English
Scroll top

Islami i dhunshëm radikal në Kosovë

Në hapësirën publike nuk ndahet teologjia konservatore nga ekstremizmi militant shkatërrues. Diskurset islame përgjithësohen dhe paragjykohen. Kjo bëhet edhe nga vetë shteti që nuk ngurron të interpretojë parimet e fesë. Ndërkohë, jashtë hapësirës publike prej pasluftës e tekëndej jeta fetare është laramane. Me organizimin e saj nuk merret Bashkësia Islame por lloj-lloj organizatash të dyshimta nga vende të ndryshme.

Prishtinë, 21 Tetor 2015

Ngrohtorja e dikurshme shpirtërore nuk ngrohë më. Rendi i dikurshëm vleror është shembur. Mungojnë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Shoqëria kosovare është në krizë identitare. Dhe, nuk mund të thuhet që jemi të dyzuar midis perëndimit dhe lindjes. Kjo sepse zgjedhja u bë: është perëndimi (për aq sa mund të jetë)! Vlerat e reja perëndimore u përhapën shumë shpejt përmes televizorëve e radiove njëherë, e pastaj edhe internetit, duke ndërtuar heshturazi një kënd të ri shikimi, një epistemë të re brenda nesh e cila i dikton mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona. Por, kriza identitare nuk mori fund. Madje, veç sa u rrit me shpalljen e shtetit të Kosovës ku u lind fantazma e një kombi të ri që e trazoi dukshëm identitetin kombëtar të kësaj shoqërie. Sociologu Gëzim Selaci, në një kolumnë për gazetën Jeta Në Kosovë shkruan se nacionalizmi shqiptar ka dështuar që ta bëjë Kosovën shtet të shqiptarëve dhe Kosova veçse është orientuar drejt integrimit në bashkësinë post-nacionaliste evropiane (BE), gjë e cila nuk mobilizon dhe nuk frymëzon. Kriza identitare përbën parakushtin themelor për lëvizje të ç‘lirshme e të shumanshme kaotike në shoqëri. Por, nuk është kriza ajo që do t’i nënshtrohet shqyrtimit. Janë pikërisht këto lëvizje të çekuilibruara. Të shohim së pari, lëvizjen tonë kah perëndimi.

Në përgjithësi, shoqëritë jo-perëndimore (nëse doni mund t’i quajmë gjysmë-perëndimore) të drejtuara kah perëndimi kanë prirje që t’i vulgarizojnë vlerat e reja, që sapo i kanë njohur. Kjo paraqitet bukur në novelat e Dostojevskit (dhe shkrimtarëve tjerë rus të atij shekulli) për shoqërinë ruse të mes-shekullit XIX, të kohës post-napoleoniane që e rrudhte fytyrën për ta parë me përçmim tradicionalen ndërkohë që mbeste gojëhapur duke u magjepsur nga Perëndimi.

Shkrimtarët rus, prej Pushkinit e tekëndej e kanë hetuar psikologjinë karakteristike të njeriut ‘teprues’ në shoqëritë gjysmë-perëndimore – shkruan The Guardian në një kolumnë kushtuar shtetit islamik.

Gati në të njëjtën situatë ndodhet edhe shoqëria kosovare: është kapluar nga një neveri e madhe gjithë-shoqërore për ish-kulturën e saj, për ish-vetveten e saj. Përçmon ish-emrat, ish-zakonet, dhe ish-moralin. Shohim sesi lëvizja kah perëndimi na shtynë drejt një situate tjetër epistemike, nga e cila gati çdogjë që i përket horizontit të së shkuarës, neveritë e turpëron.

Kjo është thënë madje edhe nga vetë imamët tanë që iu bëjnë thirrje njerëzve të mos ndiejnë turp për fenë e tyre. “Mos t’iu vjen marre për fenë tuaj!” – porositë Shefqet Krasniqi (imam i njohur) gati në çdo paraqitje televizive.

Megjithatë neveria e turpi mbetën, edhe pse një pjesë e madhe e shoqërisë përpiqet ta ndrydhë, dhe t’i mohojë shfaqjen. Kjo gjë mund të rezultojë shumë problematike. Mund të lindë një armiqësi të heshtur gjithë shoqërore, ku secili është në dijeni të turpit që ndjejmë për fenë, apo ndoshta jo për fenë, po për ligjërimin fetar dhe ritet fetare. Kështu, në frustrim e sipër mund të përqafohen ligjërime radikale, si një mohim e ndrydhje më e skajshme e turpit.

Përveç këtij procesi është një tjetër edhe më i thjeshtë: duke e parë turpin brenda vetes, dikush mund të reflektojë dhe ta rimendojë islamin ‘e butë’, që ndoshta, nuk është islami më i artikuluar. Pra, kapërcimi drejt radikalitetit mund të ndodhë edhe në mënyrë reflektive. Pyetja që qëndron si epigraf i atij reflektimi mund të jetë: “Cili është islami i vërtetë?”. Kjo pyetje i qëndron përmbi secilit që dëshiron të përftojë në vetvete një identitet të mirëfilltë fetar.

Lufta kundër ekstremizmit e fundamentalizmit është luftë idesh. Nëse këtu dështohet, lufta është e humbur

Gëzim Selaci

Sidoqoftë, drejt këtij kapërcimi fetar çon edhe presioni i vazhdueshëm shoqëror që – nxitur nga lëvizjet që përmendëm - ka problem me ligjërimin islam, si përvijim i problemit me të kaluarën. Përçmohen ‘cenet’ e saj si patriarkaliteti, misogjinizmi, racizmi, komunitarizmi e të tjera. Por, kjo qasje e minon në masë të konsiderueshme, vetë përpjekjen për formësimin e një identiteti kulturor bazuar në vlerat e perëndimit sepse funksionon përmes sulmit dhe ofendimit.

Sulmohet pa mëshirë, e gjithë rrethana e vjetër kulturore. Dhe natyrisht, ndaj sulmit secili mbrohet instinktivisht. Sulmi e ngulë tjetrin në situatën në të cilën është. E bën të palëvizshëm. Ofendimi e shtynë të ofenduarin që ta ndërtoj një ligjërim shfajësues, një ligjërim që e fetishizon vetveten dhe situatën e tij. Edhe nëse vetëdijesohet që e ka gabim, prapë rreket të përpunojë gabimin, duke i dhënë një formë më të mirë. Dhe natyrisht, pason edhe kthimi i ofendimit: shahen homo-seksualët, liberalët, feministët e individualistët. Në këtë mënyrë, vendoset një fjalosje e pafund egërsore midis shumë (jo dy) palëve. Kjo për shkakun se rimendimet e vlerave çojnë në përcaktime të shumëllojshme. Kështu, vijmë te një mozaik rrethanash të ndryshme kulturore që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Dhe në fjalosjet e kundërshtimet e ashpra, zërat më të lartë ‘kanë’ më shumë të drejtë. Në këtë mënyrë, për të marrë të drejtën, duhej të radikalizoheshe, të ngrije zërin në kupë të qiellit ose të thurje një mendim shumë ekstrem.

Prandaj, mund të thuhet pa ngurrim që në Kosovë ka diskurse të islamit radikal siç është tekfirizmi, vehabizmi dhe disa tjera të padefinuara. Por, veç tyre ka edhe diskurse radikale jo islame. Në përgjithësi, radikalitetet gjejnë strehën e përshtatshme në Kosovë ngase shoqëria jonë i vendosë në epiqendër të nën qiellit tonë. Ekziston  një dëshirë e pakuptueshme për tronditje.

Kështu vërejmë sesi lëvizja kah perëndimi prodhoi përplot lëvizje tjera, më të vogla por më të skajshme.

Në ndërkohë, hapësira publike u zgjerua përmes rrjeteve shoqërore të internetit. Këto rrjete tregojnë vëmendjen e madhe që marrin grupe të ndryshme ekstreme si islamofobët, konspiracionistët e secilës ngjarje në botë, anti-semitët, ateistët dhe shumë të tjerë. Debatet që zhvillohen midis fetarëve dhe jofetarëve zakonisht i thellojnë ndarjet edhe më shumë. Çojnë në sharje dhe ekstremizojnë. Një mysliman rreket të gjejë më ekstremen e fesë së tij ndërsa një islamofob përpiqet t’ia ‘karikaturojë’ sa më shëmtueshëm ato ekstremitete. Gjithçka vulgarizohet dhe pështillet në një kaos fjalësh ku shquhen vetëm sharjet më të rënda. Por, zgjidhja për këtë, sipas Ardian Golës (profesor në UP) nuk është në sekularizimin e hapësirës publike sepse kjo do të çonte drejt një ateizmi të fshehtë shtetëror.

Ligjërimet islame në Kosovë ndodhen në një rrëmujë të vërtetë, të rrethuara nga ide që nuk përkojnë askund me fenë e tyre dhe të tjera edhe më ekstreme, që duan t’i zhbëjnë prej aty. Sekularizimi institucional i hapësirës publike, duke qenë selektiv mëton pikërisht dëbimin e plotë të ligjërimeve islame. Ta zëmë, moslejimi i mbulesës fetare nëpër shkolla në një anë, dhe lejimi i veshjeve provokuese e senzacionale në tjetrën (në disa shkolla të paktën), dëfton konsideratën institucionale ndaj këtyre ligjërimeve.

Pra ligjërimi islam nuk është më në një mjedis thjesht fetar, ku i duhet të participoj në tolerancën nder fetare me të krishterët (dhe të tjera komunitete fetare). Nuk mund të flitet më për tolerancën ndër-fetare sepse hapësira publike vijon të helmohet me ide jo tolerante dhe mos-duruese ndaj saj. Ligjërimet islame ndodhen në një mjedis shumë të tensionuar ndër-ideor. Tog-fjalëshit “tolerancë ndër-fetare” i është pauzuar kuptimi. Nuk gjen shtrirje në aktualitet. Ata që ligjërojnë (me raste, karikaturojnë) idetë e reja perëndimore përdorin lloj-lloj marifetesh që ta inferiorizojnë moralisht ligjërimin islam dhe t’ia ofrojnë një ndjenjë të hidhët atij që e praktikon atë fe.

O ju që besuat, do të digjeni në ferr

Përtej kësaj zhurme të pakuptimtë në rrjetet shoqërore të internetit, kryesisht nëpër medie, vijon të paraqitet një frymë që nuk përkon askund me normativën e fesë islame. Kemi një seksualitet të hapur, pafund ngacmues që e pushton gati secilin. Dhe një mysliman i pushtuar nga fusha e gjerë e seksit, është mëkatar pa asnjë mëdyshje. Kjo kohë, shumë kollaj prodhon njerëz të frustruar seksualisht, subjekte të nënshtruara ndaj mëkatit të ligjërimeve islame. Pra, nuk është vetëm seksi. Ka shumë e shumë gjëra tjera në shoqërinë tonë, që bien ndesh me këto ligjërime. Në këtë mënyrë, të ushqehesh me këto vlera të ndaluara nënkupton të jesh i sistemuar në mëkat. E mëkati çon në ferrin e zjarreve që djegin pa rreshtë trupat e tyre.

“Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. All-llahu është i plotfuqishëm, i drejtë”- citim nga Kurani, Surat Al Nisa 4:56.

Disa javë më parë, në internet qarkulloi një fotografi që e paraqiste një hoxhë të ulur në një tavolinë ku pihej alkool. E dimë se alkooli ndalohet rreptësishtë për myslimanët dhe se një hoxhë duhet të predikojë kundër saj e kurrsesi ta pranojë atë. Kjo, në një mënyrë tregon sesa rëndë ka rënë në mëkatin e ligjëruar islam, shoqëria jonë.

“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar” – citim nga Kurani,  Surat Al-Mā'idah 5:90.

Pra, jetojmë në një rrethanë të përgjithshme kulturore në të cilën është shumë e vështirë për një mysliman që të ruajë pastërtinë e kërkuar nga feja e tij. Një mysliman i shoqërisë tonë, e ka të vështirë që ta pranojë veten në mëkat, prandaj detyrohet të zgjedhë midis dy rrugëve: e para, të mbyllet krejtësisht dhe të mos komunikojë me shoqërinë që e ofron pa drojë mëkatin (kjo rrugë shpie në armiqësim me shoqërinë) dhe e dyta, ta mendojë një shfajësim për atë mëkat, duke thënë që i vetmi që mund ta gjykojë është Zoti. Kështu dalim në një islam elastik që dredhohet kahdo në nevojë të situatës së caktuar. Ky islam elastik nuk e respekton as përafërsisht normativën e ligjëruar fetare dhe i pranon në mënyrë të hapur shumicën e vlerave të perëndimit (madje edhe disa që vulgarizohen). Ky ligjërim fetar dallon nga ligjërimi i mirëfilltë liberal i cili arrin të artikulojë besimin dhe i kryen ritet fetare por natyrisht toleron praktikimet e tjera të fesë.

Predikimi i Islamit në Kosovë nuk është uniform, të paktën jo prej viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar e tutje. Predikimet alternative fillojnë të intensifikohen sidomos pas ’99-ës si rezultat i aktivitetit të shumë organizatave misionare që kanë funksionuar nën ombrellën e OJQ-ve

Ardian Gola

Mbase, islami elastik i ditëve të sotme është rrjedhojë e islamit tonë të mëhershëm por, megjithatë nuk është i njëjtë. Kjo sepse, në të kaluarën kishim një rrethanë shumë më të ngushtë dhe prandaj, islami nuk dredhohej shumë. Por në ditët e sotme, rrethana e përgjithshme është zgjeruar aq shumë sa një myslimani medoemos i duhet ta dredhojë skajshmërisht islamin e tij nëse nuk vendosë që ta ri-përcaktojë atë. Këtu merr kuptim elasticiteti si një masë preventive e mjegulluese ndaj ndalesave të rrepta fetare. Pra, mbyllen sytë para tyre. E dëgjojmë shpesh arsyetimin: “Mjafton të mos i bësh keq askujt, dhe je mysliman i mirë”. Ky ligjërim islam, për të cilin po flasim, nuk mund të artikulohet. Duhet vendosur njëfarë boshti rreth të cilit sillet i gjithë interpretimi dhe artikulimi i fesë. Kjo mund të bëhet – ta zëmë - me islamin liberal hanefi, por Bashkësia Islame e Kosovës, që me statut e organizon jetën fetare sipas asaj shkolle juridike, është e paralizuar. Ky vakum bën që imamët konservatorë të kenë mundësi që të sulmojnë besimin e myslimanëve liberal dhe atë të myslimanëve elastikë nën akuzën për keq-interpretim të islamit.

Zatën, këta predikuesit fetarë që propagojnë interpretimet fundamentaliste janë popullarizuar pikërisht në kontekst të kësaj letargjie të Bashkësisë Islame dhe vet izolimit të saj nga çështjet e komunitetit.-  thotë Gëzim Selaci.

Bashkësia Islame ka rënë në një heshtje të atillë që krijon një hapësire shumë të madhe për interpretime dhe madje organizime fetar. Paramendojeni, edhe shteti flet e kjo bashkësi nuk reagon. Organizohet një jetë krejtësisht e ndryshme fetare në Kosovë, dhe ajo prapë nuk reagon. Karakteri i saj është përnjëmend, vetëm ceremonia.

Të dyja ligjërimet që përmendëm, njihen mirë edhe nga kosovarët që luftojnë në ISIS, të cilët nuk ngurrojnë t’i fyejnë dhe t’i kërcënojnë besimtarët tanë. Shoqëria kosovare e besimit islam, është fjala për pjesën elastike ose të papërcaktuar, lëngon tashmë nga një inferioritet moral, i paraqitur nga ligjërimet e fesë islame nëpër Kosovë.

Ndërkohë që lidhja me Perëndimin nuk jep shpresë më, si pasojë e një ekonomie që nuk ecë përpara dhe e një politike që e ka de funksionalizuar demokracinë liberale. Në kolumnën e shkruar për ISIS-in, në gazetën britanike The Guardian thuhet që: “Shteti islamik shpesh është quajtur ‘mesjetar’ por në fakt është shumë modern – një shprehje lemeritëse e një frustrimi të përhapur ndaj modelit të globalizuar perëndimor që premton liri dhe prosperitet për të gjithë, por dështon ta ofrojë atë”.

Jeta e zgjeruar që del përtej mundësive frenuese të ligjërimeve fetare në Kosovë e bën shoqërinë tonë të ndihet inferiore moralisht, të fundosur thellë në mëkatin fetar. Në tjetrën anë, demokracia liberale në dështim e sipër dhe vlerat perëndimore të shpërfytyruara ia mohojnë lidhjen me vlerat perëndimore. Narrativa që ofron këto vlera, ndonjëherë është thuajse po aq egërsore sa narrativa e versionit vehabist të islamit. Pra, shoqëria kosovare ndodhet në një situatë shumë të pafavorshme, që e shtynë të rreshtohet diku.

Kosova i ka treqind luftëtarë në Siri, të cilët siç thuhet në raportin e QKSS (Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë) janë ndikuar nga ideologjia tekfiriste në Egjipt. Por, veç tyre në Kosovë ka edhe shumë besimtarë që e kanë përqafuar diskursin deri tash jo militant vehabist dhe atë hanefist radikal. Pra, shoqëria kosovare tashmë është në procesin e përcaktimit të identitetit fetar e ky është një proces shumë problematik.

Imamët

Përveç myslimanëve elastikë që e dredhojnë islamin sipas nevojave që i rafinon shoqëria, ka edhe myslimanë konservatorë dhe ultra konservatorë (por jo militant) të cilët, duke refuzuar të artikulojnë islamin e mëparshëm të shoqërisë tonë, kanë përqafuar islamin me bazë shkollën juridike të Muhammed Abdul Vehabit. Në ligjëratat e tyre në youtube, disa prej imamëve kryesorë duke përfshirë Shefqet Krasniqin dhe Enis Ramën (të shkolluar në Arabinë Saudite) pranojnë se ekziston islami i Vehabit, por e mohojnë që ekziston vehabizmi, si një version i islamit. Ky mohim mund të jetë politik. Imamët me gjasë nuk duan të cenojnë autoritetin e tyre. E dimë që e vërteta është ndryshe. Ekziston vehabizmi, ose ekziston ushtrimi i islamit sipas mësimeve të Muhammed Abdul Vehabit, dhe ky është versioni zyrtar në Arabinë Saudite.

Siç raporton gazeta Zëri, kjo degë e islamit ka qenë shumë e pranishme në Kosovë pas luftës, përmes organizatave që ndërtonin shtëpitë e djegura në luftë dhe shtypnin libra me mësimet e islamit vehabist. Për të kuptuar sesa radikal është islami vehabist, duhet të dimë që Al Vehabi, i quante qafira (jobesimtarë) që duheshin vrarë, të gjithë ata që nuk ishin vehabistë. Ai këtë e kishte kryesisht ndaj islamit hanefist liberal të perandorisë osmane të atëhershme, që dalë-ngadalë i humbi artikuluesit e tij.

Imami i mirënjohur Shefqet Krasniqi në një shkrim autorial, mburret se imamët janë njerëzit më të besueshëm në shoqërinë tonë. Madje, ai nuk përjashton mundësinë që të marrë pjesë edhe në politikë për të përfaqësuar ‘xhematin’ e tij. Deri më tash, islami politik nuk ishte aq i fuqishëm në politikë por kjo nuk nënkupton që në një të ardhme të afërt, me aktivizimin e disa njerëzve me influencë (shembulli i Krasiqit) nuk do të forcojë pozitën e saj. Siç thamë, shoqëria kosovare është në përcaktim e sipër të besimit të saj fetar, prandaj nuk është e habitshme nëse në të ardhmen, do të ketë më shumë praktikues të ligjërimit fetar konservator.

Përveç kësaj, imamët kanë një marrëdhënie të përditshme me qytetarët e vendit, të cilët të ndodhur përpara një jete të zgjeruar, kanë shumë dilema e pyetje për problemet e tyre. Këto probleme, nuk kanë se ku t’i adresojnë tjetër veç imamëve.

Shteti që flet për fenë

Në Kosovë, feja nuk mund të përzihet në punët e shtetit por shteti po i futë hundët pa nevojë në punët e fesë. Skënder Hyseni, ministër i punëve të brendshme, ka kërkuar që imamët të mos dalin nga parimet e islamit. Cilave parime iu referohet ministri në fjalë nuk e dimë por ajo që dihet është se një shteti laik nuk i lejohet të interpretojë parimet e një feje të caktuar. Madje edhe në kohën e shteteve cezaro-papiste, shteti nuk guxonte të ndërhynte në punët e fesë. Kjo  tendencë për diktimin e diskurseve fetare vërehet edhe nga zyrtarë tjerë të lartë qeveritar.

Përmendëm më lart, ndalimin e mbulesës fetare nëpër shkolla. Kjo u bë përmes një udhëzimi administrativ dhe pa një artikulueshmëri të qëndrueshme prapa saj. Duket sikur shteti ynë vepron me një panik të pakuptimtë, kurdo që i duhet të merret me fenë. Është bërë houellebecqian në kuptimin që ka një frikë të madhe nga islami. Arrestimet masive të muajit shtator të vitit të kaluar treguan që ky shtet, nuk vepron tashmë me arsyeshmëri ndaj islamit. Është islamofobik në po të njëjtën masë sa një paragjykues që e sheh si terrorist secilin që mbanë mjekër.

Natyrisht, kjo gjë mund të irritojë besimtarët myslimanë siç do ta irritonin secilin komunitet tjetër, në të njëjtin rast.

Shteti duhet të ruaj distancën simetrike ndaj kësaj hapësire duke mos përkrahur dhe as artikuluar botëkuptime të ndryshme, qofshin ato botëkuptime sekulariste qofshin religjioze

Ardian Gola

Duke u rikthyer te horizonti i lëvizjeve të shumta e të çekuilibruara shoqërore për të cilat folëm në fillim mund të pohojmë që edhe qasja e shtetit tonë ndaj diskurseve fetare është po ashtu joracionale, e pakontrolluar dhe e bazuar fund e krye në paragjykime.

Masat që duhen marrë janë të thjeshta por jo aq të arritshme. Së pari, shteti duhet të qetësohet dhe të mos përzihet në ligjërimet fetare. Së dyti, hapësira publike duhet t’i shërbej negocimit, debatit e jo një sekularizimi selektiv. Së treti, shteti duhet të operojë me ligjet e saj pa ndërhyrë në diskurset fetare (qofshin ato radikale). Është e qartë, çdo lëvizje që e tejkalon ligjin duhet sanksionuar. Apriori, radikalitetet nuk janë çdoherë militante ose shkatërrimtare. Fjala radikalitet rrjedh nga latinishtja dhe do të thotë, e rrënjës ose që i takon rrënjës. Rrënjët, nuk mund të këputen por degët që prishin pemën, duhen prerë.