Prishtinë, 13 Shtator 2023
Mungesa e cilësisë së derivateve të naftës, që hyjnë në Kosovë, ka kontribuar në ndotjen në masë të madhe të mjedisit. Mekanizmat që janë përgjegjës për matjen e cilësisë së derivateve të naftës, nuk e kanë kryer detyrën e tyre gjatë këtyre viteve gjë që ka bërë që nafta dhe derivatet e saj që hyjnë në Kosovë mos të jenë të cilësisë së mirë. Edhe ato pak veprime që janë ndërmarrë në këtë drejtim nuk kanë qenë të mjaftueshme që cilësia e naftës të jetë e një niveli më të lartë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka ndërmarrë disa hapa në përmirësim të cilësisë së derivateve të naftës, por këto nuk po duken të mjaftueshme nga njohësit e fushës së mjedisit. Po ashtu konsumatorët ankohen ende për mungesë të cilësisë së naftës.
Një gjendje më e rënduar në raport me derivatet e naftës që hyjnë në Kosovë është paraqitur në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), në vitin 2019.
Raporti i Auditimit të Performancës ka treguar se në Kosovë mangësitë në import përfshijnë mungesën e raporteve të testimit laboratorik dhe informatave të plota për Trupat Inspektuese në sistem, pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese në raste të caktuara, mungesën e akreditimit të Laboratorit të Doganës, si dhe numrin e ulët të parametrave të testuar.
Por në ministri thonë që tanimë shumë nga rekomandimet e ZKA-së në raportin saj janë adresuar dhe cilësia e naftës që hynë në Kosovë është shumë më e mirë se sa ka qenë deri më tani.
Që gjendja të përmirësohet edhe më shumë ekspertët thonë se mekanizmat që merren më kontrollin e cilësisë së naftës duhet të forcohen, kontrollet duhet të shtohen nëpër pika të karburanteve, e në kufij të ketë kontrolle me të rrepta nga Dogana e Kosovës. Ata vënë në pah që derivatet e naftës të cilësisë jo të mirë dhe veturat e vjetra kanë ndikim të madh në ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve.
Për të parë sfidat dhe problemet më të cilat ballafaqohen qytetarët me naftën dhe derivatet e saj të cilësisë jo të mirë Preportr, ka realizuar një pyetësor. Përmes këtij pyetësori qytetarët kanë treguar se çfarë problemesh ju shkakton nafta në automjetet e tyre nëse nuk është e cilësisë së mirë. Rreth 300 qytetarë i janë përgjigjur këtij pyetësori.
Pezullim të lejeve
Viteve të fundit janë ndërmarrë disa hapa në mënyrë që cilësia e derivateve të naftës të jetë më e mirë. Përveç inspektimeve që janë rritur, në katër raste MINT, ka marrë vendim për pezullimin-revokimin e licencave-lejeve të disa kompanive të derivateve të naftës, të cilat merren më përpunimin dhe shitjen më shumicë të këtij produkti.Petrol Company, Kosova Rafinery, Kulla Exim dhe Inn Oil, janë kompanitë e dyshuara, të cilave u janë pezulluar lejet.
Për të dhënë lajmin në një konferencë për media në vitin e kaluar pati dalë ministrja Rozeta Hajdari e cila pati thënë se bazuar në faktet e Doganës këto kompani rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit.
Sipas saj, disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit.
Ajo pati thënë se kanë marrë disa mostra të dizelit në Kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me Inspektoratin e Tregut dhe janë gjetur shumë raste të jokonformitetit, që do të thotë se derivatet e naftës nuk kanë qenë në parametrat e duhura.
“Në një rast kemi gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramësh për litër që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligramësh për litër. Për këto raste do të njoftojmë edhe Prokurorinë”, pati thënë Hajdari.
Vendimet e MINT-it për pezullim/revokim të lejeve/licencave akoma janë në fuqi. Disa operatorë sipas përgjigjes që kemi marrë në Ministrinë e Tregtisë, kanë parashtruar padi në gjykatën kompetente si dhe kanë kërkuar masë të sigurisë ( për pezullim të zbatimit të vendimeve), mirëpo gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar kërkesën për pezullim të vendimeve dhe çështja është akoma në shqyrtim nga gjykatat.
Preportr, i ka dërguar pyetje dy prej kompanive, për të marrë opinionin e tyre rreth pretendimeve të Ministrisë së Tregtisë si dhe rastit që e kanë dërguar në gjykatë, por edhe pas disa javësh pritjeje nuk kemi marrë përgjigje.
Këto kompani të kontaktuara vitin e kaluar nga Radio Evropa e Lirë e patën mohuar se ato kanë shpërndarë naftë më cilësi të dobët.
Janë shtuar kontrollet
Sektori i derivateve të naftës konsiderohet më fitimprurësi në Kosovë. Meqë nevojat për këto produkte janë të mëdha dhe të vazhdueshme gjithherë është kërkuar që të ketë kontroll për cilësinë e tij.
Për shumë vite nga kontrollet që janë bërë në terren ka rezultuar që vlerat e lejuara janë tejkaluar nga operatorët dhe ata pa problem i kanë shitur produktet e tyre, pa i respektuar këto vlera. Arsye që nuk ka pasur një kontroll më të madh të kompanive që shesin derivate të naftës, thuhet të ketë qenë mungesa e inspektorëve, laboratorëve etj.
Viteve të fundit sipas MINT, mund të thuhet se cilësia e produkteve të naftës është dukshëm më e mirë dhe ndër produktet më të kontrolluara përmes testeve laboratorike në pikat doganore dhe në tregun e brendshëm.
Për këtë përmirësim ata kanë përmendur se janë marrë një sërë hapash si ai i revokimit të licencave, duke vazhduar me inspektimet më të shpeshta dhe gjobat që u janë shqiptuar atyre që nuk i kanë respektuar rregullat.
Gjatë vitit 2022 sipas të dhënave të MINT, janë realizuar 1,453 inspektime në tregun e brendshëm, janë marrë 563 mostra të produkteve të naftës. Nga mostrat e testuara, 17 prej tyre kanë rezultuar në kundërshtim me vlerat e lejuara, prandaj 17 rezervuar janë plombuar dhe iu është dhënë mundësia e përmirësimit të produktit siç e përcakton udhëzimi administrativ në fuqi.
“Gjithashtu, gjatë vitit 2022, janë marrë 511 mostra të vajrave motorike në pikat doganore, me ç’rast produktet që kanë rezultuar jo-konform me vlerat e lejuara janë kthyer në vendin e origjinës, në sasi prej 96,920.00 litrash me origjinë të ndryshme, por kryesisht nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e MINT.
Sa i përket masave ndëshkuese, ministria gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 60 gjoba dhe janë iniciuar 148 raste për kundërvajtje.
Sipas udhëzimit administrativ në fuqi 01/2017 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës gjobat sillen nga 10 deri në 30 mijë euro për operatorët ekonomikë te të cilët haset në cilësi të derivateve jo konform udhëzimit administrativ.
Vlen të theksohet se nga muaji janar i këtij viti e deri më tani në tregun e brendshëm janë realizuar 431 inspektime, janë marrë 320 mostra të derivateve të naftës për verifikim të cilësisë, ku prej tyre kanë rezultuar jo-konform 16 mostra të derivate benzinë dhe dizel.
Krahasuar me vitet paraprake rezulton që dy viteve të fundit inpsektimet janë rritur. Sipas raportit të ZKA-së, gjatë vitit 2017, inspektorati i MTI-së ka inspektuar vetëm 26 për qind të pikave shitëse të derivateve të naftës, prej të cilave 165 me naftë dhe 144 me benzinë. Në vitin 2018, janë kontrolluar 213 pika shitëse, ose rreth 33% e pikave shitëse të derivateve të naftës.
Në vitin 2019, ishte bërë një numër më i madh i inspektimeve, 875.
Rreth 5 % të ngarkesave të karburanteve të naftës testohen për cilësi në import nga Dogana e Kosovës e cila përqindje është edhe në përputhje me praktikat Evropiane si dhe me vlerësimin e rrezikut për këto produkte.
Masat që i ndërmerr Dogana e Kosovës në rast që produktet nuk i plotësojnë kushtet, i kthen mbrapa këto produkte
“Ngarkesat të cilat rezultojnë të mos jenë përputhje me UA 01/2017 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës kthehen mbrapa në vendin eksportues”, thotë Adriatik Stavileci zëdhënës i Doganës së Kosovës.
Kosova sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin 2022 më së shumti naftë dhe derivate të saj ka importuar nga Serbia, pasuar nga Greqia, Maqedonia e Veriut etj.
Cilësia sfidë disa vjeçare që nuk po arrin të adresohet
Në vitin 2019, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), kishte dalë me një raport rreth cilësisë së derivateve të naftës. Në këtë raport ishte konstatuar se sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës (nga dogana dhe MTI-ja) nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm.
“Kontrollet e importeve të derivateve të naftës të kryera nga dogana nuk kanë qenë të përshtatshme dhe për pasojë nuk kanë arritur të sigurojnë se nafta e importuar në Kosovë plotëson kërkesat dhe standardet si ato vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në raport.
Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”, ka gjetur se mangësitë e identifikuara në këtë sistem, që në import menaxhohet nga Dogana e Kosovës dhe në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, prandaj si i tillë ky sistem nuk është në gjendje të sigurojë cilësi të derivateve të naftës për qytetarët e Kosovës.
Ky raport bëri të ditur se në mungesën e raporteve të testimit laboratorik, numrin e ulët të parametrave të testuar, informatat jo të plota e pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese, monitorimin joadekuat.
Kanë kaluar katër vjet që nga dalja e këtij raporti që tregon gjendjen e rëndë të këtij sektori dhe Ministria e Tregtisë, veç ka filluar t’i adresojë gjetjet e raportit.
Sipas MINT, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë disa veprime për adresim të gjetjeve të evidentuara në raportin e ZKA-së, ku ndër të tjera është: hartimi i programit të monitorimit të cilësisë së naftës në tregun e brendshëm i bazuar në vlerësim të riskut; rritja e numrit të parametrave të testuar; bëhet testimi i mostrave krahasuese ( ndër laboratorike); bëhet plombimi i rezervuarëve dhe aparateve rrjedhëse të produktet e naftës, që rezultojnë në kundërshtim me vlerat e lejuara (furnizuesit i ofrohet mundësia për të përmirësuar produktin ne mënyre që të përmbushë kërkesat e cilësisë) etj.
Vështirësi të theksuar që cilësia e derivateve të naftës të mos jetë e mirë thuhet të jetë mungesa e rezervuarëve për vendosjen e produkteve të naftës, që konfiskohen nga Inspektorati i Tregut.
“Kjo sfidë tashmë është adresuar përmes institucioneve tjera kompetente dhe së shpejti do të sigurohen ambientet e mjaftueshme për deponimin e karburanteve të konfiskuara”, thuhet në përgjigjen e MINT.
Ashtu si të gjitha institucionet e tjera edhe MINT, ka mungesë të theksuar të inspektorëve. Kjo ka bërë që numri i inspektimeve të jetë i vogël dhe si rrjedhojë produktet pa cilësinë e kërkuar. Gjatë këtij viti kjo ministri e ka paraqitur si problem numrin e inspektorëve dhe është në fazën e rekrutimit të 27 pozitave të inspektorëve të tregut.
Qytetarët ankohen për cilësinë e derivateve të naftës
Qytetarët janë ankuar në vazhdimësi për mungesën e cilësisë së naftës dhe derivateve të saj. Në pyetësorin e Preportr, ata janë përgjigjur se ka mungesë të cilësisë së naftës. Më shumë se 60 përqind e respodentëve kanë thënë se cilësia e derivateve të naftës nuk është aspak e mirë. Mesatarisht e mirë kanë menduar 27 përqind e respodentëve. Ndërsa e mirë vetëm rreth 4 përqind e tyre.
Në pyetjen se a kanë vërejtur përmirësim të cilësisë së naftës, viteve të fundit vetëm më shumë se pesë përqind prej tyre kanë thënë po, pak 21 përqind, nuk kanë vërejtur përmirësim kanë thënë më shumë se 73 përqind të respodentëve.
Qytetarët në shumicë kanë thënë se kanë pasur defekte në automjetet e tyre për mungesë të cilësisë së naftës dhe benzinës. 64 përqind prej tyre kanë thënë se kanë vërejtur defekte, më shumë se 35 përqind kanë thënë se nuk i kanë vërejtur këto defekte.
Ndryshimet që i kanë vërejtur te automjetet e tyre në mungesë të cilësisë, thonë të jenë performanca e dobët e automjetit, shpenzime më shumë, defekte në gjithë sistemin e naftës, dëmtime në motor, bllokim të filterit të naftës për shkak të naftës jo të filtruar mirë, ndërrim të shpeshtë të filterit të naftës, mungesë të fuqisë së motorit etj.
Megjithëse janë përballur me të gjitha këto probleme qytetarët nuk janë ankuar në asnjë institucion për problemet e tyre me cilësinë e naftës dhe derivateve të naftës. Më shumë se 96 përqind kanë thënë se nuk janë ankuar, kurse vetëm pak më shumë se tre përqind kanë thënë se janë ankuar në institucione për mungesën e cilësisë së naftës.
Edhe në shoqatën Konsumatori thonë se ankesat kanë qenë të ndryshme përfshirë edhe faktin që qytetarët nuk kanë ditur kujt t’i drejtohen për ankesat që i kanë pasur në raport me naftën.
Skender Sylejmani, qytetar i cili e njeh mirë sektorin e derivateve të naftës, pasi në të kaluarën ka punuar si ekspert në këtë fushë i ka përmendur disa parregullsi të cilat ndikojnë në mungesë të cilësisë së naftës dhe derivateve të saj. Për cilësinë e naftës dhe produkteve të saj, sipas tij mund të flitet vetëm kur mostrat e këtyre derivateve testohen mirëfilli në laboratorë jashtë Kosovës.
Ai ka një varg të kritikave edhe për mekanizmat që merren me kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së derivateve të naftës.
“Cilësia e derivateve të naftës është e pasigurte si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit nga Inspektorati i Tregut përkatësisht, Divizioni i Naftës. Këtij Divizioni i mungon kuadër i kualifikuar, stafi që merret me inspektime është dashur të kenë përvojë paraprake me derivate apo të kenë njohuri profesionale ose të paktën 5 vite përvoje në inspektime”, thotë ai.
Ky jo profesionalizëm sipas tij vjen si pasojë e punësimit të stafit nga ndërhyrjet që kanë bëre partitë politike që e kanë udhëhequr këtë dikaster mjaft delikat.
“Inspektorati i Tregut i cili merret me kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm. Cilësia e dobët e derivateve të naftës përveç që kontribuon në ndotjen e ajrit na reflekton në shëndetin tonë, ka ndikim edhe në performancën e automjeteve dhe na rritë koston e mirëmbajtjes së veturave”, thotë ai.
Ai ka përmendur edhe parametrat e naftës ku më së shumti paraqiten jo konform udhëzimit administrativ 09/2020 siç janë parametrat e sulfurit, emetimet e plumbit nga benzina, pika e ndezjes tek nafta, pika e filtrabilitetit etj.
“Pika e ultë e ndezjes së karburantit dizel rrit rrezikun e shpërthimit të rezervuarit të naftës kur ndodh një goditje mekanike si përplasja që mund të rrezikojë jetën e njerëzve”, thotë ai.
Sylejmani thotë se pika e filtrabilitetit është e rëndësishme gjate periudhës vjeshtë-dimër nga 01 tetor deri me 15 mars. Nëse ky parametër nuk respektohet filtrat e automjeteve bllokohen dhe vaji i naftës nuk mund të qarkullojë.
Selatin Kaçaniku, nga shoqata Konsumatori, thotë se qytetarët më së shumti janë ankuar për cilësinë, sasinë, çmimet, shërbimet, ngathtësinë e inspeksioneve, kontrollet të pamjaftueshme të importit etj
“Kontrolli i cilësisë ka vite që është ‘’monopolizuar’’ nga Qeveria dhe nuk i është dhënë asnjë shans, as minimum e drejte juridiko-ligjore as demokratike qytetarit konsumator për shprehje, vigjilim, monitorim e as ankese dinjitoze”, thotë ai.
Dëmet në mjedis dhe shëndet
Sipas Udhëzimit Administrativ për Cilësinë e Karburanteve, në një litër naftë lejohen maksimalisht 10 miligramë sulfur. Në shumë raste të inspektimit ministria ka gjetur tejkalim shumëfish të sulfurit.
Sipas profesionistëve shëndetësor, sulfuri konsiderohet se ka ndikim negativ në ndotjen e ajrit, rrjedhimisht edhe në shëndetin e njeriut. Për shkak të dioksidit të sulfurit vjen deri te zvogëlimi i volumit pulmonar, rritja e rezistencës së frymëmarrjes dhe simptoma të tilla si pengesa në frymëmarrje, ngushtime në gjoks dhe zvogëlim të ritmit të frymëmarrjes. Ai mund të shkaktojë kokëdhembje dhe irritime të hundës. Përveç ndikimit në shëndet është edhe ndikimi në mjedis nga shirat acidike të cilat prodhohen nga dyoksidi i sulfurit dhe lagështia e ajrit, përshpejtojnë korrozionin e objekteve të ndërtimit, acidifikimin e dheut, liqeneve dhe rrjedhave të lumenjve.
Zeqir Veselaj, profesor universitar dhe njohës i fushës së mjedisit thotë se pasojat në mjedis dhe shëndetin e njeriut nga djegia e derivateve fosile si nafta janë të mëdha dhe afatgjata.
“Në botën moderne, tre sektorët kryesor që ndotin ajrin troposferik ku jetojmë janë: sektori energjetik me djegie fosile, sektori i industrisë dhe transporti. Meqë Kosova fatkeqësisht për zhvillimin por fatmirësisht për mjedisin nuk ka ndonjë industri të zhvilluar, pas sektorit energjetik radhitet ai i transportit”, thotë ai.
Nëse nafta është e cilësisë së dobët djegia e saj shkarkon edhe një konglomerat ndotësish të tjerë primar të ajrit si: dioksidi i sulfurit, oksidet e azotit, thërrmijat e imta (PM10 dhe PM2.5), metalet e rënda etj.
Zeqir Veselaj, njohës i fushës së mjedisit
Djegia e derivateve fosile si nafta, sikur edhe qymyri e druri sipas tij bëjnë pjesë në grupin e burimeve energjetike me karbon të rëndë që d.m.th. pas djegies së tyre shkarkojnë emitime të mëdha të monoksid karbonit që menjëherë në atmosferë shëndrrohet në CO2 --dioksid të karbonit .
“Por, nëse nafta është e cilësisë së dobët djegia e saj shkarkon edhe një konglomerat ndotësish të tjerë primar të ajrit si: dioksidi i sulfurit, oksidet e azotit, thërrmijat e imta (PM10 dhe PM2.5), metalet e rënda etj. Një litër naftë pas djegies prodhon 2.64 kg CO2, për dallim p.sh. nga benzina që liron 2.34 kg. Sa më e dobët të jetë cilësia e maftës së djegur, detyrimisht që koncentrimi i ketyre ndotësve në ajrin ambiental do të jetë më i lartë”, shton Veselaj.
CO2 sipas tij është shkaktari kryesor i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike që po përjetojmë e që pasojat po i ndiejmë secilën herë e më fuqishëm edhe në Kosovë.
“Pranvera dhe fillimvera e vitit 2023 ishin pothuajse abnormale me ato që jemi mësuar historikisht. Dioksidi i sulfurit bashkë me oksidet e azotit kanë rol primar në krijimin e ndotësve sekondar të ajrit duke shkaktuar gjendjen e smogut por edhe acidifikimin atmosferik përmes krijimit të substancave acidike në ajër”, thotë ai.
Thërrmijat e imta PM kanë pasoja direkte në shëndetin publik pasi depërtojnë direkt në sistemin respirator të secilit nga ne. Ndikim direkt në shëndetin publik është edhe arsyeja se pse thërrmijat e imta PM2.5 dhe PM10 e zënë vendin primar të aplikacioneve stacionare por edhe atyre mobile (si p.sh. AirVisual) për monitorimin e ndotjes së ajrit por edhe në raportimet për cilësinë e ajrit nga institucionet si European Environmnet Agency
“Të gjitha këto e rëndojnë cilësin e ajrit ambiental që thithim dhe duhej të mjaftonin që institucionet të marrin të gjitha masat ligjore të vendosura për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve përmes jo vetëm kontorllit por përmirësimit të cilësisë së derivateve”, thotë Veselaj.
Veselaj mendon se kontrolli i cilësisë së derivateve të naftës mund të bëhet lehtë në pikat kufitare.
“Meqë këto derivate importohen dhe kalojnë nëpër pikat kufitare të cilat shihen si një lloj “rubineti” i rrjedhjes së tyre atëherë nuk është e vështirë që kontrollet strikte të bëhen. Më e mirë është preventiva (kontrolli i cilësisës së derivateve) se kurativa (trajtimi i pasojave të shëndetit publik)”, thotë ai.