Prishtinë, 25 Janar 2019
Sfidat në punën e gazetarëve dhe gjuha denigruese ndaj tyre
Ushtrimi i ndikimit në punën e gazetarëve, fyerjet, kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre, mungesa e besimit të gazetarëve në institucionet e drejtësisë si dhe mungesa e rezultateve nga ana e tyre, vazhdojnë të mbesin ndër sfidat kryesore të cilat e karakterizojnë fushën e gazetarisë.
Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se sfidat në punën e gazetarëve janë të panumërta, “duke filluar nga kushtet e tyre të punës apo respektimit të legjislacionit i cili u garanton atyre lirinë, e deri te sfidat kryesore të cilat kanë të bëjnë me trendet e ushtrimit të ndikimit në punën e tyre, qoftë nga grupet e interesit qoftë nga politikanët”, deklaron znj. Begolli.
Njëri nga faktorët i cili vazhdon të rëndojë mjedisin mediatik konsiderohet të jetë edhe ‘promovimi’ i fyerjeve ndaj gazetarëve nga personat të cilët sipas ligjit pritet ta mbrojnë dhe ta garantojnë lirinë e shprehjes.
Një shqetësim të tillë e ka edhe Flutura Kusari, juriste për të drejtën e medias, e cila madje thotë se krijimi i një mjedisi ku gjuha denigruese ndaj gazetarëve dënohet në mënyrë të qartë është edhe kërkesë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e Këshillit të Evropës. “Tek ne, përveç që nuk po dënohet kjo gjuhë, pikërisht ata të cilët duhet ta dënojnë atë, për shembull Presidenti, në shumë raste ushtron abuzim verbal ndaj gazetarëve”, thotë znj. Kusari. Veprime të tilla të një personi me aq shumë pushtet dhe fuqi politike si Presidenti Hashim Thaçi, i cili ka qenë në krye të listës së personave më të votuar në Kosovë, sipas saj krijon një standard sipas të cilit abuzimi verbal ndaj gazetarëve nuk shihet më si shkelje e vlerave të një shoqërie demokratike.
Gentiana Begolli përmend disa raste të fundit të kësaj natyre, e që fatkeqësisht nuk janë pak. “Kemi pasur rastin e fundit ku një gazetare në njëfarë forme është linçuar nga shefi i kabinetit të ministrit të arsimit duke u quajtur ‘përbindësh’ apo ‘pjesë e llumit mediatik’”, potencon znj. Begolli.
Sipas një statistike të përgjithshme të prokurorisë për numrin e veprave të ndryshme penale të kryera ndaj gazetarëve gjatë periudhës 1999-2016, shifra e tyre arrin në 181 raste.
Sipas saj, ka qenë shumë dekurajues fakti që përpos se nuk kishte pasur kërkimfalje apo sanksionim të shefit të kabinetit të ministrit të arsimit, vetë ministri e kishte pëlqyer postimin e shefit të kabinetit në Facebook, duke shtuar se këto raste nuk janë për t’u duartrokitur.
“Kemi pasur edhe Presidentin e vendit i cili i referohet, nëse nuk gaboj rreth 100 herë, me termin ‘po rren’ një moderatori – Adriatik Kelmendit, apo e kemi pasur një referencë cinike të themi ashtu të kryeministrit Ramush Haradinaj kur u sugjeron gazetarëve që ta mësojnë anglishten”, thotë ajo.
Mungesa e statistikave
Derisa prokuroria ka statistika të përgjithshme për rastet e sulmeve dhe të kërcënimeve ndaj gazetarëve, sistemi gjyqësor nuk posedon të dhëna të kategorizuara për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
Sipas një statistike të përgjithshme të prokurorisë për numrin e veprave të ndryshme penale të kryera ndaj gazetarëve gjatë periudhës 1999-2016, shifra e tyre arrin në 181 raste. Vetëm Prokuroria Themelore e Prishtinës ka pasur 5 raste në procedim gjatë vitit 2017 dhe 3 raste deri në nëntor të vitit 2018, kurse ende nuk ka një databazë të ngjashme për prokuroritë e tjera.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) gjithashtu posedon statistika për rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Sipas AGK-së në vitin 2017 janë evidentuar 22 raste të kanosjeve dhe të sulmeve ndaj gazetarëve, kurse gjatë vitit 2018 ka pasur 13 raste të tilla.
Kështu, vazhdon të mbetet shqetësuese ndërhyrja e madhe në punën e gazetarëve, qoftë nga qytetarët e thjeshtë, nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore apo nga vetë punëdhënësit e tyre.
Numri i sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve sipas të dhënave të AGK-së
Edhe pse në prokurori dhe gjykatë thonë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për rritjen e efikasitetit në ndjekjen e kryesve të veprave penale, gazetarët vazhdojnë ta kritikojnë mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve.
Mungesa e rezultateve të institucioneve të drejtësisë
Përpos fyerjeve dhe etiketimeve në publik, gazetarët drejtpërdrejt përballen edhe me kanosje, kërcënime dhe sulme fizike, vepra të ndëshkueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në situata të tilla, barra institucionale për mbrojtjen e tyre dhe ndjekjen apo dënimin e kryesve bie mbi organet e drejtësisë, respektivisht mbi policinë, prokurorinë e gjykatat, kurse gazetarët e sulmuar shprehen të pakënaqur me punën e këtyre institucioneve.
Ata deklarojnë se stërzgjatja e hetimeve, ndikimet në punën e hetuesisë, moszbulimi i kryesve dhe dënimet e ulëta apo aktgjykimet liruese për kryesit, kanë ndikuar në rënien e besimit të tyre në këto institucione.
Kemi identifikuar katër raste të sulmeve ndaj gazetarëve për këtë vit, pra vitin 2018, nga të cilat një rast tanimë ka përfunduar me aktgjykim të formës së prerë.
Arben Hoti, Gjykata Themelore në Prishtinë
Vitin e kaluar, në mesin e gazetarëve të sulmuar kishte qenë edhe Parim Olluri. Sipas tij, jo vetëm ai, por asnjë gazetar nuk është i kënaqur me punën që e bëjnë organet e rendit në raste të tilla, duke theksuar neglizhencën e tyre të madhe në trajtimin e rasteve të dhunës dhe kanosjeve ndaj gazetarëve. Olluri thotë: “E vetmja e mirë në këto raste është fakti që Policia e Kosovës ofron pajisjen me armë me leje për gazetarët e sulmuar fizikisht apo të kërcënuar, duke u mundësuar kështu të vetëmbrohen nëse dikush i sulmon në të ardhmen.”
Kritika ndaj punës së institucioneve të drejtësisë ka edhe gazetarja Saranda Ramaj, e cila në shumë raste është kanosur nga persona të ndryshëm gjatë ushtrimit të profesionit të saj.
“Më kujtohet një rast të cilin e kam paraqitur në Policinë e Kosovës për shantazh, ku më shumë sesa shantazhi i personave të cilëve ua kam prekur interesin e jashtëligjshëm biznesor, më ka shqetësuar qasja e policisë dhe e hetuesisë të cilët kanë qenë njëfarë lloj ndërmjetësi, duke më pyetur se a është patjetër nevoja që të shkruash për ta meqenëse ti e di se si janë, ose ka pasur zyrtarë të cilët më kanë thënë se përse nuk po shkruan diçka tjetër po pikërisht për ta. Kjo më ka shqetësuar për shkak se e kam kuptuar se edhe hetuesia nuk e ka shumë të qartë konceptin e të bërit gazetari”, thotë Saranda.