. Në listën e përfituesve të traktorëve dhe pajisjeve të tjera për vitin 2013, nga 39 përfitues, 10 janë nga Drenica (Skenderaj dhe Drenas). Në Rahovec ku ka potencial për zhvillim më të madh të bujqësisë ka vetëm një përfitues, njëjtë edhe në Suharekë. Në Pejë që po ashtu njihet si rajon ku bujqësia është më e zhvilluar ka vetëm një përfitues të traktorit dhe pajisjeve të tjera.
Sipas të dhënave të ministrisë, as shpërndarja e granteve nuk është bërë në mënyrë të drejtë për të gjitha komunat. Nga komunat e vogla, Skenderaji dhe Drenasi kanë përfituar më së shumti. Madje këto dy komuna kanë përfituar më shumë se komunat e mëdha si ajo e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Ferizajit, Gjilanit e Gjakovës. Të dhënat për të gjitha komunat janë dhënë në grafikonin më poshtë.
Përveç listave të përfituesve të traktorëve, ministria nuk i ka bërë publike në listat e granteve as pikat grumbulluese si “ASK Foods”, “Kelmendi GmbH” dhe “Elkos” të cilat në vitin 2014 kanë përfituar nga ministria afër 3 milionë euro. Njëra prej tyre, kompania “Elkos”, është pronë e ish-deputetit të PDK-së Ramiz Kelmendit. Gjithashtu shumë fermerë kanë deklaruar se kanë përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë për ndërtimin e stallave dhe kanë përfituar traktorë dhe mekanizma përcjellës, por ata nuk mund të gjenden në listat që i ka bërë publike Ministria e Bujqësisë
Për të gjitha këto të gjetura Preportr ka kërkuar të zhvillojë intervistë me ministrin e Bujqësisë Memli Krasniqin dhe kryeshefin e AZHB-së Elhami Hajdarin. Kërkesa e parë për intervistë është dërguar më 18 shkurt 2016 dhe as pas më shumë se një muaj e gjysmë pritjeje ata nuk kanë shprehur gatishmëri që të na përgjigjen në kërkesë.
Ryshfeti ndërmjetësim për marrjen e granteve
Bujqësia, të cilën qeveria e sheh si sektor të gjenerimit të punësimit dhe zhvillimit ekonomik në të ardhmen, nuk u mbështet me ndonjë strategji a plan kur qeveria, donatorët dhe komunat investuan mbi 226 milionë euro. Pavarësisht këtij investimi të madh, Kosova nuk ka bërë progres të prekshëm në fushën e bujqësisë.
Keqpërdorimet në shumë raste janë evidente. Preportr, gjatë punës në terren ka evidentuar disa fermerë që janë ndihmuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), por dhe të tjerë që nuk janë mbështetur fare. Në disa raste fermerët që janë ndihmuar nga ministria e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, i kanë mbyllur fermat pa dhënë asnjë përgjegjësi.
Një stallë e ndërtuar në Komunën e Suharekës ka mbetur bosh. Pronari i kësaj stalle që nuk dëshironte të identifikohej, ka thënë se këtë stallë e ka ndërtuar pjesërisht me mjete të veta dhe me ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë. Investimi total në këtë stallë shumë moderne, sipas tij, është rreth 400 mijë euro. Ajo ka një hapësirë shumë të madhe dhe ka kushte optimale për të mbajtur qindra lopë qumështore dhe viça, ndërsa ngjitur e ka edhe dhomën e veçantë për mjelje, ku mund të bëhet mjelja e tetë lopëve njëkohësisht dhe qumështi direkt grumbullohet në rezervuarin special. Kësaj stalle tashmë i është vënë dryri pasi që pronari i saj i ka shitur mbi 80 lopë qumështore.
“Nuk mund të bëhet biznes këtu, kam investu shumë, ja po e shihni çfarë stalle kam dhe është dashtë me e mbyllë. Kompania me të cilën kam pas kontratë e ka ndryshuar shpesh çmimin, çka të bësh me 25-26 centë, d.m.th litri i qumështit më lirë së litri i ujit. Gjithashtu ku ka në botë që bën kontratë me kompaninë për shitjen e qumështit dhe ajo për shkak të borës apo shkaqeve tjera nuk vjen me e marrë dhe shpesh më është dashtë që ta gjuaj qumështin apo t’ua shpërndaj bashkëfshatarëve”, thotë ai.
Disa fermerë thonë se u janë kërkuar edhe para në mënyra të ndryshme si kusht për të fituar grantin. Ata nuk guxonin që të flisnin duke zbuluar identitetin e tyre për shkak se frikësoheshin nga hakmarrja e Ministrisë së Bujqësisë.