Prishtinë, 12 Mars 2013
Ndërtimi i objekteve të banimit kolektiv është biznesi legal më fitimprurës i pasluftës në Kosovë. Veç që u derdhën miliona euro e u mbuluan qindra hektarë tokë me ndërtime, ky biznes ka shkaktuar kaos urbanistik në kryeqytet, i cili edhe më tutje vështirë po kontrollohet. Ata që e kanë përcjellë nga afër fushën e ndërtimeve në Kosovë, thonë se me këtë biznes është bërë shpëlarje e madhe parash. Këta ndërtues e kanë shfrytëzuar kohën e pasluftës për të filluar ndërtime që kapin vlera milionëshe, pa e ditur prej nga e kanë prejardhjen paratë që kanë hyrë në ndërtim. Megjithëse komuna është tërësisht e mbyllur për publikun, ajo që nuk mund të fshihet është fakti se ndërtimet në kryeqytetin kosovar, thjesht janë bërë të parezistueshme për pushtetin edhe pse ato e kanë shndërruar Prishtinën në një qytet me turbo-folk arkitekturë.
Një zë i rrallë i kundër degradimit urban të qytetit u vra. Ekzekutimi i Rexhep Lucit në shtator të vitit 2000 ka ngelur një rast i pazgjidhur për organet e rendit. Qe gjashtë vite edhe një organizatë joqeveritare ngriti zërin kundër degradimit të qytetit, Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës (IQMQP). Lagjet që, sipas kësaj organizate, më së shumti janë degraduar janë “Dodona” dhe lagjja “Tophane”. Ngjashëm kanë pësuar edhe lagjet “Qyteza Pejton”, “Mati” e Veterniku.
Ish- zyrtarë të Komunës e pranojnë që ndërtuesit ishin më të fortë se Komuna, prandaj ka qenë e pamundur të kontrollohen ndërtimet e egra, të cilat janë ndërtuar jashtë planit urbanistik. Komuna e Prishtinës, por as qeveria nuk e kanë arritur që t’i dalin në rrugë këtij krimi urbanistik e financiar. Sot Prishtina ka rreth 6100 ndërtime të egra të evidentuara në një proces për legalizim, përfshirë këtu ndërtime të larta, mbindërtime dhe shtëpi banimi në të gjitha lagjet. Një incizim satelitor i bërë në vitin 2010 nga Komuna e Prishtinës, nuk i ndali ndërtimet pa leje. Prej asaj dite jozyrtarisht është thënë se në Prishtinë janë ndërtuar rreth 400 objekte pa leje.
Mirëpo këto nuk janë të vetmet ndërtime pa leje. Supozohet që në tërë kryeqytetin të jenë ndërtuar pas luftës diku 20 mijë objekte pa leje, pa përfshirë këtu mbindërtimet dhe shndërrimin e kateve përdhese të banesave në lokale afariste. Të gjitha objektet e banimit të lartë në qendër të Prishtinës përdheset i kanë shndërruar në këso lloj lokalesh gjë që, sipas arkitektëve, ka prekur në statikën e objektit, duke rrezikuar shembjen e tyre në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore.
Legalizim kolektiv i ilegales
Prej asaj që “Preportr” ka parë në terren shihet se jo të gjitha ndërtimet e larta që po bëhen në kryeqytet i plotësojnë kushtet urbanistike. Disa prej tyre nuk kanë as parkingje, hapësira të gjelbëruara dhe kushte të tjera që duhet t’i plotësojnë, kritere këto të përcaktuara edhe në manualin e Komunës së Prishtinës për ndërtimet pa leje.
Komuna e Prishtinës thjesht ka soditur dhe përfituar nga ky biznes. Ejup Bajrami nga Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës (IQMQP), ka disa vite që po e alarmon jo vetëm komunën, por edhe nivelin qendror të qeverisjes, por deri tani është thjesht i injoruar. Që prej disa kohësh "luftën" e tij më ndërtuesit ilegalë po e bën i vetëm, edhe pse iniciativën e kishte filluar me një grup qytetarësh.
Bajrami e ka shumë të vështirë punën e tij sepse përveçse politika ka interesa me ndërtimtarët, me këtë biznes merren edhe vetë politikanë e familjarë të politikanëve, madje edhe të vetë kryeministrit Hashim Thaçi. Bajrami ka filluar këtë punë duke i identifikuar objektet pa leje në lagjen ku jeton. Ai thotë se lagjja “Kodra e Diellit”, ka qenë e urbanizuar para luftës. Kjo lagje ka qenë e planifikuar vetëm për ndërtime të ulëta, por pas luftës shumë objekte kolektive u ndërtuan aty, duke ua zënë hapësirat shtëpive për rreth.
Për të treguar për degradimin e shumë lagjeve, Ejup Bajrami tregon disa raste kur ankesat e tyre janë shqyrtuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe kjo e fundit ka konstatuar në disa raste se nuk është respektuar leja e ndërtimit.
Pas ankesës së IQMQP edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, inspektorët e kësaj ministrie e kanë bërë inspektimin e ndërtimit të një objekti në lagjen "Bregu i Diellit" nga investuesit vëllezërit Loxha dhe ka vërejtur se investitorët në fjalë e kanë tejkaluar lejen e ndërtimit. Inspektorët e MMPH, i kanë rekomanduar inspektoratit të Komunës së Prishtinës që të inspektojë objektin dhe të marrë masat adekuate ligjore, pasi që investuesi nuk ka leje përkatëse për të bërë këtë aneks-ndërtim. Por sipas Ejup Bajramit, MMPH ka urdhëruar pezullimin e këtij ndërtimi, por asnjë masë nuk është marrë.
Pas rekomandimit nga MMPH për Inspektoratin e Komunës së Prishtinës, ky i fundit i ka kthyer përgjigje MMPH për objektin në fjalë, duke i ofruar edhe dokumentet përkatëse. Por pas shqyrtimit të kësaj përgjigje për veprimit e ndërmarra nga inspektorati i Prishtinës, MMPH ka konstatuar se ky inspektorat ka bërë shkelje të Ligjit të Ndërtimit në këtë rast, pasi që nuk ka marrë masa për ndërprerjen e këtyre punimeve.
Në rrugën "Hilmi Rakovica" objekt kolektiv pa leje ka ndërtuar familja e deputetit të PDK-së Shaip Muja. Në këtë objekt një kohë me qira ka banuar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Vëllezërit e kryeministrit, janë po ashtu të përfshirë në ndërtime të larta, nëpërmjet kompanisë “Iliria Building”.
Për objektin ku banonte kryeministri, që po ndërtohej pa leje, Bajrami disa herë e kishte lajmëruar Komunën por pa sukses. Komuna e Prishtinës, i ka kthyer përgjigje, se investitori nuk ka leje ndërtimi dhe se është urdhëruar që të ndërpresë punimet. Por iniciuesi i kësaj ankese Ejup Bajrami, thotë se punimet kanë vazhduar dhe inspektorati komunal nuk e ka penguar fare.
"Kemi kërkesa të ndryshme kur komuna na i kthen përgjigjet që janë nxjerrë vendimet për rrenim, por rrënimi nuk është bërë kurrë e as që janë ndërprerë punimet. Gjithashtu kemi raste kur edhe Ministria e Ambientit i ka rekomanduar komunës që të bëjë rrënimin e disa ndërtimeve, por kjo nuk është bërë", thotë Bajrami.
Por në mesin e atyre që kanë ndërtuar pa leje dhe që kanë kontribuar në shëmtinë e qytetit ka edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, këshilltarë dhe zyrtarë komunal, por edhe njëra ndër kompanitë më të mëdha të ndërtimit në kryeqytet.
Këshilltarë dhe zyrtarë të Kuvendit Komunal të Prishtinës kanë përfituar nga ndërtimet e egra në Prishtinë. Për legalizimin e shtëpisë ka aplikuar ish-drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Nazane Breca, tash deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, Ahmet Frangu shef i sektorit të tregut, Refik Sadiku, shef i sektorit në Drejtorinë e Infrastrukturës Lokale, Fadil Leci shef i sektorit për mirëqenie sociale, Azem Imeraj, bashkëpunëtor për punë gjeodete në Drejtorinë e Urbanizmit, Shiqeri Jupolli, inspektor i të ardhurave buxhetore në Drejtorinë e Financave dhe Pronës, Nefi Krasniqi, shef i zyrës së pritjes. Kërkesë që ta legalizojnë shtëpinë ka bërë edhe këshilltarët komunalë Hazir Burovci e Shaip Hajrizi. Degradimit të kryeqytetit i kanë kontribuuar veç Nazane Brecës edhe dy deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Berat Buzhala e Justina Shiroka-Pula.
Shtëpinë pa leje e ka ndërtuar edhe ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Shiqeri Spahiu. Ai në një konferencë për medie e pati pranuar se e ka ndërtuar shtëpinë pa leje, ndërsa kryetari i Komunës, Isa Mustafa, pati thënë se shtëpia e tij do të hyjë në proces të legalizimit e nëse nuk i plotëson kushtet do të rrënohet. Spahiu nuk ka aplikuar për legalizim ndërsa nuk dihet a ka marrë leje në ndërkohë për shtëpinë e tij.
Nga rreth 6 mijë e 100 objektet pa leje që pronarët e tyre kanë aplikuar për legalizim, “Preportr” ka gjetur se në mesin e tyre janë rreth 100 objekte kolektive që i kanë hyrë këtij procesi.
Familja Novosella ka në pronësi disa biznese ndërtimore dhe që nga paslufta ka bërë shumë ndërtime kolektive, shumë prej tyre pa leje paraprake, por që më vonë ka bërë kërkesë për legalizimin e tyre, duke aplikuar si individë e jo si kompani. Novosellët kanë bërë gjithsej gjashtë kërkesa për legalizim të objekteve kolektive, objekte këto që i kanë ndërtuar përmes kompanive të tyre që i kanë në pronësi.
Në kompaninë ndërtuese "Dardania Company" pronarë janë: Ilir Novosella, Alban Novosella dhe Dardan Novosella. Ky i fundit është edhe pronar i kompanisë tjetër "Dardania Com".
Edhe kompania "Tregtia", ka aplikuar disa herë për legalizimin e objekteve kolektive, që do të thotë se këto ndërtime kolektive kanë qenë pa leje. Për legalizimin e këtyre ndërtimeve, "Tregtia" si kompani ka aplikuar tri herë, kurse Bedri Prishtina dhe Mërgim Prishtina si individë kanë aplikuar katër herë, përkatësisht një herë.
Bedri Prishtina, që e ka nip pronarin e “Dardania Company”, Dardan (Sabri) Novosellën, është pronar i kompanisë ndërtuese "Tregtia", e cila ka në pronësi edhe kompaninë tjetër "Dardania" sh.p.k.., ndërsa person fizik në këtë kompani është Mërgim Prishtina.
Kompania “Tregtia”, nuk është ndëshkuar nga Komuna e Prishtinës për degradimin që i ka bërë qytetit me ndërtimet pa leje. Përkundrazi ajo po merr leje dhe po ndërton në lagje të ndryshme të kryeqytetit. "Tregtia" është shumë e pranishme në tregun e shit-blerjeve të banesave në kryeqytet. Edhe djali i të parit të Prishtinës, Besnik Mustafa ka blerë banesë nga kjo kompani.
Ajo që shihet viteve të fundit është fakti që shumë kompani që kanë ndërtuar pa leje si kompania “Dardania Company”, pronë e familjes Novosella, nuk është edhe aq aktive sa ka qenë më herët.
Ndërtimet e mëhershme të kësaj kompanie i kanë shpëtuar rrënimit edhe pse e përcjellura nga kamerat e televizioneve.
Qindra mbindërtime e mijëra ndërtime ilegale
Krejt të zezat që janë përfolur e shkruar për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, i kanë vërtetuar dy inspektorë nga Drejtoria Komunale e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit. Inspektorët Fehmi Ahmeti e Shaban Huruglica kanë inspektuar pothuajse çdo ndërtesë në kryeqytet që ka më shumë se katër kate. Nga inspektimi që ka zgjatur për më shumë se dy vjet, ata kanë konstatuar mijëra mbindërtime, qindra ndërtime ilegale, e po aq uzurpime të pronës publike.
Këta inspektorë, vizitën e tyre e kanë realizuar në të gjashtë bashkësitë lokale të Prishtinës, nga kanë konstatuar se, sa i përket sigurisë së jetës dhe pasurisë së qytetarëve, “gjithçka është skandaloze”.
“Në asnjë objekt të inspektuar nuk ka hidrant e as aparate të zjarrfikës, nuk ka drita e shkallë emergjente (përveç në 3-4 banesa), e as podrume të pastra”, shkruajnë këta inspektorë në një raport të brendshëm mbi uzurpimet prej 11 faqesh.
Më 27 prill të vitit 2010, nëpërmjet drejtorit Agim Gashi, nga këta dy inspektorë i është dërguar ish-drejtorit të Inspeksionit, Qazim Çunaku, një kërkesë për inicimin e procedurës ligjore ndaj shpërdoruesve të pronës shoqërore-publike nëpër banesat shumëkatëshe në territorin e Prishtinës.
Pas konstatimit që jeta e pasuria e atyre që banojnë në Prishtinë është në rrezik, dy inspektorët ia kanë dhënë një “këshillë” Inspeksionit komunal: “Konsiderojmë dhe vlerësojmë se Drejtoria për Inspeksion, si organ i vetëm komunal e përgjegjës për çështje mbi uzurpimet e sipërfaqeve publike, duhet urgjentisht të marrë masa për largimin e keqpërdoruesve, mënjanimin e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e sipërfaqeve të përbashkëta nëpër banesa. Me qëllim të eliminimit të rreziqeve që kanosin jetën e pasurinë e qytetarëve, luteni që urgjentisht të eliminohen pengesat që do të cekim”, thuhet në raportin në fjalë.
Në faqet e para të këtij raporti, inspektorët kanë gjetur se në të gjitha ndërtesat, me përjashtime shumë të vogla, ka së paku nga një mbindërtim, por ka edhe raste kur gjysma e ndërtesës është e mbindërtuar.
Kjo vlen sidomos për Bashkësinë e Parë, që është në qendër të Prishtinës. Aty, sipas raportit, ka ndërtesë 5-katëshe, që nga dy kate i kanë mbindërtim, dhe të njëjtat raporti i përcakton saktë, edhe pse janë shumë. “Karakteristikë e përbashkët e këtyre gjashtë bashkësive lokale, që janë ndër bashkësitë më të mëdha të kryeqytetit, edhe me numër të banorëve, janë keqpërdorimet më të mëdha, me mbindërtime, me ndërrim të destinimit të hapësirës, uzurpime e të tjera gjëra”, shkruan në raport.
Top-lista e 22 keqpërdorimeve më skandaloze
Pos që nuk e kanë kursyer mundin që për dy vite me radhë të evidentojnë pjesën më të madhe të keqpërdorimeve të territorit të Komunës së Prishtinës, inspektorët kanë gjykuar ashpër atë që ka ndodhur. Cilësimi më i shpeshtë i tyre për keqpërdoruesit është “matrapaz”. Raporti ndër të tjera thotë: “Garazhet në ‘Qafa’, në sipërfaqe prej 10.000 metra katrorë, mbi 250 garazhe janë nën menaxhimin e një matrapazi ”; “Garazhet banesore, veçmas ajo në rrugën UÇK, janë lënë nën mëshirën e matrapazëve të ndryshëm”; “Familja Sokol Ramadani nga Skenderaj shfrytëzojnë serverin e ‘Obodinit’. Nga këta matrapazë shtetit i janë bërë harxhime për ujë në shumë prej 18 mijë euro”. Këto janë vetëm disa nga cilësimet e inspektorëve.
Inspektorët kanë përzgjedhur një “top-listë” të keqpërdorimeve dhe të ndërtimeve ilegale. Në këtë listë janë futur 22 keqpërdorimet “më skandaloze”. Të përzgjedhurat e inspektorëve kanë të bëjnë që nga ndërrimi i destinimit të pronës, bllokimet e hyrjeve, përdorimi i aseteve të përbashkëta, siç është uji për autolarje, hapja e bizneseve që shërbejnë ushqim vend e pa vend, e deri te bllokimi i kutive të rrymës. Nuk mungojnë as rastet kur bodrumet e përbashkëta i ka “fshi” veç një individ, që inspektorët i cilësojnë si matrapaz. Kurse, te mbindërtimet, janë përzgjedhur 12 rastet “më skandaloze”. Kjo listë fillon një mbindërtim në rrugën “Sadik Zeneli”, ku vërehen dy mbindërtime dhe përfundon me një mbindërtim në Plato. “Përballë Kurrizit dhe Platosë, ndërtesa dykatëshe ka dy mbindërtime”, përfundon ky raport 11-faqesh.
Legalizime pa ligj
Komuna e Prishtinës është kritikuar shumë se e ka filluar procesin e legalizimit pa bazën e nevojshme ligjore. Qeveria e ka miratuar Projektligjin për legalizimin e objekteve pa leje tek në fund të vitit 2012. Ky ligj nuk dihet kur do të hyjë në fuqi..
Organizata INPO që e monitoron punën e Komunës së Prishtinës, në një raport të saj për marrje të lejeve të ndërtimit në Komunë, ka vërejtur se komuna nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për të bërë detajisht inspektimin e gjithë objekteve që kanë aplikuar për legalizim.
“Pasi që ka një numër shumë të madh që kanë aplikuar për legalizim më se 6148 kërkesa, në proces të legalizimit janë rreth 500 prej tyre, të cilat janë të parapara t’i plotësojnë kushtet minimale, ndërsa janë legalizuar diku rreth 100 prej tyre. Në kuadër të këtyre lëndëve 2,600 prej tyre janë lëndë të trajtuar në plotësim të dokumentacioneve të nevojshme, të cilat janë të parapara me ligj”, thuhet në raportin e INPO.
Si n'bahçe t'babës
Prishtina nuk ka një plan urbanistik si kryeqytet, por në vend të kësaj përdorë të ashtuquajturat plane rregulluese, të cilat thjeshtë mbulojnë lagje të caktuara të qytetit. Disa nga kompanitë ndërtuese kanë bërë ndërtime jashtë planit rregullativ. Sipas Ejup Bajramit nga IQMQP, një nga arsyet pse ata kanë bërë këto ndërtime ishte ndërtimi në terren të gatshëm.
Ndërtuesit që kanë ndërtuar nëpër lagjet e Prishtinës, pa leje të nderimit, e jashtë planit rregullativ nuk kanë paguar as për ujësjellës, as për rrymë, as për asfaltim e as kanalizim, sepse në këto lagje i kanë pasur të rregulluara të gjitha. Në 5 ari të ndërtohet një banim kolektiv është degradim
Ejup Bajrami, IQMQP
"Ndërtuesit që kanë ndërtuar nëpër lagjet e Prishtinës, pa leje të nderimit, e jashtë planit rregullativ nuk kanë paguar as për ujësjellës, as për rrymë, as për asfaltim e as kanalizim, sepse në këto lagje i kanë pasur të rregulluara të gjitha. Në 5 ari të ndërtohet një banim kolektiv është degradim, por jo vetëm i atyre që banojnë në atë ndërtesë, por i gjithë tjerëve, sepse ai oborr është pa trotuar, pa parking, pa gjelbërim pa hapësirë për lojëra për fëmijë", thotë Bajrami.
Ai thotë se IQMQP në vazhdimësi iu ka shkruar të gjitha institucioneve kompetente për këtë degradim, por asnjë nga ato nuk ka marrë masa, ndërsa hedh dyshimin se në këto ndërtime janë të kyçur edhe vetë drejtuesit e këtyre institucioneve.
Nebih Zariqi, kryetar i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, thotë se Komuna e Prishtinës jep leje për ndërtim, duke kufizuar hapësirën gjelbëruese, parkingjet etj. Ai thotë se planet urbanistike nuk po zbatohen si duhet dhe se ka raste kur nuk ka mbikëqyrje dhe leja u jepet projekteve që degradojnë qytetin.
Zariqi ka bërë ndërtime të larta në kryeqytet edhe në kohën kur ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Ai thotë se degradimet më të mëdha dhe të pariparueshme janë ato të lagjeve "Tophana" dhe "Dodona". Sipas tij, edhe lagjja "Mati" po zhvillohet shpejt dhe disa vende është degraduar, por ka ende mundësi që kjo të evitohet.
"Kemi pasur lagje që kanë qenë gati të përgatitura për ndërtim si "Arberia 2", sepse ka qenë një projekt i bërë më herët. Mirëpo nuk ishin të interesuar ", u shpreh Zariqi.
Komuna e Prishtinës është kritikuar shumë edhe për procedura të stërzgjatura për dhënie të lejeve të ndërtimit. Lidhur me lejet pati dhënë dorëheqje vitin e kaluar drejtoresha e Urbanizmit, Luljeta Sokoli. Kurse Komuna e mbush gjysmën e buxhetit tek të hyrat vetjake nga dhënia e lejeve për ndërtim.
Kryeopozitari jo transparent
Edhe pse Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga opozitari Isa Mustafa, ajo është e mbyllur dhe indiferente ndaj kërkesave për informacion. Nuk lejon qasjen në dokumente relevante publike që mund të shërbejnë si bazë për të hulumtuar mënyrën e udhëheqjes së kryeqytetit. Hulumtimi i “Preportr” mbi komunën e Prishtinës ka qenë më i vështiri i kësaj natyre deri sot. Komuna nuk ka ofruar asnjë bashkëpunim.
Në mbi dhjetë kërkesa për qasje në dokumente zyrtare në Komunën e Prishtinës, “Preportr” ka marrë përgjigje tjera nga ato të kërkuara, ose informacione gjysmake, e herë-herë edhe përgjigje krejt jashtë konteksti që është parashtruar pyetja apo edhe nuk ka marrë fare përgjigje.