Prishtinë, 29 Tetor 2014
Shtretër të dëmtuar, inventar i vjetër, lecka pastrimi, çarçafë, dru, kanaçe, e mbeturina nga më të ndryshmet, janë pjesë e oborrit të Klinikës Obstetrike Gjinekologjike. Objektet e hedhura pa kujdes përveç që e shëmtojnë pamjen e këtij vendi, sjellin edhe rrezik për njerëzit që kalojnë aty pari. Rreth e rrotull kësaj ndërtese spitalore vërehet sasi e madhe e xhamave të thyer, të cilët kanë mbetur aty që kur ka filluar renovimi i dritareve. Sikur të mos shohësh mantelet e bardhë dhe të gjelbër të mjekëve e infermierëve, pamjet nuk ta japin përshtypjen se ato i përkasin një spitali.
"Me kalu nga ana tjetër e spitalit duhet me ecë në majat e gishtave se gjithkah ka xhama. Prej ditës që kam ardhë në spital, oborri është në këtë gjendje", thotë Ardita, paciente e kësaj klinike teksa po qëndron ulur në pushimoret e oborrit.
Përgjegjësinë për largimin e këtyre mbeturinave Shefi i Prokurimit Gazmend Rushiti, e hedhë te kompania e cila po e kryen renovimin. "Kompania është përgjegjëse për largimin e këtyre mjeteve".
Nga mbetjet e materialit ndërtimor duket se renovimet nuk kanë fund të afërt, e në të njëjtën kohë pa ndërprerë vazhdon puna në këtë klinikë.
Gjinekologu Blerim Syla, rrëfen tmerrin në të cilin kanë qenë të detyruar të punojnë stafi mjekësor gjatë atyre ditëve kur po rinovoheshin sallat e operacioneve.
"Ka qenë shumë e vështirë që të punohet në ato kushte. Në sallat që po kryheshin renovime ne është dashur që të kryejmë operimet dhe lindjet. Ne kemi tentuar që pacientët të fitojnë sa më pak infeksione të cilat do të sillnin pasoja katastrofike”, thotë ai.
Syla tregon se përgjegjësia e infeksioneve, në fund u mbetet mjekëve.
Ka ndodhur që pacientin e sapo operuar është dashur ta heqim nga salla sepse duhej të përfundohej renovimi
Blerim Syla, gjinekolog në QKUK
“Ka ndodhur që pacientin e sapo operuar është dashur ta heqim nga salla sepse duhej të përfundohej renovimi. Megjithatë tre muaj i kemi bartur pacientët nga një sallë në tjetrën dhe ende nuk është përfunduar e gjitha. Dhe prapë se prapë përgjegjësinë e marrim ne", thotë Syla.
Vizitorët dhe lëvizja e lirë e infeksioneve
Korridori kryesor i klinikës është i mbushur me qytetarë të shumtë që presin t’i vizitojnë të afërmit e tyre brenda. Ata insistojnë të futen në klinikë, disa duke u lutur tek rojtarët e klinikës, e disa të tjerë duke përdorur metoda alternative. Ata që kanë lidhje familjare ose persona të njohur detyrohen t’i shfrytëzojnë për t’u futur brenda. Një shihet duke ia treguar rojtarit qesen me barna që duhet t’ia dërgonte gruas së tij në dhomë. Disa të tjerë duhet të presin kohën e vizitës e cila fillon në orën 14:00, për t'u përmbyllur një orë më vonë. Korridori ku presin të afërmit e pacientëve është i mbushur me kova për të mbajtur ujin që pikon nga tavani. Era e pakëndshme e tualeteve ndihet sapo gjendesh afër shkallëve. (Foto)
Në anën e pasme të klinikës gjendet ''hyrja e dytë'', ajo nga bodrumi, nga e cila mund të kalosh pa problem pavarësisht kohës apo motivit të vizitës. Kjo hyrje e errët është e mbushur me thasë të çimentos e mjete të tjera që po përdoren për rinovim. Pluhuri i bodrumit kalon me lehtësi nëpër katet e tjera të klinikës duke u ngjitur nëpër këpucët e rrobat e vizitorëve.
"Ajo hyrje keqpërdoret edhe me ikë prej punës edhe me futë njerëz në mënyrë ilegale sepse rojet nuk munden m’i përcjellë", thotë Blerim Syla, i cili përveç gjinekolog në repartin e Konservatives të kësaj klinike, është edhe Kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
Dyert e të gjitha reparteve janë të hapura, mund të shëtitësh lirshëm nëpër dhoma. Qetësi nuk hasë as në Repartin e Lehonave ku gjenden të sapolindurit dhe nënat e tyre. Numri i vizitorëve në këtë repart është shumë i madh, e kjo ka shkaktuar shpesh probleme shëndetësore te pacientët.
Shpresa rrëfen se si i është infektuar vajza e sapolindur në këtë klinikë. "Unë jam shtruar në spital sepse pas lindjes kam pasë gjakderdhje të madhe. Pas disa ditësh vajza ime e cila ka qëndruar me mua ka fillu me pasë temperaturë të lartë, e kam lajmëru një infermiere dhe pas kontrollit më thanë që duhet ta dërgojnë në inkubator".
Ajo shumë lehtë identifikon edhe fajtorët, stafin menaxhues të klinikës të cilët nuk po e zbatojnë orarin e vizitave. "Duhet me marrë masa, me e përgjysmu numrin e familjarëve në dhoma. Gjatë ditës veç në dhomën time kanë ardhë më shumë se 10 vizitorë, sigurisht që ata shumë shpesh bartin infeksione nga jashtë ", tregon Shpresa.
Por jo gjithmonë të afërmit vizitojnë pacientët vetëm për t'u informuar me gjendjen e tyre shëndetësore. Për shkak të mungesës së kushteve elementare në klinikë, familjarët detyrohen të shkojnë kohë pas kohe aty që t'i furnizojnë ata me barna, mjete medicinale, çarçafë, batanije, produkte higjienike, ushqim e shpesh edhe me ujë të pijshëm.
Edhe drejtoresha e kësaj klinike, Myrvete Paçarada, thotë që furnizimi i rregullt i kësaj klinike me barna do të zvogëlonte numrin e panevojshëm të vizitorëve.
"Sigurimi i barnave do ta zvogëlonte numrin e panevojshëm të vizitorëve. Poashtu në këtë objekt ndodhet edhe klinika e Neonatologjisë dhe të dyja e kanë vetëm një hyrje. Me investime shtesë ne do të kishim pasur mundësi që edhe klinika e Neonatologjisë ta bëjë hyrjen e vet dhe të mos përzihen pacientët e Gjinekologjisë me ata të Neonatologjisë", thotë Paçaraqa.
Merri barnat me veti
Në mes të kaosit shquhet një grua, fytyra e zbehur e së cilës e shpjegon më së miri gjendjen e saj. E quajnë Minire, është grua rreth të katërdhjetave e cila po priste ditën t'i nënshtrohet operimit.
Për Miniren nuk është shqetësim vetëm shëndeti. Ajo më problematike e ka rrugën që duhet ndjekur për t'u shëruar. Jeton me gjashtë fëmijë dhe burrin vetëm me të hollat që merr nga ndihma sociale.
Jam t'u pritë që dy javë me u bo operacion për me largu cistën nga mitra. Është dashtë komplet me i ble barnat e krejt mjetet tjera
Paciente në QKUK
“Jam t'u pritë që dy javë me u bo operacion për me largu cistën nga mitra. Është dashtë komplet me i ble barnat e krejt mjetet tjera. Më ka thënë infermierja që krejt çka duhen për operacion duhet me i siguru vet. As çarçafë e jorgan s'ka. Ushqimin e ha këtu, nuk është edhe aq i keq. Pastërti s'ka hiç e shpesh pritoj edhe bukën me hangër”, rrëfen pacientja.
Mjekët detyrohen të kryejnë punën e tyre pa barna, fasha, gjilpëra, maska mbrojtëse dhe shiringa. Në raste kur nuk funksionojnë liftet ata duhet vet të bartin pacientët shkallëve.
Paçarada thotë se stafi mjekësor do të kishte kryer punën e vetë shumë më mirë po të mos e kishte pasur problemin e mungesës së barnave dhe mjeteve të tjera të punës.
"Pjesa më e dhimbshme e shëndetësisë kosovare është mungesa e barnave. Kohë pas kohe detyrohemi me iu thënë pacientëve bleni barnat dhe mjetet tjera para operacionit sepse nuk i kemi", është shprehur ajo.
Duke pasur parasysh që brenda ditës në këtë klinikë realizohen rreth 35 lindje e shumë operime dhe intervenime tjera, numri i stafit mjekësor nuk është i mjaftueshëm.
Pacientët, mes lagështisë e papastërtisë
Mure të mavijosura, të rrjepura, dhe me myk të sheh syri sapo ngre shikimin lartë. Era e rëndë e ushqimeve dhe mbeturinave ta zë frymën. Nga dyert e hapura shihen dhomat e mbushura me gra. Krevatet janë të vjetruar, e çarçafët diku mungojnë e diku janë të përlyer.
Tualetet pavarësisht se janë rinovuar rishtazi, vërehet se nuk janë të mirëmbajtura. Aty nuk rastis në ndonjë sapun për duar se le më ndonjë letër tualeti.
Qendra Klinike Universitare ka vite që ka privatizuar shërbimin e pastrimit, duke kontraktuar kështu kompani private të cilat menaxhojnë me pastruesit dhe mjetet e punës.
Pavarësisht se i janë dhënë mbi 3 milion euro për tre vite kompanisë së pastrimit "Laguna", që të kryej këtë shërbim, kjo e fundit nuk ka përmirësuar aspak gjendjen e higjienës në këtë institucion.
Rozafës i është dashur që sërish të kthehet për shërim në Klinikën e Gjinekologjisë, disa ditë pasi kishte lindur beben e saj. Ajo thotë që ka fituar infeksion të traktit urinar për shkak të papastërtisë së tualeteve në repartin ku ajo ka qëndruar. "Kam qëndruar një javë në spital pasi e kam lindë beben, sepse, më është përkeqësuar gjendja. Kam pasur të vjella dhe temperaturë të lartë ".
Sipas anketave që ka bërë Federata e Sindikatave Shëndetësore të Kosovës, pastërtia ka qenë në nivel shumë më të lartë në kohën kur është menaxhuar nga QKUK-ja.
"Pastërtia nuk është në nivelin e duhur, faktikisht privatizimi i pastrimit ka qenë një ndër dështimet më të mëdha në emër të partneritetit publiko-privat. Spitali mbetet i papastër, sepse kompania private e ka qëllim kryesor fitimin. Në repartin ku unë punoj - Konservativë , ku vijnë rastet më të rënda duhet me qenë një higjienë jashtëzakonisht e madhe. Me një litër detergjent për një javë pretendohet të mbahet pastërtia", thotë Blerim Syla.
Jemi të kënaqur me higjienën
Myrvete Paçarada, drejtoreshë e KOGJ në QKUK
E kënaqur me nivelin e pastërtisë shprehet vetëm drejtoresha e klinikës. Kjo ndoshta për faktin se pjesa ku ajo ka zyrën njëmend dallon prej reparteve ku qëndrojnë pacientët. Korridori aty nuk përmban mbeturina, as muri myk dhe nuk ndihet ndonjë erë e pakëndshme.
"Jo përkundrazi mundemi me thënë që ne jemi shumë më të kënaqur me higjienën. Për momentin jemi të kënaqur me kompaninë Laguna", thotë Paçarada.
Kutia boshe e ankesave
Përpara hyrjes së klinikës gjendet një kuti për ankesa. Nuk bie në sy, është ndryshkur dhe i ka rënë ngjyra. Sipas drejtoreshës Paçarada, kjo kuti shumë shpesh është gjetur e mbushur me cigare e mbeturina të tjera e rrallë herë me ndonjë ankesë.
"Fatkeqësisht pacientët tonë nuk e shfrytëzojnë shumë kutinë e ankesave për t'i dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre por kemi edhe një fletore që u japim pacientëve kohë pas kohe ku kemi edhe shumë lëvdata prej tyre. Vitin e kaluar e kemi bërë një anketë dhe kemi pasur shumë pak vërejtje", thotë ajo.
Zyrtarë që merren me këtë çështje, thonë se mungesa e informacioneve e pamundëson qasjen e qytetarëve në të drejtat e tyre.
Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve thotë se numri ankesave nga ana e pacientëve drejtuar kësaj shoqate pa dyshim që është i pamjaftueshëm, duke e parë gjendjen në teren.
Sipas tij, dy arsyet kryesore pse pacientet nuk bëjnë ankesa janë: mungesa e vetëdijesimit për të drejtat e tyre dhe mungesa e kompensimit për dëmin e shkaktuar ndaj shëndetit të pacientit.
"Në një hulumtim që ne kemi bërë, shihet se 55% e të anketuarve nuk e din se Kosova ka një Ligj për të drejtat e Pacientëve dhe vetëm 13% kanë pas rastin ta shohin Kartën e të Drejtave të Pacientëve dhe vetëm 5% e kanë lexuar atë", është shprehur Kodra.
Ndërsa Blerim Syla thotë se në bazë të standardeve evropiane, mjeku e ka për obligim që 22 minuta t'ia kushtoj një pacienti për ta njoftuar me të drejtat e tij.
"Sigurisht që numri i madh i pacientëve na bën të pamundur këtë praktikë por megjithatë ne mundemi t’ia kushtojmë të paktën 5 minuta një pacienti, në mënyrë që ta njoftojmë me të drejtat e tij dhe gjendjen e tij shëndetësore", thotë ai.
Ankesat e grave që takuam në këtë klinikë janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga mungesa e sqarimit të mjekëve mbi ekzaminimet, diagnostifikimi i vonshëm, korrupsioni, mungesa e barnave, sjellja e keqe e infermierëve, mungesa e higjienës, ushqimi i dobët e shumë të tjera. Por shumë pak nga këto ankesa janë drejtuar në organet përkatëse. Disa nuk janë të informuar për të drejtat e tyre e të tjerët madje kanë humbur edhe shpresën se sistemi shëndetësor në Kosovë mund të përmirësohet.
"Shumë kushtet e këqija, mos me pas të njohshëm as nuk të këqyr kush. Unë kom pritë dy javë për me hy në operacion. Sot kam me dal prej ktuhit, e po gzohna ishalla nuk vi më kurrë", thotë Ganja. Por ajo nuk është ankuar në ndonjë organ në lidhje me pakënaqësitë e veta. "Ski çka mu anku, se di as te kush duhet me shku. Nuk besoj që bëhet mirë najherë në këtë vend".