Ku po punon Bytyqi, gjendet Porta Veriore. Arkeologu Berisha na tregon se kjo portë është shumë karakteristike sepse është ndërtuar prej mureve të trasha prej tri deri në tri metër e gjysmë, në lartësi edhe mbi pesë metër.
“Këto porta kanë qenë të vendosura në pozicione mbrojtëse, kryesisht për shkak të sulmeve”, thotë ai.
Me kaq kujdes sa Bytyqi, muret i trajton edhe Fadil Krasniqi, mjeshtër i gurit dhe drurit. Ai na tregon gjithë procesin e punës që nga materiali që duhet përdorur deri te mënyra se qysh veprohet me një gur që bjen në tokë. Thotë se e përdorin të njëjtin material, që është përdorur në ndërtimin e mureve dhe çdo përjashtim nga kjo mund ta dëmtojë shumë murin. Ai na tregon se si në vitet 60-ta, të shekullit të kaluar kur është hulumtuar në këto anë është përdorur çimentoja, por koha sipas tij ka treguar se ky material është shumë i dëmshëm për këto lloj ndërtimesh. Duke na treguar tek Porta Veriore, një pjesë që është punuar me çimento, ai thotë se shihet se si ky material e ka dëmtuar gurin.
“Tashmë nuk veprohet ashtu, vetëm me gëlqere. Materiali zakonisht është vendor, gjithherë kanë përdorë gëlqere, zallë, në territorin ku kanë punuar. Gëlqere më shumë preferohet me marrë, gjejmë në Kosovë ka mjaft”, thotë ai.
Krasniqi ka mjaft përvojë në këtë punë. Madje përvoja e tij lidhet shumë edhe me organizata ndërkombëtare, të cilat punojnë në Kosovë, ku ka marrë pjesë si konservues në shumë objekte dhe lokalitete të trashëgimisë kulturore.
Vendi ku bashkohen shumë popuj
Lubinko Trajkoviç, po i vendos fugat në mure. E bën këtë punë me shumë kujdes. Flet në gjuhën shqipe dhe thotë se ka raporte shumë të mira me shqiptarët dhe të tjerët që punojnë në Ulpianë. Trajkoviçi, thotë se me punën e tij po bën pikturë.
Ulpiana që prej shumë kohësh është vend interesimi për shumë të huaj, që i kanë ndihmuar vendorët në hulumtime. Gjermanë, francezë, turq dhe tjerë kanë marrë pjesë në gërmime.
“Çdo vit apo çdo sezon veror ne kemi pas ekipe të ndryshme të specialistëve të fushave të ndryshme, të cilët kanë qenë prezent në disa sektorë të këtij lokaliteti që dihet mirë se shtrihet në një sipërfaqe prej 100-120 hektarësh”, thotë arkeologu Berisha.
Edona Arifi dhe Gentrit Smakaj po bëjnë matjet e një pjese që po gërmohet. Edona është përgjegjëse për dokumentimin e gjetjeve ndërsa Gentriti historian. Edona na thotë se dokumentimi është pjesa më e rëndësishme, si në restaurim ashtu edhe gjatë gërmimit arkeologjik.
“Po nuk e bëre dokumentimin, nuk ke bërë asgjë. Dokumentimi është i domosdoshëm për secilën gjetje, për secilin veprim, për secilën lëvizje që bëhet gjatë punës që e bëjmë ne në teren. Secila gjetje e ka skedën e vet”, thotë ajo.
Edona na tregon se si në fillim çdo gjë që kanë gjetur i është dukur shumë interesant.“Kur kam qenë fillestare unë, normal që m’është dukë interesant çkado që kemi gjetë. Një ndër përshtypjet ishin skeletët kur i kemi gjetë në pjesën e Tempullit atje edhe mënyra si janë organizuar ato pllakat e mermerta dhe hyrja e tempullit. Pastaj monedhat janë gjetje të jashtëzakonshme”, thotë ajo.
Edona bën dokumentimin e gjetjeve, por Caner Tatar, bën restaurimin e mureve. Ku Tatar, po i zhvillon punimet, është siç e quan Berisha, sektori i tretë. Në këtë sektor, gërmimet kanë filluar në vitin 2012, në bashkëpunim me një ekip nga Turqia, në krye me arkeologun turk Haluk Çetinkaya.
“Është bërë zbulimi arkeologjik i këtij sektori, fillimisht duke u zbuluar pagëzimorja-Babtisteri, dhe më pas kanë dalë në pah pjesë të një Bazilike më të madhe”, thotë arkeologu. Vitin e kaluar është bërë një konsolidim i përkohshëm për ta ruajtur këtë pjesë nga kushtet atmosferike. Këtë vit sipas Berishës do të fillohet me restaurimin dhe konservimin e plotë të saj.
Tatar, që ka një përvojë të restaurimit nga Turqia, thotë se mënyra e punës është e njëjtë si në Turqi, madje i duket se arkeologët dhe konservuesit janë shumë më sistematik në Kosovë, mirëpo dallimi është se materiali është pak më i dobët këtu.
Ulpiana, identiteti jonë
Puna e konservuesëve, restauruesve, mjeshtërve dhe punëtorëve të tjerë, nuk është e vetmja. Në një kabinë të improvizuar tek Nekropoli Verior, një ekip prej katër vetësh po merren me pastrimin dhe signimin e qeramikave. Petrit Gashi dhe Majlinda Ademi me kujdes pastrojnë qeramikat. Liridona Rexhepi dhe Edona Rugova, janë skicografe.
“Ne i marrim domethënë krejt artefaktet edhe i ndajmë në forma, taman e bëjmë statistikën e artefakteve. Pastaj pasi t’i ndajmë i fusim në tiketa edhe fillon vizatimi. Kur t’kryhen vizatimet të krejt qeramikave, vizatohen, bëhet kartelizimi d.m.th periudha, koha, vendi ku janë gjetur, lloji, pastaj bëhet fotografimi i qeramikës edhe i bashkangjitet edhe skicimi jonë dhe pastaj arkivohen” thotë Liridona Rexhepi.
Të gjitha këto arkivohen në Muze të Kosovës, ku gjendet edhe Instituti Arkeologjik. Gjetjet më të veçanta ndahen dhe ekspozohen në fund të vitit. Edhe disa gjetje tjera që janë pjesë të një ene, dërgohen në konservim, ku konservuesi i muzeut i bashkon pjesët në mënyrë që forma të vërehet më mirë.
Tani puna e terrenit zhvendoset, në ambientet e muzeut, ku punon një ekip tjetër. Dea Luma, është përgjegjëse për aspektin e digjitalizimit-dokumentimit teknik.
“...e kam situatën në Ulpianë do të thotë në plan e përcjelli, të cilën e kam të ndarë në kuadrate dhe në bazë të gjetjeve arkeologjike unë e lokalizoj kuadratin edhe mandej është më lehtë të orientohet në hapësirë se për cilën pjesë të qytetit bëhet fjalë”, thotë ajo
Marigona Ademi, bashkë me Pranvera Sylejmanin dhe Edona Sahitin bëjnë vizatimin e gjetjeve të luajtshme dhe të paluajtshme. “Për gjetjet e palujatshme digjitalizimin dhe dokumentimin komplet e bën Dea, kurse për të luajtshmet jemi përgjegjëse ne. Fillimisht bëhet statistika, numërimi, pastrimi, signimi pastaj vizatimi, fotografimi dhe ato krejt lidhen në kartelë, bëhet përshkrimi, edhe n’përshkrim përfshihet datimi edhe krejt të dhënat çka duhen”, thotë Ademi.
Një punë krejt të veçantë në këtë ambient e ka Izri Gashi, restaurues, konservues. Në ambientin ku punon ai, ka pjesë enësh të thyera, por që ia me mjeshtri të madhe i bashkon ato. Përpara kemi një enë të madhe copëza, të bashkuara që duket për mrekulli.
“Kjo është një enë e madhe, gjigante është. Është e gjetur në Ulpianë dhe procesi i saj i restaurimit dhe konservimit ka përfunduar. Kjo tash është e gatshme për ekspozitë. Ka qenë shumë e fragmentuar dhe pjesët të cilat i kanë munguar ja kemi shtuar, siç shihet. Nuk kemi mundësi që sikur origjinalin ta bëjmë, por duhet m’u ditë edhe pjesa që është shtuar, për opinionin që me pa cila është origjinal, cila i është shtuar”, thotë ai.
Planet për Ulpianën janë të mëdha. Drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha, thotë se qëllimi i projektit final të Ulpianës është të hapet për vizitorë dhe të krijohet një park arkeologjik. Rexha na flet edhe për problemet që i kanë me pronat, pasi që shumica e hapësirës ku shtrihet Ulpiana është në pronësi private.
“Kemi arrit në rrethanat tona momentale, kemi gjetë metodën më të mirë të bisedimeve dhe harmonizimeve të themelimit apo angazhimit tonë me pronarët privat të koordinojmë punët për një afat 10 vjeçar. Me pronarët që direkt lidhemi kemi arrit kontrata 10 vjeçare, kanë pranuar të gjithë”, thotë ai.
Rexha flet edhe për vërshimet që në pranverë u bënë tek Porta Veriore, që për fat nuk e kanë dëmtuar këtë pjesë. Sivjet është menduar të bëhet drenazhimi i kësaj pjese.
Punët e zhvilluara në Ulpianë, bëjnë një dallim nga punët tjera, që janë bërë në objekte dhe lokalitete të trashëgimisë kulturore, kudo në Kosovë. Ato vlerësohen lartë nga njohësit e fushës. Alban Bakija, drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, thotë se Ulpiana është projekt i mirë, është i bërë me standarde, “... ka një tendencë për me afru më shumë popullin afër Ulpianës. Është një prej pasurive të Kosovës, në bazë të saj edhe ne duhet ta krijojmë identitetin, duhet të afrojmë edhe fëmijët edhe shtetin më afër lokalitetit”.
Në Ulpianë ka punë për shumë breza të ardhshëm arkeologësh dhe studuesish të tjerë. Ajo çfarë është gjetur deri më tani, arkeologu Berisha thotë se është vetëm maja e Iceberg-ut.