English
Scroll top

Shtëpia e padëshiruar

Shumë qytetarë kosovarë që për disa vjet kanë jetuar jashtë shtetit por nuk kanë arritur ta rregullojnë statusin e tyre legal, kthimin në Kosovë po e përjetojnë me ankth. “Preportr”, sjell disa nga përjetimet e tyre

20 Janar 2012

E hap derën me frikë. Vetëm pak ditë më parë është kthyer në Kosovë, me një numër të madh të riatdhesuarish të tjerë. Po familja e kthyer nga Suedia pretendon që është trajtuar keq nga policia e këtij vendi. Ata sipas tyre pa asnjë paralajmërim, u kanë shkuar në orën 01:00 të natës dhe i kanë nxjerr jashtë. Vetëm me pizhama.

“Gruaja nuk ka pasur as çorape mbathur”, ankohet i shoqi. Familja jo vetëm që që kthimin e kanë përjetuar me shumë ankth, por thonë se në asnjë mënyrë nuk guxojnë të qëndrojnë në Kosovë, pasi këtu sipas tyre i kanë disa probleme. Edhe procedura për marrjen e leje-qëndrimit në Suedi, thonë se nuk u ka përfunduar ende.

Ngjitas me familjen turke jeton edhe një familje shqiptare e cila para disa muajsh është kthyer nga Gjermania. I zoti i shtëpisë Sadri Bungu nuk mund të pajtohet me kthimin.

Asgjë në këtë vend nuk i lë përshtypje edhe pse është vendi i lindjes së tij. Nuk ka kërkuar punë e nuk e ka ndërmend të kërkojë as në të ardhmen. Pyet si mund ta marrë një social për t’i mbajtur dy fëmijët e tij, djalin dy vjeç i cili ka lindur në Gjermani dhe ka nënshtetësi të këtij shteti dhe vajzën tre muajshe.

Kthimin e bën goxha të lehtë. Veç dy fëmijëve me gruan shqiptare me të cilën ende nuk është kurorëzuar, ai thotë se ka qenë i martuar me një gjermane dhe i ka tre fëmijë me të. “Fëmijët herëdokur do të kërkojnë ta kenë afër babanë e tyre”, thotë Bungu.

Por e shoqja nuk është mërzitur shumë që i kanë kthyer në Kosovë. Thotë se e ka familjen këtu dhe kushtet që u janë ofruar pas kthimit janë shumë të mira.

Kjo është njëra faqe e procesit të riatdhesimit, që jo pak dhembje po u sjell të kthyerve, të cilët me gjithë përpjekjet e Qeverisë dhe nivelit lokal, nuk po arrijnë të shohin të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre në Kosovë.

Riatdhesimi kusht për liberalizim vizash

Familjet e kthyera kanë ikur nga Kosova ilegalisht. Me gjithë përpjekjet për të rregulluar statusin e tyre legal në vendet ku janë vendosur, nuk kanë arritur të bëjnë një gjë të tillë. Kosovës i është premtuar hapja e procesit të liberalizimit të vizave dhe riatdhesimi është njëri  prej kushteve për ta arritur këtë.

Qeveria deri tani ka nënshkruar marrëveshje riatdhesimi me 15 vende  shumica në BE.

“Jemi në negociata të lidhim marrëveshje me Kroacinë, Bullgarinë, Hungarinë e disa të tjera”, thotë Islam Caka drejtor i departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Të kthyer në vitin 2011 janë gjithsej 4488 vetë, kurse në vitin 2010 janë riatdhesur 5198 persona.  “Më së shumti të kthyer kemi nga Belgjika, Austria, Gjermania, Franca, Hungaria, Suedia, Zvicra...”, thotë ai.

Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të të riatdhesuarve dhe pasohen nga komuniteti RAE. “Në vitin 2011 janë kthyer 3342 shqiptarë e 738 të komunitetit RAE, të tjerët u takojnë komuniteteve tjera”, thotë ai.

Edhe këtë vit është planifikaur kthimi i 5000 personave, kryesisht nga shtetet e BE-së.

Ministria ka instaluar në Aeroportin e Prishtinës një zyrë ku të gjithë të riatdhesuarit njoftohen për kushtet që u ofrohen. Nga biseda me disa të riatdhesuar ka dalë të mos jetë kështu. Sadri Bungu nuk e di se sa do të qëndrojë në banesën ku është vendosur. Madje mendon se qëndrimi i tij në këtë banesë në Fushë- Kosovë është afatgjatë.

“Ata në ministri më kanë thanë kështu, tri vjet do të qëndrojmë këtu”, thotë ai.

Rexhep Krasniqi, pronar i kompanisë “Iliricum.A”, që e ka fituar tenderin në MPB për akomodimin e të riatdhesuarve, thotë se sipas kontratës që e ka nënshkruar, akomodimi për personat e kthyer që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit është 6 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 6 muaj tjerë.

Edhe drejtori Caka e thotë të njejtën gjë.

“Nëse ndonjëri prej tyre nuk e ka të zgjidhur çështjen e banimit fillimisht i vendosim në një motel afër Aeroportit dhe aty qëndrojnë një javë më së shumti ku i kanë të plotësuara të gjitha kushtet. Pas kësaj kompania e kontraktuar nga MPB i akomodon në banesa e shtëpi këta njerëz në kushte shumë komode për 6+6 muaj”, shton Caka.

Në vitin 2011, janë akomoduar 120 familje të nacionaliteteve të ndryshme shqiptarë, serbë, turq, romë e ashkali në të gjitha rajonet e Kosovës.

“I kemi gjithmonë në dispozicion 10 banesa rezervë nga dy në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë. Janë të gatshme gjithmonë. Janë për raste emergjente”, thotë Krasniqi.

Po ashtu kompania në dispozicion të të riatdhesuarve e ka një motel afër Aeroportit të Prishtinës i quajtur “Sllatina”.

“Kemi një objekt me kapacitet të mjaftueshëm në Sllatinë. Aty bëhet vendosja prej Aeroportit prej 1 deri 7 ditë. Çdo muaj aty vendosen  2 deri në 30 vetë”, thotë Krasniqi.

Personave të vendosur në këtë objekt u servohet ushqim i ngrohtë në tri racione. Krasniqi thotë se aty ka 10 deri 15 dhoma dhe objekti është i destinuar vetëm për qytetarë të riatdhesuar.

“Objekti është 24 orë i siguruar. Kompania është 24 orë e gatshme dhe sa herë i kërkohet ndihma është aty”, thotë ai.

Të riatdhesuarit me probleme

Shumë prej të riatdhesuarve kthehen në Kosovë pas problemeve ose burgut që e kryejnë në shtetet ku kanë qëndruar një kohë. Në MPB thonë se shtetet që i kthejnë këta persona nuk japin të dhëna për ta dhe për problemet e tyre e kuptojnë kur ata (të riatdhesuarit), u tregojnë vetë, ose kur bëjnë probleme në shtëpitë ku vendosen.

Ka edhe të tillë që kanë ikur nga Kosova për shkak të problemeve me ligjin ose probleme tjera familjare.

Rastin e familjes turke, që thonë se kanë ikur nga Kosova për shkak të  një ngatërrese por që nuk preferojnë të flasin për detaje rreth kësaj duke u mjaftuar me deklarimin se jeta e tyre “është në rrezik”, drejtori Caka e sheh me rezervë.

Ai nuk e beson fort variantin se familja është kthyer pa iu dhënë përgjigjja për lejeqëndrimin dhe se nëse kanë problem dhe thotë se “Kosova është shtet dhe ata mund t’u drejtohen autoriteteve për ndihmë”.

“Nëse kanë problem, rastin duhet ta paraqesin në polici dhe pastaj policia merret me problemin e tyre.  Ata nuk kanë arsye të frikësohen, këtu u garantohen të gjitha të drejtat edhe mbrojtja”, thotë Caka.

Familja truke që poohon se jeton me ankth në Kosovë dhe që nuk duan të identifikohen, pasi ndihen të rrezikuar të vetmen zgjidhje e shohin kthimin e tyre në Suedi. Burri thotë se atje patën filluar të integrohen dhe se djali i tyre e ka fituar një kompjuter në shkollë, për shkathtësitë e tij të treguara në mësim.

Edhe vetë kishte gjetur punë dhe familja e tij nuk varej nga ndihmat e shtetit suedez.

Thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e tij suedez dhe Kryqin e Kuq Suedez dhe po pret të marrë përgjigje për kthim.

Universal Hamdija!

Hamdija Hashim, 22 vjeçar me përkatësi etnike rome është kthyer në Kosovë në gusht të 2011. Djali ’problematik’, që thotë se është shtetas i Kroacisë është kthyer në motel “Sllatina”, aty ku fillimisht vendosen të riatdhesuarit. Në banesën ku ishte vendosur i ka shitur të gjitha mobilet. Fajin për këtë nuk ia lë vetës. Thotë se nuk i kishin dërguar mjaftueshëm ushqim. E djali që nuk tregon se për çfarë arsye e kanë kthyer në Kosovë, është i inatosur me gjithçka këtu. Në vendin ku kishte punuar disa javë, pronari nuk e ka paguar për punën e bërë.

“Di gjithçka të punoj, vetëm me rrymë nuk di, jam universal, universal Hamdija”, thotë ai.

Megjithëse insiston se është shtetas i Kroacisë dhe ka lindur atje, Hamdija nuk ka shkuar kurrë në Ambasadën e Kroacisë në Prishtinë që t’u tregojë për rastin e tij.

“Pse të shkoj edhe në komunën e Fushë- Kosovës që kam shkuar për dokumente më kanë refuzuar”.

Ndërkaq pronari i kompanisë për akomodimin e të riatdhesuarve, thotë se atij dokumentet po i rregullohen, Hamdija insiston që në komunë e kanë trajtuar keq.

Romët bashkë me ashkalinjtë dhe egjiptasit sipas statistikave të MPB-së janë grupi i dytë më i madh pas shqiptarëve që riatdhesohen nga shtetet e BE-së. Këto komunitete e kanë problem dokumentacionin dhe në mungesë të tij shpesh nuk mund as ta dëshmojnë që kanë shtëpi në Kosovë.

Zyrtarët në Prishtinë e pranojnë këtë dhe thonë se ministria së bashku me komunat është e angazhuar që komunitetit RAE, t’ua lehtësojë pajisjen me dokumentacione. Po ashtu shumica prej tyre nuk e kanë të zgjidhur as çështjen e banimit.

Një familje rome e kthyer së fundi, Mira dhe Aleksandër Ndelkoviq shqetësohen për të ardhmen e tyre në Kosovë. Përveç që nuk e dijnë gjuhen shqipe, çifti që është kthyer nga  Gjermania nuk e njohin mirë as gjuhën serbe, pavarësisht që për disa vite kishin jetuar në Beograd. Gruaja fillon e qan. Ajo thotë se në Gjermani kanë shkuar në vitin 2008 për një jetë më të mirë.

Në Gjermani nuk kanë arritur të rregullojnë statusin e tyre prandaj pa asnjë paralajmërim në orën 04:00 të mëngjesit autoritetet gjermane i kanë marrë në shtëpi dhe i kanë dërguar në Aeroport. Familja i kërkon pronarit të kompanisë t’i dërgojë në një qytet a vendbanim tjetër ku jetojnë më shumë familje të pakicave.

Ata interesohen edhe se kush do t’i ushqejë e ndihmojë në Kosovë.

Do t’u ndërtohen shtëpi, por s’ka punësim

Kosova, pas pavarësimit, ka marrë të gjitha përgjegjësitë për shtetasit e saj, të cilët gjenden përkohësisht jashtë vendit dhe që nuk e kanë të rregulluar statusin e tyre legal.

Për mbarëvajtjen e këtij procesi, janë angazhuar si niveli qendror edhe ai lokal. Megjithëse në Raportin e Progresit ky proces për vitin 2011 është cilësuar si i kryer mirë, autoritetet në Prishtinë e pranojnë se ka edhe disa kushte që nuk mund t’ju ofrohen të riatdhesuarve. Më së keqi sipas tyre do të jetë për çështjen e punësimit.

“Ne nuk mund të bëjmë shumë këtu sepse dihet se në Kosovë ka një numër shumë të madh të të papunëve dhe ana tjetër është se ne nuk duam që qytetarët tanë të kthyer në Kosovë të ndihen të privilegjuar në raport më qytetarët që kurrë nuk kanë tentuar të ikin nga Kosova”, ka thënë Caka.

Ai ka shtuar se për një proces siç është liberalizimi i vizave “hise”  në arritjen e këtij qëllimi duhet të kenë edhe këta qytetarë.

Megjithatë sipas tij, jo pak kushte u janë krijuar të kthyerve. Me një fond prej 3. 4 milionë eurosh që ishte ndarë për ndihmë të riatdhesuarve vitin e kaluar, atyre personave që nuk e kanë pasur të zgjidhur çështjen e banimit, janë akomoduar në shtëpi dhe banesa të standardit mesatar u është siguruar ushqimi, i cili u dërgohet çdo muaj. Po ashtu të gjitha shërbimet shëndetësore, të ofiqarisë dhe të tjera të kësaj natyre u ofrohen falas.

“Ata sikur edhe qytetarët e tjerë me kushte të vështira sociale kanë të drejtë të marrin edhe social”, thotë drejtori Caka.

MPB me të gjitha institucionet e tjera që merren me këtë proces nuk kanë arritur ta shpenzojnë as gjysmën e këtij fondi.

“Vetëm 1 milion euro janë shpenzuar, të tjerat mjete janë bartur në këtë vit. Tash kemi një fond prej 3.3 milionë eurosh dhe nga marsi mendojmë të fillojmë me ndërtimin e shtëpive për ta”, thotë drejtori Caka.

Ai e din se do të ketë shumë kërkesa, por ato sipas tij, do të shikohen në detaje “sepse ne nuk mund t’i rehatojmë edhe ata që nuk duan të jetojnë me prindërit apo vëllezërit e tyre”.