English
Scroll top

Transkripti i Senatit nxjerr zhveshur mashtruesit në UP

Një avancim tjetër i parregullt dyshohet së është bërë për neurokirurgun Arsim Morina, duke u bazuar në punime shkencore, të cilat po kontestohen nga disa prej kolegëve të tij. Sipas tyre, Morina i ka përmbledhur dy raporte të punës dhe i ka paraqitur si punime shkencore për t'u avancuar në profesor të rregullt. Për këtë ka qenë në dijeni Rektorati, por nuk ka ndërmarrë asgjë

Prishtinë, 12 Shkurt 2014

Profesorët e Universitetit të Prishtinës u avancuan pa pasur fare punime shkencore, mbi bazën  e mungesës së profesorëve të rregullt në katedra. Pra qasja duket të ketë qenë thjesht se “dikush duhet avancuar”.

Një transkript i mbledhjes së  Senatit të Universitetit të Prishtinës më datë 08.11.2010 tregon se në këtë takim është folur për shumë parregullsi nëpër fakultete si dhe avancime pa përfillur asnjë kriter siç janë të përcaktuara në statutin e UP-së, por kjo është bërë në baza miqësore e familjare.

Gani Bajraktari ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë, ka thënë se është shpërfillur pa asnjë bazë mendimi i Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë lidhur me zgjedhjen e asistentëve nga mjekësia interne. Sipas tij, gjithashtu ka pasur raste kur janë eliminuar nga lista kandidatë me arsyetimin se nuk e kanë pasur të regjistruar doktoraturën, e që në fakt ata e kanë pasur të regjistruar.

"Arsim Morina (tash drejtor i Klinikës së Neurokirurgjisë), nuk ka asnjë punim në revista me recension ndërkombëtar. Ai ka një 'case raport', që për të gjithë ata që merren me mjekësi e dinë se nuk është punim. Sipas nenit 182 të statutit të UP-së, Morina duhej të kishte së paku 5 punime. Në këtë rast nuk mund të mos e përmend se Arsim Morina është vëllai i gruas së Mujë Rugovës", ka thënë Bajraktari, duke shtuar se në qoftë se zgjidhet dikush profesor i rregullt pa i plotësuar kushtet e konkursit, pse të mos zgjidhen edhe të tjerët që janë në këtë nivel, pra të ketë kritere matëse të njëjta për të gjithë.

"Në qoftë se falen titujt (dhurohen) titujt, siç është thënë nga menaxhmenti i UP-së në një nga mbledhjet e mëparshme të Senatit, të falën për të gjithë njësoj".

Preportr, ka siguruar këtë "case raport" të Arsim Morinës, gjithashtu i njëjti është i publikuar edhe në disa revista online që merren me mjekësi. Preportr, gjithashtu ka siguruar një kopje të një ankese që e ka bërë njëri nga kolegët e Morinës. Kjo ankesë së bashku me dy punimet e Arsim Morinës dhe gjashtë bashkautorëve të tjerë, më 31.05.2013 i është dërguar  rektorit, prorektorit për mësim dhe sekretarit të UP-së. Në këtë ankesë thuhet se shifrat e paraqitura në këto punime janë të rrejshme, pasi që nuk janë kryer aq shumë operime sa janë paraqitur në këto raporte.

Rektorati nuk ka folur për këtë problem edhe pse është pyetur kohë më parë dhe në fund zhytarët e këtij institucioni janë arsyetuar me pamundësinë për të shkuar në zyra për shkak të protestave. Arsim Morina, që është edhe anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe Artëve të Kosovës, muaj më parë ishte akuzuar nga një tjetër koleg, Talat Gjinolli, në lidhje me librin e tij "Neotrauma". Sipas Gjinollit, libri në fjalë për rreth 95 për qind është i kopjuar dhe i përkthyer, siç thotë ai, dobët, derisa shërben si libër universitar edhe për studentët e mjekësisë.

Preportr, ka kontaktuar me Arsim Morinën për të biseduar për këto çështje, por ai nuk ka pranuar të flasë, duke thënë se nuk komunikon me media për këto çështje dhe se nuk merret me akuza të tilla që ia bëjnë të tjerët.

Dënohen ata që merren me shkencë

Gani Bajraktari, ka thënë se menaxhmenti në mënyrë arbitrare, ndëshkon ata që merren me shkencë, kurse avancohen në profesorë të rregullt ata që nuk i plotësojnë kriteret. Sipas tij, ky është një mesazh i keq për UP-në dhe gjeneratat që do të vijnë, sepse u thotë atyre që mos u merreni me shkencë sepse do të ndëshkoheni.

Prorektori për mësim në një mbledhje të senatit, ka deklaruar se ne duhet t'i mbyllim sytë në rastet kur katedra përkatëse nuk ka asnjë profesor të rregullt

Gani Bajraktari, ish-dekan në Fakultetin e Mjekësisë

"Prorektori për mësim në një mbledhje të senatit, ka deklaruar se ne duhet t'i mbyllim sytë në rastet kur katedra përkatëse nuk ka asnjë profesor të rregullt, sepse kështu është kërkuar nga agjencioni për akreditim (edhe pse më vonë ky agjencion e ka kundërshtuar dhe e ka dënuar këtë), atëherë nuk kemi pse t'i japim dy tituj të tillë në Katedrën e Kirurgjisë, e të mos japim një të tillë në Biokimi, ku nuk kemi asnjë profesor të rregullt", ka thënë Bajraktari.

Preportr, ka kontaktuar me Gani Bajraktarin, për të marrë sqarime rreth këtij debati dhe këtyre akuzave për avancime jo të rregullta, por ai ka thënë se nuk ka çka të shtojë më shumë përveç asaj që e ka thënë në këtë mbledhje të senatit.

Akuzave të Bajraktarit, i është kundërvënë ish-rektori Mujë Rugova, ai në këtë mbledhje ka thënë se këto akuza janë shpifje, ndërsa e ka akuzuar edhe këtë të fundit për avancim jo të ligjshëm.

"Ju dekan personalisht keni shkelur konkursin dhe kërkoni për shkeljen e kritereve për kapërcimin e thirrjeve dhe po ashtu për juve si menaxhment i Fakultetit të Mjekësisë kemi dhjetëra nga stafi juaj për keqmenaxhim dhe për mosushtrim të detyrës ashtu siç e thotë ligji", është shprehur Rugova.

Në këtë mbledhje janë bërë edhe shumë propozime për asistentë dhe mësimdhënës, të cilët janë favorizuar nga një pjesë e anëtarëve të senatit, por edhe janë kundërshtuar nga një pjesë tjetër, duke thënë se po merren kandidatët që nuk e meritojnë.

Komisioni që kurrë nuk u krijua

Duke marrë parasysh, të gjitha këto akuza dhe dyshime për avancime të paligjshme, ish-rektori Mujë Rugova, ka thënë se është duke u diskutuar që të krijohet një komision që do të merret veçmas me avancimin dhe thirrjet e mësimdhënësve. "Duhet të keni kujdes me punimet shkencore, sepse së shpejti do të formohet një komision për të verifikuar të gjitha punimet shkencore të mësimdhënësve të UP-së", ka theksuar Rugova.

Por kjo iniciativë nuk është konkretizuar asnjëherë nga menaxhmenti i atëhershëm i UP-së, por nuk është bërë asgjë as nga menaxhmenti i ri i UP-së, në krye me Ibrahim Gashin.

Zyra për informim e rektoratit, përmes e-mailit, ka thënë për Preportr, se nuk është e informuar që ka pasur një iniciativë të tillë dhe se menaxhmenti i ri i UP-së e ka rritur transparencën sa i përket avancimeve.

"Atë që kemi bërë me ardhjen në krye të UP-së, si menaxhment i ri, është se kemi rritur transparencën, duke publikuar në ueb-faqe të gjitha referatet e komisioneve recensuese rreth avancimeve që janë bërë në UP, gjate kësaj periudhe", thuhet në përgjigjen e UP-së.

Pra krijimi i një komisioni të tillë nuk është bërë asnjëherë, duke marrë parasysh që tashme dihet se edhe vetë krerët e UP-së, u avancuan duke shkelur kriteret e avancimit, përmes publikimit të "punimeve shkencore" nëpër revista false.

Preportr, gjatë hulumtimit që ka bërë për UP-në, ka kërkuar nga rektorati që t'i lejohet qasje në CV-të e profesorëve për të parë se cilët profesorë sa punime kanë dhe ku i kanë të publikuara ato, por edhe pas pritjes mbi gjashtë muaj dhe insistimit të vazhdueshëm, rektorati nuk ka lejuar një gjë të tillë.

Pas skandaleve të shumta kohëve të fundit, ku një grup i madh i profesorëve të UP-së në krye me rektorin Gashi u avancuan duke shkelur statutin e UP-së, përmes publikimit të "punimeve shkencore" në revista false dhe joserioze, u pa e domosdoshme krijimi i një komisioni për të verifikuar avancimet e profesorëve.

Komisioni duhet të përbëhet nga ekspertë të shumë fushave

Për të dalë nga kjo gjendje dhe për të filluar për ta pastruar UP-në nga këto parregullsi, profesorët Qëndrim Gashi dhe Arben Hajrullahu, kanë marrë një iniciativë për krijimin e një komisioni për verifikimin e avancimeve të profesorëve.

Qëndrim Gashi, ka thënë për Preportr, se  themelues i mundshëm  i këtij komisioni mund të jetë MASHT-i apo Kuvendi Kosovës. Ai thotë se anëtarët duhet të jenë persona profesionistë dhe të paanshëm, me një numër të konsiderueshëm anëtarësh të huaj, për ta shtuar objektivitetin në një vend të vogël si Kosova.

Masat ndëshkuese do të duhej të jenë proporcionale me shkeljet ligjore, statutare, e të normave të etikës. Nga vërejtja me shkrim e deri tek masat më të ashpra

Qëndrim Gashi, profesor në UP

"Masat ndëshkuese do të duhej të jenë proporcionale me shkeljet ligjore, statutare, e të normave të etikës. Nga vërejtja me shkrim e deri tek masat më të ashpra. Komisioni i tillë do të duhej t'i përcaktonte ato masa, që do të zbatoheshin në mënyrë uniforme", thotë Gashi.

Komisionet recensuese falsifikonin procedurat

Për këto parregullsi në lidhje me avancimet e profesorëve, punësimet në UP me favorizime dhe cilësinë në UP ka reaguar publikisht Ramadan Zejnullahu, profesor në Departamentin e Matematikës në FSHMN. Ai këtë reagim e ka bërë disa muaj para se të ndodhin skandalet e fundit në UP (arrestimi i asistentëve dhe avancimi i parregullt i disa profesorëve, përfshirë edhe rektorin) ka thënë se në pjesën e stafit të ri akademik, kryesisht zgjedhën kandidatë që nuk i plotësojnë kushtet ligjore dhe, në shumë raste ka recensione e procedura të falsifikuara nga vetë ata, por edhe nga komisionet recensuese, dhe e tërë kjo ndodhë sheshazi dhe me dijen e udhëheqjes së UP-së.

Ai në një opinion të publikuar në "Koha Ditore" thekson se zgjedhja e stafit akademik bëhet sipas preferencave politike, përfitimeve materiale apo lidhjeve familjare. Sipas tij, votimi në pako për zgjedhjet e stafit akademik në Senatin e UP-së, është bërë mekanizmi më i sofistikuar i mbulimit të krimit në këtë fushë.

Është e mjaftueshme të nxirret një statistikë e të pranuarve në punë në këto vite në UP, në çfarëdo pozite e të konstatohet se kriter dominues i pranimit ishte nepotizmi, përkatësia politike dhe interesi material

Ramadan Zajnullahu, profesor në UP
"Është e mjaftueshme të nxirret një statistikë e të pranuarve në punë në këto vite në UP, në çfarëdo pozite e të konstatohet se kriter dominues i pranimit ishte nepotizmi, përkatësia politike dhe interesi material. Si pasojë, sot njësitë akademike janë mbushur më kuadro që e kishin vështirë të merrnin një notë kaluese pa ndonjë zvarritje të gjatë ose herë-herë pa anashkalim të procedurave, kurse UP është degraduar aq sa tashmë nuk ka gjasë të kryej misionin e vetë", ka thënë Zejnullahu.

Ai thotë se numri relativisht i madh i doktoratave dhe magjistraturave të përfunduara në një periudhë relativisht të shkurtër është në shpërputhje të plotë me kapacitetet shkencore dhe pajisjet laboratorike në UP.

"Anashkalimi i procedurave akademike në këtë fushë është përcjellë me veprime devijuese që ka rezultuar më produkt jocilësor dhe të dëmshëm për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Organet e Universitetit asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se transmetimin e informacionit shkencor mund ta bëjnë vetëm ata që e kanë informacionin shkencor dhe që në një masë, janë pjesë e këtij informacioni, e kurrsesi ata të cilët këto grada shkencore i kanë arritur në rrugë joligjore", thekson Zejnullahu.