English
Scroll top

Nisi i braktisur

Kosova nuk po mund t'i ofrojë kushtet as minimale Nis Beqirit për të trajtuar sëmundjet që i ka. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm, gjithashtu ai ka humbur peshë. Familja e Nisit thotë se nuk është duke u përkrahur as nga Ministria e Brendshme në asnjë aspekt dhe se edhe qiranë e banesës janë duke e paguar vetë

Prishtinë, 12 Nëntor 2013

I kthyer  nga Suedia rreth një muaj më parë me  probleme të rënda shëndetësore, Nis Beqiri e familja e tij po përballen me vështirësi të shumta pas kthimit në Kosovë. Nisit ka filluar t'i përkeqësohet gjendja shëndetësore, sepse ka probleme me frymëmarrjen dhe të vjella. Ai prej se është kthyer në Kosovë ka humbur peshë, e sipas nënës së tij Besës, një nga faktorët që ai ka humbur peshë është edhe gjendja e tij shpirtërore e psikike. Sipas nënës, Nisi në Suedi ishte shumë i hareshëm dhe i buzëqeshur, që e bënte të dashur për komunitetin ku jetonin, por pas kthimit në Kosovë kjo buzëqeshje i ka humbur.

E ëma e Nisit, Besa Musa, tregon edhe për shkollimin special që e ka pasur Nisi në Suedi, figurat që i ka përdorur për komunikim si dhe fletoret që Nisi i ka përdorur deri në ditën kur është kthyer, e të cilat tashmë i kanë mbetur në gjysmë. Ndërsa në Kosovë e ka të pamundur këtë shkollim.

"Vështirësitë e para janë se Nisi nuk po ndihet mirë shpirtërisht, është shumë i mërzitur, është shumë i heshtur, nuk është më i hareshëm qysh ka qenë përpara, po i mungon jeta atje dhe gjendja shëndetësore iu ka përkeqësuar", thotë Musa.

Ajo thotë se trajtimi që mund t'i bëhet në Kosovë nuk mund as të krahasohet me trajtimin që ka pasur në Suedi. Ajo thotë se pas shkuarjes atje, gjendja shëndetësore e Nisit është përmirësuar dukshëm. Besa thotë se para së të shkojnë në Suedi Nisi është ushqyer me gojë, pra nuk ka mundur të ushqehet si duhet dhe ka rënë shumë në peshë.

Kur kemi shkuar në Suedi i ka pasur  vetëm 14 kilogramë

Besa Musa, nëna e Nisit

"Kur kemi shkuar në Suedi i ka pasur  vetëm 14 kilogramë, që është shumë jo normale për një fëmijë  8 vjeçar. Pra nëse e kish pasur trajtimin e duhur nuk kish ra në 14 kilogramë. Në Kosovë nuk i është bërë asnjë zgjidhje derisa kemi shkuar atje. E ka pas operacionin që ia kanë hapë vrimën në bark për ta ushqyer, gjë që ia ka shpëtuar edhe jetën. Tash ushqehet prej asaj vrime, djali ka shtuar peshë atje, por prej se ka ardhur ka ra prej peshe. Gjithashtu është i stresuar dhe kjo po ndikon në shëndetin e tij shumë", u shpreh Musa.

Ajo thotë një mundësi për t'u kthyer  në Suedi është që dikush t’i gjejë një vend pune dhe të marrë leje qëndrim përmes punës.

MPB nuk ia paguan as qiranë e banesës

Ministria e Brendshme pas kthimit të familjes Beqiri është zotuar se do të përkrahë këtë familje brenda të gjitha mundësive si dhe do ta ndihmojë përmes programit për riatdhesim.

Driton Gashi, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, një ditë pasi është kthyer Nisi, ka thënë gjatë një konference për media se është mbajtur kontakt i vazhdueshëm me familjen Beqiri edhe para se të kthehen dhe se janë informuar për pakot ri-integruese që garanton Qeveria e Kosovës.

"Në këtë pako hyjnë kategoritë e strehimit,  pra sigurimit të vendbanimit, pakon ushqimore dhe higjienike, trajtimin mjekësor si dhe në financimin e plan-bizneseve", u shpreh Gashi.

Por në fakt, me asnjërën nga këto pako nuk është ndihmuar familja e Nisit. Besa Musa thotë se askush nga MPB-ja nuk ka treguar interesim për ta për t'i ofruar ndonjë ndihmë, ndërsa tregon se edhe banesën janë duke e paguar vetë.

Banesën e kemi me qira dhe jemi duke e paguar vetë. Ministria e Brendshme nuk  na ka ofruar asnjë ndihmë

Besa Musa, nëna e Nisit

"Banesën e kemi me qira dhe jemi duke e paguar vetë. Babai i fëmijëve e ka paguar për një muaj e gjysmë. Duke llogarit edhe shpenzimet tjera kostoja është 380 euro. Ministria e Brendshme nuk  na ka ofruar asnjë ndihmë. Nuk na ka thënë askush se mund të na ofrojë ndonjë ndihmë, përveç Ministrisë së Shëndetësisë që na ka ofruar përkrahje për trajtimin e djalit me mundësitë që janë në Kosovë", thotë Musa.

Preportr ka kërkuar nga MPB një prononcim për këtë çështje dhe procesin e ri-integrimit të kësaj familje, por zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë pranuar që të takohen, por kanë dhënë një përgjigje përmes e-mailit.

"Familja e Nis Beqirit nuk ka pranuar ndihmë nga Programi për ri-integrim dhe nuk dëshiron të bashkëpunojë me institucionet shtetërore lidhur me këtë", kanë thënë shkurt zyrtarët e MPB-së.

Por familjarët e Nisit kanë thënë se këto deklarata të MPB-së nuk janë të vërteta dhe se do të provojnë të kontaktojnë me zyrtarë të MPB-së për të sqaruar këtë situatë dhe mospërkrahje, përkundër zotimeve që kanë bërë.

Komuniteti në Filipstad në përkrahje të Nisit

Elsa Wegerif ka përkrahur vazhdimisht Nisin që nga shkuarja në Suedi. Ajo është përkujdesur shumë për të dhe është e lidhur shumë me Nisin dhe familjen e tij. Ajo gjithashtu ka ardhur në Kosovë për ta vizituar Nisin dhe për t'i parë kushtet në të cilat po jeton. Ajo thotë se në Kosovë përveç që nuk ka kushte për trajtim shëndetësor, nuk ka kushte adekuate as për ta shëtitur Nisin, i cili e ka domosdoshmëri shëtitjen njëherë në ditë. Por në lagjen ku banon nuk ka as trotuar, ndërsa shëtitja buzë rrugës dhe në pluhur po i ndikon shumë në frymëmarrje.

Wegerif thotë se në Filipstad, qytetin ku ka jetuar Besa, komuniteti ka shprehur pakënaqësi dhe ka protestuar për moskthimin e Nisit. Ajo thotë se tashmë është krijuar një grup, i cili po bën përpjekje për ta ndihmuar Nisin dhe familjen e tij për ta kthyer sërish në Suedi.

"Ne kemi një grup të organizuar në qytetin tonë, i cili po punon për të ndihmuar familjen e Nisit. Gjithashtu ky grup po bën përpjekje që ndihmojë edhe kthimin e Besës së bashku me fëmijët në Suedi. Dhe një përpjekje po bëhet për t'ia gjetur një vend pune Besës në mënyrë që ajo të këtë të drejtë të marrë leje qëndrim në Suedi", thotë Wegerif.

Gjithashtu ky grup përveç kontakteve që ka pasur me Bordin e Migracionit atje, po mbledhë edhe mjete financiare për ta ndihmuar familjen e Nisit.

"Rasti i Nisit është mbyllur pasi që ai është kthyer në Kosovë, por pas reagimeve të shumta dhe kontakteve që grupi jonë ka pasur me zyrtarë të Bordit të Migracionit të Suedisë, kemi vërejtur se edhe ata e kanë parë që është bërë gabim dhe do të duhej që rasti të hapej sërish e të shqyrtohet. Arsyeja që ka dhënë ky bord, se Nisi është trajtuar edhe para se të vijë në Suedi dhe se në Kosovë ka kushte për t'u trajtuar ky rast nuk qëndron, sepse këtu nuk ka kushte për trajtimin e Nisit", u shpreh Wegerif.

Kosova nuk mund t'i ofrojë trajtim

Institucionet shëndetësore të Kosovës përmes familjarëve i kanë dërguar dokumente autoriteteve suedeze se ky rast nuk mund të trajtohet në Kosovë, por kjo e fundit nuk i ka marrë parasysh.

Sipas dy raporteve konziliare nga Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për pacientin Nis Beqiri dhe mjekimi dhe trajtimi rehabilitues në kushtet e klinikës së pediatrisë në Prishtinë dhe në Kosovë nuk janë të mundura.

Gjithashtu, edhe dokumenti i lëshuar nga Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Paisje Medicinale i Kosovës tregon se produkti "Nutrison 1.0" nuk ka marketing autorizimi respektivisht nuk është i regjistruar në Kosovë.

Edhe mjeket në Suedi i kanë bërë një ekzaminim të detajuar shëndetësorë Nisit dhe kanë konstatuar se ai vuan nga disa sëmundje të komplikuara, e të cilat kërkojnë një trajtim të veçantë.

Edhe Shoqata për persona me Aftësi të Kufizuara Hendikos, ka vërtetuar se nuk mundet që t'i ndihmojë Nisit për trajtim në asnjë aspekt, pasi që diagnozat e tij janë shumë të komplikuara.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se kjo ministri ka pasur kontakte të vazhdueshme edhe pa u riatdhesuar Nisi, por edhe pasi është kthyer. Ai thotë se edhe ministri Agani ka qenë drejtpërdrejt të interesuar për gjendjen shëndetësore dhe ka kërkuar nga të gjitha institucionet përkatëse shëndetësore që të ofrojnë çdo shërbim ekzistues për këtë pacient. Por pjesa kryesore mbetet çështja e rehabilitimit afatgjatë, që është pika më kritike në këtë rast.

"Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar një interpretim profesionalë nga aspekti mjekësor në kuptim të diagnozës në lidhje me rastin e pacientit të cilit i referoheni. Konzolumi i mjekëve specialistë të Klinikës së Pediatrisë që paraqet nivelin më të lartë të trajtimit të sëmundjeve të fëmijëve në Kosovë ka dhënë një mendim që kushtet për një trajtim gjithëpërfshirës të pacientit në fjalë në Kosovë nuk janë të mundura. Do të thotë ekziston një trajtim i kufizuar, por jo adekuat për sëmundjen që e ka pacienti dhe për rrethanat ekzistuese, kthimi i tij sipas mjekëve të kësaj klinike sigurisht që do të ndikonte në shëndetin e tij", thotë Hoti.

Ai thotë se MSh-ja pasi e ka marrë këtë rekomandim të specializuar , e ka përcjellë tek palët e interesuara që në këtë rast kanë qenë familja dhe Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe tek autoritetet suedeze.

Bordi i migracionit nuk ndryshon vendimin

Daniel Johansson, shef i njësisë së divizionit për procedura administrative në bordin për migracion në Suedi, ka thënë për Preportr se kur të vendoset nëse ka rrethana veçanërisht shqetësuese për një rast, çështja e shëndetit mund të jetë shumë e rëndësishme. Ai thotë se procesi gjyqësor është përqendruar se çfarë trajtimi i nevojitet Nisit, nëse ofrohet një tretman i tillë në vendin e kthimit, në këtë rast në Kosovë dhe nëse ata e kanë trajtimin në vendin e origjinës.

"Sistemi ligjor në Suedi e ka një bazë të të dhënave ‘Lifos’ me informacionet në lidhje me atë se çfarë lloje të trajtimit mjekësor janë në dispozicion në secilin rast dhe shtet. Në këtë rast, familja është shprehur se i është ofruar trajtimi në Kosovë para se të vijnë në Suedi. Ky ka qenë një fakt që është marrë në konsideratë kur është trajtuar rasti", ka thënë Johansson, përmes një përgjigje me e-mail.

Ai thotë se Familja e Nis Beqirit ka qenë në kontakt me autoritetet e Kosovës dhe disa autoritete i kanë lëshuar certifikata mbi kërkesat e tyre. Sipas tij, fakti që trajtimi që është në dispozicion në Kosovë nuk i arrin kualitetet dhe standardet sikur trajtimi në Suedi, nuk është një argument që garanton leje qëndrimin e përhershëm sipas ligjeve të Suedisë për të huajt.

"Në mënyrë që të marrë leje qëndrim, pasi që gjykata ka vendosur në një rast, ju duhet që t'i referoheni rrethanave të reja, me fjalë tjera, rrethana që nuk janë trajtuar më parë. Bordi i Migracionit e ka të ndaluar për të ndryshuar një gjykim detyrues nga gjykata. Në rastin e Nis Beqirit, gjykata tashme ka provuar (faktuar) se çështja e gjendjes së tij shëndetësore dhe trajtimi i nevojshëm është vendim i detyrueshëm ligjor, i cili do të thotë se nuk ka rrethana të reja që mund të trajtohen, kur familja është kthyer në Kosovë", theksoi Johansson.

MPB nuk merr përgjegjës në rast të ndonjë epilogu fatal

Driton Gashi pati thënë gjatë një konference për media se është obligim i Qeverisë së Kosovës me marrëveshje të veçanta  me secilin shtet, që të pranojë shtetasit e Kosovës që kthehen nga këto vende.

Ai ka thënë disa javë para se të kthehet Nisi, MPB përmes Ministrisë së Shëndetësisë, i ka dërguar kërkesë autoriteteve suedeze që të prolongojnë në rastin në fjalë për shkak të trajtimit mjekësor, por sipas tij, fakti i pamohueshëm është se janë të detyruar që t'i pranojnë shtetasit e Kosovës të cilët janë me qëndrim të palejueshëm

"Ne kemi ngritur këtë çështje që personat që nuk kanë trajtim të duhur në Kosovë, të mos kthehen, por shtetet nuk e pranojnë".

Ai ka shprehur besimin se do t'ia dalin të përkujdesën për këtë rast. Ndërsa në lidhje me përkeqësimin eventual të gjendjes së Nisit dhe ndonjë përfundimi tragjikë, ai nuk e bën përgjegjës as Qeverinë e Kosovës e as atë të Suedisë.

Nëse vdes, besoj që përgjegjës është shkaku i vdekjes

Driton Gashi, sekretar në MPB

"Unë jam i sigurt se do të gjendet zgjidhje për këto çështje, sepse jemi në kontakt të vazhdueshëm, jo vetëm me familjen, por jemi në kontakt edhe me Ambasadën Suedeze në Kosovë dhe janë në renditje të lartë rastet e tilla... Nëse vdes, besoj që përgjegjës është shkaku i vdekjes", ka thënë Gashi.

Por, Filippa Nordfeldt këshilltare dhe eksperte e migrimit në ambasadën e Suedisë në Shkup, e cila për këto çështje është kompetente edhe për Kosovë, ka thënë për Preportr se çështja e të riatdhesuarve, ri-integrimi dhe ndihma për ta është kompetencë e institucioneve të Kosovës  dhe se Ambasada e Suedisë nuk ka fonde për të ndihmuar dhe përkrahur raste të tilla.

MPB nuk ka pasur asnjë kontakt me autoritetet Suedeze

Në lidhje me vendimin e kthimit të Nis Beqirit, Gashi pati thënë se kjo është pjesë e procesit të riatdhesimit dhe se MPB është e obliguar që t'i pranojë qytetarët që kthehen nga vendet evropiane. Por kjo marrëveshje nuk ka paraparë që rastet që nuk mund të trajtohen në Kosovë të mos kthehen. Në lidhje me rastin e Nisit, Driton Gashi thotë se autoritetet suedeze janë informuar se në Kosovë nuk ka trajtim për këto sëmundje, por që nuk janë marrë parasysh.

Këtë deklaratë e demanton Daniel Johansson, shef i njësisë së divizionit për procedura administrative në bordin për migracion të Suedisë. Ai ka thënë për Preportr se ky bord nuk ka pasur kontakte me autoritetet kosovare dhe se dokumentacioni që është sjellë nga Kosova për këtë rast ka ardhur përmes familjes Beqiri.

"Bordi i Migracionit të Suedisë nuk ka pasur kontakte direkte me Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë rast", thotë Johansson.

Kundër kthimit të Nisit kanë reaguar edhe organiztaa që merrem me persona me aftësi të kufizuara si dhe ato për të drejtat e njeriut.

Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi, KISCOMS, ka reaguar në lidhje me kthimin e Nis Beqirit nga Suedia. Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore, pamundësinë për t'i ofruar trajtim adekuat shëndetësorë në Kosovë, kjo organizatë i bënë thirrje, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Suedisë që sa më parë të fillojnë procedurat për rikthimin e familjes Beqiri në Suedi.

Kthimin e Nisit në Suedi e ka kërkuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. KMDLNj vlerëson se kthimi i Nis Beqirit nga Suedia në këtë gjendje të rëndë shëndetësore është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut përkatësisht të neneve 1,2,3,22,23,25 dhe 26 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e OKB-së dhe neneve 2,3,8 neni 1 i Protokolit 7 dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se mënyra, kushtet dhe rrethanat në të cilat është deportuar nga Suedia dhe është pranuar nga Kosova Nis Beqiri është shkelje e rëndë sidomos e Nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila thotë se: “Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës ose trajtimit apo dënimit çnjerëzorë apo poshtërues”.