English
Scroll top

Tenderët kundërligjorë

Shkelja e ligjit në tenderët publik është bërë haptazi nga disa ministri të qeverisë së Kosovës. Disa miliona euro janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Thyerja e ligjit në një pjesë të tenderëve të hulumtuar nga “Preportr”, është konfirmuar edhe nga vetë zyrtarë të institucioneve të Kosovës.Hulumtimi i “Preportr”, tregon se në shtatë tenderë të marrë në shikim, janë dhënë mbi dy milionë euro për katër kompani private ndërtimore nga institucionet e Kosovës edhe...

07 Maj 2011

Shkelja e ligjit në tenderët publik është bërë haptazi nga disa ministri të qeverisë së Kosovës.

Disa miliona euro janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Thyerja e ligjit në një pjesë të tenderëve të hulumtuar nga “Preportr”, është konfirmuar edhe nga vetë zyrtarë të institucioneve të Kosovës.Hulumtimi i “Preportr”, tregon se në shtatë tenderë të marrë në shikim, janë dhënë mbi dy milionë euro për katër kompani private ndërtimore nga institucionet e Kosovës edhe pse në atë kohë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë u është marrë licenca për operim për shkak të mosplotësimit të kushteve.

Komisioni për Ndërtim dhe Licenca i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bazë të Ligjit për Ndërtim, ka për autorizim që në rast se një kompani nuk ka plotësuar kushtet teknike t’i marrë licencën një subjekti ekonomik. Sipas ligjit në fuqi, një kompani që i është pezulluar icenca nuk mund të shpërblehet me tenderë publik. Përkundër kësaj, kompanitë me licenca të pezulluara kanë marrë tenderë nga ana e Ministrisë së Transportit Postës dhe Telekomunikacionit (MTPT) dhe Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Përkundër ndalimit të qartë, këto kompani kanë marrë tenderë për ndërtimin dhe rikonstruktimin e rrugëve dhe shkollave.

Duke qenë se këto kompani nuk kanë pasur të drejtë të ushtrimit të veprimtarisë në ndërtimtari, deri sa ka qenë në fuqi vendimi i Komisionit të Licencave, dhënja e tenderëve për këto kompani përbën disa vepra të dënueshme me ligj duke filluar nga shkelja e detyrës zyrtare, cenimin e konkurrencës së lirë e deri te mundësia e veprës së korrupsionit. Madje sipas legjislacionit në fuqi, edhe pas kalimit të afatit të pezullimit të licencave, kompanitë në fjalë është dashur të aplikojnë sërish për licenca. Nga kontaktimi i “Preportr” me përfaqësues të kompanisë “Bajramaj” nga Theranda, komunikohet se asnjëherë nuk kanë marrë vendim nga MTI-ja për pezullim licence, edhe pse vendimi për pezullim të licencave të kompanive është i publikuar në web faqe të MTI-së. Përfaqësuesi i kompanisë “Mirusha Transport” nga Klina, pranon se i është pezulluar licenca nga MTI-ja, por thotë se kanë bërë ankesë dhe se nuk ka njohuri se çka ka ndodhur më tutje, pra nëse është shfuqizuar ose jo vendimi. Ai pranon marrjen e tenderit nga MTPT-ja.

Megjithëkëtë, ankesa e bërë nga “Mirusha Transport” juridikisht nuk e shfuqizon vendimin deri në marrjen e një vendimi të ri. Kurse, në web faqen e MTI-së, nuk gjendet një vendim i ri karshi vendimit për pezullim të licences për këtë kompani. “Preportr” ka tentuar që të marrë përgjigjje edhe nga përfaqësuesit e dy kompanive tjera, “Sallahu” dhe “Tosi”, përmes numrave të tyre zyrtar, por komunikimi me ta ka qenë i pamundur.

“Preportr” ka kontaktuar disa herë edhe me përfaqësuesit e MTPT-së dhe të MASHT-it, por këto dy institucione nuk kanë pranuar që të takohen. Ilir Kryeziu, Drejtor i Departamentit për Ndërtim në MTI, pohon për “Preportr”, se çdo subjekt ndërtimor, në bazë të Ligjit për Ndërtim, është i obliguar që të licencohet në MTI.“Kompanitë nuk mund ta ushtrojnë veprimtarinë pa licencë. Mbikëqyrjen e licencës e bën Inspektorati i Tregut”, thotë Kryeziu. Sipas tij, vendimet për pezullim të licencës merren nga Komisioni për Licencimin e Subjekteve Ndërtimore dhe lista e subjekteve te pezulluara, përkatësisht të anuluara, publikohet në web faqen e MTI-së, si dhe dërgohet në organet kompetente si KRPP-ja, OSHP-ja si dhe, APP-ja. Kryeziu, sqaron se Komisioni për Licencimin e Subjekteve Ndërtimore nuk merr masa ndëshkimore ndaj kompanive që kanë shkelur vendimin për pezullim. Pra, sipas Kryeziut, masa ndëshkimore e vetme që merret nga Komisioni për Licencimin e Subjekteve Ndërtimore është vendimi për pezullim, përkatësisht vendimi për anulim të licencës. Në anën tjetër, Ilaz Duli, anëtar i bordit të KRPP-së, thotë se në bazë të legjislacionit në fuqi, operatori ekonomik nuk mund të marrë punë në kohën sa e ka licencën të pezulluar, dhe se ministritë e caktuara,dhënëse të tenderit, janë shkelëse të ligjit. Ndalimi i marrjes së tenderëve nga kompani me licenca të pezulluara sanksionohet edhe në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik me Nenin 65, paragarfi 4, paragrafi 4.5, dhe paragrafi 4.11, si dhe me nenin 69. Po ashtu, edhe Udhëzimi Administrativ nr 10/2010, “Për licencimin e subjekteve ndërtimore”, përmes nenit 35 paragrafi 4, si dhe nenit 40 paragrafi 1 dhe 3, ndalon dhënien e tenderëve kompanive me licenca të pezulluara. Sipas Blerim Kelmendit, zyrtar i lartë për hetime në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, dhënia e tenderëve nga Departamentet e Prokurimit të ministrive përkatëse, kompanive me licenca të pezulluara, mund të merret si shpërdorim i detyrës zyrtare nga përfaqësuesit të komisioneve të prokurimit. Shpërdorimi i detyrës zyrtare sipas Kodit Penal të Kosovës paraqet vepër penale kundër detyrës zyrtare dhe si e tillë është penalisht e dënueshme. Edhe pse shumica e rasteve që AKK-ja i procedon, janë në fushën e prokurimit publik, ata thonë se nuk kanë pasur informacion se tenderët u janë dhënë kompanive me licenca të pezulluara. Në të dy raportet e AKK-së, për vitet 2009 dhe 2010, janë gjetur prova të cilat tregojnë për falsifikim masiv të dokumenteve zyrtare me qëllim të dhënies së kontratave publike operatorëve ekonomik përkatës,duke përdorur madje edhe emra fiktiv të personelit profesional si dhe duke falsifikuar kontrata të punës me individ të cilët nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në kuadër të operatorëve përkatës.