Prishtinë, 17 Dhjetor 2018
Asnjëherë nuk është diskutuar hapur për nevojën e themelimit të universiteteve të tjera publike në Kosovë. Kjo “nevojë” ka lindur në kohë fushate zgjedhore, dhe këto institucione të arsimit të lartë në Kosovë janë në udhëkryq – mes nevojës së tyre për t’u konsoliduar dhe kërkesës së MAShT-it për t’u mbyllur.
Sado që hapja e gjithë këtyre universiteteve duket e paarsyeshme për një vend aq të vogël siç është Kosova, pas hapjes së tyre kanë ndodhur ndërhyrje të shumta – që nga punësimet e stafit me preferenca partiake, e deri te rasti i fundit kur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), pa i vizituar dhe pa marrë qëndrimin e tyre ka dalë me një raport ku sugjerohet mbyllja e tyre.
Universitetet publike nuk kanë arritur ta krijojnë identitetin e tyre në atë masë sa të mos ndikohen lehtë, apo sa të mos lejojnë të jenë objekt trajtimi sa herë që ndërrohen qeveritë, pasi ministria udhëhiqet nga një subjekt tjetër politik.
Ekipi i Preportrit ka dalë në terren dhe e ka parë për së afërmi se si funksionojnë këto institucione të arsimit të lartë në vend. Gjendja nuk është e mirë as në aspektin e kushteve, të kuadrove e të cilësisë, e në anën tjetër numri i studentëve është mjaft i lartë –afër 50 mijë studentë në të gjashtë universitetet.
Kjo ka ardhur për faktin se këto universitete nuk kanë buxhet të mjaftueshëm që të funksionojnë ashtu si duhet, nuk kanë staf të mjaftueshëm, dhe infrastruktura nuk është e përfunduar edhe pse në disa prej tyre janë ndërtuar objektet e reja, e disa kanë në plan të merren me një gjë të tillë në të ardhmen.
Universitetet e tjera publike përveç Universitetit të Prishtinës, funksionojnë si të pavarura mirëpo kanë një ndërvarësi me MAShT-in sepse ende funksionojnë si nënprograme buxhetore të ministrisë.
Si n’pazar
Hapja e gjashtë universiteteve të tjera publike në Kosovë nuk është parë e nevojshme sidomos pasi që kjo ishte bërë pa një analizë paraprake dhe pa i parë nevojat në terren. Megjithatë Qeveria e Kosovës që në atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi mori vendim që në Kosovë të hapen edhe gjashtë universitete të reja publike. Premtimi për hapjen e tyre u bë në kohë fushate parazgjedhore.
Të gjitha këto komuna ku janë hapur universitetet në të kaluarën kishin shkolla të larta por edhe fakultete të cilat ishin pjesë e Universitetit të Prishtinës. Për to ekzistonte një bazë infrastrukturore, mirëpo sfidat në fillim ishin mjaft të mëdha edhe për faktin se aty ishin punësuar njerëz pa përgatitje të mjaftueshme. Kjo kishte arritur deri në atë pikë sa mësim kanë dhënë edhe njerëz me nivelin e studimeve baçelor. Vetëm në Prizren gjashtë profesorë ishin me baçelor të diplomuar në kolegje private. Disa prej tyre notën mesatare e kishin pak më të lartë se gjashtë. Megjithatë duket se ky problem është zgjidhur në të gjitha këto universitete dhe ato janë duke punuar drejt konsolidimit të mëtejmë. Disa prej tyre i kanë vënë detyre vetes të profilizohen, kërkesë kjo edhe e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Rektorët e pesë universiteteve me të cilët ka folur ekipi i Preportrit, kanë thënë të kenë dëgjuar fjalë në media që ministria ka kërkuar që këto universitete të mbyllen ose të profilizohen.
Mbyllja u duket absurde kur dihet që ende po investohet në ndërtimin e infrastrukturës dhe në rritjen e stafit.
Megjithëse është diskutuar shumë për raportin e përfolur të MAShT-it, Preportr ka kërkuar qasje në këtë dokument. Ekipi nuk ka arritur ta sigurojë raportin, por në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike, zyrtarë të MAShT-it na kanë thënë se ai raport ekziston dhe për të po diskutohet në nivel të Qeverisë. Në ndërkohë, raporti ka qarkulluar nëpër media dhe në atë raport përmendet mbyllja e universiteteve dhe shndërrimi i tyre në fakultete që funksionojnë në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Në raport flitet për mungesën e cilësisë, për stafin e papërgatitur, për atë se si këto universitete e riprodhojnë njëri-tjetrin duke ofruar programe të njëjta, për mungesë të strategjive dhe planeve, etj.
As nuk kemi pas kontakt, nuk ka ardhë askush me bisedu me ne. Ata e kanë bërë një raport. Nuk kanë ardhur se po të kishin ardhë ne kemi qenë të gatshëm të takohemi me ta.
Bajram Kosumi, rektor i UGJ
Se çfarë është marrë për bazë në hartimin e këtij raporti ende nuk dihet, kur merret parasysh se sipas rektorëve të universiteteve publike, asnjë komision nuk ka shkuar t’i vizitojë dhe të marrë qëndrimin e tyre. Komisioni e ka vizituar vetëm Universitetin e Gjakovës. Sipas rektorit Shaban Buza, në këtë universitet komisioni është njoftuar për mbarëvajtjen e punës. Te universitetet e tjera ky qëndrim i ministrisë ka krijuar konfuzion.
“As nuk kemi pas kontakt, nuk ka ardhë askush me bisedu me ne. Ata e kanë bërë një raport. Nuk kanë ardhur se po të kishin ardhë ne kemi qenë të gatshëm të takohemi me ta”, thotë rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.
Kosumi ka thënë se vendimi i ministrisë për të krijuar komision i cili e bën vlerësimin e punës së universiteteve ka krijuar konfuzion te stafi dhe të studentët. Ai thotë se pasoja e parë është që ka pasur numër më të vogël të të interesuarve që këtë vit akademik të regjistrohen në këtë universitet.
Qëndrim të njëjtë me Kosumin kanë ndarë edhe rektorët e tjerë të cilët janë habitur se si ka mundësi që të bëhet vlerësim pa u parë gjendja në universitete, kurse rektori i Universitetit të Mitrovicës, emër, tha që nuk e ka idenë se dikush ka nxjerrë raport, apo se është bërë ndonjë vlerësim.
Nevoja për profilizim
Vlerësimi që thuhet se e ka bërë ministria ka ardhur në kohën kur universitetet po përballen me nevojën për të krijuar kushte më të mira për studentët. Disa prej tyre shpëtimin e shohin te profilizimi derisa të tjerët mendojnë se këtyre universiteteve u duhet më shumë buxhet për ta vazhduar punën dhe për të krijuar kushte më të mira. Universitetet që kanë pasur një bazë si ai i Mitrovicës – që është i orientuar më shumë në shkencat teknike – e kanë më të lehtë profilizimin.
Të profilizohen e kanë të lehtë dhe gati janë duke shkuar në atë drejtim, thonë rektorët e Universitetit të Pejës dhe të Gjakovës. Gjilani dhe Prizreni po kërkojnë të krijojnë veçantinë e tyre duke iu përshtatur nevojave dhe mundësive që i kanë këto komuna: Gjilani në matematikë, Prizreni në trashëgimi kulturore dhe turizëm. Mirëpo për të ndodhë kjo duhen mjete materiale dhe resurse humane.
Rektori i Universitetit të Pejës, Fadil Millaku, thotë se ky universitet është gati i profilizuar.
“Ne këtu kemi Fakultetin e Agrobiznesit. Regjioni i Dukagjinit njihet për bujqësi dhe agrobiznes. Ne kemi drejtimet si teknologji e prodhimit bimor, agro mjedis, agroekologji dhe teknologji ushqimore. E kemi Fakultetin e Turizmit. Peja është vend turistik, i ka alpet shqiptare këtu. E kemi Fakultetin e Biznesit. Peja është vend i biznesit dhe ka nevojë për kuadro në fushën e biznesit. E kemi edhe Fakultetin Juridik dhe për fat të mirë, konkurrenca ka qenë më e madhe në këtë fakultet. E kemi edhe Fakultetin e Arteve”, thotë ai për të dëshmuar se rajoni i Pejës është i orientuar nga biznesi, prandaj universiteti mund të krijojë kuadro për nevoja të tregut.
Gjakova sipas rektorit Buza, profilizimin e ka pasur si parësore dhe është munduar që këtë çështje ta shtyjë përpara edhe në takimet me rektorët e tjerë, por edhe me Ministrinë e Arsimit.
Më të vështirë e sheh profilizimin rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi. Ai thotë se profilizimi është futë si fjalë dhe tingëllon këndshëm por në fakt kjo fjalë po përdoret më shumë për t’i sulmuar universitetet e reja. Madje ai thotë se profilizimin nuk ka arritur ta bëjë as Universitetit i Prishtinës, ani pse si ide është diskutuar para pesë gjashtë vitesh.
Vlen të theksohet se të gjitha universitetet publike në programin e tyre e kanë futur juridikun dhe ekonomikun por në disa prej tyre kritika më e madhe edhe prej njohësve të fushës së arsimit ka qenë në këtë pikë. Ajo që është diskutuar shumë ka qenë fakti përse është dashur që të gjitha universitetet përveç Gjakovës t’i kenë këto drejtime në universitetet e tyre dhe kjo është bërë pa ndonjë analizë paraprake për të parë se cilat janë nevojat e tregut.
Më shumë profesorë të angazhuar se të rregullt
Për profilizim duhet staf akademik i profilizuar. Universitetet publike duke përfshirë edhe atë të Prishtinës hallin më të madh e kanë te mungesa e stafit. Të gjitha këto universitete me pak përjashtime gjysmën e stafit e kanë staf të angazhuar. Kjo në një mënyrë e vështirëson punën pasi stafi i angazhuar nuk është tërë kohën në dispozicion të studentëve. Ata me kontratë e kanë për detyrë t’i mbajnë orët, provimet, etj.
Universitetet publike e kanë arritur një marrëveshje që stafi i tyre akademik një ditë në javë të japë mësim në një universitet tjetër publik përveç universitetit ku janë të angazhuar si staf i rregullt. Në këtë mënyrë ato i plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit për staf.
Universiteti i Mitrovicës në këtë aspekt qëndron pak më mirë. Në këtë universitet ka 110 profesorë të rregullt dhe rreth 35 profesorë të angazhuar. Tek të angazhuarit, ky universitet ka bashkëpunëtorë edhe nga Tirana.
Në Universitetin e Pejës më shumë ka profesorë të angazhuar – rreth 100, derisa staf i rregullt janë 74 profesorë dhe asistentë.
Prizreni në këtë aspekt i ka punët më keq sepse në semestrin e fundit ka pasur 66 profesorë dhe asistentë si staf i rregullt, ndërsa numri i të angazhuarve ka qenë dyfish më i madh, gjegjësisht 140. Rektori i këtij universiteti, Ramë Vataj, thotë se fakti që kanë më shumë bashkëpunëtorë të jashtëm sesa profesorë të rregullt sigurisht që i pengon shumë në punë. Prandaj thotë të ketë insistuar në vazhdimësi të marrin staf të rregullt.
Te Universiteti i Gjakovës raporti ndërmjet stafit të rregullt dhe atij të angazhuar është gati një me një. 45 profesorë dhe asistentë përbëjnë stafin e rregullt, derisa 50 prej tyre janë staf i angazhuar.
“Te stafi akademik qe tri vjet ka zhvillim shumë të mirë në këtë drejtim. I kemi 30 doktorë shkence të pranuar në punë, por është e pamjaftueshme, 12 asistentë me ligj na kërkohet”, thotë rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.
Gjysma e orëve sipas tij mbahen nga bashkëpunëtorët e jashtëm dhe kjo paraqet vështirësi pasi ata nuk kanë obligim të rrijnë tetë orë në universitet.
“Interesi ynë do të ishte që 80 për qind stafi të jetë i rregullt e 20 të jashtëm. Tani është diku 60-40”, thotë ai.
Sfidat e përbashkëta
Universitetet publike kanë probleme me infrastrukturë. Në këtë aspekt më së miri qëndron Universiteti i Mitrovicës, Ky institucion para disa javësh është vendosur në objektet e reja të cilat janë mjaft moderne dhe investimi ka kushtuar rreth 15 milionë euro. Në hapësirën ku janë ndërtuar fakultetet dhe rektorati në të ardhmen parashikohet të ndërtohen edhe konviktet dhe mensa e studentëve.
Universitetet e tjera janë duke menduar të gjejnë hapësira të reja për ndërtim të kampuseve universitare pasi që në shumicën e rasteve mësimin e mbajnë në objekte të improvizuara që nuk i plotësojnë kushtet.
Sfidë e përbashkët e të gjitha këtyre institucioneve është mungesa e buxhetit.
Universitetet janë nënprogram i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe si të tilla buxhetin nuk e menaxhojnë vetë (referencë për buxhet). Disa prej tyre thonë se e kanë mundësinë të kenë autonomi financiare ashtu siç e ka Universiteti i Prishtinës, pasi që kjo do t’i përcaktonte pastaj edhe nevojat dhe qëllimet e universiteteve.
Përveç kësaj, buxhetet e këtyre institucioneve janë shumë të ulëta – pak më shumë se 3 milionë euro për secilin.
“Sfidë është pavarësia financiare dhe buxheti i limituar. Ne nuk kemi mjete për të pagur stafin akademik për të marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare. Është shumë e nevojshme për asistentë dhe profesorë të marrin pjesë në konferenca të tilla”, thotë rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.
Ka probleme, sepse mjetet nga projektet që ne jemi pjesë e tyre, së pari derdhën në buxhetin e qeverisë dhe mandej ato alokohen tek ne.
Fadil Millaku, rektor UHZ
Një tjetër problem që e kanë universitetet është se ato nuk i menaxhojnë të hyrat vetanake. Edhe këto para derdhen në buxhetin e Qeverisë së Kosovës.
“Ka probleme, sepse mjetet nga projektet që ne jemi pjesë e tyre, së pari derdhën në buxhetin e qeverisë dhe mandej ato alokohen tek ne......edhe menaxhimi i të hyrave do të kishte qenë më i lehtë dhe më i mirë në veçanti kur janë në pyetje bursat e studentëve”, thotë rektori i Pejës, Fadil Millaku.
Rektori i Universitetit të Mitrovicës Alush Musaj, kur flet për vështirësitë që i kanë me buxhet thotë se ky universitet mund të gjeneronte të hyra nga ekspertiza që mund t’u ofronin kompanive të mëdha.
“Mbi 70 për qind e profesorëve tonë punojnë në kompani të ndryshme private. Është interesant se këto kompani gjithmonë kërkojnë një leje të universitetit, një vulë, një marrëveshje me universitetin dhe ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë një gjë të tillë, sepse ne nuk kemi të drejtë të krijojmë të hyra”, thotë ai.
Te Prizreni dhe Gjakova paraqiten të njëjtat probleme me buxhet.
“Ne i kemi rreth 400 mijë euro të hyra vetanake, asnjë cent nuk na vjen neve. Kemi projekte që kemi fituar dhe ato shkojnë në buxhet të Kosovës, ndërsa ne duhet t’i kërkojmë paratë tona. Do të thotë nuk kemi fare kod buxhetor dhe kjo është problem për të gjitha universitetet publike, përveç UP-së”, thotë rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj.
Profesorë nga partitë politike
Në universitetet publike një numër i madh i profesorëve janë të përkatësive të ndryshme partiake. Disa prej tyre kanë mbajtur pozitat më të rëndësishme publike në vend si atë të Kryeministrit dhe të deputetit. Katër nga gjashtë universitete udhëhiqen nga njerëz me përkatësi partiake – që të katër janë nga Partia Demokratike e Kosovës. Bajram Kosumi, rektor i Universitetit të Gjilanit, ka qenë Kryeministër i Kosovës në periudhën 2005-2006. Asokohe ai ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti të cilën e ka lënë në vitin 2010 për t’ju bashkëngjitur PDK-së me “Listën Qytetare Për Demokraci”, me të cilën garoi për deputet në vitin 2010, post të cilin nuk arriti ta fitonte. Prej asaj kohe Kosumi nuk është parë të jetë angazhuar në politikë. Rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Pjesë e PDK-së është edhe rektori i Ferizajt, Agron Bajraktari, i cili ka qenë këshilltar politik i Blerand Stavilecit, ish- Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (2008-2012), si dhe ai i Mitrovicës Alush Musaj. Musaj ka qenë sekretar i degës së PDK-së në Mitrovicë dhe drejtor i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës në mandatin kur kryetar ishte Bajram Rexhepi.
Përveç rektorëve Preportri ka hulumtuar të gjitha pozitat e tjera udhëheqëse të universiteteve për të parë se sa prej tyre vijnë nga partitë politike. Janë shikuar pozitat e rektorëve, prorektorëve, këshillave drejtues të universiteteve, dekanëve, prodekanëve dhe të dhënat tregojnë se këto pozita mbahen prej një numri të madh të atyre të cilët kanë qenë apo janë ende pjesë e partive politike.
Të dhënat tregojnë se 35 persona prej këtyre që mbajnë këto pozita në 6 universitete dalin të jenë pjesë e partive politike. 15 janë të PDK-së, 6 të LDK-së, tre të AAK-së, pesë të AKR-së, dy të NISMA-s, një të Koalicionit Vakat, një të KDTP-së, një të Alternativës.
Disa prej tyre kanë ndërruar partinë më shumë se një herë.
Përveç që një pjesë e madhe e pozitave udhëheqëse janë me njerëz të partive politike, rektorët e këtyre universiteteve kanë garantuar që ndikimet politike, apo edhe ndikimet e grupeve të tjera të interesit në këto institucione janë të papërfillshme. Madje sipas tyre nuk ka pasur as tendenca të partive politike, qoftë të atyre në pushtet në nivel qendror qpo atë lokal, që të ndërhyjnë në punësimet e stafit. Ata thonë se pozitat të cilat i kërkojnë janë të një natyre të veçantë dhe jo gjithkush mund t’i plotësojë kushtet për ato pozita.
ZKA: Parregullsi në universitete
Zyra Kombëtare e Auditimit në kuadër të raporteve për Ministrinë e Arsimit ka vlerësuar edhe punën e universiteteve publike. Në këto raporte vërehet se të gjitha universitetet i kanë pasur problemet e njëjta e të cilat në disa raste edhe janë adresuar. Problemet më të mëdha të tyre ishin vërejtur te pagat dhe mëditjet.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vitin 2016 për universitetet publike kishte konstatuar se këto institucione të cilat funksionojnë në kuadër të MAShT-it, nuk e plotësojnë pyetësorin e vetëvlerësimit, nuk kishin strategji zhvillimore (me përjashtim të Universitetit të Gjakovës), dhe nuk kishin plane vjetore të punës për vitin 2016 si dhe nuk kishin regjistër të rreziqeve.
Problem më i theksuar në raporte të auditorit ishte menaxhimi i pagave për profesorët. Gjatë auditimit të pagave të stafit akademik në gjashtë universitetet, ZKA-ja kishte hasur në shumë raste ku rregulloret për të ardhurat personale nuk janë zbatuar. Kjo sipas këtyre raporteve kishte rezultuar me pagesa edhe në rastet kur nuk është plotësuar norma, pagesa e avansit, etj.
Mirëpo në vitin 2017 u zbatua rekomandimi i ZKA-së që pagat dhe kompensimet të bëhen në pajtim me rregulloren për të ardhurat personale si dhe të forcohen kontrollet e vijueshmërisë .
Edhe në vitin 2017 disa universitete sipas ZKA-së kishin hartuar strategjitë e tyre, e disa jo. Në vitin 2017, Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Gjilanit dhe Universiteti i Ferizajt nuk kishin hartuar plane strategjike.
Rektorët thonë se disa nga problemet që i kanë pasur në fillim tashmë i kanë eliminuar dhe kjo ka ndodhur sidomos te pagat dhe mëditjet.
Megjithëse auditori në njërin prej raporteve kishte konkluduar se qeverisja në të gjitha këto universitete kishte funksionuar mirë, si sfidë për të gjitha universitetet sipas raportit mbeten ndërrimet e shpeshta të personave të ngarkuar me qeverisje dhe qëndrueshmëria e tyre.
Padi kundër Universitetit të Pejës
Në kohën sa Preportr ka qenë duke e realizuar hulumtimin për universitetet publike, në Gjykatën Themelore të Pejës ka filluar një proces gjyqësor kundër Universitetit të Pejës. Padinë kundër këtij universiteti e ka ngritur Bashkim Nurboja, kandidat për tri pozita të mësimdhënësit në Fakultetin e Biznesit, Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Menaxhimit në Turizëm Hotelieri dhe Mjedis në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, sipas konkursit për zgjedhjen e personelit akademik të rregullt, të shpallur më 9 maj 2018. Sipas padisë, Nurboja pretendon se gjatë procesit të rekrutimit atij i është bërë e padrejtë pasi kandidatët e tjerë ishin më pak të përgatitur.
“Paditësi është Doktor i Shkencave Ekonomike, i cili ka doktoruar në një nga universitetet më të mira botërore në lëminë e tij, ku kontributi i tij shkencor është mjaft serioz. I njëjti kontributin e tij akademik e ka materializuar në revista akademike kredibile ndërkombëtare, dhe asnjëherë nuk ka publikuar në revista shkencore të rreme”, thuhet në padi.
Rektori i Universitetit të Pejës, Fadil Millaku, nuk mendon që Nurbojës i është bërë e padrejtë. Ai thotë se ankesa e tij ka të bëjë me lëndët të cilat kanë dalë në konkurs për profesorët që janë staf i rregullt në UHZ dhe thirrja të cilën pretendon ta marrë kandidati është fituar nga kandidatët (profesorët) para katër viteve.
“Unë nuk njoh ndonjë rast që një profesor që ka marrë një thirrje në universitet është larguar nga puna dhe në vend të tij është zgjedhur dikush nga jashtë. Kjo do të paraqiste precedent. Përveç kësaj komisioni rencenzues ka vlerësuar se profesorët në fjalë i kanë plotësuar të gjitha kriteret sipas statutit të UHZ”, thotë ai.