English
Scroll top

Nëpër gjurmët e migrimit

Migrimi kërkon sakrificë, e sakrifica aktuale kërkon investim. Dhe ky investim nuk mund të bëhet nga qytetarët që gjenden në varfëri të skajshme. Përtej statistikave ekonomike mbi varfërinë, përtej vet termeve ekonomike që përdoren nga institucionet politike dhe ekonomike gjendet një situatë reale, gjendet përjetimi i vet qytetarit për varfërinë. Aty jashtë ka një qenie të gjallë që përballet me varfërinë; një qenie që lëvizë, që ndryshon. Prandaj, është e rëndësishme të...

Prishtinë, 24 Prill 2015

Braktisën shtëpitë, shoqëritë dhe kulturën e vendit. Hoqën dorë nga një pjesë e qenies, nga një pjesë e ekzistencës së tyre. Shpenzuan shumë para dhe udhëtuan në mënyrë ilegale në një rrugëtim të mundimshëm. Kjo është sakrifica që është bërë nga dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës në fund të 2014-ës dhe në fillim të 2015-ës.

U fol shumë për migrimet masive por nuk u problematizua asnjë çështje tjetër përveç asaj ekonomike dhe politike. Fenomeni në fjalë u fut në kuadrin e skemave nëpër të cilat formulohet çdo përgjigje e opinionit publik për secilën çështje që preokupon shoqërinë tonë. Përgjithësisht u tha se: njerëzit po ikin nga politika e korruptuar e kriminale dhe nga vendi i tyre i varfër. Por ky artikulim nuk mjaftoi që të hiqej habia e opinionit publik.

“Diçka e çuditshme po ndodh në këtë vend aktualisht. Njerëzit po largohen sepse nuk shohin të ardhme. Mund të jenë arsyet ekonomike, por jo domosdoshmërisht, pasi me një gjë të tillë përballen edhe qytetarët e vendeve të rajonit.”  -  tha Robert Bosch, ambasador i Holandës në Prishtinë.

Poashtu, edhe opozita dhe pozita nuk u lodhën të reflektonin për fenomenin e emigrimeve. Si çdoherë tjetër, ato e kundruan çështjen në fjalë nga pikëvështrimi i ngushtë politik i tyre. E para donte ta theksonte edhe më shumë gjendjen e keqe ekonomiko-politike ndërsa e dyta – qoftë tërthortë, qoftë drejtpërdrejt – synoi ta bënte me faj vetë emigruesin, për mos-planifikimin e ekonomisë së tij familjare.

“Nuk e kam parë fare të arsyeshme të shkoj në Stacion të autobusëve… njerëzit që po ikin kanë iPhone, kanë para dhe kanë pasur rroga të mira” – u shpreh Isa Mustafa në emisionin “Zona e Debatit”.

Në këtë analizë të shkurtër do të synojmë tejkalimin e këtij diskursi të ngushtë përmes problematizimit të çështjeve të reja që lidhen me migrimet e fundit. Nuk do të ndajmë faktorët në shtytës dhe joshës(siç zakonisht bëhet në analizat për migrimet) sepse mësyjmë daljen nga ngurtësia e termeve që do ta bënin vetëm objekt emigruesin. Duhet të marrim parasysh edhe qytetarin-subjekt.

Shoqëria kosovare është e njohur me fenomenin e migrimeve. Përveç viteve të para-luftës emigrimi ishte prezent edhe në të gjitha vitet e pas-luftës veçse në ritme më të vogla se tash. Masiviteti i migrimeve të fundit vetëm sa i jep më shumë forcë shprehëse arsyeve të emigruesve për iniciativën e tyre radikale.

Madje arsyet fitojnë edhe më shumë forcë shprehëse kur vërejmë që migrimet e fundit karakterizohen edhe me ndryshimin e strukturës sociale të emigruesve gjë që e bën edhe më radikale sakrificën e këtyre emigrimeve.

“Policia hungareze thotë se struktura sociale e imigrantëve ka ndryshuar në mënyrë drastike. Në 2013, shumica e imigrantëve të paligjshëm nga Kosova ishin meshkuj beqarë nga 18 në 35 vjeç. Tani po largohen familje.” – informon gazeta JNK

Thënë shkurt, është e qartë se kemi të bëjmë me arsye të forta që fshihen prapa migrimeve dhe sakrificës që i shoqëron ato. Dhe zakonisht, pas çdo sakrifice qëndrojnë dy gjëra të rëndësishme: dëshpërimi i fortë dhe qëllimi po i fortë për tejkalimin e atij dëshpërimi.

Migrimi kërkon sakrificë, e sakrifica aktuale kërkon investim. Dhe ky investim nuk mund të bëhet nga qytetarët që gjenden në varfëri të skajshme. Qytetarët që emigruan në muajt e fundit i takojnë ose pjesës relativisht të varfër ose pjesës së mesme të shoqërisë (kemi ndërmend një shtresë artificiale ekonomike që ndodhet ndërmjet të varfërit dhe të pasurit).

Përtej statistikave ekonomike mbi varfërinë, përtej vet termeve ekonomike që përdoren nga institucionet politike dhe ekonomike gjendet një situatë reale, gjendet përjetimi i vet qytetarit për varfërinë. Aty jashtë ka një qenie të gjallë që përballet me varfërinë; një qenie që lëvizë, që ndryshon. Prandaj, është e rëndësishme të depërtojmë brenda tij.

Mumifikimi i të varfërit

Varfëria ekonomike nuk ka ndonjë esencë eleatike, nuk mbetë përherë e pandryshueshme. Varfëria ndryshon nga koha në kohë, dhe nga vendi në vend. Prandaj është e padrejtë të ngurtësohet si gjendje ekonomike që i prek të gjithë në të njëjtën mënyrë dhe masë. Ajo që keqkuptohet zakonisht në lidhje me varfërinë (ose me një gjendje të paperspektivë ekonomike) është relacioni i saj me rrethanat e ndryshme socio-kulturore. Këto të fundit, përgjithësisht nuk merren parasysh.

Varfëria e sotme ndryshon prej varfërisë së para luftës sepse dëshpëron më shumë. Qytetari i sotëm i Kosovës, e përjeton më rëndë atë.

Koha në të cilën jetojmë e tregon një jetë më të zgjeruar. Në tregjet tona gjenden më shumë produkte.  Veç kësaj, pas mbarimit të luftës ndodhi një shpërndarje e gjerë e internetit (gati në çdo cep të Kosovës) dhe u shtuan kanalet televizive që e mundësuan reklamën e mallrave. Kjo çoi drejt dëshirës për t’i kapërcyer nevojat elementare. Një mbijetesë e thjeshtë biologjike nuk është e mjaftueshme për askënd. Të dhënat e ASK-së (Agjencisë së Statistikave të Kosovës) dëshmojnë se megjithë varfërinë e çdohershme, në Kosovë ka një rritje të përvitshme të konsumit. Prandaj, mund të themi që pas luftës dukshëm u përforcua dhe zmadhua konsumerizmi brenda shpirtit të qytetarëve të Kosovës. Qytetari është i ‘detyruar’ të konsumojë – ngase ka përpara vetes reklamat (për mallrat e ndryshme) që i shfaqen në televizion e internet dhe reklamën e gjallë nga njerëzit përreth. Reklamat dhe mallrat rafinuan dëshira që i ndryshuan nga brenda qytetarët.

Kështu, të mos kesh mundësi të bëhesh konsumues – dhe këtu është fjala për një konsumues që del përtej nevojave elementare – do të thotë të përballesh me tmerrin e zbrazëtisë prej qëllimeve, tmerrin e dëshirave të parealizuara.

“Një ekzistencë e papunë është një mohim shumë më i keq i jetës se sa dhe vetë vdekja. E kjo sepse të jetosh nënkupton të kesh diçka të caktuar për të bërë, një mision për të përmbushur” –  vëren Ortega y Gasset.

Duke qenë i papunë dhe i paangazhuar; i ndodhur në mesin e lloj-lloj mallrash që nuk ka mundësi t’i konsumojë dhe pa sensin e nevojshëm të vet-iniciativës ai mbetë thellë i pakënaqur në mbijetesën e tij biologjike.

Kemi të bëjmë me një varfëri që dikur pranohej më lehtë. Mjaftonte të mbahej gjallë biologjikja, të konsumoheshin gjërat elementare sepse njerëzit kishin shpresa të forta të ushqyera nga përfytyrimi për liri dhe pavarësi. Më qartë: kishte shpresa për një rrethanë radikalisht të ndryshme politike. E cila – siç dihet – u realizua. Jemi të lirë nga pushteti fashist serb dhe kemi pavarësinë por nuk kemi shpresat e forta të dikurshme. Shpresat për ndryshime rrënjësore.

Një varfëri pa shpresa të mëdha pakënaq e dëshpëron më shumë. Sidomos kur kësaj i shtojmë zgjerimin e tregut të produkteve dhe mundësitë e stër-zmadhuara komunikuese. Qytetari pa shpresa bie në një dëshpërim njëtrajtësh që e mbërthen para televizorit por nuk e angazhon në protesta dhe veprime tjera politike.

Përveç kësaj jete të zgjeruar dhe dinamike që e bën gjendjen e pa perspektivë ekonomike më të rëndë, ekziston edhe një tjetër rëndesë. Kemi të bëjmë me një shoqëri më individualiste që prej përfundimit të luftës. Në Kosovë nuk ndodhen vetëm 50 - 60 vjeçarët që e rezistojnë individualizimin. Gjeneratat më të reja(dhe Kosova njihet si një vend me një përqindje shumë të lartë të rinisë) kanë arritur që të çlidhen me ‘mendjen kolektiviste’ të prindërve. Kanë arritë të bëjnë një ‘hop’ ekzistencial, një kapërcim të madh vetëdijësor që e njeh me qenien e tij si të ndarë nga çdo gjë tjetër: familja, shoqëria, kombi apo kultura.

I varfër në kohën e individualizimit

Veçanërisht pas lufte nisi një transformim i brendshëm kulturor. Shoqëria kosovare u bë më individualiste. Por e gjithë kjo nuk ndodhi në mënyrë të përnjëhertë: u krijuan situata të caktuara që fabrikonin në mënyra  të ndryshme individë. Edhe konsumerizmi – për të cilin folëm – e që u përhap si kurrë ndonjëherë e dëshmon këtë frymë. Njeriu e njeh veten përmes dëshirave të tij. I gjendur në një treg me artikuj të lloj-llojtë ai njeh shijet e tij konsumeriste.

Përveç kësaj vlen të ripërmendim edhe shtrirjen e teknologjisë në mbarë vendin. Shoqëria kosovare përmes televizorëve dhe internetit njeh frymën perëndimore që poashtu individualizon. Sa për ilustrim: secili mund të çelë llogari personale në rrjetet shoqërore të internetit. Secilit i kërkohen – në ato rrjete – të dhënat personale. Dhe po kështu, i jepet mundësia që të shprehë vetveten përmes fotografive dhe mendimeve. Në po këtë vijë, pra në përjetimin personal të gjërave, qëndron rëndësia e kësaj pjese: qytetari i vendit e përjeton në mënyrë individuale dhe vetmitare varfërinë. Kjo e tregon një dallim tjetër ndërmjet varfërisë së sotme dhe asaj të së kaluarës.

Qytetari i sotëm e përjeton varfërinë me presionin e vazhdueshëm të dëshirave dhe ëndrrave personale të tij. Varfëria e dërrmon qytetarin e sotëm që është i detyruar të ëndërroj në mënyrë vetmitare në një vend ku ëndrrat kolektive e kanë humbur forcën. Ato janë pjesë e të shkuarës. Dhe natyrisht, të kesh ëndrra të parealizuara për veten e bën më të vështirë gjendjen. Kjo e shtyn secilin ta mendojë seriozisht migrimin si një mundësi që përtej radikalitetit fsheh një realitet më të pranueshëm për të si individ, një realitet ku mund të realizohen ëndrrat.

Duket se po i vie fundi euforisë dhe entuziazmit të lirisë dhe themelimit të shtetit pasi që kjo realisht nuk ka ndryshuar shumë jetën e një pjese bukur të madhe të Kosovës që jeton në varfëri ose varfëri të skajshme

Aliriza Arënliu, ligjërues në UP

Kemi të bëjmë me një qytetar të individualizuar që e sheh varfërinë si mohuesin kryesor të jetës së tij të veçantë. Nuk gjen më pike-mbështetje në asnjë parim, normë apo ideal të së shkuarës. Ekzistenca e tij – siç do të thoshte edhe Ortega y Gasset – është shumë më tepër ekzistencë sesa ekzistencat e mëparshme. Dhe me këtë ekzistencë të fuqishme e të madhe vjen edhe ana problematike e çështjes. Nuk ka më asgjë në të cilën ai mbështetet. Në këtë mënyrë, ai detyrohet të zbulojë vetë fatin e tij, detyrohet të ndërtoj po vetë të ardhmen e tij. Dëshirat personale e ndajnë prej fatit të shoqërisë. Prandaj, për të është i papranueshëm një vend i varfër me rritje ekonomike vjetore prej 3%. Ai nuk dëshiron – dhe kjo është e drejtë e tij – që të ndajë fatin e tij me fatin e Kosovës. Asnjë dashuri tjetër nuk arrijnë që ta kapërcej dashurinë për vetveten.

Duket se po i vie fundi euforisë dhe entuziazmit të lirisë dhe themelimit të shtetit pasi që kjo realisht nuk ka ndryshuar shumë jetën e një pjese bukur të madhe të Kosovës që jeton në varfëri ose varfëri të skajshme

Aliriza Arënliu, ligjërues në UP

Shqiptarët e Kosovës kësodore nuk besojnë më në ndryshime radikale. Shohim sesi qytetari gjendet në një territor që individualizon. Një territor që nuk ndryshon mundëson ndryshimin për individët. Kur nuk lëvizë kolektivja mundësohet lëvizja e individëve. Kjo moslëvizje radikale i jep hapësirën e plotë qytetarit të Kosovës që të bëj gdhendjen ‘skulpturorore’ në një lëndë të pa formë, që është jeta e tij. Në një lëndë që nuk skulpturohet nga faktorë të jashtëm si rrethanat e ndryshme shtrënguese të shtetit. Prandaj, qytetari i vendit tonë është i lirë. Por edhe i varfër. Dhe çfarë të ‘skulpturosh’ kur nuk ke vegla? Ose kur nuk i ke veglat që dëshiron? Epo, s’mund të skulpturosh atë që dëshiron. S’ mund të skulpturosh asgjë. Megjithatë edhe një material i pa formë mund të jetë artistik – edhe në amorfitetin e tij. Madje shumë ‘artistik’ për shijen e pushteteve. Dhe fundja, shija është relative.

Sidoqoftë, të jetosh në Kosovë nënkupton të jesh i detyruar të planifikosh, ëndërrosh e ndërtosh për vetveten. Por – në shumicën e rasteve - duke mos pasur mjete për realizimin e ndërtesës, ëndrrës a planit. Duke mos pasur mundësi ekonomike. Atëherë, çfarë kuptimi ka liria nëse je i varfër? Kjo vetëm sa të bën më të dëshpëruar. Sidomos në një shoqëri individualiste.

Të marrim gjeneratën e 50-60 vjeçarëve të vendit tonë sa për ilustrim. Marrë në përgjithësi, ata ndihen të padobishëm. Kjo sepse janë të mbrujtur me idenë se duhet t’ i shërbejnë kolektives. Nuk kanë dëshirat e të rinjve. Ndihen të humbur, si në një botë tjetër. Janë gjithë kohën të mallëngjyer për të kaluarën, kohë kur i shërbenin komunitetit. Sot, ndihen të zhvlerësuar nga e tashmja që nuk iu kërkon asnjë gjë. Ata nuk kanë ndonjë detyrë për të kryer. Në kohën e shoqërisë individualiste, ata nuk janë individë. Nuk kanë qasje individualiste. Nuk kanë dëshira, angazhime, qëllime. Janë thjesht si vegla jofunksionale, të dala nga përdorimi. Shoqëria jonë e bërë individualiste kërkon njerëz me dëshira, njerëz me plane, njerëz në lëvizje. Të cilët, në fund të fundit, mbeten poaq të pashpresë sikurse të moshuarit. Prandaj, emigrimi është zgjidhje për secilin që synon një pozitë tjetër ekonomike e me këtë edhe sociale e kulturore.

Varfëri në kohë ekspozimesh

Me rritjen e mundësive komunikuese është shfaqur një dukuri e re për shoqërinë tonë. Kjo dukuri është ajo e ekspozimeve. Çdokush që arrijnë të plotësoj dëshirat e tij individuale nuk heziton që t’i ekspozoj ato. Kjo mund të ilustrohet përmes emigrantëve të cilët kurdo që vijnë në Kosovë nuk denjojnë që të reklamojnë qenien e tyre të re, të ndërtuar nga dëshirat individuale. Ose më thjesht: nuk denjojnë që të shfaqin gjendjen e lakmuar ekonomike.

Megjithëse si shtytje fillestare e emigruesve që vijnë në Kosovë është përjetimi i ndjenjës së superioritetit në relacion me ‘inferiorët’ vendës, përmes ekspozimit të vetvetes ata i bëjnë reklamë mundësive ekonomike dhe kulturës së perëndimit. Përveç ndjenjës së inferioritetit që marrin në relacion me emigruesit, qytetarët me gjendje të varfër ose të mesme (po aq e pa perspektivë) informohen për gjendjen dhe mundësitë që ofron perëndimi. Një informim që ia shton tundimin për migrim.

ASK-ja thotë se 63,4% e emigruesve të mëhershëm, vizituan Kosovën tri deri në katër herë brenda vitit – gjë që evidenton kontaktin e vazhdueshëm ndërmjet qytetarit të Kosovës dhe mundësive ekonomike që jep perëndimi.

Megjithatë reklamimi nuk përfundon këtu. Fundja është dukuri e natyrshme në këtë kohë. Kjo e kallëzon frymën individualiste dhe sistemin ekonomik. Por megjithë natyrshmërinë, kjo është përgjithësisht e ndryshme për kulturën tonë, për të kaluarën tonë. Reklamat kanë një ndikim shumë më të madh tek ne sesa në një shoqëri perëndimore të mësuar me dukurinë në fjalë. Mundësitë komunikuese bëjnë që kjo reklamë të zgjerohet: ekspozohen ushqimet, pajisjet elektronike, udhëtimet, shokët, vetvetja (selfie), aktivitetet apo pasuritë e tjera. Ekspozimet nxisin xhelozinë. Dhe e bëjnë edhe më të rëndë barrën e varfërisë.

Në këtë kohë ekspozimesh, varfëria e godet fuqishëm atë që nuk ka se çka të ekspozojë. Varfëria e lë të paekspozuar, nën-sipërfaqe në mjerimin e tij individual. Në mbijetesën e tij biologjike, që e neveritë. E brenë xhelozia për secilin në sipërfaqe, për secilin që ekspozohet. Kjo rrethanë (kur je i varfër në këtë kohë të ekspozimeve) e nxitë secilin t'a mendoj seriozisht arratisjen nga kjo pozitë sociale e kulturore. Arratisja më e mirë realizohet përmes migrimeve.

Zbrazëtia kulturore

Çelja e dritares së botës përmes televizioneve, internetit por edhe diasporës ka bërë që ne t’i komunikojmë intensivisht vlerat tona kulturore me perëndimin. Por, siç ndodhë rëndom me popujt e vegjël, kulturat e tyre shkrihen pa u vënë re në kultura të mëdha. Kështu, ne u bëmë një pjesë tjetër e homogjenizuar e Evropës Perëndimore.

S’ka dyshim që jemi në një proces të pakthyeshëm të ndërtimit të një identiteti të ri kulturor. Dhe tashmë belbëzimet e para të këtij identiteti janë shfaqur. Shihni emrat e të rinjve. Aty vërejmë një përçmim në rritje për emrat e vjetër mysliman dhe një pëlqim në rritje për emrat e kulturës perëndimore. Natyrisht, si emra të ndërmjetëm janë ata iliro-shqiptarë dhe emrat që nuk kanë asnjë kuptim (kombinime shkronjash). Sidomos këta të fundit e dëshmojnë zbrazëtinë kulturore brenda qytetarit.

Por për të shmangur keqkuptimin duhet të themi që islami është viktimë e pafaj në përballjen e qytetarit me kulturën e tij. Faktikisht, shqiptarët e Kosovës nuk kanë përbuzje ndaj fesë islame por konkretisht ndaj disa prej emrave mysliman që i takonin kulturës sonë të shkuar. Përbuzja shkon për kulturën e prindërve. Për më tepër që, tashmë janë në modë emra të rinj mysliman që nuk njiheshin dikur. Shembull: emri Rrahman lëshon shije krejt tjetër prej emrit Enis megjithëse kanë të njëjtën origjinë.

Pra, shoqëria jonë është duke u zhveshur përngutshëm nga rrobat e dikurshme kulturore me dëshirën për veshjen e të rejave. Më shumë se kosovarë a shqiptarë, qytetarët e Kosovës janë evropianë. Natyrisht ka mbetje të caktuara të identitetit të kaluar por këto mbetje – vështruar nga këndi properëndimor i qytetarëve të Kosovës – shihen me përbuzje. Domosdo do të hiqen me kalimin e kohës. Kjo sepse ndjellin neveri, përçmim, përbuzje.

Nuk ka më ndonjë veçanti thelbësore që e dallon mënyrën tonë të të jetuarit nga ajo e evropianit. Ka një shkrirje të dallimeve. Mbetjet thelbësore kulturore në vende të thella rurale nuk arrijnë të ndikojnë në zmbrapsjen e këtij kapërcimi kulturor.

Në këtë pikëshikim (që i sheh mbetjet kulturore si primitive) gjejmë referencën që kërkojmë. Nëse përpiqemi të rezonojmë këtë pikëshikim (pozitë epistemike nga e cila perceptojmë, ndiejmë, kuptojmë) vërejmë qartë elemente të frymës perëndimore që e përcaktojnë atë. Pra, është një pikëshikim, këndvështrim apo pozitë e të parit që ndodhet në territorin e vlerave të perëndimit. Kultura e të kaluarës sonë nuk është a priori primitive. Është primitive vetëm nëse shikohet nga pozita për të cilën folëm.

Tashmë jemi në procesin e ndarjes nga kultura dhe nga shpirti i vendit tonë. E cila ndarje e lehton edhe më shumë ndarjen fizike të emigruesve. Nuk ka më marrëdhënie të gjalla emocionale me Kosovën. Ka vetëm nostalgji dhe kujtime personale. Këtë mund t'a vërejmë edhe përmes migruesve të mëparshëm. Kur vijnë në Kosovë, duket sikur po e vizitojnë një muzeum të gjallë nga i cili mbeten të pakënaqur. E kërkojnë me ngulm folkloriken, të shkuarën, kulturën e dikurshme brenda këtij vendi; kërkojnë njerëzit e dikurshëm. Por, kjo kërkesë nuk kënaqet nga qytetarët e Kosovës. Ata nuk duan të jetojnë si kukulla muzeumi që iu shërbejnë të tjerëve për kënaqjen e nostalgjisë. Qytetarët e vendit janë në një pozitë të ngjashme epistemike me mërgimtarin. Shkaku i nostalgjisë është e këndshme ta shohin kulturën e dikurshme në të tjerët. Por meqë pak-kush e dëshiron, kultura transportohet veç drejt muzeumeve të vërteta, ose drejt varreve të gjyshërve. Kështu i japin frymëmarrje ndryshimit kulturor në vend. Pa u zhveshur nuk mund të vishen rrobat e reja.

Sipas statistikave: 52,1% e mërgatës sonë është larguar nga Kosova në vitet e pas luftës ndërsa 47,9% në të gjitha vitet e tjera të paraluftës (dhe të luftës). Kjo statistikë është bërë në vitin 2013. Nëse do të bëhej në këtë kohë, natyrisht se do të ishte edhe më e lartë përqindja e emigruesve të pas-luftës – nëse marrim parasysh migrimin masiv të muajve të fundit. Por, në vitet e para luftës u përballëm me një sistem të egër fashist, me luftën dhe me një varfëri edhe më të gjerë. Ndërkaq vitet e pas-luftës, vitet e lirisë, nuk kanë asnjë shkak më të fortë (të dukshëm) se vitet e para-luftës dhe megjithatë e kanë prodhuar numrin më të madh të emigrantëve. Nëse emigrimi vazhdon qoftë edhe me ritmin e ngadaltë të para migrimeve masive, Kosova do të ketë problem serioz me popullsinë në vitet që vijnë.

Të përzënë nga Republika

Kosova mbetet e ngulfatur nga korrupsioni, nepotizmi në punësim dhe pasiguria për të bërë biznes. Politika është shkëputur nga interesi qytetar. Interesat vetjake të zyrtarëve të lartë dhe të grupeve të interesit po e dëmtojnë rëndë interesin e përgjithshëm. Niveli i lartë i korrupsionit dhe mos-përmirësimi i vazhdueshëm i kësaj dukurie tregon pushtimin e politikës nga interesat e grupeve të interesit. Kosova në raportin e Transparency International gjendet në vendin e 110-të në botë, në indeksin e korrupsionit. Bashkë me vende si Etiopia, Guatemala, Malavi e të tjera

Qytetarët e Kosovës janë përgjithësisht pasiv në politik-bërje. Nuk marrin pjesë në protesta apo aktivitete tjera politike. Janë të kurthuar përsëri në terrorin e shpresave, veçse tani kemi të bëjmë me shpresa të zbehta metafizike. Me shpresa që nuk futen në kornizën e reales. Shpresa për më mirë është në po të njëjtin probabilitet me shpresën religjioze për mrekulli. Kjo shpresë nënkupton pasivizimin e një raporti të caktuar ndërmjet qytetarit dhe politik-bërësit ku i pari ia lë në dorë fatin e tij këtij të fundit. Por, a është i vullnetshëm ky raport? Padyshim që jo. Shpresat janë pasojë e padëshirueshme e pamundësisë për të kërkuar. Qytetaria pasive është rrjedhojë e një qasjeje politike të pafavortë për angazhimin e qytetarëve të vendit. Njerëzit janë të vendosur para televizorëve të tyre, sepse hapësira publike është e zënë.

Pushtetet e deritashme nuk ngurruan t’i jepnin shpresa qytetarit. Por natyrisht, t’ia injoronin kërkesat.  U krijua një anonimitet i dyanshëm. Qytetari është bërë i panjohur për politik-bërësin e po kështu, edhe politik-bërësi për qytetarin. Dhe natyrisht ndërmjet të panjohurve nuk ka marrëdhënie.

“Shteti gjysmë-demokratik e i mbikëqyrur i Kosovës nga banorët e vet nuk ka arritur të formojë pjesëmarrës aktivë në proceset e ndërtimit dhe legjitimitetit  të Republikës, pra me një fjalë nuk ka krijuar qytetarin, por në vend të tyre ka krijuar subjekte të nënshtruara ndaj vendimeve të drejtpërdrejta dhe kërkesave të tërthorta ose të nënkuptueshme të aktorëve ndërkombëtar në vend, si dhe ithtarë e militantë të organizatave politike që më së paku u përngjajnë partive politike”. – shpjegon Gëzim Selaci, profesor i sociologjisë së migrimeve.

Kjo situatë është vërejtur edhe nga ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë z.Ian Cliff.

Duke folur për cilësinë e jetës në Kosovë, Cliff – për gazetën Koha Ditore - thotë se është e tmerrshme që shumica e njerëzve jetojnë në varfëri, si pasojë e hendekut që ekziston mes politikanëve dhe qytetarëve. Kurse për ata që kanë shtëpi e vetura të shtrenjta, britaniku ka dyshime se i kanë bërë nga korrupsioni.

Situata e këtillë në të cilën qytetari i vendit, si rrjedhojë e pamundësisë për të reaguar mbërthehet para televizorit të tij ku i shfaqen politik-bërësit që i japin shpresa dhe më pas i shkelin ato; ku sheh vjedhjet e mëdha që ndodhin pambarim; ku sheh një shtet jofunksional që nuk e ndikon jetën e tij qytetari merr përshtypjen se është i panevojshëm. Po kështu, neveritet nga drama që luhet pafund, me personazhe e ngjarje të njëjta. Në njëfarë mënyre, dukuritë negative janë normalizuar në ambientin tonë politik. Qytetarit nuk i mjafton më që të mbajë gjallë biologjiken e tij – siç thamë – dhe në anën politike të shërbejë vetëm si një statistikë në votime. Qytetarët duan më shumë se kaq.

Situata nuk është aspak e thjeshtë. Gjendja aktuale e qytetarëve të vendit nuk kuptohet as afërsisht nga politik-bërësit. “Hendeku mes tyre (qeverisësve) dhe qytetarëve të vuajtur është aq i madh, saqë ka humbur empatija për qytetarët. Kjo shihet edhe në gjuhën që ata përdorin kur flasin për problemet e qytetarëve.”– vëren Augustin Palokaj, gazetar.

Politik-bërësi nuk ka mirëkuptim për gjendjen. Gjendja e qytetarit është e panjohur për të. Ai e njeh atë gjendje vetëm sipërfaqësisht.  Kërkon t’a vendosë qytetarin në kuadrin e mjaftueshmërive. Kushdo që përpiqet t’a kapërcej kufirin e mjaftueshmërive shihet shtrembër.

T’ i kthehemi edhe njëherë qasjes së qeverisë për migrimet. T’ iu ndërmendim deklaratën e ministrit Stavileci:

“Nuk është mirë që me një rrogë prej 300 euro, një familje të ketë 7 fëmijë” – Blerand Stavileci, ministër i zhvillimit ekonomik.

Është e vështirë të përcaktohet se ku është referenca e kësaj deklarate. Nga ajo që pamë, familjet që emigruan nuk ishin aq të mëdha. Qytetarët nën 50 vjeç kryesisht priren drejt krijimit të familjeve më të vogëla. Familjet nëntë a dhjetë anëtarëshe, për të cilat flet ministri Stavileci, janë pjesë e periudhës së kaluar. E megjithatë, s’ mund të thuhet që e gjithë kjo nuk kishte përllogaritjet ekonomike brenda. Në fakt, i gjendur në situata të ngushta ekzistenciale secili detyrohet të kalkulojë. Prandaj, marrë në përgjithësi edhe numri i fëmijëve është kalkuluar. Sa më shumë fëmijë, aq më shumë punëtorë për familjen. Madje, aq më shumë rezistues ndaj pushtetit sërb. Pakashumë, kjo ishte logjika.

Ndërsa këto ditë, vetëdija kalkuluese vetëm sa është forcuar.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës del se 43% e qytetarëve kanë të afërm jashtë vendit. Dhe kjo – më shumë se çdo gjë tjetër – dëshmon se qytetarët e vendit nuk ikën drejt të panjohurës. Ata kanë një lidhje – megjithëse të ndërmjetësuar – me destinacionin që mësyjnë. Gjermania është vendi ku ndodhej numri më i madh i emigrantëve kosovarë në vitin 2013 (32,8%) dhe po aty është orientuar shumica e emigrantëve të fundit.

Prandaj është më se e qartë: kemi të bëjmë me një ekonomi të migrimeve. Me një strategji të mirë-menduar ekonomike.

Jemi në territorin e fjalëve boshe nëse i shohim emigrantët e fundit si ‘budallenj të zhgënjyer’ – siç flasin disa zëra opozitarë (dhe jo vetëm). Ose edhe budallenj me “I-phone” – siç u shpreh zëri kryesor i qeverisë. Emigrantët ikën duke e pasur ndërmend një plan ekonomik për veten dhe familjet. Një plan që ka bazë: 87% e kryefamiljarëve që kanë emigruar para 2013-ës janë të punësuar. Ndërsa vetëm 3% të papunë (dhe 10% me status tjetër). Kjo tregon sesi këta njerëz që ikën, kishin para vetes një shembull të realizueshëm në 87% të rasteve.

“Kosova ka një diasporë jo të vogël në shtetet perëndimore me të cilën popullsia jonë është në lidhje të ngushta, si familjarë e miq të cilët vijnë rregullisht në Kosovë për vizita. Popullsia që banon në Kosovë krahason gjendjen e tyre financiare dhe mënyrën e jetesës me gjendjen e anëtarëve të familjes e miqve nga perëndimi dhe kështu duan edhe për vete, familjet e fëmijët e tyre.” – thotë profesor Selaci.

Ekonomia e migrimeve tregon se qytetari megjithëse ndikohet nga faktorët e jashtëm është i aftë të dalë përtej tyre dhe të manovroj me ta. Ai është, në fund të fundit, vendosës i fatit të tij.

Barra e rëndë e varfërisë dhe dëshirat e mëdha për jetë më të mirë i bëjnë të papërfillshme barrierat kulturore me perëndimin dhe lidhjet edhe ashtu të dobëta me kulturën tonë. Kjo iniciativë radikale është para së gjithash ekonomike. Ekonomike për veten dhe familjet. Mediatizimi dhe politizimi i saj lëvizën mekanizma politike në vendet e perëndimit për zvogëlimin e mundësive të shqiptarëve për azil. Kthimi i tyre do të jetë i dhimbshëm. Kemi të bëjmë me mijëra iniciativa të dështuara ekonomike.

Në këtë analizë të shkurtër përshkruajtëm kushtet themelore kulturoro-sociale dhe ekonomiko-politike në të cilat qytetari e gjen veten. Kushte të cilat ndikojnë por natyrisht nuk e përcaktojnë prerë sjelljen e tij. Kjo sepse ai është subjekt. Ai është qenie e individualizuar. Dhe në këtë mënyrë, nuk përjashtohet mundësia që shumë prej tyre të kenë arsye të tjera nga këto që përmendëm.

Duhet kuptuar që në parim secili meriton të drejtën për lëvizje dhe banim të lirë.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, artikullit 13, pika 1 dhe 2; (1) Gjithkush ka të drejtën e lëvizjes së lirë, si dhe të banimit brenda kufijve të çdo shteti. (2) Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend, përfshirë dhe vendin e tij, si dhe të kthehet në vendin e tij; Konventës ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike, artikulli 12, pika 2; (2) Gjithkush duhet të gëzojë lirinë e largimit nga secili vend, përfshirë dhe vendin e tij.

Mirëpo konteksti aktual politik e pamundëson këtë të drejtë. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që vuajnë regjimin e vizave në vendet evropiane. Pra, ai trajtohet në mënyrë të padrejtë nga politika vendore dhe nga politika ndërkombëtare. Lidhet kështu në mënyrë të padrejtë me një shtet dhe një fat të padashur.

Në kontekstin socio-kulturor qytetari i sotëm e ndjenë veten të humbur në individualitetin e tij. Ndjehet krejtësisht i zbrazët kulturalisht. Bota e tij individuale nuk e lejon të ketë dashuri mazohiste për shtetin. Dashuria e tij mund të jetë vetëm reciproke. Dhe meqë Kosova nuk i jep atë që kërkon ai nuk ngurron që të emigrojë.