English
Scroll top

Web faqe me kanun

Dizajnimin e ueb-faqes së re Ministria e Infrastrukturës ia ka besuar pa asnjë procedurë të prokurimit kompanisë “Kanun”. Krejt pasi që përfundoi puna dhe kompania e prezantoi publikisht këtë produkt, në ministri u kurdis një tender, në të cilin përsëri fitoi “Kanun”. Në ministri thonë se regjistrimin dhe dizajnimin e kësaj faqeje e ka bërë dikush nga brenda, ndërsa pronari i “Kanun” nuk e din se kush nga punëtorët ia publikoi punën në “Facebook”

Prishtinë, 18 Nëntor 2011

Duke anashkaluar çdo procedurë të prokurimit, por duke kurdisur më vonë një tender, Ministria e  Infrastrukturës (MI) ka krijuar ueb-faqen e saj të re në internet e cila tashmë është aktive . Kjo faqe u aktivizua pak kohë pas ardhjes në krye të kësaj ministrie të ish-Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Fehmi Mujota.

MI-ja,  për këtë punë, pa asnjë procedurë prokurimit angazhoi kompaninë private “Kanun”, pronë e Alban Dedit, e cila e krijoi komplet web faqen në fund të muajit qershorit. Vetëm pasi që “Kanun” në faqen e saj në rrjetin social “facebook” e publikoi lajmin se e ka kryer faqen e MI-së  ( http://mi-ks.net/), lajm të cilin e kishe publikuar më 30 qershor, në MI në korrik  nisën procedurat e prokurimit për këtë punë. Procedura e ndjekur në këtë tender ishte ajo e kuotimit të çmimeve, procedurë e vlefshme për tenderët më të vogël se 10 mijë euro.

Sipas burimeve të “Preportr” në këtë ministri angazhimi i kompanisë “Kanun” për ta bërë dizajnimin e faqes së MI-së ka ndodhur në muajin maj.

Megjithëse procedura e parë e prokurimit për dizajnimin e faqes së re të MI filloi pasi që ishte kryer puna, në muajin korrik, ky tender nuk përfundoi në atë muaj, dhe sipas burimeve të “Preportr”, ishte Komisioni Vlerësues ai që nuk përfundoi këtë punë me arsyetimin që prokurimi nuk mund të bëjë asgjë pasi që tashmë veç ishte angazhuar kompania dhe puna ishte kryer.

Në MI angazhimin e kompanisë “Kanun” pa procedura e kishin heshtur për disa muaj, derisa në fund të muajt të tetor, MI-ja bënë edhe një tender të dytë, me procedurë të ngjashme  të kuotimit të çmimeve, në të cilën çuditërisht më  e lira doli përsëri kompania “Kanun”.

Diferenca në çmime që vendosën kompanitë në këtë tender ishte afërsisht me nga 500 euro, ku “Kanun” ofertoi me 2980 euro, “Beze” 3500 euro dhe “Ekspotech”  me 3400 euro.

‘Preport” ka kontaktuar pronaren e “Beze”, Blerta Zeqiri, e cila ka deklaruar se nuk e di që e ka humbur tenderin dhe nuk e di se puna në të cilën ka konkurruar veç është kryer nga kompania fituese në qershor, pa procedura të prokurimit. Kompania “Ekspotech” ka qen e pakontaktueshme.

Kompania “Kanun” kishte çmimin e njëjtët për bërjen e web-faqes së MI-së edhe në korrik, kur dështoi procedura.  Në korrik, “Kanun” kishte ofertuar për këtë punë me 2990 euro, apo 10 euro më shtrenjtë se tash, “Entermedia” me 4 mijë euro, “Ekpotech” me 3980 euro, “Frakton” me 4200 euro dhe “Integra” me 3900 euro.

Megjithëse ishte njëra prej anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave për këtë punë në korrik, Saranda Jusufi, drejtoreshë e Zyrës për Informim në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se kjo procedurë ka shkuar krejt sipas ligjit.

Alban Dedi nga kompania “Kanun” thotë që web-faqen e MI-së e ka bërë dikush brenda në këtë Ministri.“Këtë web-faqe e ka bëtë dikush brenda ministrisë kurse, unë ju kam thënë punëtorëve se këtë punë duhet ta marrim ne dhe dikush nga punëtorët, nuk e di cili, e ka postuar lajmin në faqen tonë në “facebook” sikur punë tonën”,thotë për ‘Preportr” Dedi.

Dedi thotë se tash e kanë nënshkruar kontratën me MI-në, dhe vetëm tash kanë punë me dizajnim të kësaj faqeje, derisa nuk ka përgjigje se si oferta e tij rezultoi më e lira për një tender, punët e të cilit i kishte kryer hiç pa filluar procedurat e tenderimit.

Alban Dedi, pronar i kompanisë “Kanun” të sigurt e ka veç që Ministria e Infrastrukturës ende nuk ia ka paguar asnjë cent në xhirollogarinë e tij.

Megjithëse si në MI ashtu dhe në “Kanun” deklarojnë se web-faqen e ka dizajnuar dhe regjistruar dikush nga ministria, të cilit nuk ia përmendin emrin, në faqen e tyre në ‘facebook” “Kanun” që në qershor e kishte prezantuar këtë punë si prodhim të kompanisë së tyre.

“Kanun prezanton”, ky është titulli i lajmit për përfundimin e dizajnimit dhe regjistrimit të web-faqes së MI-së që ishte postuar më 30 qershor 2011 në faqen e “Kanun”. Një ditë pas interesimit të “Preport” për këtë punë , lajmi në fjalë është fshirë nga faqja e kësaj kompanie.

Në përgjigjen e saj për “Preportr”, Saranda Jusufi nga MI-ja nuk ka sqaruar se pse procedurat për     web-faqe kanë filluar pasi që është përfunduar puna, por ka thënë se ato janë krejtësisht në përputhje me dispozitat ligjore.

Duke i cilësuar pyetjet e “Preportr”, rreth detajeve të tenderit si tendencioze, Jusufi ka sugjeruar që të kontaktohet Zyra e Prokurimit. Në këtë zyrë kanë deklaruar se duhet të bëhet një shkresë zyrtare për këtë punë, e cila mund të pres për një përgjigje deri pas dy javësh, por paraprakisht shkresa duhet të marrë  një numër protokolli. “Perportr” ka provuar që të protokolloi pyetjet për këtë rast, por në Arkivin e MI-së kanë refuzuar ta bëjnë këtë.