Financuesit e PDK-së përplasen për tenderë


Tenderi për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Gjilan ka nxjerrë përplasjet në mes të financuesve të ndryshëm të Partisë Demokratike të Kosovës të Kryeministrit Hashim Thaçi. Komuna shpërbleu kundërligjshëm kompaninë “Magjistralja” e u ankua “Tali” që akuzoi se edhe kur iu dha tenderi për mirëmbajtjen verore kompanisë “Bejta Comerce” u manipulua me ligjin. Të tri kompanitë janë financues të PDK-së, por sipas...

Prishtinë, 27 Dhjetor 2012

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vazhdon të mos kursehet  nga shkelja e ligjit për të shpërblyer me tenderë financuesit e saj. Jo rrallë edhe financuesit e saj  kacafyten rreth  të njëjtit tender. Fiton më i forti.

Kështu ndodhi edhe me tenderin e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve në Komunën e Gjilanit, të udhëhequr nga Qemajl Mustafa. Aty u përplasën kompania “Tali” dhe “Magjistralja”, që të dyja nga Gjilani, që të dyja financuese të PDK-së, që të dyja hisenike në tenderët e ish-Ministrisë së Transportit. Veç se “Magjistralja” del  të ketë dhënë shumë më shumë për partinë sesa “Tali”.

Kështu, tenderi në fjalë, që u shpall në fund të shtatorit të këtij viti, i ndarë në dy pjesë, një muaj më vonë u fitua nga “Magjistralja”, pronë e Selim Pirevës. Për të dyja pjesët e tenderit kompania i ofroi Gjilanit shërbimet e mirëmbajtës së rrugëve për këtë komunë  për një vlerë mbi 80 mijë euro.

Por ishte ankesa e kompanisë tjetër që ofertoi në këtë tender, financuesit tjetër të PDK-së, kompanisë “Tali” që nuk e la këtë vendim të komunës së udhëhequr nga Qemajl Mustafa i PDK-se të  shndërrohej kontratë. Ankesa iu miratua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i cili gjeti se kompania që i ishte dhënë tenderi, “Magjistralja”, kishte së paku dy lëndë ende të pazgjidhura në Gjykatën Ekonomike.

Zyra e Prokurimit e komunës së Gjilanit e kishte shpërblyer këtë kompani, financuese të PDK-së kundërligjshëm, konstatoi OSHP-ja.

Por, i pari i Gjilanit, Qemajl Mustafa nuk e pranon këtë dhe drejton gishtin kah OSHP-ja. “Problemi nuk jemi ne, por OSHP-ja e cila më së paku i shërben ligjit dhe barabarësisë ndaj bizneseve”, ka thënë për Preportr, Mustafa.

-Kompania “Magjistralja”, ka financuar Degën e PDK-së në Gjilan me 2,500 euro (të deklaruara) ndërsa, sipas auditorit, të gjetura janë 31,500 euro si para që realisht janë dhënë për të financuar fushatën e PDK-së.

-Preportr ka gjetur se kompania “Magjistralja”, ka përfituar tenderë publikë në vlerë rreth 4 milionë euro.

-Financimi i PDK-së nga kompania “Magjistralja” në vlerë prej 31 mijë euro, ka paraqitur shkelje të Ligjit për Financimin e Partive Politike.

Ky organ, i cili me kompetencat që njihet dhe si “gjykata e tenderëve”  nuk e ndali betejën për këtë tender me komunën e Mustafës. Derisa në një vendim të fillimit të këtij muaji, në rastin kur gjeti se “Magjistralja” u shpërblye me kontratë kundërligjshëm, duke qenë në kontest në Gjykatën Ekonomike, Komuna e Gjilanit e përsëriti “gjynahun”.

Tenderin e ri-vlerësoi, siç kishte kërkuar OSHP-ja, por rezultati i doli i njëjtë.  Vetëm 12 javë  pas anulimit, edhe pse Ligji i Prokurimit Publik (LPP), por edhe Dosja e Tenderit në fjalë ia ndalonin të shpërblehej me tenderë, “Magjistralja” u shpërblye përsëri me të njëjtin tender, për të njëjtat vlera. Kompania ende  ishte në kontest gjyqësor.

Kjo nxiti reagimin e OSHP-së. Ky institucion vetëm 5 ditë pasi që Komuna e Gjilanit ri-shpalli fitues “Magjistralen” lëshoi një urdhëresë që tenderi të ri-vlerësohej duke e marrë parasysh edhe faktin që kjo kompani kishte kontest gjyqësor, që sipas ligjit, i ndalohej te përfitonte tenderë për kohën sa zgjat rasti. Në këtë urdhëresë komuna e Qemajl Mustafës kërcënohet se do të dënohet me para dhe do t’i merret licenca  zyrtarit që ka udhëhequr me këtë tender.

Dhe vetëm 3 ditë më vonë, komuna e Gjilanit anulon për së dyti këtë tender. “Magjistralja” nuk u pajtua. Kjo kompani kërkoi që të mbetet në fuqi vendimi i Gjilanit që ajo të mirëmbajë rrugët këtë dimër në këtë qytet, ndërsa OSHP-ja i ishte përgjigjur se fillimisht, si kompani, nuk është palë e përfshirë në kontest.

Përplasen njerëzit me aktakuzë, te hetuarit dhe borxhlinjtë

Për tenderin e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve në Gjilan janë përplasur njerëzit me aktakuzë, te hetuarit dhe borxhlinjtë që kanë konteste në Gjykatën Ekonomike.

Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, që me ngulm mbron vendimin e kësaj komune që me këtë tender të shpërblehet kompania “Magjistralja”, tashmë të vulosur si i kundërligjshëm nga OSHP-ja, është duke u hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Gjilan. Ai hetohet për kontratën e lidhur mes komunës që ai drejton dhe kompanisë austriake “Moser Group” ,e përfaqësuar nga “Ecovision”. Me këtë kontratë ndërmarrja publike rajonale “Higjiena”  u shndërrua në një ndërmarrje të re me emrin “EcoHigjiena”, nëpërmjet partneritetit Publiko-Privat (PPP).

Preportr pati raportuar se Mustafa është duke u hetuar edhe për një tender tjetër të zhvilluar me PPP,  për tenderin  për ndërtimin e objektit afarist-banesor.

Kujdes kur shkruani se e keni kontaminuar komplet hapësirën e Kosovës. Po i harxhoni kohë e nerva hetuesisë, e cila po rezulton e pasuksesshme.

Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit

Mustafa, në prononcimin për Preportr, duke mbrojtur vendimin e zyrtarëve të prokurimit të komunës së tij që me tenderin e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve të shpërblehet “Magjistralja”shpreh shqetësimin se raportimet për keqpërdorime po i harxhojnë kohë e nerva prokurorisë që, sipas tij, po rezulton  pa sukses. “ Kujdes kur shkruani se e keni kontaminuar komplet hapësirën e Kosovës. Po i harxhoni kohë e nerva hetuesisë, e cila po rezulton e pasuksesshme”, ka thënë për Preportr, Mustafa.

Por, ai po mbronte vendimin për të shpërblyer një kompani e cila me ligj i ndalohej që të shpërblehej me tenderë, pasi që kishte konteste në Gjykatën Ekonomike.

Hulumtimi i Preportr “100 milionë”, në prill gjeti se kjo kompani,  e cila për PDK-në dha 2500 euro në vitin 2009, nga  MTPT-ja kishte përfituar 2 tenderë publik në vlerë mbi 780 mijë euro. Nga komuna e Kaçanikut, poashtu e udhëhequr nga PDK,  në vitin 2010 mori tenderin për asfaltimin e rrugëve lokale, kontratë prej 50 mijë eurosh dhe një kontratë për  mirëmbajtjen  dimërore dhe verore të rrugëve në vlerë prej 55 mijë eurosh.

Por, pjesën më të madhe të tenderëve kjo kompani e ka fituar në Komunën e Gjilanit, që udhëhiqet nga  Qemajl Mustafa i PDK-së. Në programin e investimeve kapitale në Gjilan për vitin 2009, kjo kompani  gjendet si kontraktor i komunës në 13 projekte të ndryshme, të cilat së bashku kapin një vlerë prej 1.3  milionë eurosh.

Sipas “RAPORTI VJETOR PËR KONTRATAT E NËNSHKRUARA PUBLIKE për vitin 2010 në  Gjilan”, kjo komunë e kontraktoi kompaninë “Magjistralja” për 11 projekte të ndryshme, vlera e të cilave është mbi 1 milion euro.

Edhe në vitin 2011 kjo kompani, në këtë komunë mori 6 tenderë publik në vlerë mbi 290 mijë eurosh. Edhe në këtë vit kjo komunë i ka dhënë prej 85 mijë eurosh për ” Ndërtimi i rrethrrotullimit në udhëkryqin Lagjja “Iliria” (rruga e Preshevës)”.

Për këtë kompani komuna e Gjilanit kishte dhënë pagesa pa kontratë, por vetëm me nënshkrim të kryetarit  të saj, Qemajl Mustafa.

"Gjatë auditimit ne kemi vërejtur që projekti “Mirëmbajtja verore e rrugëve në  Gjilan” e kompletuar  nga kontraktuesi “N.N.T. Magjistralja”, në shumën totale sipas kontratës 76,716  euro që ishte oferta  me çmimin më të ulët, përderisa pagesa totale e bërë ndaj këtij kontraktuesi ishte  132, 216, euro,  duke tejkaluar shumën e kontraktuar për 55,502 EURO.Për këtë nuk është gjetur  kontratë shtesë, por  vetëm miratimi i kryetarit të komunës për punët shtesë për t’u pranuar nga  kontraktuesi", thuhet në raportin e Auditorit të përgjithshëm.

Kompania “Magjistralja”, ka financuar Degën e PDK-së në Gjilan me 2,500 euro (të deklaruara) ndërsa, sipas auditorit, të gjetura janë 31,500 euro si para që realisht janë dhënë për të financuar fushatën e PDK-së.

Auditori i KQZ-së

Sipas ligjit për prokurim publik 2007/20, entiteti mund të kontraktojë punë shtesë  në  maksimumin prej  10% të kontratës pa pasur nevojë të publikojë tender të ri, përderisa në këtë rast entiteti  ka thyer këtë  rregull”, thuhet po ashtu në raportin e ZAP-it për vitin 2008, ku kjo gjetje klasifikohet: “Rreziku i  lartë”.

Por, një hulumtim tjetër i Preportr, “Magjia e 500 eurove në politikë” jep arsyen  pse komuna e Qemajl Mustafës nuk po kursente ligjin për këtë kompani. Kompania “Magjistralja”, ka financuar Degën e PDK-së në Gjilan me 2,500 euro (të deklaruara) ndërsa, sipas auditorit, të gjetura janë 31,500 euro si para që realisht janë dhënë për të financuar fushatën e PDK-së.

Ligji për Financimin e Partive Politike, parasheh që shuma të tilla parash mund të jepen vetëm nga “persona juridik” po jo edhe nga personat fizik. Neni 1 dhe 1.2. i Ligjit thotë: “Subjektet Politike lejohen të marrin kontribute nga: personat juridik në vlerë prej - jo më shumë se dhjetëmijë (10.000) Euro për një (1) vit kalendarik”

Edhe kompania që ka “zbuluar” për OSHP-në se Komuna e Gjilanit shpërbleu kundërligjshëm “Magjistralen”, kompania  “Tali” ka vetë probleme me ligjin, dhe atë bash për tenderët.

Pronari i saj, Florim Zuka tashmë ka një aktakuzë nga Prokuroria e EULEX-it n rastin që njihet si hetimet për korrupsion në MTPT-në e Fatmir Limajt. Zuka, nga prokurori Johannes Pickert akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe dhënie të ryshfetit.

Në këtë  aktakuzë prokurori pretendon se ka pasur një grup të krimit të organizuar dhe se Fatmir Limajn e kishin lider, e i cili vazhdoi ta ushtronte një ndikim edhe prej kur nuk është ministër, deri më tash. Në këtë aktakuzë EULEX-i akuzon deputetin aktual të PDK-së, dhe njëherit nënkryetarin e saj, Fatmir Limaj për udhëheqje të një grupi kriminal që përfituan nga arka e shtetit duke shfrytëzuar brishtësinë e institucioneve, duke u marr kështu kompanive ryshfet.

Si pjesë e “grupit Limaj” për korrupsion EULEX-i ka akuzuar edhe dy vëllezërit  tij, Florim e Demir Limaj, Endrit Shalën, shef I kabinetit të Fatmir Limajt,, Nexhat Krasniqin, shef i zyrës së Prokurimit në MTPT. Pjesë e aktakuzës do të jenë edhe SMS-të e shkëmbyer në mes të Qemjal Mustafës dhe biznesmenit tashmë të ndjerë, Mehmet Shkodra, pronar i kompanisë “Intereuorpa”.

Shkelje, si verës si dimrit

Komuna e Gjilanit, nga Kompania ‘Tali”, ankesa e së cilës anuloi tenderin për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve që i ishte dhënë “Magjistrales”, akuzohet se ka bërë keqpërdorime dhe me tenderin për mirëmbajtjen verore të rrugëve. “Dyshojmë se ne këtë rast nga zyra e prokurimit ka pasur manipulime siç ka pasur, edhe me mirëmbajtjen verore të këtij viti, ku sot e asaj dite gropat në Komunën e Gjilanit janë të hapura”, kishte thënë një përfaqësues i kësaj kompanie në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2012, në zyrat e OSHP-së, ku faktet i ballafaquan pos përfaqësuesve të kësaj kompanie ankues edhe një ekspert i OSHP-së dhe një përfaqësues i Komunës së Gjilanit.

Dyshojmë se ne këtë rast nga zyra e prokurimit ka pasur manipulime siç ka pasur, edhe me mirëmbajtjen verore të këtij viti, ku sot e asaj dite gropat në Komunën e Gjilanit janë të hapura.

Përfaqësuesi i kompanisë "Tali"

Tenderi për mirëmbajtjen verore i ishte dhënë në korrik të këtij viti kompanisë “Bejta Comerce”, tender ky që peshon mbi 200 mijë euro. Edhe “Bejta Ccmmerce” është financues i PDK-së, madje edhe për të, si për “Magjistralen” ishte shkelur edhe ligji vetëm që të shpërblehej me tenderë.

Sipas hulumtimit të Preportr, “100 milionë”, “Bejta Comerc”, kompani në pronësi të Basri e Adem Kçikut, e që në dy fushatat zgjedhore, atë të viti  2009 dhe vitit 2010 dha për PDK-në 1499 euro, vetëm në MTPT ka fituar kontrata në vlerë prej 7.5 milionë eurosh.  Pas shndërrimit të MTPT-së në MI, “Bejta Comerc” nuk mori asnjë pjesë as në  tenderin e “famshëm” të mirëmbajtjes së rrugëve.

Ajo, së bashku me një sërë kompanish financuese të  PDK-së, dhe jo të tilla, kishte bërë ankesë në OSHP, gjë që qoi deri në prishjen e tenderit, por as pas  ri-tenderimit ajo nuk mori asgjë nga puna e mirëmbajtjes së rrugëve regjionale, tender që buxhetit të  MI-së i kushtoi mbi 9 milionë euro.

Por kjo kompani këtë vit kishte marrë tenderin për asfaltimin e disa fshatrave në komunën e  Kamenicës, ani pse OSHP-ja kishte konstatuar se Kamenica shkeli ligjin kur ia dha këtë tender. Kjo  kompani për këtë punë, për asfaltimin e mbi 2 kilometrave asfalt e që komunës i kushtoi mbi 175 mijë  euro, kishte paraqitur një plan dinamik, sipas të cilit puna do të kryhej vetëm për 6 ditë. Kompania tjetër në garë në këtë tender, “Company Zuka Comerc” kishte pretenduar që komuna e Kamenicës  edhe kishte bërë ndryshime të dokumenteve nëpër dosje,që ta nxirrte fitues “Bejta Comercin”. Për  shkak të këtyre shkeljeve OSHP-ja e qoi këtë tender në ri-vlerësim.

Por për këtë kompani shkeljet e ligjit vazhduan. Në korrik të vitit 2011, Njësia për Politika dhe  Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE),  që  udhëhiqet nga ministri i PDK-së, Besim Beqaj, kishte ngritur dyshimin se kryetari i bordit të  ndërmarrjes regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan,Abdyl Hasani, ka konflikt të interesit.

Ky konflikt ishte pikërisht për shkak të faktit se Hasani punonte edhe te “Bejta Comerc” menaxher  për kualitete. Vetë Abdyl Hasani, që është i angazhuar nga komuna  Gjilanit edhe në Këshillin e  Ekspertëve të kësaj komune, në një letër që ia kthen MZHE-së konstaton për vete se nuk ka konflikt  të interesit, ani pse “Hidromorava” ka të kontraktuar për furnizim me fraksione të zallit kompaninë “Bejta Comerce”. “Bejta Comerc” është kompani që është mbështetur edhe nga programi i USAID-it në Kosovë me një kredi prej 900 mijë eurosh.