English
Scroll top

Parashkruhen lëndët e korrupsionit

Diku 32 lëndë penale që u përkasin kategorisë së veprave të korrupsionit janë parashkruar në gjykata komunale (themelore). Prokuroria nuk i ka filluar hetimet në rastet ku në gjykata janë parashkruar lëndët kundër korrupsionit. Prokuroria nuk ka ndonjë informatë a indikacion që këto lëndë të jenë parashkruar me qëllim. Hetimet ndërkaq i ka filluar Zyra e Prokurorit Disiplinor

Prishtinë, 25 Korrik 2013

Sistemi i drejtësisë duket se edhe praktikisht është dorëzuar para korrupsionit. Preportr, ka gjetur se të paktën 32 lëndë penale që u përkasin kategorisë së veprave të korrupsionit janë parashkruar nëpër gjykatat komunale (tash themelore).  Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet –ÇOHU!, mbi tetë mijë lëndë janë parashkruar nëpër gjykata komunale (themelore) përgjatë viteve 2001-2012.

Deri më tani, asnjë nga institucionet e drejtësisë, nuk ka ndërmarrë pothuajse asgjë për ta trajtuar këtë problem.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me gjithë se me vendim të veçantë kanë obliguar gjykatat më me prioritet t’i procedojnë çështjet e veprave penale të korrupsionit, pranojnë se ka raste të tilla, “por jo të nivelit të lartë nga se lëndë të tilla janë në kompetencë të gjykatësve të Eulex-it”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së KGJK-së, Aishe Qorraj-Berisha.

Parashkrimi i lëndëve të korrupsionit sipas gjykatave komunale (themelore):

-  Ferizaj: 8 lëndë të parashkruara

-  Prishtina: 7 lëndë të parashkruara

-  Gjakova: 5 lëndë të parashkruara

-  Kamenica: 5 lëndë të parashkruara

-  Istogu: 3 lëndë të parashkruara

-  Lipjani: 1 lëndë e parashkruar

- Theranda: 1 lëndë e parashkruar

-  Vushtrri: 1 lëndë e parashkruar

Gjithsej 32 lëndë të korrupsionit janë parashkruar përgjatë viteve 2007-2012.

Megjithëqë janë parashkruar rreth tetë mijë lëndë, prej tyre 31 kundër korrupsionit, Prokuroria nuk e ka parë të udhës që të nisë hetimet për këto lëndë. Përkundër se nuk kanë bërë ndonjë hetim mbi parashkrimin e lëndëve penale, sipas tyre, nuk ka indikacione se parashkrimi është bërë me qëllim.

Hetimet për parashkrimin e lëndëve penale, përfshirë edhe ato të korrupsionit, ndërkaq i ka filluar Zyra e Prokurorit Disiplinor – (ZPD).

ZPD-ja ka filluar hetimin për shtatë lëndë penale që janë parashkruar. Në mesin e tyre hetimi disiplinor është hapur edhe për dy lëndë ndaj gjyqtarëve në lidhje me vjetërsimin (parashkrimin) e rasteve të korrupsionit.

Hetime e ZPD-së vijnë vetëm pas publikimit të raportit të ÇOHU!-të

Zyra e Prokurorit Disiplinor i ka filluar këto hetime bazuar në raportin e Organizatës ÇOHU!, për parashkrimin e ndjekjeve dhe ekzekutimeve penale në gjykatat komunale (themelore), të bëra prej vitit 2001 deri 2012.

ZPD-ja ka nisur hetimin për shtatë raste të parashkrimit të lëndëve penale pas publikimit të raportit të ÇOHU!-të. Në mesin e këtyre shtatë rasteve që janë duke u hetuar, dy raste u përkasin veprave të korrupsionit.

Zef Prendrecaj koordinator i kësaj Zyre, i ka thënë Preportr, se hetimet ndaj veprave të korrupsionit kanë filluar ndaj një gjyqtari të Gjykatës Komunale të Lipjanit – lënda e vitit 2007 e parashkruar në 2012, dhe ndaj një tjetri në Gjykatën Komunale në Vushtrri, lënda e vitit 2008, e parashkruar në vitin 2011. (tani Gjykata Themelore).

“Për gjyqtarët e përmendur, hetimet disiplinore janë hapur me pretendimet se, të njëjtit kanë neglizhuar ushtrimin e funksionit gjyqësor sepse kanë lejuar parashkrimin e 7 (shtatë) lëndëve penale lidhur me veprat penale: Shpërdorimi i detyrës zyrtare, vjedhje grabitqare, blerje dhe shpërndarja të narkotikeve dhe marrëdhënie seksuale me dhunë", thotë Prendrecaj.

Për rastet tjera të korrupsionit nga të gjetura në raportin monitorues të Organizatës ÇOHU! në gjykatat tjera, ZPD ka siguruara dosjet gjyqësore dhe është në proces të shqyrtimit për të vendosur së shpejti.

Ai thotë se nga viti 2001 deri më tani, ZPD ka hapur hetim disiplinor ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve për rastet e korrupsionit dhe i ka trajtuar me prioritet. Rastet janë hapur me kërkesën e palëve apo sipas detyrës zyrtare të iniciuara nga ZPD-ja.

Bazuar në të dhënat e publikuara, në ueb-faqen e KGJK-së, Komisioni Disiplinor Gjyqësor, nga viti 2008 e deri në shkurt të vitit 2013, ka marrë vetëm tri vendime në lidhje me lëndët e parashkruara. Në dy raste ka marrë vendime për masën disiplinore, qortim, kurse për një rast e ka liruar nga përgjegjësia gjyqtaren.

Prokuroria nuk ka informata që lëndët janë parashkruar me qëllim!

Në kohën kur Zyra e Prokurorit Disiplinor po i zhvillon hetimet, Prokuroria e Shtetit nuk ka asnjë informatë apo indikacion se gjyqtarët kanë pushuar procedurat me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për ndonjë person tjetër, dhe as se vendimi është nxjerr me qëllim që dikujt t’i shkaktohet ndonjë dëm pasuror.

“Ju informoj se të gjitha vendimet e gjykatave të marra për pushimin e procedurës penale për shkak të parashkrimit relativ apo absolut, janë vendime të ligjshme gjyqësore përderisa të mos vërtetohet se ato vendime janë marrë ose janë nxjerrë, siç thotë dispozita ligjore e nenit 346 të ish Kodit Penal të Kosovës, me qëllim që gjykatësi, ai i rregullt, laik apo ai për kundërvajtje, ta ketë nxjerrë vendimin e tij me qëllim që për vete apo për tjetrin të përfitojë dobi të kundërligjshme pasurore apo t’i ketë shkaktuar dëm ndonjë personi tjetër. Person tjetër sipas kësaj dispozite është personi fizik dhe juridik”, thotë Liridonë Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit.

Madje zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, thonë se me nxjerrjen e vendimit për pushimin e procedurës nuk i shkaktohet dëm personit tjetër, përkundrazi për të përfitohet dobi, por jo dobi pasurore siç kërkon ligji.

“Në dispozitën e nenit 346 të Kodit Penal të Kosovës, që ishte në fuqi gjer më 31 Dhjetor 2012, ka ekzistuar një e metë, e cila është eliminuar me Kodin e ri Penal të Kosovës, që ka hyrë në fuqi nga 1 Janari 2013.

Tani vepra penale, nxjerrja e kundërligjshme e vendimit gjyqësor, neni 432, nga një gjyqtar mund të kryhet nëse vendimi nxirret me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, pra jo vetëm të dobisë së kundërligjshme pasurore, por çfarëdo lloj dobie. Pushimi i procedurës penale për shkak të parashkrimit relativ mund të jetë dobi jo pasurore për personin tjetër dhe mundësia e ndjekjes penale nuk është e limituar si më pare”, thotë Kozmaqi.

E njëjta e metë, në ish Kodin Penal të Kosovës, sipas saj, ka ekzistuar edhe sa i përket veprës penale Shpërdorim i detyrës zyrtare neni 339 paragrafi 1, e cila po ashtu është eliminuar me dispozitën e nenit 442 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës në fuqi. Kjo do të thotë se edhe tani keqpërdorimi i detyrës zyrtare e jo shpërdorimi i saj si ishte me Kodin e më parëm, mund të kryhet jo vetëm me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, por me qëllim të përfitimit të çfarëdo lloj dobie.

Ndonëse nuk ka filluar hetimet në asnjë rast të parashkrimit të lëndëve penale, prokurori i Shtetit është zotuar se në çdo rast kur do të gjejnë se ka dyshim të arsyeshëm se është keqpërdorur detyra e gjyqtarit, prokurorit apo ndonjë zyrtari tjetër të ndonjë agjencioni për zbatimin e ligjit, me qëllim të parashkrimit të ndjekjes penale apo ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, do të ndërmerret ndjekja penale.

Shifrat që mungojnë

Organizata për Demokraci, Dinjitet dhe Anti-korrupsion ÇOHU!, në raportin e saj monitorues: “Shqyrtimi i Veprave të Korrupsionit nga Organet e Drejtësisë" ka paraqitur se në vitet 2008-2011, në gjykatat komunale dhe të qarkut gjatë viteve 2008-2011, janë shqyrtuar vetëm 29.7 % e lëndëve të korrupsionit që kanë qenë në punë. Nga 29.7 % e lëndëve të korrupsionit të gjykuara nga gjykatat komunale dhe të qarkut për vitet 2008-11, vetëm 18.3 % e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 8.6 % kanë përfunduar me gjobë. Ndërsa 11.3 % e lëndëve të gjykuara kanë përfunduar me aktgjykim lirues.