23 Mars 2015
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës çdo ditë ushqehen afër 3600-3700 pacientë. Ushqimi për këtë numër jo të vogël të pacientëve përgatitet në një ndërtesë të vjetër, njëkatëshe. Kjo kuzhinë nuk i plotëson as kushtet mesatare për ta ushtruar këtë veprimtari. Muret e mykura, dyshemeja e dëmtuar e dritaret e mbuluara me rrjeta merimangash, nuk e dallojnë kuzhinën nga klinikat e tjera që gjenden në oborrin e QKUK-së.
Përkundër rinovimit prej 528.000 euro që ishte bërë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2006, gjendja e infrastrukturës në këtë objekt është shumë e rëndë. Mjetet e punës, enët dhe aparatet elektrike me të cilat përgatitet ushqimi për të sëmurët, i ka mbuluar ndryshku.
Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), institucion ky që ka bërë inspektime të vazhdueshme në këtë kuzhinë, ka nxjerrë në pah shumë parregullsi. Në inspektimin që i ka bërë Kuzhinës Qendrore me datën 13 nëntor 2014, ky inspektorat ka alarmuar për kushte jo të mira në të cilat ndodhet ky objekt.
“Muret janë të mykura dhe të pa gëlqerosura, qeramikat e dëmtuara në disa vende, elemente të pa shfrytëzueshme në disa hapësira si dhe stabilimente të koroduara. Hapësira e faturistes dhe hapësira e mjeteve të higjienistëve kanë komunikim direkt me hapësirën e punës gjë që jep mundësi të kryq kontaminimit”, ka thënë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.
Sipas tij, në gjendje jo të mirë është edhe ventilimi sepse nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për eliminimin e avujve. Mungesa e rrjetave në dritare ka bërë që kjo kuzhinë të jetë vendbanim i insekteve të ndryshme.
Lidhur me të gjitha këto vërejtje inspektorati ka dhënë një afat prej 30 ditësh për QKUK-në që të përmirësoj kushtet në të cilat përgatitet ushqimi.
“Është dhënë urdhër për gëlqerosje dhe vënien e rrjetave në dritare, largimin e elementeve të pashfrytëzueshme, eliminimin e mundësisë së kryq kontaminimit, DDD (Dezinfektim, Deratizim dhe Dezinsektim) dhe kontrollin sanitar në bacilbartje. Afati për përmirësim të kushteve është dhënë sipas ligjit 30 ditë”, ka thënë Thaçi.
Preportr ka monitoruar edhe transportimin e mishit për në depo të Kuzhinës Qendrore. Punëtorët e kompanisë "Apetiti" e cila e furnizon kuzhinën me mish, bartnin kofshët e mishit me krahët e tyre.
Në gjendje aspak më të mirë nuk është as depoja ku mbahet mishi i gjedhit. Në këtë depo-friz edhe pse mishi qëndron i pambuluar punëtorët futen me këpucë, si rezultat i kësaj dyshemeja është shumë e papastër.
Duke pasur parasysh këto kushte të punës, pastërtia dhe cilësia e ushqimit që iu shërbehet pacientëve vihen në pikëpyetje.
Por shefi i kuzhinës, Asllan Bucolli nuk është ankuar për kushtet në të cilat punohet aty. “Vend ideal nuk ka askund, por probleme të theksuara nuk kemi”, ka thënë Bucolli. Ai theksoi se kanë nevojë për funksionalizimin e ëmbëltores e cila është e kompletuar me inventar por për shkak të mungesës së stafit nuk është në funksion.
Sipas të dhënave zyrtare nga Kuzhina Qendrore, shumica e pacientëve që qëndrojnë në QKUK, ushqehen nga kjo kuzhinë dhe janë të kënaqur me kualitetin e këtij ushqimi.
“Ne bëjmë anketa me pacientë dy herë në muaj për t'i pyetur ata se a janë të kënaqur me ushqimin, por pacientët janë shumë të kënaqur. Ne kemi vërejtje nga personeli ndonjëherë por jo nga pacientët" ka thënë Asllan Bucolli, shef i kuzhinës.
Në anën tjetër shumë pacientë pavarësisht që ushqehen nga kjo kuzhinë janë shprehur të shqetësuar lidhur me ushqimin që iu shërbehet . Disa e kanë problem mungesën e pastërtisë e të tjerët shijen dhe përbërjen e ushqimit. Shumica nga ta e marrin vetëm shujtën e mëngjesit sepse zakonisht përmban ushqime të paketuara dhe ndihen më të sigurtë t'i përdorin.
"Jam tash e një muaj në spital. Ushqimin e ha këtu se nuk kam as mundësi me dal me e ble diku tjetër, por me dëshirë nuk e kisha marrë se në këtë spital nuk ka pastërti. Nuk e di në çfarë mënyre përgatitet këta ushqim", ka thënë një pacient në QKUK.
Preportr ka realizuar 34 anketa me pacientë për të marrë opinionin e tyre lidhur me ushqimin që ua ofron QKUK-ja. Këto anketa janë realizuar në katër klinika - Klinika e Kirurgjisë, Klinika e Hematologjisë, Klinika e Endokrinologjisë dhe Klinika e Pediatrisë.
Nga 34 pacientë të anketuar, 27 prej tyre kanë thënë se ushqehen në klinikë. Nga këta 27 pacientë, vetëm katër kanë deklaruar se kanë gjendje të mirë financiare. Pra shumica e pacientëve që ushqehen në QKUK kanë gjendje më të rëndë financiare. Ata duket se nuk kanë rrugë tjetër, detyrohen të ushqehen në klinikë pavarësisht sa ju pëlqen shija, kualiteti e shërbimi i ushqimit. "Çdo ditë hajmë gjellë me mish. Paradite kemi bukë me xhem, pashtetë e nganjëherë edhe vezë. Unë e ha ushqimin këtu se shumë shtrenjtë më kushton me e ble jashtë", ka thënë pacientja e klinikës së hematologjisë.
Ushqimi i cili iu shërbehet pacientëve në Qendrën Klinike Universitare, përveç që përgatitet në kushte me mungesë minimale të pastërtisë, as nuk iu përgjigjet nevojave specifike të të sëmurëve.
Preportr ka siguruar katër menytë në bazë të të cilave përgatitet ushqimi në QKUK: Menyja e Dietës Kardiale (sëmundja e zemrës) dhe Nefretike (sëmundja e veshkëve), Menyja e Dietës Febrile (pacientët me temperaturë të lartë), Menyja e Dietës Diabetike dhe Menyja e Ushqimit Standard.
Këto meny edhe pse janë të përgatitura për pacientë me sëmundje krejtësisht të ndryshme, për nga përmbajtja janë shumë të ngjashme. Ato janë përpiluar në vitin 2011 nga vet stafi i QKUK-së pa u konsultuar me asnjë nutricionist dhe që nga ai vit nuk janë ndryshuar.
Menytë ushqimore të përgatitura në QKUK për pacientë me sëmundje të ndryshme sidomos atyre kronike siç janë sëmundjet e zemrës dhe diabeti, nuk i përmbushin standardet e dietave që parashihen nga shoqatat profesionale për këto sëmundje. Disa nga produktet dhe sasia e tyre që përshkruhen në këto meny janë të ndaluara për pacientët me sëmundje të veçanta. Sipas nutricionistës Mirlinda Bejta në këto meny vërehet mungesa e llojllojshmërisë së ushqimeve.
"Dietat janë të larta në karbohidrate , nuk specifikohet çfarë lloj makaronash ose shpagetash janë integrale apo të bardha, përdoren ushqimet e procesuara si eurokrem e sallamë. Poashtu servohen djathëra të larta në yndyra si kaçkavall dhe zdenka , vezët përsëriten shumë shpesh dhe jo në kombinimet e duhura", ka thënë Bejta.
Dieta diabetike në bazë të së cilës ushqehen pacientët me sëmundje të diabetit në QKUK është shumë e varfër për nga lloj-llojshmëria e produkteve, e mangët me pemë e perime dhe me sasi të tepërt të mishit i cili nuk rekomandohet të merret nga këta pacientë.
Sipas mjekëve dhe nutricistëve kjo dietë përveç që mund të shkaktojë dëm tek të sëmurët që qëndrojnë në klinikë, ka edhe efekt negativ në edukimin për mënyrën e ushqimit të këtyre pacientëve. Kjo mund të ndodh për faktin se ajo çfarë i sëmuri han në spital e konsideron si diçka të lejuar, pra e konsideron si mënyrë të duhur të të ushqyerit e që dieta në fjalë nuk do të duhej të jetë shembulli.
Dieta diabetike për çdo ditë ka qumësht dhe nga një vezë të shoqëruar me djathë, me zdenkë ose me mish pule. Dreka për çdo ditë ka mish të shoqëruar herë me patate, oriz, pasta, gullash ose lakra. Ndërkaq as darka nuk ka ndonjë dallim të madh nga dreka sepse edhe gjatë saj shërbehet mish në kombinim me patate, oriz, ose pasta.
Shefja e Repartit të Endokrinologjisë në QKUK, Drita Mekuli, ka thënë se QKUK-ja nuk ka mundësi për të ofruar ushqim më cilësor se kaq. "Ne nuk mundemi të kërkojmë nga Qendra Klinike Universitare me këtë buxhet që e ka, të përpiloj dietë të mirëfilltë diabetike, është e pamundur nga ana financiare. Ne nuk mundemi me kërku për pacientët tonë brokoli, kungullesha ose domate të zeza sepse ushqimi i ngjashëm kushton", ka thënë Mekuli.
Njëra prej produkteve që gjendet në dietën diabetike e që përmban përqindje të lartë yndyrore është zdenka. Sipas Mekulit zdenka nuk do të duhej të konsumohet nga personat me diabet sepse përmban 80-90% yndyrë.
Problemi tjetër në këtë meny është përmbajtja e një sasie të madhe mishi. Shqetësim lidhur me këtë ka ngritur edhe profesoresha e Fiziologjisë së Universitetin e Prishtinës, Hatixhe Pupovci.
“Është e çuditshme se si në këtë meny javore për çdo ditë në dy shujta të sëmurëve ju servohen nga 140 gr mish, bile në dy ditë parashihet që mishi të konsumohet në të tri shujtat kryesore, pra gjithsej 480 gr mish në ditë! Sipas Shoqatës Amerikane për Diabet rekomandohet që sasia e mishit nuk duhet të tejkalojë mbi 160 gr në ditë. Pra, përkundër faktit se të sëmurët me diabet duhet të kufizojnë sasitë e sheqernave, në meny jo patjetër duhet të ketë sasi të mëdha të proteinave me bazë shtazore e sidomos jo proteina nga mishi i kuq i cili është i pasur me yndyra të ngopura”, ka thënë ajo.
Nutricionistja Mirlinda Bejta ka thënë se për pacientët me diabet është shumë e rëndësishme që të ushqehen edhe me dy messhujta. “Për pacientët me diabet duhet të servohen tri shujta kryesore plus dy zamra, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak” thotë Bejta.
Por sipas Drita Mekulit këto messhujta munden të sigurohen nga vetë pacientët dhe nuk ka nevojë që të ngarkohet QKUK-ja me këtë.
"Ato messhujta duhet të jenë të vogla, mundet me qenë ndonjë mollë, ndonjë portokall ose ndonjë kivi. Nuk ka nevojë të ngarkohet buxheti edhe ashtu i vogël i QKUK-së për këto dy messhujta që pacienti pa kurrfarë problemi i merr prej burimeve të veta", ka thënë ajo.
Nutricionisti Veli Luma i cili është edhe profesor i kimisë në Kolegjin ELYSEE në Lozanë të Zvicrës, shprehet i shqetësuar me përmbajtjen e menysë për pacientët e diabetit në QKUK. “Në çdo racion duhet të gjejmë përafërsisht 55% hidrate të karbonit, përafërsisht 15% proteina dhe përafërsisht 30% yndyrëra. Që të tria këto merren duke ngrënë mish, vezë, qumësht ose peshk por jo të triat përnjëherë dhe me sasi kaq të mëdha si janë të shkruara në meny”, sqaron ai.
E një ndër problemet kryesore në shujtat e diabetikëve mbetet prania e bukës, makaronave dhe shpagetave të cilat për këtë lloj sëmundje rekomandohen të jenë integrale. QKUK-ja furnizohet vetëm me bukë të bardhë. Këtë e ka konfirmuar edhe fabrika e bukës Ko-Bake nga Prishtina, që e furnizon kuzhinën në fjalë me bukë çdo ditë dhe thotë se ata e furnizojnë vetëm me bukë standarde dhe me samuna.
Shefja e këti reparti, Drita Mekuli ka thënë se buka e zezë është shumë më e shtrenjtë dhe për këtë arsye pacientët ushqehen me bukë të bardhë.
"Nuk është situata tragjike sepse pacientët tanë rrinë këtu mesatarisht dy javë. Ata këtu edukohen dhe e dinë shumë mirë çka duhet me hangër çka nuk duhet me hangër, çka është e ndaluar, çka është e rekomanduar...", është shprehur ajo.
Në këtë meny javore parashihet që të sëmurët çdo ditë të konsumojnë nga një vezë e që poashtu është sasi e tepërt. Sipas Shoqatës Amerikane për Diabet rekomandohet që të sëmurët me diabet të konsumojnë më së shumti tri vezë në javë.
As tri menytë tjera nuk janë të përpiluara në përputhshmëri me sëmundjet e pacientëve. Në gjendje pak më të mirë është dieta standarde e cila servohet për të gjithë të sëmurët tjerë që nuk janë të përfshirë në tri dietat e mëparshme. Në këtë dietë ka vetëm një herë në ditë nga 140g mish, e që dallon nga dieta diabetike dhe ajo kardiake ku mishi parashihet dy herë në ditë e ndonjë herë edhe tri herë në ditë. Poashtu ka sasi pak më të madhe të perimeve, gjë që i ndihmon pacientët të marrin vitaminat e nevojshme.
Dieta febrile që është e destinuar për pacientët me temperaturë poashtu përmban sasi të mëdha të mishit të cilat nuk rekomandohen në këtë gjendje shëndetësore për shkak të tretjes më të vështirë të tij. Në dietë nuk është paraparë të servohen pemë, sidomos ato që janë të pasura me Vitaminë C që është shumë e nevojshme për këta pacientë.
Në dietën javore për të pacientët me sëmundje të zemrës dhe sëmundje të veshkave (Dieta Kardiale dhe Nefretike) parashihet që i sëmuri për çdo ditë edhe atë dy herë në ditë të merr nga 140 g mish, 280 gr në ditë. Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, për të eliminuar rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, personi nuk duhet te konsumojë më shumë se 18 gr yndyrë në ditë, edhe atë jo më shumë se 13 gr yndyra të ngopura. Sipas Hatixhe Pupovcit në bazë të kësaj diete pacienti brenda ditës vetëm nga mishi merr 18 gr yndyrë të ngopur e që është sasi mjaftë e madhe e yndyrës. "Kjo është sasi e tepërt e mishit dhe gjithsesi jo edhe e domosdoshme për faktin se në këtë mënyrë të sëmurët do marrin sasi të tepërt të yndyrave të ngopura të cilat nuk rekomandohen për një zemër të shëndoshë", ka thënë ajo.
Gjithsesi edhe për të sëmurët me sëmundje të zemrës është e rekomanduar perimet të konsumohen për çdo ditë, ndërsa në këtë dietë janë të parapara vetëm tri herë në javë edhe atë vetëm nga 10 g ose 50g.
Probleme ende më të rënda sa i përket përmbajtjes së ushqimit kanë pacientët e klinikës së Kirurgjisë. Edhe pse ata i nënshtrohen operimeve, atyre nuk iu shërbehet ushqim me dietë të veçantë por i njëjtë si në të gjitha klinikat tjera. Sipas Bekim Ademit i cili është kirurg vaskular në QKUK, pacientët e klinikës së Kirurgjisë duhet të ushqehen vetëm me ushqime të lehta si pire, supa të cilat i ofron edhe QKUK-ja.
"Në krahasim me standardin e përgjithshëm të popullatës nuk është ushqimi i keq por nëse e krahasojmë me disa spitale në rajon është i nivelit më të ulët. Nëse e shikojmë çfarë ushqimi përshkruhet në udhëzime të cilat ne i përdorim sigurisht që në klinikën tonë nuk ofrohen të njëjtat produkte", ka thënë Ademi.
As pacientët e repartit të Hematologjisë nuk e kanë ushqimin adekuat për gjendjen e tyre shëndetësore. Profesori i Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë, Emrush Kryeziu këshillon që të konsumohet ushqimi më shpesh dhe të jetë i larmishëm në mënyrë që të sigurohen kaloritë e nevojshme.
“Ushqimi që servohet nga Kuzhina Qendrore e QKUK-së nuk përgatitet për nevojat e të sëmurëve hematologjikë. Duhet konsumuar pesë deri gjashtë shujta gjatë ditës me qëllim të marrjes së proteinave, drithërave, frutave dhe yndrnave të shëndosha ", ka thënë Kryeziu.
E Klinika e Pediatrisë ka kuzhinën e vet në të cilën përgatiten ushqimet për fëmijët që qëndrojnë në atë klinikë. Preportr ka vizituar edhe këtë kuzhinë dhe gjendja sanitare ishte dukshëm më e mirë se në Kuzhinën Qendrore. Sipas pediatres së kësaj klinike, Vlora Ismaili, kjo kuzhinë i përmbushë nevojat kryesore të pacientëve. "Edhe pse kemi ndonjëherë mungesë të artikujve ushqimor, më tepër të pemëve dhe perimeve, kuzhina i plotëson kushtet kryesore për të funksionuar", ka thënë ajo.
Kontrata vazhdon, artikujt mungojnë
Kompania "Beni Dona Plast" e cila në gusht të vitit të kaluar ka nënshkruar kontratë me QKUK-në për furnizim me produkte ushqimore, nuk e ka zbatuar atë. Kjo kompani nuk e ka furnizuar Kuzhinën Qendrore me disa artikuj të cilët janë kërkuar për disa herë radhazi nga Depoja Ushqimore e QKUK-së.
Preportr ka siguruar fletë-kërkesat dhe fletë-pranimet e produkteve ushqimore për muajt tetor, nëntor 2014, dhe pas krahasimit të tyre ka gjetur se katër artikuj që janë kërkuar nga QKUK-ja nuk i ka ofruar asnjëherë kompania që është përgjegjëse për këtë furnizim. Bëhet fjalë për produktet: Peshk i ngrirë troftë, kumbulla të thara, lulelakër dhe majdanoz. Këto produkte gjenden në listën e produkteve që ka përpiluar vetë kompania kur ka dorëzuar ofertën në lidhje me këtë tender.
Mungesën e këtyre produkteve e ka konfirmuar për Preportr edhe Shefi i Përgjithshëm i Kuzhinës Qendrore në QKUK, Asllan Bucolli. Poashtu menaxherja e kësaj kontrate në QKUK, Suzana Drini ka deklaruar për Preportr se është ankuar në kompani për mosfurnizim me këto produkte. "Unë i kam telefonuar dhe ju kam dhënë vërejtje por ata nuk e kanë marrë parasysh", ka thënë Drini.
Në anën tjetër përfaqësuesi i kompanisë "Beni Dona Plast", Musë Maqedonci, ka thënë se do të rregullohet shumë shpejt gjithçka në lidhje me këto furnizime. "Kumbulla të thata nuk ka pasur në treg këtë kohë ndërsa për troftë duhet me shiku dhe rregullohet ky problem".
Sipas nutricionistës Mirlinda Bejta prania e peshkut në meny për pacientë është e domosdoshme. “Si pjesë e menysë duhet patjetër të jetë peshku së paku 2 herë në javë.” ka thënë ajo.
Përveç kësaj, kjo kompani pothuajse asnjëherë nuk ka ofruar produktet që i janë kërkuar nga autoriteti kontraktues brenda afatit të paraparë dhe në shumë raste nuk është liferuar sasia e kërkuar. Edhe pse në kontratë thuhet qartë se "Liferimi i mallit duhet të bëhet më së largu 24 orë nga marrja e kërkesës", këtë afat nuk e ka respektuar. Disa kërkesave iu është përgjigjur pas katër ditëve, disa pas një jave por asnjërës brenda afatit të përcaktuar. Por edhe kur kompania ka kryer furnizimin nuk e ka bërë atë të plotë, pra në bazë të kërkesave që i janë dërguar nga QKUK-ja. Në shumicën e rasteve kur QKUK-ja ka bërë kërkesë për furnizim, kompania përgjegjëse e ka furnizuar atë vetëm me gjysmën e produkteve që ka kërkuar.
Për kompaninë "Beni Dona Plast" me pronar Ragip Mustafën, ka pasur vërejtje edhe Komisioni Disiplinor i QKUK-së. Në një raport për vlerësim të punës në vitin 2009 si rast i shkeljes së kontratës përmendet kjo kompani. "Kompania kishte qenë e obliguar të sjellë në QKU mish pule – kaçikë, ndërsa kishte sjellë mish pule – shpatulla me kaçikë bashkë", thuhet në raport. Aty theksohet se për mos respektim të kontratës QKUK-ja është dëmtuar për 0,40 euro për çdo kilogram mish pule.
Po ashtu ky komision kishte dhënë vërejtje edhe për çmimin e lartë të produkteve ushqimore që kishte ofruar kjo kompani. “Të gjitha çmimet e pasqyruara nëpër kontrata janë më të larta se çmimet me pakicë”, thuhet në raport. “QKUK-së i ka shkaktuar dëm të madh buxhetor. Kjo është vërtetuar me çdo kontratë të furnizimit”, shtohet aty, dhe përmendet rasti me furnizim me patate ku kilogrami i tyre në tregun me shumicë sillej nga 0,13 euro deri në 0,18 euro, ndërsa QKUK-ja i kishte blerë me çmimin 0,48 euro për kilogram.