English
Scroll top

Preportr fiton çmimin e dytë kundër korrupsionit

06 Dhjetor 2016

Preportr ka fituar vendin e dytë në kategorinë e mediave online në konkursin e për Çmimet në Gazetari Kundër Korrupsionit për vitin 2016, e organizuar nga UNDP-së, Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Agjencia Kundër Korrupsion (AKK).

Hulumtimi fitues “Tu Prashitë n’ujë” i realizuar nga Besnik Boletini dhe Besa Kalaja ka trajtuar mënyrën se si janë ndarë grantet dhe efektet që kanë pasur këto grante në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik dhe zbutje të papunësisë. Gjithashtu trajtohen padrejtësitë, shkeljet ligjore dhe jotransparenca e Ministrisë së Bujqësisë në ndarjen e granteve.

Hulumtimi tregon se si Ministria e Bujqësisë i shkel normat ligjore, duke i refuzuar fermerët pa të drejtë. Zyrtarët e ministrisë i pranojnë dokumentet e fermerëve, duke u dhënë konfirmime me shkrim se të gjitha dokumentet i kanë në rregull, ndërsa pas shqyrtimit të projekteve fermerët refuzohen për shkak të mungesës së një dokumenti, qoftë ai një kopje e llogarisë bankare apo e letërnjoftimit. Hulumtimi tregon se gjysma e fermerëve janë refuzuar në këtë mënyrë. Vetëm në vitin 2015 kanë aplikuar 2119 fermerë, ndërsa 950 prej tyre janë refuzuar apo 44.8 %. Kjo ka ndodhur edhe pse në udhëzuesin për aplikues shkruan qartë se zyrtari nuk i pranon dokumentet e aplikimit nëse nuk janë të kompletuara. Gjatë hulumtimit janë hasur dhjetëra raste të tilla, të cilat dëshmohen edhe me dokumente.

Hulumtimi tregon edhe për diskriminime të ndryshme, siç ka raste kur fermerë që kanë rreth 30-40 vjet përvojë në fushën e bujqësisë, e njohin shumë mirë fushën e bujqësisë, por janë refuzuar për shkak të përvojës së punës.

Hulumtimi trajton edhe dyshimet e dhënies ryshfet për të përfituar grante. Por fermerët hezitonin që të shfaqeshin publikisht. Gjatë hulumtimit në rajone të ndryshme kemi marrë dhjetëra ankesa të tilla.

Ministria e Bujqësisë nuk i ka bërë publike të gjitha listat e përfituesve të granteve. Lista e përfituesve të traktorëve dhe pajisjeve të tjera bujqësore nuk është publike. Ne e kemi siguruar këtë listë nga burimet tona. Vlera e traktorëve është mbi 1 milion euro. Kjo listë tregon se ka pasur favorizime rajonale në ndarjen e traktorëve.

Hulumtimi tregon se ka pasur manipulime në ndarjen e traktorëve, pasi që janë miratuar oferta nga i njëjti operator ekonomik për të njëjtën markë të traktorit me çmime që varionin nga 32,000 deri në 51,900 euro.

Hulumtimi tregon se si në disa raste fermerët që janë ndihmuar nga ministria e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, i kanë mbyllur fermat pa dhënë asnjë përgjegjësi. Investimet në këto projekte kanë qenë qindramijëra euro.  Ndërkaq në anën tjetër ka fermerë që nuk kanë përfituar grante asnjëherë, por vazhdojnë punën si ata mundën. Ata i mbajnë gjedhet në kushte shumë të vështira, ndërsa ka të tillë që edhe janë detyruar që t’i sheshin. Këtyre të fundit në shumicën e rasteve u merr kohë  dhe u kushton shumë kompletimi i dokumenteve dhe përgatitja e projekteve. Vetëm për përgatitjen e një projekti u duhet të japin 500 deri në 1000 euro. Ka fermerë që kanë aplikuar për katër vite radhazi dhe nuk kanë përfituar asnjëherë grant, ndërsa për përgatitjen e tyre kanë shpenzuar deri në 3 mijë euro.

Hulumtimi tregon se si disa projekte refuzohen për shkak të mungesës së buxhetit, ndërsa ka fermerë që marrin dy herë grante. Nga databaza që e kemi bërë nga të dhënat që i ka marrë në Ministrinë e Bujqësisë, rezulton 54 persona kanë marrë nga dy grante brenda tri viteve.

Hulumtimi është realizuar edhe me video-storie në formë dokumentari dhe me foto-storie. Është tentuar që të vizualizohet sa më shumë ky problem.

 

Në këtë ceremoni u ndanë edhe çmimet për kategoritë tjera. Çmimin për shkrimin më të mirë në kategorinë e mediave të shkruara e ka fituar Saranda Ramaj nga gazeta “Koha Ditore”.Çmimin për Storien më të mirë televizive është shpërblyer Naim Krasniqi, nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN. Në kategorinë e mediave online vendin e parë e ka fituar Vehbi Kajtati nga portali Insajderi. Ndërsa në kategorinë e radiove vendin e parë e ka fituar Muharrem Saraxholli nga Radio Kosova.