English
Scroll top

Privatësia si mburojë kundër transparencës

Shumë mundësi për qasje në informacione që ndihmojnë hulumtimet për korrupsion apo shkelje të tjera ligjore janë hequr nga faqet zyrtare të institucioneve publike. Krejt kjo po bëhet në emër të mbrojtjes së të dhënave personale. Por, ky reduktim i informacionit, nga gazetarët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile po shihet si bllokim i punës së tyre.

Prishtinë, 14 Korrik 2012

Qasja në  informata të nevojshme për raportimin e korrupsionit apo të  manipulimit me sektorin publik është  reduktuar apo komplikuar dukshëm që nga viti 2008, kohë kur PDK-ja merr pushtetin. Faqet zyrtare të institucioneve publike po heqin disa nga mundësitë që janë të domosdoshme në punën e gazetarëve e që shpesh çojnë në publikimin e materialeve të ndjeshme të rasteve të korrupsionit apo shkeljeve të tjera.

Më e diskutueshmja është heqja e mundësisë së gjetjes së numrit personal për të gjithë rezidentët nga faqja e qeverisë së Kosovës tek rubrika ‘Lista e dokumenteve të qytetarëve’. Kësisoj, vështirësohet gjetja e autenticitetit të një  pronësie, marrëdhënie biznesore, aksioneve, apo aseteve tjera, informata këto të  qenësishme për hulumtimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

Numrat personal janë hequr edhe nga faqja zyrtare e Komisionit Qendror Zgjedhor ku publikoheshin  listat e votuesve. Po ashtu, numrat personal janë hequr edhe nga formularët e deklarimit të pasurisë të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsion.

 

Kjo mundësi e identifikimit të personit të caktuar dhe posedimeve të tija që i ka shërbyer “Preportr” në identifikimin se si financuesit e PDK u shpërblyen me mbi 100 milion euro, apo edhe se si mbi 30 zyrtarë të lartë publik nuk kishin deklaruar bizneset e tyre në Agjncinë kundër Korrupsionit, tashmë është pamundësuar.

Ndërkaq, faqja zyrtare e regjistrimit të bizneseve, ARBK si faqja që përben më së shumti material  për nisjen e një hulumtimi mbi pronarët apo aksionarët e bizneseve në Kosovë, përpos që shpesh është jo funksionale, prej vitit 2008 i ka reduktuar tepër shumë  të dhënat që ofron. “Preportr”, zotëron një dokument të një kompanie, i cili përmban mbi 20 faqe me informacione lidhur me kompaninë. I njëjti dokument është gjetur përmes ARBK-së në 2007. Sot të dhënat e publikuara kapin më pak se një faqe përmbajtje. Nëse deri në vitin 2008 është ofruar historiku i një ndërmarrjeje që prej themelimit si dhe çdo ndryshim në statut, si ai i ndërrimit të pronarëve apo edhe aksionarëve, tash informatat tregojnë vetëm pronarin ose kontakt-personin aktual.

Petrit Qollaku, gazetar në Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) thotë se heqja e këtyre të dhënave jo vetëm që ngadalëson punën e gazetarëve por edhe kërkon më shumë sqarime se pse janë hequr të  dhënat që deri vonë kanë figuruar në shumë prej portaleve të institucioneve shtetërore.

Në mungesë të këtyre të dhënave, një gazetar e ka më të vështirë të bëjë verifikimin e identitetit të saktë të një personi për të cilin shkruan. Në  secilin hulumtim fillimisht kërkohet të saktësohet identiteti i personit apo personave të përfshirë në temë.

Petrit Qollaku, BIRN

“Natyrisht se largimi i të dhënave personale nga faqja zyrtare e qeverisë dhe listës së votuesve në KQZ shkakton ngadalësim në punën e gazetarisë hulumtuese” thotë Qollaku. Në mungesë të këtyre të dhënave, një gazetar e ka më të vështirë të bëjë verifikimin e identitetit të saktë të një personi për të cilin shkruan. Në  secilin hulumtim fillimisht kërkohet të saktësohet identiteti i personit apo personave të përfshirë në temë” thotë  Qollaku.

Për Agon Sinanin, gazetar i rubrikës së ekonomisë në Gazeta Express, problemet me faqet e qeverisë janë të shpeshta dhe sipas tij heqja e numrave personal krijon një lloj pasigurie te gazetari, përderisa verifikimi mund të marrë më shumë kohë e rrjedhimisht publikimi i informacionit të skadojë.

Ministria e Administratës Publike, përgjegjëse për administrimin e Portali  Shtetërorë të Republikës së Kosovës, përmes së cilit mund të merreshin numrat personal të të gjithë shtetasve të Kosovës, thotë se heqja e kësaj mundësie është bërë me qëllim të mbrojtjes së të dhënave personale. ”Ndryshimet e bëra në Portalin Qeveritar janë bërë me kërkesën e Agjencisë për Regjistrimin Civil, me qëllim të mbrojtjes së të dhënave personale. Tash e tutje qytetari i interesuar për të marrë informatën për dokumentin e vet civil, në këndin e Portalit Qeveritar, mund ta shkruajë vetëm numrin personal dhe do ta marrë informatën që e kërkon” thotë zëdhënësja e MAP-it, Birsen Shufta.

Sipas ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në nenin 12, pika 3 thuhet: “Kur zbulohen të dhënat e tilla kontrolluesi i të dhënave duhet të sigurojë që të evidentohet informacioni në vijim: cilat të dhëna personale janë zbuluar, kujt, kur dhe me çfarë baze ligjore. Informacioni i tillë që ka të bëjë me zbulimin duhet të mbahet me të dhënat e subjektit të të dhënave për aq kohë sa ruhen ato të dhëna”.

Heqja e kësaj mundësie nga autoritetet e Kosovës, duke u thirrur në mbrojtjen e të dhënave personale, bie poshtë në prag të një procesi zgjedhor. Kjo, pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është i obliguar t’i bëjë publike numrat personal si dhe emrat e të gjithë votuesve, shtetas të Kosovës, në prag të çdo procesi zgjedhor. E njëjta data bazë e të dhënave me numra personal dhe me emra dhe mbiemra të çdo shtetasi të Kosovës mund të shkarkohet nga cili do qytetarë dhe këtë dokument ta ketë çdokush që i intereson.

Ndërkaq, zëvendës shefi i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave, Mentor Hoxhaj thotë se nuk është e lehtë balancimi mes transparencës dhe ruajtjes së privatësisë, përderisa  përmend se qasja në dokumente publike është e drejtë e garantuar edhe me kushtetutë.

Ai shton që: “Mos mundësia e qasjes on-line në të dhënat nuk kufizon të drejtën për qasje në dokumente zyrtare, e drejtë kjo e garantuar me kushtetutë  dhe ligj, por kufizon mundësinë e përpunimit të të dhënave personale në kundërshtim me dispozitën ligjore të lartcekur.” shton ai.

Por kërkesave për çasje në dokumente publike institucionet iu përgjigjen shumë pak.

Sipas një raporti të lëvizjes FOL i quajtur “Indeksi i transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike” institucionet kryesore janë cilësuar si të mbyllura. “Të nëntë institucionet ekzekutive të nivelit qendror të përfshira në studimin e këtij viti, me  mesataren e Indeksit të Transparencës Institucionale (ITI) prej 40.5, rezultojnë se janë institucione të mbyllura”

Këtu Lëvizja "FOL" i është referuar institucioneve si Zyra e Kryeministrit, Ministrisa e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Përpos këtyre institucioneve Lëvizja "FOL" ka përmendur edhe ndërmarrjet publike ku prej tri ndërmarrjeve publike qendrore vetëm nga PTK-ja kanë marrë një përgjigjie.

Mos mundësia e qasjes on-line në të dhënat nuk kufizon të drejtën për qasje në dokumente zyrtare, e drejtë kjo e garantuar me kushtetutë  dhe ligj, por kufizon mundësinë e përpunimit të të dhënave personale në kundërshtim me dispozitën ligjore të lartcekur.

Mentor Hoxhaj, AShMDhP

Sidoqoftë, qasja në të dhëna përmes së drejtës së qasjes në dokumente publike, me gjithë se e garantuar me ligj, nuk duket të funksionoj edhe atëherë kur kërkohen informata që nuk janë të klasifikuara si sekrete shtetërore. Hulumtime të bëra nga organizata të shoqërisë civile, tregojnë që përgjigjja e institucioneve publike karshi kërkesave për qasje në dokumente publike është e ulët dhe sidomos ajo bëhet edhe më e vështirë kur kërkohen informata të ndjeshme.

Ndërkaq, Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje juridike dhe praktike në ARBK, thotë se të dhënat që ofrohen janë aq sa lejon ligji për Shoqëritë Tregtare. Megjithëse ky ligj ka pësuar ndryshime të herë pas hershme, sipas Pllashnikut i njëjti ligj nuk është ndryshuar asnjëherë për sa i përket bërjes publik të informacioneve. “Preportr” zotëron një dokument të një  kompanie të  nxjerrë  në  vitin 2008, i cili përmban mbi 20 faqe me informacione lidhur me kompaninë. I njëjti dokument është gjetur përmes ARBK-së në 2007. Sot, të dhënat e publikuara kapin më pak se një faqe dhe në rastin më të mirë, ato përfshijnë emrin e pronarit, të personit të autorizuar, një numër kontakti, aktivitetin/et, kapitalin dhe numrin e punëtorëve. Pllashniku i cili e ka drejtuar prej vitit 2002 deri në vitin e kaluar thotë se asnjëherë nuk është ofruar historiku i kompanisë.

Sipas Pllashnikut, Ligji nuk kërkon botimin e historikut. Sidoqoftë, Pllashniku përpos mohimit se ato të dhëna janë publikuar ndonjëherë nuk jep përgjigje se pse janë hequr si mundësi.

Rreth reduktimit të të dhënave nga regjistri i bizneseve, Petrit Qollaku nga BIRN thotë  se, tani për secilin interesim duhet parashtruar kërkesa për qasje në dokumente publike. “Me ARBK-në, si destinacioni i parë dhe i vetëm për kërkim në internet për bizneset në Kosovë, kemi pasur qasje në dokumente të kompanive të regjistruara, në bazë të kërkesës sonë për të ditur më  shumë se kush është pronar, bashkëpronar, aksionet e tyre, etj” thotë Qollaku.

Kurse Agron Sinani nga Express shton që:“Shpesh kur kërkojmë një kompani ajo veç mund të ketë ndërruar pronarin e ne mund të na nevojitet pikërisht themeluesi i një kompanie. Ne na duhen të dhëna më të gjera. Por faqja e ARBK-së edhe ashtu shpesh është jo funksionale”.

Për organizatat e ndryshme, për të cilat janë të domosdoshme këto informata, është bërë shqetësim fshehja e tyre. “Mundësia për të gjetur bizneset në kuadër të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve është shumë e vështirë dhe opsioni "Search" në shumë raste nuk jep rezultatet e kërkuara” thotë Agron Demi nga GAP. Këtë pashmangshëm e vuajnë gazetarët.

Kurse drejtori i Organizatës INPO, Avni Bytyçi thotë se të gjitha këto janë tregues negativ që flasin për nivelin e transparencës. “Çdo tendencë për të ulur nivelin e transparencës së institucioneve publike, sidomos në çështje të tilla të rëndësishme për hulumtimin e korrupsionit, siç është mundësia për t’u qasur në të dhënat publike për biznese të caktuara është një lajm i keq jo vetëm për ne si organizatë e shoqërisë civile dhe për mediat, por po ashtu edhe për gjithë shoqërinë dhe për zhvillimin demokratik të institucioneve kosovare” shton Bytyçi nga INPO. Sipas tij, shumë gazetarë sot bëjnë punën e prokurorëve ose publikojnë raporte që përbëjnë materiale të bollshme për punën hetuese të prokurorëve. Sipas tij, nuk duhen marrë veprime që e pengojnë këtë punë.