English
Scroll top

RTK Commerce

Si funksionon korrupsioni në RTK?! Ish punëtorë të RTK-së dhe familjarë të tyre kanë themeluar kompani të cilat kanë marrë tenderë në televizionin publik në Kosovë, i cili financohet nga buxheti i shtetit. Këto kompani që kanë adresë të njëjtë i kanë marrë disa tenderë në RTK. Përveç këtyre kompanive, adresë të njëjtë me to kanë edhe disa OJQ-të, të themeluara nga gazetarë dhe drejtues të RTK-së. Në mesin e OJQ-ve që kanë adresë të njëjtë me kompanitë që kanë fituar tenderë në RTK, është edhe ajo e...

Prishtinë, 02 Prill 2014

Të përfshirë në konflikt interesi, disa punëtorëve të RTK-së u ka ecur mirë biznesi. Ata përveç se merrnin rroga të majme si punëtorë të RTK-së, kishin themeluar kompani e OJQ, përmes të cilave, në konflikt interesi, kanë realizuar projekte për RTK-në, si dhe kanë përfituar donacione nga buxheti i shtetit.

Preportr, ka gjetur se një numër i punëtorëve të tashëm të RTK-së, duke përfshirë edhe drejtorin e tashëm gjeneral, Mentor Shala, kanë themeluar OJQ të ndryshme të cilat ndajnë adresë të njëjtë. Po ashtu, hulumtimi ka nxjerrë se edhe kompani private, që janë përfituese të tenderëve nga RTK-ja, ndajnë po ashtu adresë të njëjtë me OJQ-të e lartë përmendura. Hulumtimi nxjerrë në pah një nga skemat e shfrytëzimit të mediumit publik për përfitime personale nga udhëheqës të RTK-së, e ish punëtor të RTK-së.

Kompanitë dhe OJQ-të me një adresë!

Adresa 25/A, si duket ka diçka shumë atraktive që i bënë disa kompani private, por edhe një numër të OJQ-ve, të ndajnë këtë hapësirë për vendosjen e zyrave të tyre. Preportr, ka gjetur se një pjesë e këtyre kompanive private kanë përfituar nga tenderët e RTK-së, përderisa njëra nga to, përfitimet i ka pasur duke kryer realizime teknike të disa serialeve që janë transmetuar në RTK.

Miqtë e vjetër Gazmend Elshani e Mentor Shala kanë themeluar kompani e OJQ dhe kanë ndarë hapësirën e njëjtë për to. Kompania e ish-kameramanit të RTK-së Elshani,” Pro Media”, dhe OJQ-ja e drejtorit gjeneral Mentor Shala dhe drejtorit të televizionit, Mufail Limani, “Integrimet Plus”, kanë të njëjtën adresë: "Sheshi Nëna Terezë  25/A". Në po të njëjtën adresë është e regjistruar edhe një OJQ tjetër, “Drejt e n’Europë”, ku njëra nga themelueset është gruaja e Shalës, Ramize Murtezi Shala, prezantuese në RTK, si dhe dy gazetare tjera nga televizioni publik, Pranvera Munishi Morina dhe Arta Avdiu. Kjo adresë i është dukur atraktive edhe një OJQ-je tjetër, “Projekt 03”, e cila po ashtu është e themeluar nga gazetarët e RTK-së, Blerim Haxhiu, Ridvan Berisha.

Në adresën e njëjtë janë regjistruar edhe kompanitë “Aktiv” dhe “XD Production”, njëra në pronësi të Ekrem Elshanit, vëlla i Gazmend Elshanit, ish- punëtor i RTK-së dhe ish-kryetar i sindikatës, e tjera në pronësi të një familjari tjetër të Elshanit, Burim Mjekut.

Përmes OJQ-së së tij, Mentor Shala e Mufail Limani, kanë marrë fonde nga disa ministri të Qeverisë së Kosovës, për realizimin e kampanjave dhe emisioneve të cilat më pas i kanë shfaqur në RTK, derisa i pari mbante pozitën e redaktorit përgjegjës të lajmeve.

Po ashtu, edhe gruaja e Shalës, Ramize Murtezi Shala, ka qenë e angazhuar si prezantuese në një kampanjë të realizuar nga EULEX-i, e cila qe transmetuar në RTK gjatë viti 2012.

Përderisa Gazmend Elshani, me kompaninë e tij “Pro Media”, në mënyrë indirekte, ka përfituar para nga RTK-ja, duke kryer realizimin teknik të disa serialeve që transmetoheshin në televizionin publik, edhe kompanitë “Aktiv” dhe “XD Production”, kanë përfituar tenderë nga RTK-ja.

Ping-pongu i Gazmend Elshanit

Elshani ishte treguar “dinak”, me kompaninë “ProMedia”, të cilën herë e kishte regjistruar në emrin e vet e herë të të vëllait. Në fund, këtë kompani e ka regjistruar në emër të Fidan Nezirit, i cili kur ishte kontaktuar nga “Koha Ditore” para disa javësh, “nuk kishte haber” që kishte në pronësi një kompani të tillë. Pas disa orësh, Neziri kishte kontaktuar këtë gazetë, për t’i thënë se kompania ishte e tij.

Në historikun e kompanisë që Preportr, e ka marrë në ARBK, Gazmend Elshani, që ishte pronar i saj, fillimisht kompaninë e kishte regjistruar me emrin “Video Produksioni Jon”, në vitin 2005. Adresa e kësaj kompanie ishte në Veternik, Prishtinë.

Në shtator të vitit 2005, pronësia e kompanisë i ka kaluar vëllait te Gazmendit, Ekremit.

Në vitin 2008, Gazmend Elshani regjistrohet përsëri si pronar i kompanisë dhe e ndryshon emrin e kompanisë në “Pro Media”.

Në vitin 2010, pronar i kompanisë bëhet Fidan Neziri, i cili vazhdon edhe sot ta ketë në pronësi këtë kompani. Familja Elshani dhe Neziri vijnë nga Drenasi.

Kalimi i kompanisë në emër të dikujt tjetër, pikërisht në vitin 2010, duket ta ketë një qëllim. Radio Televizioni i Kosovës (RTK), në këtë vit për herë të parë kishte hapur konkurs për produksione të jashtme. Burime brenda RTK-së i kanë thënë Preportr, se një pjesë të këtyre produkteve, realizimin teknik ua kishte bërë kompania e Elshanit, “Pro Media”. Preportr, për këtë arsye ka kërkuar të ketë qasje në kontratat që RTK, i ka lidhur me këto produksione, por as pas dy javësh pritje nuk e ka arritur një gjë të tillë.

Megjithatë, Preportr, ka parë se “Pro Media” ka bërë realizimin teknik të dy serialeve që janë shfaqur në RTK , "Kafeneja Jonë" , që është shfaqur shumë më herët dhe “Qyteti pa lum". Serialin “Qyteti pa lum” e ka realizuar Produksioni “IDEA”, tender i cili RTK-së i ka kushtuar 260,000 euro .

RTK për herë të parë kishte hapur konkurs për produkte të jashtme në vitin 2010. Kryetar i Komisionit për produkte të jashtme ishte drejtori aktual Shala, i cili mbante pozitën e zëvendësdrejtorit të RTK-së. Për këto projekte, RTK ka dhënë më shumë se 2 milionë euro.

Në po këtë kohë, në RTK është shfaqur emisioni për fëmijë “Super Gogo”, si prodhim i jashtëm i realizuar nga kompania “Orion”, pjesë e të cilit ka qenë edhe Adrian Morina, burri i Pranvera Munishi -Morina, gazetare dhe prezantuese në RTK, dhe bashkë-themeluese me gruan e Shalës e OJQ-së, “Drejt e n’Europë”.

Në vitin 2012, Preportr përmes hulumtimit "Jetë o jetë!", pati gjetur shumë detaje mbi atë se kush dhe si ka përfituar nga këto produksione dhe kush ishin angazhuar në to. Këto produksione u ishin dhënë miqve të menaxherëve dhe ish-menaxherëve ose familjarëve të politikanëve.

Kompanitë tjera të lidhura me Elshanët që përfituan nga RTK

Në këtë hulumtim, Preportr ka gjetur se edhe dy kompani tjera të lidhura me Elshanët, kanë përfituar tenderë nga RTK-ja. Këto kompani, sikurse ajo e Gazmend Elshanit, “Pro Media”, OJQ-ja e Mentor Shalës, “Integrime Plus”, ajo e gruas së tij, Ramize Murtezi Shala, “Drejt e n’Europë”, si dhe "Projekt 03", kanë adresa të njëjta.

Kompania “Aktiv”, është në pronësi të Ekrem Elshanit, vëllait te Gazmend Elshanit, ish-punonjës në RTK, gjithashtu miku ( vëllai i gruas) së Adnan Fejzës, shef i tashëm i teknikës në RTK.

Kompania “Aktiv” në vitin 2013 ka marrë 2 tenderë në RTK në vlerë 9,330 euro.

Kompania “XD Production”, që ka po ashtu adresë të njëjtë me kompaninë e Elshanit dhe OJQ-në Shalës, që është në pronësi të Burim Mjekut, familjar me Elshanin, ka marrë një tender në vitin 2013 në RTK në vlerë 3,600 euro.