English
Scroll top

Të jetosh në ishull

Ejup Bajrami është nga të paktët qytetarë të Prishtinës që e ka ngritur zërin e ka punuar kundër ndërtimeve pa leje. Ai thotë se në shumë pak raste e ka pasur ndihmën e Komunës së Prishtinës

Prishtinë, 23 Gusht 2013

Goxha në moshë, Ejup Bajrami, qytetar i Prishtinës, për vite me radhë mban mbi supe një luftë të pështirë. Ai nuk e ka ndërmend të ndalet deri në frymën e fundit në denoncimin e degradimit urban dhe harlisjes së ndërtimeve në kryeqytet. Bajrami ka shumë për të treguar, mbi ndërtimet që betonuan Prishtinën, por kësaj radhe ne po ju sjellim peripecitë e tij, kërcënimet e indiferencën që e ka përcjell punën e tij vullnetare. Është aq i ambientuar me një jetë të tillë saqë tregimin mbi presionin e kërcënimet ndonjëherë thjesht i tregon me një dozë të theksuar shakaje. Ai do që të sigurohemi se tërë këtë punë nuk e bën veç për vete por për të gjithë qytetarët e Prishtinës, të cilëve këto ndërtime ua kanë zënë frymën.

Para dhjetë vitesh bashkë me tre qytetarë të tjerë Bajrami, ka themeluar Iniciativën Qytetare për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës (IQMQP), dhe që atëherë preokupimi i përditshëm i këtij pensionisti ka qenë mbrojtja e qytetit nga ndërtimet e egra. Tani, dhjetë vjet më vonë, nuk është shumë i kënaqur me çfarë kanë arritur. Ai ka arritur të ndërsej njerëz të biznesit e politikës kundër vetes, por qytetin nuk e mbrojti dot. Bashkëthemeluesit e Iniciativës së tij u ndalën diku në rrugë.

Ndërtimi i egër nuk lë trotuare, hapësira publike të shfrytëzueshme, të gjitha janë uzurpuar

Ejup Bajrami, IQMQP

“Kur flasim për degradim të qytetit njerëzit mendojnë vetëm për ndërtimet pa leje. Nuk është vetëm kjo. Ndërtimi i egër nuk lë trotuare, hapësira publike të shfrytëzueshme, të gjitha janë uzurpuar...”, thotë ai.

S’do mend se biznesi i ndërtimeve të larta është një sektor tepër  fitimprurës dhe si i tillë ka tërhequr njerëz nga politika, biznesmenë që financojnë politikën, por edhe familjarë të top-zyrtarëve, përfshirë këtu edhe “Iliria Building”, kompani e vëllezërve të kryeministrit aktual kosovar Hashim Thaçit, pra kryetarit të partisë që në kryeqytet është opozitë.

Bajrami aktivitetin e ka filluar për ruajtjen e lagjes “Kodra e Diellit”, e cila ka qenë e urbanizuar para luftës. Një pjesë e lagjes ku banon Bajrami, ishte e urbanizuar vetëm për shtëpi banimi, por ndërtuesit e banesave ngulën ndërtesat gjigante edhe aty. Lagjes së urbanizuar po i prishej pamja. Shtëpitë e ndërtuara mbuloheshin nga ndërtime të larta. Të gjitha të ndërtuara pa leje.

Aktivistët e Iniciativës e filluan punën duke mbledhur nënshkrime nga banorët për të shpëtuar atë që pa ndihmën e institucioneve vështirë që do të mund të shpëtohej.

“Komuna dhe Qeveria, sepse edhe qeveria e ka hisen e vetë në degradimin e kryeqytetit, nuk kanë ndihmuar kurrë t’ia ndalin hovin këtyre ndërtimeve”, thotë Bajrami.

Lagjja “Dodona”, komplet e degraduar

Edhe pse në lagjen e tyre nuk po arrinin të fitonin luftën me ndërtuesit ilegal, aktivistët e kësaj Iniciative po e shtrinin aktivitetin e tyre në të gjitha lagjet e Prishtinës. Atë që nuk po e bënin inspektorët e Komunës së Prishtinës po e bënin këta, pa u mbështetur financiarisht nga askush.

Qindra qytetarë që kanë ndërtuar objekte kolektive pa leje, figurojnë në qindra faqe, që Bajrami i mban në zyrën e tij. Duket se nuk i kanë hyrë në punë askujt.

“Ata (komuna), vetë kanë marrë vendim për rrënim dhe kurrë nuk e kanë zbatuar atë vendim”, tregon për një rast Bajrami e në raste tjera thotë se vetëm ua kanë vënë shiritat vend-punishteve dhe ato janë larguar brenda disa orësh nga ndërtuesit.

“Në këtë qytet kanë ndodhë absurde të mëdha. Në lagjen ‘Dodona’, për shembull aq afër njëra-tjetrës janë ndërtuar banesat sa që fqinji me telekomandë nga banesa ia teledirigjon televizionin fqinjit tjetër ”, thotë Bajrami.

Ai shpreh keqardhjen e madhe për këtë lagje. Në kryeqytet sipas tij kjo është lagjja më e degraduar. Dhe ky degradim po ndodhte para syve të komunës. Lagjja është vetëm pak metra larg.

“Aty është ndërtuar pa kurrfarë kriteri. Ka raste kur një shtëpi ka mbetur në mes të banesave. Banorët e asaj shtëpie nuk e shohin diellin me sy. Edhe ndërtesat janë ndërtuar aq afër njëra-tjetrës, sa në shumë prej tyre nuk depërton drita”, thekson ai.

Bajrami e ka frikën se Komuna e Prishtinës do t’i legalizojë këto ndërtime me rregulloren që e ka miratuar në Asamble. Legalizimi sipas tij, do të bëhet pa bazë ligjore, duke përmendur me këtë rast Ligjin për ndërtimet pa leje, që prej disa vitesh edhe pse është përpiluar nuk po miratohet në Kuvend.

“Ata që e kanë degraduar më së shumti qytetin me ndërtime pa leje është familja Novosella. Kjo familje ka ndërtuar gjithandej pa i dhënë llogari askujt”, thotë ai.

Të kërcënuar e të shantazhuar

Bajramit me familjen Novosella i kanë dalë shumë probleme. Kërcënime nga ndërtuesit ka pasur në vazhdimësi, por kërcënimet e kësaj familjeje kanë qenë më të rëndat.

Ai thotë që vetë Sabri Novosella, në një rast e ka kërcënuar keq dhe atë para inspektorëve të Komunës së Prishtinës.

Ai më pati thënë prej Dragodanit (Arbërisë), askujt nuk ke me ia ndal punën

Ejup Bajrami, IQMQP

“Ai më pati thënë prej Dragodanit (Arbërisë), askujt nuk ke me ia ndal punën”, thotë Bajrami.

Kjo familje nuk ishte ndal vetëm me këtë kërcënim, veç  që e kishin sulmuar djalin e njërit prej themeluesve të Iniciativës, në një rast, Bajrami thotë, se ata kishin tentuar ta godasin me veturë, edhe atë vetë. Bajrami është i bindur që vetura që desh e goditi në lagjen e tij ka qenë e familjes Novosella, pasi ia pati marrë numrin e targës dhe e ka paraqitur rastin në polici.

“... policia nuk e kreu  punën e saj si duhet, dhe unë u tërhoqa nga denoncimi”, thotë ai.

“Deklaratën ma mori një police e cila kur i kërkova ta nënshkruaj nuk me lejoi duke me thënë se nuk ka nevojë. Unë insistova ta nënshkruaj po ajo nuk më la. E paraqita rastin e saj por u tërhoqa kur një kolege e saj më tha që është nënë dhe mban fëmijët me pagën që merr si police”, shton Bajrami.

Bajrami nuk ishte çuditur me këtë veprim të polices. Në të gjitha rastet kur i ka paraqitur rastet e ndërtimeve pa leje ose kur ka ngritur kallëzime penale ndaj zyrtarëve komunalë gjithmonë ka hasur në të tilla papërgjigje nga ana e zyrtarëve përkatës. Kjo e ka bërë të dyshojë që në degradimin e kryeqytetit kanë marrë pjesë edhe zyrtarët institucional.

Ai mendon që me lejimin e gjithë këtyre ndërtimeve pa leje është bërë shpëlarje e madhe parash dhe këtu janë të përfshirë të gjithë ata zyrtarë që i kanë lejuar ato.

“Shpesh kemi kërkuar takime më zyrtarë më të lartë të Komunës e qeverisë. Kemi marrë premtime, të cilat nuk janë realizuar”, shprehet i zhgënjyer Bajrami.

Në të gjitha rastet thotë t’ua kenë bërë rrafsh, që do të merreshin me ndërtuesit ilegal, po në terren gjendja paraqitej ndryshe.

Ajo që e ka mërzit shumë Bajramin, është që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kurrë nuk e ka pranuar në takim. Atij i ka lënë përshtypje edhe arroganca që stafi i kryeministrit ka treguar ndaj tij kur ia kanë dhënë përgjigjen që kryeministri nuk e pranon në takim.

Pa ndihmën e askujt

Megjithëse Prishtina është degraduar në masë të madhe dhe po vazhdon edhe më tutje, Bajrami shpreh habinë se si institucionet duke e lënë të ndodh ky degradim, nuk kanë menduar për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Duke i treguar disa vizatime të vendosura në mur, të vizatuara nga nxënës të Prishtinës, Bajrami thotë që edhe fëmijët kanë treguar se si e shofin këtë degradim të  kryeqytetit.

Zyrtarët komunal të ftuar në ekspozitën e këtyre fëmijëve, nuk e kishin parë të udhës të marrin pjesë. Kjo është nga të paktat aktivitete që është mbështetur financiarisht nga donatorët. Bajrami thotë që të gjitha aktivitetet pothuajse i kanë kryer me mjete vetjake. Edhe zyrën ai e ka improvizuar në katin e parë të shtëpisë së tij, ku janë organizuar mbledhje me banorët e lagjes.

“Shumë pak jemi mbështetur financiarisht, unë e kam shfrytëzuar këtë zyrë në shtëpinë time dhe këtu kemi mbajt shumë aktivitete”, thotë ai.

Edhe pse nuk kanë pasur shumë sukses në luftën kundër ndërtuesve ilegal, Bajrami thotë se do të merret me këtë punë deri në frymën e fundit.

“Edhe pas meje do të ketë të tjerë që do të vazhdojnë punën time. Këtë punë do ta vazhdojnë djemtë e mi”, thotë ai.