English
Scroll top

Tu prashitë n’ujë

Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë me grante për fermerët nuk ka dhënë rezultatin e dëshiruar. Disa prej atyre që janë ndihmuar nga ministria, kanë abuzuar me paranë publike, duke i mbyllur fermat, duke e mashtruar ministrinë ose duke mos i implementuar deri në fund projektet. Ka fermerë që nuk kanë ku t’i mbajnë lopët dhe detyrohen t’i shesin ato. Gjatë procesit të ndarjes së granteve ka shumë padrejtësi, sepse vetëm në vitin 2015 gjysma e aplikuesve janë refuzuar pa iu shqyrtuar fare projektet

Prishtinë, 23 Maj 2016

Me rreth 226 milionë euro të investuara në fushën e bujqësisë, për pesë vitet e fundit Qeveria nuk ka arritur të realizojë objektivat për ulje të papunësisë dhe rritje të prekshme ekonomike. Investimet në këtë fushë janë bërë pa ndonjë studim të fizibilitetit dhe mjetet kanë shkuar shpesh në adresa të gabuara. Sektori bujqësor në Kosovë nuk i mbulon nevojat e qytetarëve pothuajse me asnjë kulturë bujqësore. Në disa raporte për kultura të veçanta që i ka bërë Ministria e Bujqësisë, shihet se me gjithë investimin përgjatë viteve, Kosova ende importon shumë produkte bujqësore dhe blegtorale. Vetëm me patate dhe kumbulla mbulohen gati 100 përqind të nevojave të tregut në Kosovë. Në të tjerat, duke u bazuar në këto raporte por edhe ato të Doganës së Kosovës, vërehet një ulje e importit për vitet 2012 dhe 2013, kurse në vitet 2014 - 2015 në shumicën e artikujve si mishi, qumështi, produktet e qumështit, pemët, perimet vërehet rritje e importit. Vetëm tek gruri ka rënie të vazhdueshme të importit, derisa tek mielli ka përherë rritje.

Gjatë vizitave që ekipi i Preportr ka bërë në terren, fermerët janë ankuar se kushtet i kanë shumë të vështira dhe nuk kanë përfituar asgjë nga ministria sepse në shumicën e rasteve atyre u është kërkuar të japin ryshfet ose të jenë militantë të partisë që udhëheq me Ministrinë e Bujqësisë.

Preportr gjatë hulumtimit ka gjetur stalla moderne që janë financuar nga Ministria e Bujqësisë e  që kanë mbetur bosh. Fermerët në këto raste ose i kanë shitur lopët, ose vetëm e kanë ndërtuar stallën dhe nuk kanë mbajtur fare lopë ose viça. Në anën tjetër një numër i madh i fermerëve nuk kanë se ku t’i mbajnë lopët. Ata janë të detyruar që ato t’i mbajnë në stalla të improvizuara, ku kushtet janë shumë të këqija. Fermerët kanë aplikuar për grante, por projektet u janë refuzuar nga Ministria e Bujqësisë me arsyetime të ndryshme, ndërsa thonë se as që i ka vizituar ndokush për të parë gjendjen reale. Një pjesë e tyre tanimë i kanë shitur lopët, ndërsa pjesa tjetër thonë se nëse nuk do të marrin përkrahje nuk u mbetet zgjidhje tjetër pos t’i shesin ato.

Shiko Gazetën #18

Refuzimi që u është bërë nga Ministria e Bujqësisë u ka kushtuar fermerëve për faktin se ata është dashur të paguajnë për përgatitjen e projekteve, pasi që vetë nuk kanë përgatitje të duhur për ta bërë një gjë të tillë. Përgatitja e një projekti për të konkurruar për grant për një stallë fermerit i kushton 500 deri në 1000 euro, ndërsa ka fermerë që kanë bërë deri në pesë projekte të tilla ndër vite dhe nuk e kanë fituar grantin.

Një pjesë e madhe e fermerëve refuzohen padrejtësisht pa iu shqyrtuar fare projektet dhe kjo bëhet për shkak se atyre u mungon ndonjë dokument. Vetëm në vitin 2015 kanë aplikuar mbi 2100 fermerë, ndërsa gjysma janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacioneve. Zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), në bazë të udhëzuesit për aplikim që vetë e kanë përgatitur, kanë për obligim që të mos u pranojnë dokumentet e aplikimit fermerëve nëse  ato nuk janë të kompletuara dhe duhet t’u rekomandojnë se cilat dokumente shtesë duhet t’i sjellin në mënyrë që aplikimi të jetë i kompletuar. Fermerët ankohen edhe për shkak të shtimit të kritereve përmes Udhëzimeve Administrative që i nxjerr Ministria e Bujqësisë, e që ata nuk janë të informuar me kohë për to. Këto kritere fermerët i quajnë si të padrejta dhe me qëllimin e vetëm që të gjenden arsye për refuzim. Ka fermerë që kanë përvojë 30-40 vjeçare në bujqësi dhe ata refuzohen për shkak të përvojës së padëshmuar. Ka fermerë që e kanë pasur projektin shumë të mirë dhe arsyeja e refuzimit ka qenë se Ministria e Bujqësisë nuk ka fonde që të përkrahet ai projekt. Në anën tjetër ka fermerë që kanë marrë dy herë grante brenda një viti dhe ka fermerë që kanë marrë grante për dy vite radhazi. Preportr ka shikuar të gjitha grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë në periudhën 2010-2015 dhe ka gjetur se dy persona kanë marrë nga dy grante brenda një viti, njëri në vitin 2013 e tjetri në vitin 2014. Ndërsa 54 persona kanë marrë nga dy grante brenda tri viteve.

Edhe Auditori Gjeneral ka gjetur se Ministria e Bujqësisë “ka subvencionuar dy Organizata joqeveritare, edhe pse projektet e subvencionuara nuk ishin të natyrës për prodhimin, përpunimin e produkteve bujqësore dhe agro-ushqimore vendore. OJQ-të kanë ofruar projekte të cilat ishin të natyrës administrative dhe financiare”.

Se ka pasur keqpërdorime të granteve e konfirmon edhe Ministria e Bujqësisë. Kjo ministri ka ngritur kallëzime penale ndaj disa fermerëve për këtë çështje.

Komunat e favorizuara nga ministria

Ministria e Bujqësisë nuk i ka bërë publike të gjitha listat e përfituesve të granteve. Lista e përfituesve të traktorëve dhe pajisjeve të tjera bujqësore nuk është publike. Preportr e ka siguruar këtë listë nga burimet e saj dhe kërkesës për qasje në dokumente publike për përfituesit e traktorëve ia ka bashkangjitur edhe këtë listë dhe, pas insistimit, Ministria na ka dërguar listën e përfituesve të traktorëve vetëm për vitin 2013.

Lista e traktorëve ku është dhënë një shumë e madhe e mjeteve tregon se paraja publike përmes granteve është shpërndarë në rajonin e Drenicës që konsiderohet si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës. Në listën e përfituesve të traktorëve dhe pajisjeve të tjera për vitin 2013, nga 39 përfitues, 10 janë nga Drenica (Skenderaj dhe Drenas). Në Rahovec ku ka potencial për zhvillim më të madh të bujqësisë ka vetëm një përfitues, njëjtë edhe në Suharekë.  Në Pejë që po ashtu njihet si rajon ku bujqësia është më e zhvilluar ka vetëm një përfitues të traktorit dhe pajisjeve të tjera.

Sipas të dhënave të ministrisë, as shpërndarja e granteve nuk është bërë në mënyrë të drejtë për të gjitha komunat. Nga komunat e vogla, Skenderaji dhe Drenasi kanë përfituar më së shumti. Madje këto dy komuna kanë përfituar më shumë se komunat e mëdha si ajo e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Ferizajit, Gjilanit e Gjakovës. Të dhënat për të gjitha komunat janë dhënë në grafikonin më poshtë.

Përveç listave të përfituesve të traktorëve, ministria nuk i ka bërë publike në listat e granteve as pikat grumbulluese si “ASK Foods”, “Kelmendi GmbH” dhe “Elkos” të cilat në vitin 2014 kanë përfituar nga ministria afër 3 milionë euro. Njëra prej tyre, kompania “Elkos”, është pronë e ish-deputetit të PDK-së Ramiz Kelmendit. Gjithashtu shumë fermerë kanë deklaruar se kanë përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë për ndërtimin e stallave dhe kanë përfituar traktorë dhe mekanizma përcjellës, por ata nuk mund të gjenden në listat që i ka bërë publike Ministria e Bujqësisë

Për të gjitha këto të gjetura Preportr ka kërkuar të zhvillojë intervistë me ministrin e Bujqësisë Memli Krasniqin dhe kryeshefin e AZHB-së Elhami Hajdarin. Kërkesa e parë për intervistë është dërguar më 18 shkurt 2016 dhe as pas më shumë se një muaj e gjysmë pritjeje ata nuk kanë shprehur gatishmëri që të na përgjigjen në kërkesë.

Ryshfeti ndërmjetësim për marrjen e granteve

Bujqësia, të cilën qeveria e sheh si sektor të gjenerimit të punësimit dhe zhvillimit ekonomik në të ardhmen, nuk u mbështet me ndonjë strategji a plan kur qeveria, donatorët dhe komunat investuan mbi 226 milionë euro. Pavarësisht këtij investimi të madh, Kosova nuk ka bërë progres të prekshëm në fushën e bujqësisë.

Keqpërdorimet në shumë raste janë evidente. Preportr, gjatë punës në terren ka evidentuar disa fermerë që janë ndihmuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), por dhe të tjerë që nuk janë mbështetur fare. Në disa raste fermerët që janë ndihmuar nga ministria e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, i kanë mbyllur fermat pa dhënë asnjë përgjegjësi.

Një stallë e ndërtuar në Komunën e Suharekës ka mbetur bosh. Pronari i kësaj stalle që nuk dëshironte të identifikohej, ka thënë se këtë stallë e ka ndërtuar pjesërisht me mjete të veta dhe me ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë. Investimi total në këtë stallë shumë moderne, sipas tij, është rreth 400 mijë euro. Ajo ka një hapësirë shumë të madhe dhe ka kushte optimale për të mbajtur qindra lopë qumështore dhe viça, ndërsa ngjitur e ka edhe dhomën e veçantë për mjelje, ku mund të bëhet mjelja e tetë lopëve njëkohësisht dhe qumështi direkt grumbullohet në rezervuarin special. Kësaj stalle tashmë i është vënë dryri pasi që pronari i saj i ka shitur mbi 80 lopë qumështore.

“Nuk mund të bëhet biznes këtu, kam investu shumë, ja po e shihni çfarë stalle kam dhe është dashtë me e mbyllë. Kompania me të cilën kam pas kontratë e ka ndryshuar shpesh çmimin, çka të bësh me 25-26 centë, d.m.th litri i qumështit më lirë së litri i ujit. Gjithashtu ku ka në botë që bën kontratë me kompaninë për shitjen e qumështit dhe ajo për shkak të borës apo shkaqeve tjera nuk vjen me e marrë dhe shpesh më është dashtë që ta gjuaj qumështin apo t’ua shpërndaj bashkëfshatarëve”, thotë ai.

Disa fermerë thonë se u janë kërkuar edhe para në mënyra të ndryshme si kusht për të fituar grantin. Ata nuk guxonin që të flisnin duke zbuluar identitetin e tyre për shkak se frikësoheshin nga hakmarrja e Ministrisë së Bujqësisë.

play

Ky hulumtim paraqet gjendjen në terren dhe kushtet në të cilat fermerët i mbajnë gjedhet. Në këtë video-storie prezantohen raste të mbylljes së stallave moderne të financuara nga Ministria e Bujqësisë dhe fermerë të cilët i kanë improvizuar disa stalla për t’i mbajtur lopët dhe viçat. Gjithashtu paraqiten me fakte edhe refuzimet e padrejta të projekteve që iu janë bërë fermerëve dhe shkelje procedurale nga zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë

“Kam marrë disa grante dhe për të gjitha kam dhënë ryshfet, sepse pa dhënë ryshfet është e pamundur që të marrësh grante të mëdha. Ryshfet kam dhënë edhe në komunë për të marrë subvencione edhe fermerët tjerë që i njoh kanë dhënë ryshfet, por askush nuk guxon të flasë për shkak se nuk ka shanse që të marrë më ndonjë grant tjetër. Kur kam aplikuar për traktor, ende pa dalë listat dhe pa u informuar nëse jam fitues, më ka thirr në telefon një person nga një kompani që shet traktorë dhe më ka thënë se traktorët kanë ardhur. E ku e dinte ky person që unë isha fituesi? Unë këtë e mora si porosi që duhet ta blej traktorin nga kjo kompani dhe ashtu veprova, e bleva tek ata në Fushë Kosovë”, na tregon ky fermer në detaje se si funksionon marrja e granteve nga ministria.

Një fermer tjetër nga fshati Topillë i Komunës së Shtimes ka përfituar nga ministria grant për ndërtimin e stallës për majmëri të viçave në vlerë prej 27 mijë eurosh. Preportr disa herë e ka vizituar këtë stallë që i plotëson të gjitha kushtet për mbajtjen e viçave, që është ndërtuar në këtë fshat malor të kësaj komune, por asnjë viç nuk gjendej brenda. Tek kriteret për stallat ministria ka vendosur kushte që këto stalla duhet të jenë tri vjet aktive, kurse kjo stallë është ndërtuar në fund të vitit të kaluar. Pronari i kësaj stalle Musli Haziri, mundohet ta arsyetojë mungesën e viçave në stallë me shpenzimet e shumta që i ka bërë për të participuar në ndërtimin e saj.

“Shtatë viça i kam shitë në dhjetor, tash pak ngapak, edhe nja shtatë qetash kam m’i hekë dhe nja shtatë i kam në shtallë këtu në Shtime, se në Topillë nuk e kam asnjë. Gjatë verës i dërgoj në Topillë, edhe gjatë dimrit i mbaj atje, por vitin e kaluem kam shpenzue shumë dhe u dashtë me i shitë”, thotë ai.

Haziri thotë se e di që e ka obligim nga Ministria e Bujqësisë që të ketë mbi 20 viça në stallën e sapondërtuar, por thotë se do ta plotësojë këtë numër në të ardhmen.

Stallat e improvizuara

Derisa stallat moderne të dy fermerëve të përmendura më lartë rrinë bosh, shumë fermerë tjerë nuk i kanë as kushtet elementare ku t’i mbajnë lopët dhe viçat. Ata kanë improvizuar disa objekte të vjetra si stalla, disa të tjerë i kanë improvizuar edhe me najlon.

Njëri nga këta fermerë është edhe Gazmend Krasniqi nga fshati Qallapek i Komunës së Pejës. Stalla ku Gazmendi i mban lopët është shumë e vogël dhe për këtë arsye ai ka ndërtuar edhe dy stalla tjera të improvizuara për të mbajtur pjesën tjetër të viçave. Kushtet në këto stalla janë shumë të papërshtatshme për të mbajtur lopët si verës ashtu edhe dimrit. Në këto kushte Gazmend Krasniqi thotë se nuk mund t’i mbajë lopët dhe se do të detyrohet t’i shesë ato. Ai nuk ka hapësirë në stallë që t’i mjelë lopët me makinën përkatëse dhe për këtë arsye thotë se nuk mund ta shesë qumështin, pasi që i ka rezultuar jo i pastër.

Vitin e kaluar atij i është refuzuar projekti për ndërtimin e stallës për arsye se nuk e kishte dokumentin që dëshmonte pëlqimin urbanistik për ndërtimin e stallës dhe kopjen e planit. Projekti i tij as që është shqyrtuar nga Ministria e Bujqësisë. Ai thotë se këto dokumente nuk i janë kërkuar dhe se kur i ka dorëzuar dokumentet, zyrtarët e pranimit nuk i kanë thënë se mungon ndonjë dokument. Gazmendi ka aplikuar disa herë për grante në Ministrinë e Bujqësisë, por asnjëherë nuk ka fituar, ndërsa për përgatitjen e këtyre projekteve ka shpenzuar hiç më pak se 2700 euro.

Kam aplikuar qe katër vite për stallë dhe asnjëherë nuk kam fituar, i kam 20 lopë qumështore dhe 22 viça të majmërisë. Kam vullnet shumë për punë, po mundohem që të mos dorëzohem, por është shumë e vështirë pa pasur një stallë. Në kushtet aktuale nuk e di as si t’ia dal, dimrit më ngrihet uji, duhet me kovë t’u dërgoj lopëve ujë, e vetmja zgjidhje është që t’i shes”, u shpreh fermeri Krasniqi.

Kushtet shumë të këqija për mbajtjen e lopëve i ka edhe fermeri Imer Krasniqi nga fshati Baran i Pejës. Në mungesë të një stalle të madhe ai është munduar që të bëjë një zgjidhje të përkohshme. Krasniqi i ka përshtatur katër stalla të vogla për t’u bërë vend të gjitha lopëve që i ka, por kushtet në këto stalla janë shumë të vështira. Ai thotë se ka shumë nevojë për një stallë më të madhe dhe se do ta rriste numrin e lopëve qumështore nëse do të kishte kushte më të mira. Me kushtet aktuale, ai thotë se do të detyrohet t’i shesë lopët qumështore dhe viçat, pasi që nuk ka mundësi t’i mbajë.

Kushtet shumë të vështira në të cilat ai i mban lopët dhe viçat i kanë parë edhe komisionet e Ministrisë së Bujqësisë, pasi që Imer Krasniqi ishte njëri prej përfituesve të grantit për stallë. Ai më 10.10.2012 kishte marrë konfirmim me shkrim nga Ministria e Bujqësisë për aprovimin e projektit të tij në vlerë prej 25 mijë eurove.

“Në bazë të kontrollës administrative, kritereve të vlerësimit si dhe në bazë të kontrollës së kryer në terren nga komisioni, projekti juaj i plotëson kriteret e parapara sipas thirrjes për aplikim për të filluar investimin e paraparë me projekt”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e Ministrisë së Bujqësisë. Por më 23.01.2013, Ministria e  Bujqësisë ka marrë një vendim për refuzimin e përkrahjes financiare me arsyetimin se nuk i ka kryer punët me kohë, në afatin e paraparë prej 30 ditësh.

Në vitin 2015 kam aplikuar prapë për këtë stallë, por më kanë thënë që nuk e ke lejen  e urbanizmit, por unë e kam këtë leje prej vitit 2012, edhe ua kam dërguar këtë leje që ma ka lëshuar komuna, por kot

Imer Krasniqi, fermer

Imeri thotë se i janë dashur disa javë derisa ka marrë pëlqimin urbanistik dhe lejen për shndërrimin e tokës bujqësore në tokë për ndërtim dhe kjo për shkak të procedurave dhe mosdaljes në terren të komisionit përkatës për të bërë vlerësimin urbanistik të objektit. Imeri e kishte filluar stallën, kishte ngritur muret dhe shtyllat, por i është dashur t’i ndërpresë punimet për shkak se kishte rënë borë dhe këtë situatë e kishte parë edhe komisioni vlerësues i Ministrisë së Bujqësisë, i cili kishte konstatuar se punimet nuk kishin përfunduar në kohën e paraparë. Ai disa herë ka bërë kërkesë për shtyrje të afatit të punimeve, por një gjë e tillë nuk është marrë parasysh dhe stalla ka mbetur e papërfunduar.

“Unë e kam përfituar projektin por prej kohës së shkurtër nuk kam mundur ta kryej komplet ndërtimin. Afati ka qenë vetëm 30 ditë. Kur e kam bërë kërkesën për shtyrje të kohës së punimeve më kanë thënë se duhet ta bëj pagesën prej 25 mijë eurove dhe t’ua dërgoj faturën dhe këtë e kam bërë, por prej asaj dite e deri më sot nuk më kanë sjellë kurrfarë vendimi”, thotë ai.

Pavarësisht se ministria nuk i kishte dhënë mjetet për ndërtimin e kësaj stalle e cila ka mbetur në gjysmë, Krasniqi nuk ka rreshtur së aplikuari për grante në këtë ministri.

“Në vitin 2015 kam aplikuar prapë për këtë stallë, por më kanë thënë që nuk e ke lejen e urbanizmit, por unë e kam këtë leje prej vitit 2012, edhe ua kam dërguar këtë leje që ma ka lëshuar komuna, por kot”, thotë ai.

Manipulimi përmes kritereve dhe dokumenteve

Në fshatin malor Tërllabuq të Vushtrrisë, ku pothuajse të gjitha banorët janë shpërngulur nëpër qytete, familja Aliu merret me bujqësi dhe blegtori. Falë vullnetit të madh dhe pa asnjë ndihmë nga shteti ata i kanë 26 krerë lopë e viça, 80 koshere me bletë, pula, biba, tokë të mbjellë me grurë e kultura të tjera.

Burim Aliu, një fermer i ri nga ky fshat, nuk ka stallë adekuate për mbajtjen e lopëve. Por ai i ka ndërtuar tri stalla të vogla, ku i mban aktualisht lopët dhe viçat. Hapësira në këto stalla të improvizuara është aq e ngushtë saqë është e vështirë të ushqehen e lëre më të mjelen lopët.

Ai thotë se nuk po mundet ta rrisë numrin e lopëve për shkak të mungesës së një stalle më të madhe.

“Nëse do ta kisha fituar grantin gjithsesi do ta kisha rritur numrin e lopëve qumështore dhe viçave për majmëri; unë atë synim e kam pasi që e kam kryer shkollën e blegtorisë dhe kam marrë pjesë në shumë trajnime për këtë fushë”, thotë ai.

Atij i është refuzuar projekti për grant për shkak të mosdërgimit të lejes urbanistike, e cila thotë se nuk ka qenë ndër dokumentet e kërkuara kur është publikuar shpallja për aplikim.

“Gjatë kontrollës administrative të dokumentacionit të aplikuesit Burim Aliu është konstatuar se aplikuesi nuk e kalon pragun e pranueshmerisë së aplikacioneve duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ dhe Udhëzuesin për Aplikantë. Në aplikacion mungojnë dokumentet në vijim: Pëlqimi urbanistik i komunës që dëshmon se në rast të dhënies së grantit përfituesi do të marrë leje ndërtimi. Aplikuesi nuk e ka sjellë pëlqimin urbanistik. Andaj duke marrë parasysh këto pika AZHB merr vendim për refuzim”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e Ministrisë së Bujqësisë. Aliu thotë se kur ka aplikuar nuk i është kërkuar një dokument i tillë dhe se atij i është thënë se të gjitha dokumentet janë në rregull. Ai këtë e dëshmon edhe përmes dokumentit zyrtar që ia kanë lëshuar zyra e AZHB-së në Mitrovicë.

Edhe Dukagjin Balaj nga fshati Llugaxhi i Pejës ka aplikuar dy herë për grant për ndërtimin e stallës, por nuk ka fituar. Herën e parë thotë se e kanë refuzuar në mungesë të buxhetit, kurse herën e dytë për mungesë të planit për ndërtimin e stallës. Balaj këtë dokument e kishte me vete ditën që ka aplikuar, por zyrtarja për pranim të dokumenteve i kishte thënë se ai nuk ishte i nevojshëm në këtë fazë, por vetëm pasi ta fitojë grantin.

Para se të aplikojë për grant Balaj i ka pasur 17 lopë disa prej tyre i ka shitur në mungesë të kushteve.

Fermeri që ka 40 vjet përvojë në bujqësi u refuzua për mungesë të përvojës!

Shaip Statovci është rreth të shtatëdhjetave, por kjo nuk e pengon që të përkujdeset për mollët dhe pemët tjera që i ka në oborr të shtëpisë. Thotë se nga literatura që ka lexuar së voni më mirë është që pemët të spërkaten në fund të vjeshtës dhe jo siç veprohet tek në pasi që ato të lulëzojnë.

“Ne që pretendojmë të merremi me bujqësi, duhet që gjatë gjithë kohës të lexojmë, pasi që shkenca po përparon shumë shpejt”, thotë Statovci. Ai u jep këshilla edhe bujqve tjerë, të cilët e pyesin se si mund të veprojnë në situata të caktuara. Ai nuk përton ta bëjë këtë. Përkundër njohurive të shumta në fushën e bujqësisë në përgjithësi, ai njëherë është refuzuar për shkak se “nuk ka përvojë të dëshmuar trevjeçare në fushën e bujqësisë dhe nuk e ka shkollën e mesme”.

Ky fermer i pasionuar për fushën e bujqësisë nuk është ndihmuar nga Ministria e Bujqësisë. Stalla që e ka në fund të oborrit i është dëmtuar gjatë luftës. Ajo që nga atëherë ka mbetur me kulm të djegur, por me mure të ruajtura. Pavarësisht mungesës së stallës, ai i ka mbajtur deri para disa muajve 40 lopë qumështore në një stallë prej najloni.

Ne i kemi thënë se askund nuk punohet kështu, të rrënohet objekti që është i nisur dhe pas një viti ata e kanë futur në program edhe rindërtimin, por prapë nuk ma kanë dhënë grantin

Shaip Statovci, fermer

Statovci me 24 mars të vitit 2013 kishte fituar një grant për ndërtimin e stallës, por kur është dashur të fillojë ndërtimi çdo gjë ka dështuar. Statovci ka insistuar që investimi të bëhet në stallën ekzistuese në mënyrë që të mos shpenzohet shumë, por Ministria e Bujqësisë e ka pasur kusht që vetëm ta rindertojë nga fillimi, gjë që nuk ka pranuar fermeri Statovci. Ai thotë se nuk ka pasur nevojë që stalla të ndërtohet nga zeroja, por të bëhet rindërtimi, pra të mos harxhohet paraja publike pa nevojë.

“Ne i kemi thënë se askund nuk punohet kështu, të rrënohet objekti që është i nisur dhe pas një viti ata e kanë futur në program edhe rindërtimin, por prapë nuk ma kanë dhënë grantin, dhe mendoj se arsyeja ishte se unë kam folur para mediave për këto probleme”, thotë ai.

Preportr i ka vizituar edhe fermerët e Komunës së Vitisë. Ata janë ankuar se vetëm një numër i vogël i fermerëve të kësaj komune janë ndihmuar nga Ministria e Bujqësisë.

Një shembull se si zhvillohet bujqësia kur ka sadopak mbështetje nga shteti është rasti i Drita Kabashit, nga fshati Sallagrazhë, Komuna e Suharekës. Ajo ka marrë ndihmë për ndërtimin e stallës nga Ministria e Bujqësisë dhe kjo ndihmë thotë se ia ka lehtësuar goxha shumë punën. Para përfitimit të grantit nga ministria, Kabashi thotë se lopët i ka mbajtur në tri stalla të improvizuara.

“Tani është shumë më ndryshe; pasi lopët i kam veç në një vend puna më është lehtësuar”, thotë ajo.

Edhe pse e vështirë, puna e Drita Kabashit është bërë motivim edhe për gra të tjera të fshatit. Ndonëse në kushte shumë të vështira, Ganimete Vata ka filluar të punojë si fermere, pasi në familjen e saj nuk kishin asnjë burim financiar. Punën që e bën e do shumë, prandaj investimi në të i merr shumë energji sa madje thotë se ka edhe probleme shëndetësore. Ajo ka një stallë të improvizuar me najlon që nuk i plotëson aspak kushtet për t’i mbajtur lopët. “Pasi janë duke e parë realitetin që unë jam duke u mundu vërtetë me këtë punë me u marrë, shpresoj të më përkrahë Ministria e Bujqësisë”, thotë ajo.

Gjysma e aplikuesve u refuzuan pa iu shqyrtuar projektet

Rritja e buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë këto pesë vitet e fundit, ka rritur në masë të madhe edhe interesimin e bujqve për të përfituar grante. Ministria e Bujqësisë ka kritere shumë të ashpra të dhënies së granteve aty ku derdhet shumica e buxhetit të kësaj ministrie, por bujqit nuk janë shumë të kënaqur as me shpërndarjen dhe mënyrën se si jepen këto grante. Ata ankohen edhe për ndryshime të shpeshta të udhëzimeve administrative, ku inkorporohen kritere të reja, ndërsa bujqit nuk i shohin me kohë këto kritere dhe për pasojë iu refuzohen aplikacionet.

Ekipi i Preportr gjatë realizimit të këtij hulumtimi ka vërejtur se bujqit janë refuzuar në mënyra të ndryshme, por më së shpeshti është hasur në bujq që thonë se janë refuzuar sepse u ka munguar ndonjë dokument, që do të thotë se aplikacionet e tyre as që janë shqyrtuar.

Preportr ka shikuar listën e fermerëve të cilët kanë aplikuar për grante në vitin 2015 dhe vetëm brenda këtij viti kanë aplikuar 2119 fermerë, por çuditërisht nga ky numër janë refuzuar 950 prej tyre që, shndërruar në përqindje, i bie se janë refuzuar hiç më pak se 44.8 përqind. Ky refuzim është bërë me arsyetimin se nuk e kanë dokumentacionin e kompletuar. Pra, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë për shkak të gabimeve të tyre ua kanë çuar huq gjithë mundin e fermerëve por i kanë dëmtuar edhe financiarisht, pasi që secili fermer për një projekt paguan 500 deri në 1000 euro. Fermerët thonë se ka raste kur refuzohen për shkak të mungesës së kopjes së xhirollogarisë, kopjes së letërnjoftimit apo dokumenteve tjera që mund të dërgohen brenda ditës.

Në udhëzuesin për aplikues që gjendet në uebfaqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), në faqen 26, ku janë procedurat për aplikues, thuhet se në rast të mungesës së ndonjë dokumenti të detyrueshëm, zyrtari i AZHB-së nuk e pranon aplikacionin.

“Aplikuesi ka afat deri në përfundim të thirrjes për aplikim që t'i kompletojë dokumentet.  Në rastet kur kërkohen kopje të dokumenteve, dokumentet në origjinal duhet t'u prezantohen zyrtarëve të Agjencisë së Pagesave. Aplikuesi duhet të shkruajë në kopje këtë tekst: “si në origjinal”, dhe të nënshkruajë”, thuhet në këtë udhëzues.

Në këtë udhëzues për aplikim janë radhitur të gjitha dokumentet që duhet t’i ketë një aplikues, por mungon pëlqimi urbanistik për të cilin janë refuzuar shumica e aplikuesve.

Fermerët thonë se edhe në rastet kur i kanë pasur të gjitha dokumentet, zyrtarët e AZHB-së u kanë thënë se disa prej tyre nuk janë të nevojshme. Dukagjin Balaj tregon se projektin urbanistik dhe planin e biznesit i ka pasur me vete ditën që ka aplikuar për grant për ndërtimin e stallës, por zyrtarja e AZHB-së i kishte thënë se ato nuk janë të nevojshme. Balaj nuk e kishte fituar grantin pikërisht në mungesë të këtij dokumenti.

“Të njëjtin dokument (projekt urbanistik), ia kam dhënë një shokut tim dhe ai e ka fituar grantin”, thotë Balaj. Ai dhe të gjithë fermerët e tjerë shprehen shumë të befasuar se si ka mundësi që për disa vite të aplikojnë për grante e të mos i marrin ato. Ata llogarisin kohën e harxhuar dhe mjetet e shpenzuara për këtë qëllim.

Lista e zezë e ministrisë

Një numër i madh i fermerëve kanë hyrë në listën e zezë të Ministrisë së Bujqësisë, e disa të tjerë edhe janë duke u hetuar. Një numri prej tyre u është ndërprerë kontrata, pasi nuk kanë arritur t’i implementojnë projektet.

Preportr ka siguruar një listë me emrat e pesë fermerëve që kanë përfituar traktorë dhe pajisje të tjera nga Ministria e Bujqësisë për rastet e të cilëve ka paraqitur kërkesë për inicim të hetimeve në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, në vitin 2014. Ministria e ka paraqitur kërkesën në polici me dyshimin për mashtrim dhe fryrje të çmimeve nga ana e këtyre fermerëve.

Në këtë kërkesë ministria e ka njoftuar Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, që kishte organizuar një takim me këta fermerë për kthimin e mjeteve financiare të përfituara nga AZHB-ja në mënyrë të padrejtë, por ata kishin refuzuar t’i kthenin ato mjete.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se e ka marrë rastin nga ministria, i ka zhvilluar hetimet dhe tani rasti është në duar të prokurorisë.

1/18
  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Edhe ata që kanë përfituar grante po detyrohen që t’i mbyllin stallat. Kjo stallë gjendet në Komunën e Suharekës. Ajo është shumë moderne dhe ka pajisje moderne

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Në këtë stallë ka pasur mbi 80 lopë qumështore. Pronari thotë se bashkë me pajisjet tjera moderne në të i ka investuar rreth 400 mijë euro. Ndërtimin e kësaj stalle e ka përkrahur financiarisht edhe Ministria e Bujqësisë. Asaj tashmë i është vënë dryri

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Kjo stallë e ndërtuar në fshatin Topillë të Komunës së Shtimes nga Ministria e Bujqësisë rrinë bosh

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Kjo stallë është ndërtuar në fund të vitit 2015 dhe është mjaftë moderne. Ajo është e ndërtuar për majmërinë e viçave dhe pronari e ka pasur obligim t’i ketë 25 krerë, por aty nuk ndodhet asnjë viç

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Fermeri i ri Burim Aliu nga fshati Tërllabuq i Komunës së Vushtrrisë ka probleme të mëdha për mbajtjen e lopëve. Ai i ka ndarë lopët në tri stalla të vogla dhe ka vështirësi të mëdha për shkak të hapësirës së vogël. Atij nuk i është dhënë grant për ndërtimin e një stallë për arsye të paqëndrueshme

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Kjo është një nga stallat e vogla të Burim Aliut. Aty nuk ka hapësirë as për t’i ushqyer e lë më për t’i mjelë. Ai e ka vullnetin për të rritur numrin e lopëve, por nuk ka kushte për të bërë një gjë të tillë

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Në mungesë të një stalle të madhe Imer Krasniqi i mban lopët në katër stalla të vjetra dhe të improvizuara

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Këto janë kushtet në njërën nga katër stallat e Imer Krasniqit, ku ai i mban viçat. Ministria e Bujqësisë pasi ia ka aprovuar projektin për stallë, ia ka refuzuar duke ia lënë ndërtimin të pakryer

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Në këtë stallë Imer Krasniqi i mban një numër të madh të lopëve, por hapësira aty është shumë e vogël sa që është shumë e vështirë të mirëmbahet. Fermeri Krasniqi brengën më të madhe e ka se si t’i dimërojë lopët në këto kushte

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Në këtë stallë të improvizuar i mban një pjesë të viçave fermeri Nexhmi Hyseni nga Komuna e Podujevës

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Mungesa e stallave adekuate paraqet pengesa të shumta për ushqimin e lopëve dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për t’i mbajtur në stinë të ndryshme

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Kjo është një nga tri stallat e fermerit nga fshati Qallapek i Komunës së Deçanit, Gazmend Krasniqi. Ai ka aplikuar katër herë për të përfituar një stallë nga Ministria e Bujqësisë, por thotë se është refuzuar padrejtësisht

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Në këto kushte fermeri Gazmend Krasniqi thotë se nuk mund që t’i mbajë lopët dhe se do të detyrohet që t’i shesë. Ai nuk ka hapësirë në stallë që t’i mjelë ato me makinën përkatëse dhe për këtë arsye thotë se nuk mundet ta shesë qumështin, pasi që i ka rezultuar jo i pastër

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Një pjesë e madhe e fermerëve që nuk kanë arritur që të përfitojnë nga grantet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për arsye të ndryshme, të cilat fermerët i konsiderojnë të paqëndrueshme, i mbajnë gjedhet në stalla të improvizuara me dërrasa dhe me najlon

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Kjo është stalla e fermerit Shaip Statovcit. Kulmi i saj është djegur nga regjimi serb, por pjesa e mureve i ka shpëtuar. Edhe pse kishte fituar projektin për ndërtimin e stallës, kjo nuk iu mundësua, pasi që projekti parashihte ndërtimin e një stalle të re, e jo rindërtimin e një stalle ekzistuese. Për këtë arsye ai mbeti pa stallë dhe u detyrua që t’i shesë të gjitha lopët qumështore

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Pasi që fermeri Shaip Statovci është detyruar që t’i shesë 30 lopë qumështore për shkak se nuk ka pasur stallë ku t’i mbajë, atij i ka mbetur pa shfrytëzuar edhe ushqimi për lopë. Ai thotë se e gjithë puna që ka bërë për sigurimin e ushqimit për lopë rrezikon t’i shkojë huq

  • Padrejtësitë në ndarjen e granteve

    Në mungesë të hapësirës, shumë fermerë e kanë të pamundur që të shtojnë numrin e lopëve. Ndërsa për shkak të kushteve të papërshtatshme në stalla, ata janë të detyruar që t’i mjelin lopët me dorë, pasi që nuk ka hapësirë për t’i mjelë me makinën përkatëse

  • Ka edhe nga ata që kanë përfituar grant nga Ministria e Bujqësisë, por që nuk i janë ndarë mjetet për shkak të mosrealizimit me kohë të projektit. Imer Krasniqi e ka fituar projektin në stinën e dimrit dhe për shkaqe atmosferike nuk ka mundur ta realizojë për 30 ditë. Për këtë arsye i është anuluar përkrahja financiare nga Ministria e Bujqësisë

Zëdhënësi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka thënë se prokuroria i ka filluar hetimet në vitin e kaluar në tetë raste të fermerëve që kanë përfituar grant nga ministria për traktorë dhe pajisje të tjera. Në listën e fermerëve që janë ndëshkuar nga ministria gjenden emrat e Nexhmi Hysenit, Nasim Kastrati, Imer Lushaj, Tushë Dakajt, Agim Nrecit.

Po ashtu ministria na ka lejuar qasje edhe në një listë tjetër ku përfituesit e saj janë ndëshkuar pasi nuk kanë arritur t’i implementojnë projektet. Në listë gjenden emrat e Nijazi Zenelit nga Deçani i cili e ka përfituar një serrë, Afrim Berishës nga Podujeva i cili ka përfituar projekt për majmëri të viçave, OJQ-së “Dafina” e cila ka përfituar projekt të ujitjes në Rahovec, Leonora Krasniqit nga Malisheva e cila ka përfituar projekt për lopë qumështore dhe “Holland Kass Sh.p. k”-së për përpunim qumështi.

“Rastet e lartshënuara kanë të bëjnë me mosimplementimin e projektit gjatë periudhës monitoruese ku gjate kontrollit në terren është vërtetuar se këto raste nuk janë duke zhvilluar aktivitetin për të cilin janë financuar nga AZHB-MBPZHR”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Bujqësisë.

Rastet e këtyre dy listave si dhe të listave të tjera - gjithsej 19 - ministria i ka futur në listën e zezë. Këta persona, OJQ dhe kompani nuk kanë të drejtë të përfitojnë grante në këtë ministri për tri vite.

Fermeri Nexhmi Hyseni nga Komuna e Podujevës në vitin 2013 kishte përfituar grant nga Ministria e Bujqësisë për traktor dhe pajisje të tjera. Ai është kthyer nga Gjermania për të hapur një fermë në vendlindjen e tij, por thotë se është dëshpëruar shumë. Në vitin 2014 atij i kishte shkuar në shtëpi një komision i cili kishte vlerësuar se Hyseni i kishte blerë pajisjet më shtrenjtë se sa ka qenë çmimorja dhe për këtë arsye është ndëshkuar. Ai thotë se ky është gabim i ministrisë dhe se nuk ka manipuluar me çmimin e traktorit.

Hyseni është njëri nga fermerët që është futur në listën e zezë dhe nuk ka të drejtë të marrë grante në ministri për tri vjet. Po ashtu ndaj tij janë duke u zhvilluar hetime në prokurori. Megjithëse ministria e ka dërguar rastin e tij në polici për hetime, Hyseni mendon se atij i është bërë e padrejtë dhe kjo politikë e ministrisë për t’i ndëshkuar fermerët më të devotshëm i duket e padrejtë. Ai tash e tri vjet nuk ka marrë as subvencionet për 70 lopë qumështore. Hyseni i mban lopët dhe viçat në kushte shumë të vështira, e disa nga stallat e improvizuara i ka edhe pa kulm.

Se ka pasur parregullsi me çmime nga ana e AZHB-së në ndarjen e granteve për traktorë e ka konstatuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

“AZHB-ja kishte miratuar grante për traktorë. Sipas Udhëzimit Administrativ për grante, fermerët duhet të sigurojnë 3 oferta nga operatorët ekonomikë, ndërsa AZHB-ja e pranon ofertën me çmimin më të ulët. Megjithatë, AZHB-ja kishte miratuar oferta nga i njëjti operator ekonomik për të njëjtën markë të traktorit (Tumosan 77KW) me çmime që varionin nga 32,000€ deri në 51,900€’, thuhet në raportin e auditimit.

Investimet e mëdha nuk ulin importin e produkteve bujqësore

Edhe pse në pesë vitet e fundit është investuar goxha shumë në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë në përgjithësi, importi i këtyre produkteve nuk ka rënë, por përkundrazi ai është rritur për disa produkte. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, te mishi i gjedhëve vetëm në vitin 2012 kishte rënie të importit. Në vitet në vazhdim, pra në 2013, 2014, 2015 importi shënoi rritje të vazhdueshme për të arritur në më shumë se 21 milionë e 500 mijë euro në vitin 2015.

Sipas një raporti të Ministrisë së Bujqësisë për tregun e mishit, Kosova arrin të përmbushë 69.8 për qind të kërkesave të tregut vendor për mish të gjedhëve, ndërsa për përmbushjen e nevojave vendore vazhdon të importojë afro 30 për qind të sasisë së mishit dhe produkteve të tij. Eksporti sipas këtij raporti është tepër i vogël.

Te mishi i pulës nuk ka rënie të importit. Importi për këtë produkt vetëm sa ka ardhur duke u rritur.

Edhe pse janë ndarë shumë grante për ndërtimin e stallave dhe janë dhënë shumë subvencione në fushën e blegtorisë çuditërisht nuk ka rënie të importit të qumështit dhe produkteve të qumështit.

Sipas të dhënave të doganës, tek qumështi ka pasur për çdo vit rritje të importit nga 9,628,710.00 euro sa ishte importi në 2010, në 15,735,030.00 euro në 2015.

Tek mollët poashtu ka pasur rritje të importit nga 3,407,858.00 euro në 4,921,111.00 euro në vitin 2015. Sipas të dhënave zyrtare të MBPZHR-së, tregu vendor vlerësohet se mbulon rreth 53 për qind të nevojave për konsum të mollës ndërsa pjesa tjetër prej 47 për qind mbulohet nga importi.

Një rënie e importit vërehet vetëm te gruri. Në vitin 2010 krahasuar me vitin 2015 importi ka rënë më shumë se 60 për qind. Derisa te gruri ka rënë importi më shumë se 60 për qind, te mielli importi është ngritur prej 9,151,508.00 eurove në vitin 2010 në 14,064,824.00 në vitin 2015.

Pse nuk po vërehen në terren milionat e ministrisë?

Megjithë milionat e dedikuara si ndihmë për bujqit, Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës (FSBK) dhe ekspertë të bujqësisë thonë se situata në terren nuk ka ndryshuar për mirë. Për këtë ata përmendin një mori faktorësh ndër të cilët edhe se ndihma nuk është ofruar tek personat e duhur. Ata thonë se grantet u janë dhënë më shumë militantëve partiakë, njerëzve të fuqishëm dhe biznesmenëve që janë të lidhur më partitë që janë në pushtet.

Tahir Tahiri, kryetar i FSBK-së, thotë se grantet u jepen më shumë atyre që japin ryshfet. Në takimet e tij me fermerët ai thotë të ketë marrë këso ankesa.

“Janë njerëz të caktuar që dalin në terren dhe u garantojnë atyre që kanë aplikuar dhe u kërkohet 10 përqindëshi, e nganjëherë edhe 15 përqindëshi i grantit të cilin duhet ta fitojë bujku”, thotë Tahiri.

Gjithashtu, sipas tij, zyrtarët që punojnë në ministri iu japin grante familjarëve të vet, jo vetëm një herë, por nga tri-katër vjet radhazi.

“I kemi me emër e mbiemër, ne jemi të gatshëm t’i japim Ministrisë së Bujqësisë informacione të tilla, por ata nuk dëshirojnë”, thotë ai.

Sipas tij shteti nuk ka krijuar rrethana të përshtatshme që fermerët të kenë përfitime të mëdha   nga ato mjete që shkojnë për bujqësi. “Ne po e shohim çfarë problemesh kanë prodhuesit e qumështit; ka investime vetanake por ka pasur edhe investime nga organizata të shumta ndërkombëtare, mirëpo prodhimtaria e tyre është e hendikepuar nga konkurrenca jolojale e importit”, thotë ai.

Mendim pothuajse të njëjtë me Tahirin ndan edhe profesori i Fakultetit të Bujqësisë Imer Rusinovci.

Prodhimtaria bujqësore, sipas tij, duhet të stimulohet përmes masave stimulative qofshin ato grante investive qofshin pagesa të drejtpërdrejta (subvencione), premi të ndryshme etj, por të ato duhet ta kenë një shkallë të madhe të mbikëqyrjes nga mekanizmat ekzekutivë.

“Nëse ato keqpërdoren, rezultati jo që do të jetë i prekshëm apo më i lartë, por përkundrazi gjendja do të përkeqësohet”, thotë ai.

Sipas profesorit Rusinovci masat stimulative duhet të ndryshohen dhe duhet të jenë konform trendeve që i kërkon BE-ja për prodhime të caktuara bujqësore, jo vetëm në drejtim të arritjes së sasisë por edhe të cilësisë.

“Nuk ka logjikë të investosh dhe të mos korrësh rezultat më të mirë sesa që ka qenë, pasi që në shumë segmente të caktuara të kulturave bujqësore gjendjen e kemi në trend regresiv”, thotë ai.