English
Scroll top

Radikalizimi i Islamit, rrezik apo fobi? - Pjesa e III-të

I vetshpalluri hoxhë i Marinës së Skenderajt, Kastriot Duka, ka arritur të hyjë pa e ditur shteti fare, ndonëse për të ka një vendim zyrtar që e shpallë përson të padëshirueshëm në Kosovë. Ai vazhdon të sjellë para në Kosovë dhe të vazhdojë me aktivitetin që ju ndërprenë në vitin 2010.

Prishtinë, 20 Gusht 2012

“Hoxha” persona non grata që hynë në Kosovë

Rasti i vetëm, që të paktën dihet në opinion, kur shteti i Kosovës ka ndërhyrë kundër personave që janë dyshuar për përhapje të ideve ekstreme fetare ka qenë a ii Marinës në Skenderaj. Atëkohë, shteti kishte vendosur largimin e personit Kastriot Duka që në opinion paraqitej si hoxhë, por që asnjëherë nuk e kishte marrë miratimin e organizatës së vetme e cila ka të drejtë të  jap këtë titull në Kosovë, Bashkësisë Islame të Kosovës.  Largimi i tij për në Shqipëri përmes pikës kufitare të Vermicës u bë në praninë e kamerave televizive, ndonëse sic zbulon QKGH, ai është kthyer në Kosovë heshturazi, megjithë vendimin se është “persona non grata”.

Kastriot Duka aka “Hoxhë” Xhemajl Duka me origjinë nga Elbasani para dy vjetësh sfidoi seriozisht tërë Bashkësinë Islame të Kosovës. Tash ai po e sfidon tërë shtetin e Kosovës duke mos ja respektuar vendimin që ja kishte shqiptuar para dy vjetësh. I larguar me urdhër gjykate në mars të vitit 2010, pa të drejtë kthimi në Kosovë për tre vjet, Xhemajl Duka, megjithatë ka hyrë në territorin kosovar.

H. K., kontakti kryesor i organizatës arabe të Dukës në Marinë, i ka thënë QKGH se shteti kosovar nuk arriti ta ndalojë për tre vjet hoxhën e vetshpallur.

“Atij ja ndaluan kthimin në Kosovë për tre vjet, por spatën mundësi ta ndalojnë aq gjatë.

QKGH: Ka ardhur ai prap në Kosovë?

Po more, shtatë, tetë apo dhjetë herë ka qenë këtu”, thuhet gjatë bisedës me njeriun kryesor që vazhdon të pranojë paratë e organizatës arabe “Rahmy”, e regjistruar në Angli, bisedë kjo që Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese e ka të regjistruar me kamerë telefoni.

Në mars të vitit 2010, Ministria e Brendshme kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat për largimin nga Kosova të Dukës, i cili në fshatin Marinë të Skenderajt kishte ndërtuar një xhami, pa lejen e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ky i fundit, ndonëse kishte arritur të sigurojë përkrahjen e banorëve të fshatit, më shumë për shkak të ndihmave në të mira materiale që ju jepte, u deportua për në Shqipëri, prej nga kishte ardhur për shkak se zyrtarisht thuhej se kishte ndryshuar aktivitetin për të cilin kishte leje qëndrimi në Kosovë.

Njoftimi i MPB-së atëkohë thoshte se “Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vet zoti Duka në paraqitjet e tij publike se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovës, është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër. Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare e jo të aktiviteteve tjera të cilat zoti Duka ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës”

Përzënia e tij nga Kosova u bë pas dorëzimit të një peticioni në Kuvendin Komunal të Skenderajt të nënshkruar nga gjashtë mijë persona.

Peticioni ishte menaxhuar nga shoqata “Prehja”, udhëheqësja e së cilës, Ajneshahe Halimi në vitin 2010 i kishte thënë televizionit Top Channel se në xhaminë e ndërtuar nga Duka “zhvilloheshin aktivitete si ardhja dhe bujtja e mysafirëve të ndryshëm nga vise të ndryshme të botës dhe organizimi i shumë ceremonive që janë në kundërshtim me Islamin”. Duka përhapte edhe literaturë propagandistike fetare sipas qëndrimeve të tij, të pamiratuara nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht qëndrimeve të shtetit të Kosovës dhe mënyres së si paraqitej ai në media, “hoxha” nga Elbasani vazhdon të kujtohet me mallë nga marinasit.

Mllefi në fytyrën e rrudhosur të personit që vazhdon të mbajë kontakte me Dukën, familjen dhe organizatën arabe të Anglisë vërehet gjithë kohën. Jo rrallë herë ai shpërthen edhe në mallkime për njerëzit që nxitën largimin me zor të “hoxhës” së tij të dashur.

H.K. gjithashtu sqaron se përpos Dukës, edhe “arabët e Anglisë prej organizatës “Rahmy” vazhdojnë të vijnë rregullisht për të sjellur paratë për mbi 300 jetimët që vazhdojnë të përfitojnë ndihma nga kjo organizatë. Përpos tyre, Duka jo rrallë herë merr me vete edhe vëllezërit e tij gjatë vizitave në Kosovë.

“Halil e ka emrin ai arabi që vjen prej Anglisë me i pru paret…ka raste kur i qojnë përmes bankës…shkoj unë i marrë…ose i bijnë vet në Kosovë. Paret më pas jetimat i marrin në oborrin tem…përpara i kemi jap herë në xhami..herë në ambulantë që është ndërtuar prej tyre këtu afër xhamisë…Tash spo ka ku….po i shpërndaj unë në oborr”, sqaron H.K.

Me shpalosjen e një pano të organizatës “Rahmy” nga një prej aktiviteve që megjithë ndërhyrjen e shtetit të Kosovës, sic duket po vazhdon rregullisht në Kosovë, përfundon edhe vizita e QKGH në fshatin Marinë të Skenderajt.

Rexhepi: Desha t’i ndalojë, por ndërkombëtarët nuk ma lejuan

Ndërkombëtarët kanë bërë eksperiment me Kosovën në këtë aspekt, është akuza shumë e rëndë që e bënë Bajram Rexhepi, ministër i brendshëm i qeverisë së Kosovës.

Ai e kujton kohën sa ka qenë kryeministër, sidomos mes viteve 2003 e 2004, kohë që ende rrymat e reja më tendencë radikale nuk kishin as xhemat e pothuaje fare ndikim. Atëkohë, kryeministri Rexhepi kishte propozuar hartimin e një projektligji i cili do ndalonte menjëherë aktivetetet e të gjitha organizatave të të gjitha feve që vërehet se po përhapin ide ndryshe nga forma tradicionale.

“Sa kam qenë kryeministër, kam propozuar miratimin e ligjit që do ndalonte sektet e ndryshme, qoftë Islame, katolike apo ortodokse të cilat kanë qenë ndryshe prej formës së fesë e cila është praktikuar rregullisht ndër ne..Mirëpo për këtë gjë unë kam pasur pengesa nga Këshilli i Evropës në Strasburg., nga zyrtarët më të lartë. Unë atë kohë kam kërkuar nga grupet punuese pra që me ligj të ndalohet veprimtaria e tyre, mirëpo mua më kanë paditur që po i pengojë të drejtat e njeriut dhe lirinë fetare të njerëzëve që të shprehën si të duan.. Unë i kam pyetur nëse në shtetin tënd e sheh që interesi e siguria shtetërore të rrezikohet për shkak të një elementi të tillë..a i respekton aq shumë ato të drejta njerëzore abstrakte si i përmend? Mesiguri se jo…e pse atëherë bën eksperiment me ne?”, e kujton këtë Bajram Rexhepi tash ministër i brendshëm gjatë intervistës me QKGH.

Ai tregon se ka pasur raste kur edhe interesi shtetëror është rrezikuar..psh fundamentalizëm apo vehabizëm, ndërsa thotë se ka pasur raste kur pas arrestimit, gjykatat i kanë liruar për shkak se gjyqtarët kanë kërkuar shumë më shumë argumente.

“Ne kemi ndërhy kur kemi pasur elemente që ata merren me aktivitete ilegale..si armëbajtje pa leje, imponim i fesë. Ka pasur raste kur kanë qene edhe të dhunshëm në raste të caktuara ..Ju e dini që njëherë në Prizren janë arrestuar më shumë se nëntë veta..Janë mbajtur parabugrim dy tri ditë..disa më shumë edhe më pas gjyqi ka kërkuar shumë më shumë argumente që të mbahen në burg..Gjyqtarët kryesisht kanë qenë vendorë..por edhe ndërkombëtarët i lirojnë në të njejtën mënyrë”, thotë ministri i punëve të brendshme.

Pavarësisht punë së mirë që mund të bëjnë momentalisht, për Bajram Rexhepin, AKI si shërbim derisa ka vetëm katër vjet ekzistencë, “është me pikëpyetje nëse janë në gjendje që të infiltrohen nëpër OJQ të dyshimta dhe të gjejnë ato argumente që duhen për gjykatë”.

Në numrin e ardhshëm do të lexoni historinë e jashtëzakonshme të tre pjesëtarëve të një organizate jo qeveritare islame e cila sipas tyre pretendon të marrë kontrollin e shtetit në tërësi, pas viti 2017. Ndonëse vet organizata i mohon, QKGH ka siguruar edhe dokumente që flasin në detaje për planin e asaj që duket se është degë e Vëllazërisë Myslimane në Kosovë.

(Ky hulumtim është bërë nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese i përkrahur nga fondi danez për gazetari hulumtuese, “Scoop”. Përgjegjësinë për këtë material e kanë autorët e këtij teksti).