English
Scroll top

Partneriteti “intim” me tenderin

Tenderi prej afro 50 mijë eurosh për ofrimin e shërbimeve për PPP u është dhënë dy biznesmenëve që deri në prill të vitit 2011, ishin zyrtarë të Komunës së Gjilanit e që janë marrë ekskluzivisht me fushën për të cilën janë shpërblyer me tender

Prishtinë, 12 Korrik 2012

Komuna e Gjilanit nëpërmjet procedurës së Parnteritetit Publiko-Privat, ka shpërblyer dy ish-këshilltarë të saj me shërbime të këshilldhënies. Biznesmenët Nazim Jashari e Afrim Hoti, pronarë në kompaninë e tyre "3P Consulting", janë shpërblyer nga komuna ku punuan si zyrtarë pikërisht në zyrën që merret me aktivitetet që ata sot përfitojnë tender, pra në Njësinë për Zhvillim Ekonomik dhe Partneritet Publiko-Privat – PPP. Kompania “3P Consulting”, sipas të dhënave të ARBK-së, është konstituar në nëntor të vitit 2011, e që i bjen vetëm shtatë muaj para se ata të fitonin tenderin nga komuna ku kishin punuar.

Ironikisht, përshkrimi i tenderit ka qenë pak a shumë i ngjashwm me punën e tyre kur ata punonin për komunën. Ata kanë marrë tenderin, “Ofrimi i shërbimit të këshilltarit të transaksionit për Partneritetin publiko-privat”, ku "3P Consulting" u shpërblye me afro 50 mijë euro.

Në këtë tender, në fund të garës, si e përgjegjshme kishte mbetur "3P Consulting" dhe një kompani tjetër, emrin e së cilës në komunën e Qemajl Mustafës nuk pranojnë ta bëjnë publike.

Në këtë komunë nuk kanë dashur të japin asnjë përgjigje në lidhje me pyetjet e “Preportr’ për këtë çështje, njëjtë sikurse nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje as zyrtarët përgjegjës në Agjencinw Kundër Korrupsion (AKK), nëse ky rast paraqet konflikt të interesit.

Në prillin e vitit të kaluar, Komuna e Gjilanit kishte mbajtur një takim për strategjinë e zhvillimit të kësaj komune, ku pikë kyçe e takimit ishte diskutimi për punët që do të kryheshin me anë të Partneritetit Publiko-Privat (PPP).

Komuna që udhëhiqet nga Qemajl Mustafa, i cili sipas informatave të dala nga policia është duke u hetuar për korrupsion pikërisht për një tender të dhënë nëpërmjet partneritetit publiko-privat, tender kushtet e të cilit ishin përpiluar dhe ai ishte dhënë në kohën kur këta dy biznesmenë ishin zyrtarë të Komunës, lëshoi një komunikatë  me konstatimin: “Nuk ka interesa të ngushta në PPP”.

“Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, duke zbërthyer strategjinë zhvillimore të komunës, segment i së cilës është edhe partneriteti publik-privat, si alternativë për zhvillim më të shpejtw, tha se nga kjo formë e investimeve përfitojnë qytetarët, në rend të parë, por edhe biznesi privat dhe komuna. Ai garantoi se ky proces (PPP), i cili bazohet në ligjet e aplikueshme në Kosovë, do të bëhet me transparencë dhe llogaridhënie të plotë, derisa ka nënvizuar se në kushte të njëjta, përparësi do të kenë investitorët gjilanas, por duke përjashtuar mundësinë që në këtë proces të ketë interesa të ngushta”, thuhet në komunikatën e Gjilanit të datës 22 prill 2011.

Bëjnë hile me ligjin?

Dy ish-zyrtarët e Njësisë për Zhvillim Ekonomik dhe PPP në komunën e Gjilanit duket se i kanë bërë hile Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Ky ligj e ndalon qartë që zyrtari për një vit nuk mund të përfitojë në çfarëdo forme nga institucioni ku ka punuar, por ndalesa nuk vlen për më gjatë.

PPP-ja e ndjek Mustafën, apo Mustafa PPP-në?

“Preportr” ditë më parë ka publikuar shkrimin “Qemajl Mustafa hetohet për tender”, në të cilin Mustafa deklaron se nuk është në dijeni se është nën hetime dhe se ndihet krenar për punën që është duke u kryer me tenderin për të cilin është duke u hetuar.

Ky tender, i vlefshëm afro 1.8 milionë euro, është për ndertimin e objekti të ri të Komunës së Gjilanit dhe është duke u realizuar pikërisht me anë të PPP-së.

Tash, dy  ish-punëtorë të kësaj komunë, që merreshin ekskluzivisht me PPP-në në këtë institucion, në kohën kur është dhënë tenderi për të cilin po hetohet kryetari i Gjilanit, kanë hapur një kompani dhe janë shpërblyer me tenderin për ofrimin e shërbimeve këshilldhënëse për PPP. Kompania “3P Consulting”, është konstituar shtatë muaj para se ta fitonin tenderin.

“Zyrtari i lartë i cili përfundon ushtrimin e funksionit publik nuk ka të drejtë për një vit të punësohet  ose të emërohet në pozitë udhëheqëse, apo të përfshihet në kontrollin e ndërmarrjeve publike  apo private, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen apo kontrollin e afarizmit të atyre ndërmarrjeve”, thuhet në neni 17 të këtij ligji.

Në këtë komunë nuk pranojnë të japin përgjigje se kur e larguan nga puna si zyrtarë të saj dy  biznesmenët e tashëm, përfitues të tenderit prej afro 50 mijë eurosh. Por, e sigurt është se deri më 22 prill të viti të kaluar, këta dy biznesmenë ishin zyrtarë të Njësisë për Zhvillim Ekonomik dhe PPP në Komunën e Gjilanit, sepse të tillë paraqiten në një komunikatë të lëshuar nga kjo njësi. Tenderi është dhënë disa muaj pas kalimit të kufizimit ligjor prej një viti për përfitim nga sektori publik ku kanë punuar, gjë që nëse merret kjo datë edhe si largim i tyre nga puna, këta dy ish-zyrtarë të komunës jo domosdoshmërisht janë në konflikt me ligjin. Por, fakti që Komuna nuk ka kthyer përgjigjeje se kur këta dy zyrtarë janë larguar nga puna dhe se po të njëjtit marrin tender nga fusha në të cilën ata kanë punuar si zyrtarë të komunës bënë që këtij tenderi t’i vije era konflikt interesi.