Prishtinë, 20 Korrik 2012
Komuna e Deçanit blen naftën prej njerëzve të partisë e cila udhëheq me komunën. Fituesit e tenderëve të naftës përpos që janë të së njëjtës komunë duhet të punojnë ose të kenë familjarë të punësuar në komunë.
Zyrtari financiar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, biznesmeni Valon Tolaj me kompaninë “Petrolium Global – Kosova”, ku mban 100 për qind të aksioneve ishte shpërblyer me tenderin për furnizim me naftë për komunën, shkollat dhe qendrën për punë sociale.
Drejtori i prokurimit në Deçan, Xhevdet Ramosaj thotë së ka vetëm një kriter: çmimi më i ulët. Të njëjtën e pohon edhe Tolaj duke mohuar të ketë përdorur ndikimin e tij për fitimin e këtij tenderi.
”Nuk më kujtohet të ketë qenë si kriter vendi i punës së pronarit të kompanisë. Janë dy gjëra të ndryshme dhe aspak të ndërlidhura”, ironizon financieri i AAK-së Tolaj.
Në këtë tender, sipas njoftimit për dhënie të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publlik, në garë me kompaninë e arkëtarit të AAK-së ishte edhe një kompani tjetër, të cilës nuk pranojnë t’ia publikojnë emrin.
Sipas kontratës, biznesmeni, dhe njëherit arkëtari i AAK-së, Valon Tolaj, pushtetit lokal në Deçan, komunë ku udhëheq partia e tij, i ka shitur naftë për 0.13 euro për litër.
Pyetjeve të “Preportr” drejtori i prokurimit në komunën e Deçanit Xhevdet Ramosaj iu është përgjigjur me një ftesë për biznes. “Nëse keni ndonjë kompani të interesuar urdhëroni e konkurroni. Ju mirëpresim!” thotë Ramosaj.
Duke mos e prishur prirjen për ironi, zyrtari Ramosaj e biznesmeni Tolaj mohojnë të ketë pasur ndikim në shpërblimin e këtij të fundit me tenderin në fjalë fakti që babai i Tolajt, Halili është emëruar nga kryetari Rasim Selmanaj si drejtor për Ekonomi e Zhvillim të kësaj komune.
Komuna e AAK-së, borxh biznesmenëve të vetë AAK-së
“Tani kompania në fjalë, e Valon Tolajt, nuk e furnizon KK Deçan” thotë Xhevdet Ramosaj, që udhëheq me tenderët e Deçanit.
Nëse keni ndonjë kompani të interesuar urdhëroni e konkurroni. Ju mirëpresim!
Xhevdet Ramosaj, drejtor i prokurimit në komunën e Deçanit
E biznesmeni Tolaj tregon edhe arsyen përse ka ndodhur kjo. Ai thotë se kontratën e shkëputi vetë, njëanshëm, veprim që e ke ndërmarrë më 1 korrik të këtij viti, megjithëse kishte afat deri në tetor.
"E vërteta është se ka pas dhe vazhdon të ketë vonesa të vazhdueshme në mungesë të mjeteve financiare. Pikërisht për këtë arsye edhe është bërë ndërprerja e kontratës. Ndërsa sa i përket shumës së obligimeve të mbetura, preferoj të mos spekuloj më shifra për shkak të korrektësisë”, thotë Tolaj.
Tender pa izën e babës
Biznesmeni dhe arkëtari i AAK-së, Valon Tolaj, kategorikisht mohon mundësinë që babai i tij të ketë pasur ndikim në procesin me të cilin ai u shpërblye me tenderin pë furnizim me naftë të komunës së Deçanit.
Tolaj thotë se babai i tij, që është i emëruar drejtor në këtë institucion nga ana e kryetarit Selmanaj, as që ka qenë në dijeni që djali po i konkurronte në tenderin në fjalë.
Është e vërtetë që babai im është i punësuar në komunë që nga viti 2000. T'ju them të drejtën as që e kam konsultuar paraprakisht, e mos te flasim për ndonjë ndikim
Valon Tolaj, arkëtar i AAK-së
“Është e vërtetë që babai im është i punësuar në komunë që nga viti 2000. T'ju them të drejtën as që e kam konsultuar paraprakisht, e mos te flasim për ndonjë ndikim”, thotë Tolaj duke konfirmuar që babi i ka thënë të mos e nënshkruaj këtë kontratë.
“Përkundrazi, rekomandimi i tij pasi është njoftuar ka qenë që unë të mos nënshkruaj atë kontratë”, thotë Tolaj për Preportr.
Sipas legjislacionit për parandalimin e konfliktit të interesit, ky rast mund të llogaritet konflikt potencial interesi. Baba i i biznesmenit Valon Tolaj, është zyrtar i lartë komunal, duke qenë i emëruar nga kryetari i Komunës.
“Preportr” ka kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion që të bëjë edhe interpretimin e këtij rasti por zyrtarët e saj nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë.
Histori e përsëritur
Njëjtë kishte ndodhur edhe me tenderin paraprak për furnizim me karburante të cilin e kishte fituar “Kosova Petrol” e përfaqësuar nga Isuf Sadikaj anëtar i KK në Deçan nga radhët e AAK-së.
I njëjti nuk kishte konkurruar sërish në 2011 meqë komuna i kishte mbetur shumë borxh. Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm të vitit 2010 për komunën e Deçanit janë rreth 150 fatura të papaguara për këtë kompani.
Kurse biznesmeni dhe arkëtari i AAK-së, Valon Tolaj flet për vështirësi në biznes. “Edhe ashtu biznesi në Kosovë pa borxhe nuk funksionon”, thotë ai.
Zyrtarët e Komunës së Deçanit punën e borxheve ia atribuojnë punëve të shumta që bëjnë përkundër se ato janë të parapara në projektim buxhetor.
“Obligimet që rrjedhin nga kontratat i paguajmë në bazë të kontratës dhe nga alokimi i mjeteve. Aty ku punohet ka edhe shpenzime” thotë Ramosaj .
Ai po ashtu thotë se nuk ka konflikt interesi në këtë tender të cilin e kishte fituar asamblisti i komunës. Ai këtë konstatim e arsyeton me faktin që Isuf Sadikaj nuk është pronar i kompanisë ”Kosova Petrol”.
“Edhe kompania në fjalë tenderin e ka fituar në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës, me procedurë të hapur publike” thotë Ramosaj.