English
Scroll top

Monopoli komunal në reklama

Komuna e Prishtinës i ka dhënë një kontratë pa tender kompanisë AMM në vitin 2001, me një kohëzgjatje prej shtatë vitesh. Ndërsa në vitin 2006, përmes një tenderi tjetër, Komuna ka ndërhyrë, duke ia vazhduar kontratën kompanisë AMM edhe për gjashtë vjet tjera deri më 2012. Me këtë veprim, është krijuar monopol në vendosjen e reklamave dhe është shkelur Ligji për Konkurrencën. Komuna e mban këtë kontratë sekrete dhe nuk lejon askënd të ketë qasje në të, përfshirë edhe...

Prishtinë, 17 Janar 2012

Jo vetëm kontrata e Qeverisë me konzorciumin “Bechtel Enka” është sekrete dhe askush nuk mund që të ketë qasje në të, por edhe Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga lideri i opozitës dhe LDK-së Isa Mustafa, mbanë sekrete kontratën që e ka nënshkruar komuna me kompaninë AMM, kompani kjo që merret me vendosjen e reklamave dhe billbordeve në hapësirat publike të Prishtinës.

Komuna e Prishtinës i ka dhënë këtë kontratë pa tender kompanisë AMM në vitin 2001, me një kohëzgjatje prej shtatë vitesh, deri më 2007, si formë kompensimi pasi që kjo kompani ka vendosur disa stacione të autobusëve urban në Prishtinë. Zyrtarët e prokurimit të komunës së Prishtinës, thonë se kjo kontratë është dhënë pa tender, sepse sipas tyre më 2001 nuk ka pasur infrastrukturë ligjore përkatëse rreth koncesionit, që kjo kontratë të merret me tenderim të rregullt. Ndërsa në vitin 2006, komuna e Prishtinës ka shpallur një tender për ndërtimin e disa kioskave dhe fitues e ka shpallur kompaninë AMM dhe përmes këtij tenderi ia ka vazhduar kontratën e vitit 2001 deri më 2012, duke krijuar monopol në vendosjen e reklamave në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës, përmes këtij veprimi ka shkelur Ligjin për Konkurrencën, i cili e ndalon monopolin dhe pozitën dominuese të një kompanie në treg. Ligji për Konkurrencën në pjesën IV, konkretisht neni 14.1 ndalon monopolin dhe shpërdorimin e pozitës dominuese. “Ndalohet shpërdorimi i pozitës dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje”. Ndërsa neni 14.2 i këtij ligji thotë se “një ndërmarrje konsiderohet të ketë pozitë dominuese nëse ka pjesëmarrje më të madhe se 40% në treg”. Përderisa, AMM mbanë 100% të së drejtës mbi vendosjen e reklamave në Prishtinë.

Por, kompania AMM nuk e ka marrë rastësisht këtë kontratë. Kjo kompani e ka përkrahur financiarisht Lidhjen Demokratike të Kosovës gjatë fushatave elektorale dhe duke shfrytëzuar këtë “Partneritet”, nuk e ka rrezikuar kontratën që nga viti 2001.

Edhe pse drejtori i AMM-së Gëzim Salihu, thotë se u ka dhënë donacione përmes reklamave katër partive më të mëdha politike në vend, në Deklaratat Financiare të Raportit të Auditorit të Pavarur për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, rezulton se kompania e tij i ka ofruar reklama pa pagesë vetëm LDK-së me vlerë prej 9 mijë e 500 euro.

“Preportr” ka kërkuar zyrtarisht qasje në këtë kontratë që nga data 29 nëntor 2011, por që nuk është lejuar qasja në të.

Komuna e Prishtinës, përmes këtij veprimi ka shkelur Ligjin për Konkurrencën, i cili e ndalon monopolin dhe pozitën dominuese të një kompanie në treg.

Shefi i prokurimit të komunës së Prishtinës Ekrem Rexha, fillimisht ka premtuar se do të mundësojë qasjen në këtë kontratë, por ai për më shumë se një muaj i ka ikur takimeve dhe as që është përgjigjur asnjëherë në telefon, duke tentuar që t’i shmangët çdo lloj kontakti eventual. Pas gjithë kësaj “loje”, ai ka thënë se në këtë kontratë nuk mund të ketë qasje askush, ndërsa nuk ka dhënë ndonjë arsye konkrete pse kjo kontratë po mbahet sekrete. Mbajtja sekret e kësaj kontrate krijon dyshime në lidhje me mënyrën e dhënies, e sidomos tek përfitimet që dalin nga kjo kontratë.

Përfitime jo proporcionale në favor të kompanisë

Kjo kontratë i siguron përfitime të mëdha financiare kompanisë AMM, ndërsa drejtori i kësaj kompanie Gëzim Salihu, thotë se edhe komuna e Prishtinës ka përfitime. “Nga kjo kontratë fiton edhe Komuna e Prishtinës sepse merr 25% të fitimit. Sa i përket përfitimeve të komunës së Prishtinës, komuna merr përafrisht 130 mijë euro në vit”, thotë Salihu. Nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë në bazë të ndarjes se përqindjes, rezulton se të hyrat e kompanisë AMM nga kjo kontratë janë rreth 372 mijë euro në vit.

Sa i përket përfitimeve të komunës së  Prishtinës, komuna merr përafërsisht 130 mijë euro në vit. Kurse kompania AMM, merr nga kjo kontratë rreth 372 mijë euro në vit.

Gjithashtu kjo kontratë i ofron komoditetin kësaj kompanie, sepse inspektorati për shërbime publike i Komunës së Prishtinës është në shërbim saj, duke qenë se nëse ndonjë kompani apo ndonjë biznes tjetër vendos ndonjë reklamë apo billbord në ndonjë vend publik të Prishtinës, inspektorati është i detyruar që t’ia largon ato. Pra çdo kompani tjetër private që dëshiron ta vendos një billbord në Prishtinë, këtë mund ta bëjë vetëm përmes AMM-së.

“Pikat e reklamave dhe tërë kontrata menaxhohen nga drejtoria e shërbimeve publike dhe në princip ata nuk lejojnë uzurpimin e hapësirave publike, kur dihet se ka ndërhyrje të shumta nga operatorë ilegalë me reklamat apo billbordat e tyre”, thotë Ekrem Rexha.

Kontratë pa tender

Drejtori i kompanisë AMM, Gëzim Salihu thotë se kjo kompani është përfaqësuese e tri kompanive të huaja. Ai thotë se marrëveshja me Komunën e Prishtinës është bërë pasi që AMM ia ka dhënë një donacion komunës dhe si “kompensim” e kanë fituar këtë kontratë. “Tri kompani të huaja Decaux e Francës, Europlakat dhe Anhynler e Austrisë, kanë shprehur interesim që të investojnë në Kosovë në industrinë e reklamave dhe është arritur në atë kohë marrëveshje me Komunën e Prishtinës, ku këto tri kompani kanë marrë obligim që të japin donacion Komunës së Prishtinës me vlerë rreth 500 mijë euro, që i bie ndërtimi i diku 40 stacioneve të autobusëve të trafikut urban dhe për këtë e ka të drejtën që t’i vendos reklamat dhe objektet reklamuese në komunën e Prishtinës”, thotë Salihu.

Ai thotë se kjo kontratë është marrë pa tender, sepse sipas tij, kur është nënshkruar nuk ka pasur infrastrukturë përkatëse ligjore për këtë çështje. “Nuk ka pasur ligje të tilla për tender dhe kjo punë është marrë pa tender”, ka thënë Salihu.

Komuna ia vazhdon kontratën përmes një tenderi tjetër!

Edhe pse drejtori i AMM-së Gëzim Salihu, thotë se 25 % të fitimit i merr komuna e Prishtinës, shefi i prokurimit të Komunës së Prishtinës Ekrem Rexha, thotë se fitimi nuk është i ndarë me përqindje, por ka pasur të bëjë me furnizime me ato stacione të autobusëve urban të cilat kanë mbetur në pronësi të komunës dhe pagesa e taksës së shfrytëzimit të hapësirës publike nga ana e kompanisë AMM. “Në vitin 2001 menaxhimi financiar, lokal dhe qendror është udhëhequr nga administrata e UNMIK-ut. Me pëlqimin e tyre me datën 27.04.2001 është nënshkruar kontrata me emërtimin ‘Kontrata për vendosje dhe reklamim në objekte reklamuese dhe vendosje të stacioneve të transportit urban’. Kriteret kanë qenë sipas administratës së UNMIK-ut të cilat nuk mund t’i quaj as të mira as të këqija. Ka qenë e specifikuar që e drejta e shfrytëzimit të hapësirave reklamuese të fitohet si kompensim i furnizimit të vendosjes së stacioneve të transportit urban dhe zgjatë 7 vjet nga vendosja e stacionit të fundit urban. Stacioni i fundit është vendosur me datë 20.10.2004, kur edhe kontrata merr formën përfundimtare për realizmin e periudhës për 7 vjet. Në të njëjtën kohë kompania AMM ka kryer edhe pagesat e tarifave për reklamat të parapara në rregulloren përkatëse, gjegjësisht në kontratën midis palëve”, u shpreh Rexha.

Fitues është shpallur kompania AMM si oferta më e mirë dhe praktikisht është “ndërhyrë”, në afatin e mëparshëm të kontraktuar.

Ekrem Rexha

Ai thotë se në vitin 2006 komuna ka shpallur tenderin publik për furnizim me kioske sipas projektit të vet (50 kioske në dy pjesë 20+30) dhe si formë të kompensimit ka paraparë dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike për kohë të caktuar për furnizuesit me kioske. “Fitues është shpallur kompania AMM si oferta më e mirë dhe praktikisht është “ndërhyrë”, në afatin e mëparshëm të kontraktuar. Vlefshmëria e kësaj kontrate të nënshkruar me datën 07.12.2006 është gjashtë vjet, pra deri më 07.12.2012”, ka thënë Rexha.

Kontratën nuk e kanë parë as këshilltarët komunalë

Shemsi Veseli, thotë se kjo kontratë që nga fillimi ka qenë jotransparente dhe se nuk janë dhënë kurrë detajet e kësaj marrëveshje që kanë të bëjnë me ndarjen e fitimit, kohëzgjatjen e kontratës etj. Ai thotë se ka kërkuar disa herë nga kryetari i komunës së Prishtinës që të marrë informacione për këtë kontratë, por kurrë nuk ka marrë asnjë informacion dhe duke marrë parasysh këtë fakt, ai thotë se dikush është duke përfituar në mënyrë të paligjshme. “Unë kam kërkuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës disa herë se si e ka fituar kjo kompani këtë tender, si është marrëveshja, sa përfiton komuna  dhe sa kompania, sa vjet zgjatë kontrata, kur ka marrë vendim komuna për  dhënien e kësaj kontrate, por asnjëherë nuk më kanë kthyer përgjigje. Përqindja nuk dihet se qysh e kanë, por unë si shef i Grupit parlamentar dhe anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa dhe që ligjërisht është obligim që të informohem për këtë kontratë nuk kam marrë kurrë informacione se sa është përqindja e fitimit. Pra kjo lënë për të dyshuar se dikush ka një leverdi në këtë drejtim. Nëse  marrim parasysh se sa billborda janë, sa reklama bëhet dhe kur bëhet përfitimet këtu janë të mëdha. Sipas informatave të sigurta që i kam, të njerëzve që merren me reklama me aktivitete jo shumë të mëdha, minimumi që fitojnë është 200 mijë euro brenda vitit. Dhe duke marrë parasysh se në këtë kontratë nuk ka llogaridhënie, ka hapësirë për të dyshuar se dikush nga komuna mundet me qenë i involvuar në keqpërdorimin e këtyre mjeteve. Një çështje tjetër që nuk është transparente është se në bazë të cilit kriter apo të cilit konkurs kompania AMM  e bënë këtë punë, e ka marrë këtë kontratë”, theksoi Veseli.

Berim Ramosaj ishte kryeshef ekzekutiv i Komunës së Prishtinës në kohën kur i është dhënë AMM-së kjo kontratë. Ramosaj thotë se nuk i kujtohen të gjitha detajet e kësaj kontrate, pasi që sipas tij, kanë kaluar disa vjet që kur është nënshkruar kjo kontratë. Ai thotë se kjo kontratë është dhënë pa tenderë, pasi që në atë kohë nuk ka pasur ligj për partneritet publiko-privat. “Kjo kontratë kur është nënshkruar nuk ka pasur infrastrukturë ligjore siç është krijuar më vonë Ligji për Partneritet Publiko-Privat. Kjo kontratë është realizuar disa vite më parë dhe unë nuk i mbaj mend të gjitha detajet që kanë të bëjnë me afatet kohore dhe detaje tjera. Por  e di që kjo kompani ka dhënë një donacion për komunën dhe në bazë të kësaj është bërë kontrata dhe sa e di edhe komuna merr një përqindje nga kjo kompani”, thotë Ramosaj.

KRPP do ta hetojë legjitimitetin e ndërhyrjes në kontratë

Në lidhje me legjitimitetin e kësaj ndërhyrje, Departamenti i Rregullave në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, nuk ka dhënë një përgjigje të prerë se a ka bërë shkelje ligjore komuna e Prishtinës me rastin e vazhdimit të kësaj kontrate.

“A ka pas të drejtë apo jo Komuna e Prishtinës në këtë rast, KRPP nuk mund të konstatojë përmes një interpretimi në bazë të të dhënave të shkresës suaj. KRPP, sipas autorizimeve të Ligjit për Prokurimin Publik Nr. 04/L-042, do të monitorojë aktivitetet e prokurimit të ushtruara nga autoritetet kontraktuese në Kosovë qoftë mbi bazat e planifikimit për monitorim, apo të rastit - sipas kërkesës me qëllim të monitorimit të zbatimit të dispozitave të këtij ligji dhe rregullave të prokurimit të nxjerra nga KRPP në bazë të këtij ligji”, thotë ky departament.

Ndërkaq, kryetari i KRPP-së Safet Hoxha, ka thënë se kjo kontratë do të monitorohet dhe mund edhe që të fillojë hetimi për vazhdimin e kontratës në fjalë. “Ne e kemi marrë shkresën e juaj, pra informacionet për këtë kontratë në mes të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë AMM dhe ne si KRPP do ta bëjmë monitorimin e këtij rasti dhe nëse gjejmë elemente që duhet të hetohen do të fillojmë edhe një hetim për këtë rast”, ka thënë Hoxha.