English
Scroll top

Milionat e paefektshme

Në tetë vitet e fundit në fushën e bujqësisë në formë të granteve dhe subvencioneve janë investuar mbi 238 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë. Sipas njohësve të fushës së ekonomisë dhe bujqësisë, këto investime nuk kanë dhënë efektet e pritura dhe se nuk kanë ndikuar sa duhet në rritjen e eksportit dhe ndaljen e importit për disa nga produktet bujqësore. Edhe analizimi i të dhënave të investimeve, eksportit dhe importit tregon se grantet nuk kanë dhënë rezultate

Prishtinë, 09 Tetor 2019

Hiq më pak 238 milionë e 797 mijë e 776 euro janë investuar në periudhën 2010-2018 nga Ministria e Bujqësisë në formë të granteve dhe subvencioneve. Përmes granteve janë përkrahur disa sektorë si ai i rrushit, vezëve, përpunimi i qumështit, mishit, perimeve, sektori i prodhimit të verës mjaltit etj. Ndërsa, në formë të subvencioneve janë përkrahur fermerët që merren kryesisht me kultivimin e grurit, misrit, farës së grurit, elbit, thekrës, lulediellit, vreshtave, perimeve në fushë të hapur, pemishteve ekzistuese, bujqësisë organike dhe në vitin 2017 për herë të parë ka filluar edhe subvencionimi i verës.

Një raport i publikuar nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB) për periudhën 2010-2018, tregon se Rahoveci (616 grante), Skenderaj (277) dhe Prishtina (251) janë komunat ku numri i përfituesve të granteve ka qenë më i madh në krahasim me komunat tjera.

Por, këto investime në fushën e bujqësisë nuk i kanë përmbushur pritjet e ekonomistëve dhe përfaqësuesve të bujqve.

Alban Hashani drejtor i Institutit riinvest thotë se bujqësia ka potencial që të ndihmojë rritjen ekonomike, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe zbutjen e deficitit tregtar.

Sipas tij, ky sektor nuk duhet të konsiderohet si shtylla parësore ku Kosova duhet të bazojë zhvillimin.

Ai thotë se përzgjedhja e sektorit të bujqësisë për t’u mbështetur nga qeveria ka pasur për qëllim parësor rritjen e punësimit.

“Duke qenë së bujqësia është, sipas përkufizimit, sektor që varet shumë nga fuqia punëtore, ky qëllim mund të jetë i arsyeshëm. Megjithatë, mënyra se si këto skema të mbështetjes, përmes granteve dhe subvencionimit, janë dizajnuar, dhe më me rëndësi, si janë zbatuar nuk kanë dhënë rezultatet e pritura”, thotë Hashani.

Ai thotë se në kuadër të platformës “Debatet në Riinvest”, është diskutuar dhe evidentuar se përkundër ndihmës domethënëse në sektorin e bujqësisë, niveli i prodhimit bujqësor në disa nën-sektorë, jo vetëm që nuk ka prodhuar rezultate pozitive, por e njëjta ka dëmtuar tregun.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për faktin se subvencionimi ka qenë i lidhur gati ekskluzivisht me mbështetjen e inputeve dhe se kjo ka stimuluar, krahas bujqve të njëmendë, edhe pronarë tjerë tokash që të merren me bujqësi të shtyrë vetëm nga këto skema mbështetëse.

Hashani thotë se në këtë kuadër, rekomandimi i Riinvestit ka qenë që subvencionimi të ndahet në mënyrë që një pjesë të jetë e lidhur me inputet, ndërsa pjesa tjetër të lidhet me nivelin e rendimentit.

“Kjo do t'i kishte të paktën dy efekte pozitive. Së pari do të rritej niveli i produktivitetit në sektorë dhe niveli i rendimentit që për rrjedhojë do të ulte importet nga jashtë. Së dyti, do të mundësonte formalizimin më të madh të sektorit, pasi që bujqit, në mënyrë që të gëzojnë mbështetjen e lidhur me rendimentin duhet të deklarojnë atë, themi në qendrat e grumbullimit”, thotë Hashani.

Edhe një hulumtim i mëhershëm i Preportr ka treguar se investimet që janë bërë nga Ministria e Bujqësisë nuk kanë pasur efekte tek rënia e importit përkatësisht rritja e eksportit. Në këtë hulumtim janë krahasuar produktet për të cilat janë ndarë grante dhe subvencione me eksportin dhe importin. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi për këto produkte është rritur për 21 milionë euro, ndërsa eksporti është rritur vetëm për 900 mijë euro.

Tetë milionë euro u miratuan pa analizë paraprake

Sektori i bujqësisë financohet nga fondet publike të nivelit qendror dhe lokal me rreth 48 milionë euro në vit. Por, mbështetja e bujqësisë është përcjellë me mangësi të shumta, të cilat rrezikojnë efektivitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë.

Këtë e thekson një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) lidhur me menaxhimin e granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë.

Sipas këtij raporti i cili u publikua në vitin 2019, Programi për Zhvillim Rural 2014-2020 është zbatuar pa u dërguar për miratim. Programet vjetore nuk menaxhohen mirë, derisa procesi nga aprovimi deri te nënshkrimi i kontratës me fermerë zgjatë shumë.

“Monitorimi dhe kontrollet nuk janë adekuate dhe nuk sigurojnë Qeverinë për përdorim të drejtë dhe efikas të mbështetjes”, thuhet ndër të tjera në raport.

Raporti thekson se mungojnë të dhënat për rezultatet e synuara dhe nuk ka shënime që tregojnë se këto fonde dhe mënyra e mbështetjes nga ministria kanë ndikuar në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, si faktor i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Sipas raportit të ZKA-së, MBPZhR-ja ka miratuar dy programe të veçanta të mbështetjes financiare në vlerë tetë milionë euro të cilat janë miratuar pa analizë paraprake.

“Mekanizmat e vendosur nga ministria nuk kanë arritur të menaxhojnë si duhet procesin e dhënies së granteve dhe subvencioneve i cili është përcjellë me vonesa deri në tetë muaj sikurse që ka mangësi në vlerësimin e aplikacioneve të fermerëve”, thuhet në raport.

Një nga problemet që janë shfaqur gjatë viteve të fundit është edhe kontrolli i zbatimit të granteve nga fermerët. Komunat nuk kryejnë kontrolle pas dhënies së granteve apo subvencioneve dhe si pasojë nuk kanë informata nëse kanë ndikuar në përmirësimin e sektorit të bujqësisë apo nëse fondet janë përdorur për qëllimin për të cilin janë dhënë.

Raporti i ZKA-së ka gjetur se kontrolli i realizimit të granteve ka mangësi. Pra shumë grante nuk e kanë arritur qëllimin e duhur, nuk e kanë bërë investimin siç duhet dhe rrjedhimisht kjo nuk ka përmbushur synimin që përmes atij granti të ketë zhvillim të sektorit të bujqësisë dhe hapje të vendeve të punës.

ZKA ka përzgjedhur gjashtë mostra të granteve për vëzhgim fizik, dy për secilin vit (2016, 2017 dhe 2018). Nga vëzhgimi ka vërejtur se në pesë raste mungonte logo që identifikon investimin e mbështetur nga Ministria. Tri prej tyre, kanë përfunduar ndërtimet, por nuk kanë qenë aktive sipas parashikimit në projekt.

“Mbështetja nga ministria në këto projekte ishte 1.1 milionë euro. Në këto tri projekte-biznese është parashikuar të punësohen nëntë persona dhe të hyrat mesatare janë parashikuar 200 mijë euro në vit. Po ashtu, nuk i kanë përdorur pajisjet solare dhe pajisjet tjera që i kanë përfituar nga projekti. Në një rast pajisjet e financuara nga Ministria nuk ishin në objekt. Në këto raste, përfituesit nuk kanë përmbushur detyrimet e parapara me kontratën e përfitimit. Ndërsa, agjencia ka dështuar në kontrollet e saj”, thuhet në raport.

Gjithashtu ZKA ka bërë testime edhe për ndarjen e subvencioneve. Gjatë auditimit janë përzgjedhur gjithsej 57 aplikacione. Në bazë të vlerësimit të mostrave është gjetur se mungojnë dëshmi nga kadastra mbi sipërfaqen e tokës së punueshme në pronësi ose kopjen e kontratës që dëshmon disponueshmërinë e tokës bujqësore. Po ashtu, dëshmia për pagesën e tatimit mbi pronë dhe sipërfaqja e hijezuar apo përcaktuar nga aplikacioni SLPIS (Sistemi i Thjeshtësuar i Identifikimit të Parcelave të Tokës) nuk janë dëshmi relevante që mund të dëshmojnë se parcela për të cilën është plotësuar aplikacioni është e saktë.

Një monitorim të tillë në terren e ka realizuar edhe Preportr dhe ka gjetur stalla që janë ndërtuar, por nuk janë funksionale. Pra kostoja e tyre është mbështetur me 70 për qind të parave publike dhe kanë mbetur të pashfrytëzuara. Ndërkaq në anën tjetër janë evidentuar shumë fermerë që detyrohen t’i shesin një pjesë të bagëtive gjatë sezonit të dimrit për shkak se nuk kanë stalla.

Edhe në Raportet për Vendin të Komisionit Evropian për Kosovën në viteve të fundit, është vlerësuar se ka progres të ulët në zbatimin e Programit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (2014-2020). Raportet kanë theksuar se ka trend të rritjes së buxhetit për sektorin e bujqësisë, por kanë shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën e monitorimit të granteve dhe subvencioneve nga institucionet përkatëse që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Nuk janë arritur rezultatet e pritura

Preportr ka bërë disa krahasime për të parë ndikimin e investimeve në raport me prodhimin, importin, eksportin, konsumin dhe ndikimin e bujqësisë në zhvillimin ekonomik.

Për të parë këtë ndikim, janë marrë për bazë produktet në të cilat është investuar më së shumti, si qumështi, mishi i gjedheve, gruri si dhe perimet. Pra janë analizuar investimet në serra, investimet për perime në fushë të hapur, në ferma për lopë qumështore, subvencionet për qumësht dhe për lopë qumështore, stallat për trashjen e viçave dhe subvencionet për grurë.

Ministria viteve të fundit mbështetë fermerët me subvencione për grurë në vlerë rreth 6 milionë euro.

Më 2013 u investuan në këtë kulturë 5.8 milionë euro, në vitin 2014 5.5 milionë euro dhe më 2015 investimi është më i madh për gati 1 milion euro, saktësisht 6 milionë e 412 mijë e 884 euro.

Sa i përket eksportit, në vitin 2013 nuk ka pasur fare eksport të grurit. Në vitet vijuese, 2014 dhe 2015 ai ishte shumë i vogël përkundër rritjes në vitin 2015. Më 2015 eksporti është rritur në 203 mijë kilogramë me vlerë prej  57 mijë e 855 euro.

Te importi gjendja qëndron ndryshe, në vitin 2013 u importuan 53.5 milionë kilogramë në vlerë prej  11.8 milionë euro. Më 2014, pati një rënie për 13.8%. Më 2015 importi është rritur në 61.6 milionë kilogramë në vlerë prej 12.7 milionë euro.

Dallimi në mes importit dhe eksportit të këtij produkti për tri vitet në fjalë është mjaft i lartë. U eksportuan 252 mijë kilogramë grurë në vlerë 67 mijë euro. Ndërsa importi ishte 161.3 milionë kilogramë grurë në vlerë prej 34.8 milionë  euro.

Ministria e Bujqësisë ka investuar edhe në projekte për trashjen e viçave, por edhe pse ka pasur investime të miliona eurove, nuk është ulur aspak importi në tri vitet e lartcekura. Në vitin 2013 janë investuar 596 mijë e 526 euro për trashjen e viçave. Në vitet 2014 dhe 2015 për trashjen e viçave dhe përpunimin e mishit janë investuar 6.5 milionë  euro.

Të dhënat e doganës tregojnë se përkundër këtyre investimeve, në periudhën 2013-2015 ka pasur një trend të rritjes së importit për mishin e gjedheve. Në vitin 2013 janë importuar 6.4 milionë kilogramë mish të gjedheve, vlera e të cilave ishte 16 milionë  euro, ndërsa në vitin 2014 importi ishte 9 milionë kilogramë në vlerë 21.4 milionë euro. Krahasuar me vitin 2013 i bie që ka pasur rritje të importit për 2.8 milionë  kilogramë, ndërsa vlera e importit është rritur për 5.3 milionë euro. Në vitin 2015 importi i mishit të gjedheve ishte 8.1 milionë kilogramë, që ka pasur koston 21.5 milionë euro. Pra ka pasur një rënie të importit për 1.1 milionë kilogramë, por jo edhe të vlerës në para, pasi që këtë vit krahasuar me vitin 2014 vlera e importit ka qenë më e madhe për 142 mijë e 654 euro.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015 sasia e importuar është rritur për 26%, ndërsa vlera në euro e importit është rritur për 34.5%

Se investimet për plotësimin e nevojave me mish të gjedheve nuk kanë pasur efekt tregojnë edhe shifrat e eksportit. Kosova në vitin 2013 dhe 2014 nuk ka eksportuar asnjë kilogram mish të gjedheve, ndërsa në vitin 2015 ka eksportuar vetëm 1000 kilogramë, vlera e të cilave ka qenë  5 mijë e 500 euro.

Rendimente të pritura nuk kanë dhënë as investimet në sektorin e qumështit dhe sektori i perimeve.

Fermerët u refuzuan pa iu shqyrtuar projektet

Rritja e buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë në vitet e fundit, ka rritur në masë të madhe edhe interesimin e bujqve për të përfituar grante. Ministria e Bujqësisë ka kritere goxha rigoroze të dhënies së granteve, aty ku derdhet shumica e buxhetit të kësaj ministrie, por bujqit nuk janë shumë të kënaqur as me shpërndarjen dhe mënyrën se si jepen këto grante. Ata ankohen edhe për ndryshime të shpeshta të udhëzimeve administrative, ku vendosen kritere të reja, ndërsa bujqit nuk i shohin me kohë këto kritere dhe për pasojë iu refuzohen aplikacionet.

Bujqit janë refuzuar në mënyra të ndryshme, por më së shpeshti është hasur në bujq që thonë se janë refuzuar sepse u ka munguar ndonjë dokument.

Sipas të dhënave që Preportr ka nxjerrë nga listat që i ka publikuar AZhB-ja në ueb-faqe, rezulton se në vitet 2015-2018 një numër i konsiderueshëm i fermerëve janë refuzuar pa ua shqyrtuar fare aplikacionet.


Të dhënat tregojnë se zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë për shkak të gabimeve të tyre ua kanë çuar huq gjithë mundin e fermerëve, por i kanë dëmtuar edhe financiarisht, pasi që shumica e fermerëve për një projekt paguan së paku nga 200 deri 500. Fermerët thonë se ka raste kur refuzohen për shkak të mungesës së kopjes së xhirollogarisë, kopjes së letërnjoftimit apo dokumenteve tjera që mund të dërgohen brenda ditës.

Në udhëzuesin për aplikues që gjendet në uebfaqen e AZhB-së, në faqen 26, ku janë procedurat për aplikues, thuhet se në rast të mungesës së ndonjë dokumenti të detyrueshëm, zyrtari i AZhB-së nuk e pranon aplikacionin.

“Aplikuesi ka afat deri në përfundim të thirrjes për aplikim që t'i kompletojë dokumentet. Në rastet kur kërkohen kopje të dokumenteve, dokumentet në origjinal duhet t'u prezantohen zyrtarëve të Agjencisë së Pagesave”, thuhet në këtë udhëzues.

Grantet dhe subvencionet u ndanë me favorizime

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës të Sindikatës së Bujqve të Kosovës thotë se ka pasur investime të miliona eurove në fushën e bujqësisë, por sipas tij, gjithë këto miliona nuk e kanë dhënë efektin e duhur për zhvillimin e këtij sektori.

“Nuk është realizuar qëllimi i dhënies së këtyre granteve dhe subvencioneve. Për shkak se këto janë dhënë me keqpërdorime dhe me favorizime nuk e kanë dhënë efektin e duhur. Gjithashtu tregu ka qenë i papërshtatshëm sepse kemi pasur vazhdimisht konkurrencë të pabarabartë”, thotë Tahiri.

Ai thotë se bujqit që kanë qenë në prodhimtari dhe ata që kanë hyrë më vonë, janë zhgënjyer sepse nuk kanë punuar me profit dhe se për këtë arsye disa kanë heq dorë nga kjo veprimtari.

“Kemi informacione se bujqit po e lënë veprimtarinë e tyre dhe po ikin jashtë vendit. Kjo është shumë shqetësuese dhe zhgënjyese për neve si sindikatë”, u shpreh Tahiri.

Kryesindikalisti Tahiri mendon se në mënyrë që grantet dhe subvencionet të kenë efekt pozitiv në zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë, së pari duhet të luftohet korrupsioni në Ministrinë e Bujqësisë.

“Ne si sindikatë jemi të gatshëm t’u ndihmojmë institucioneve qeveritare dhe atyre lokale për ta orientuar buxhetin aty ku duhet të investohet dhe aty ku mund të përparohet në bujqësi në të gjitha sferat”, theksoi Tahiri.

Por ndryshe mendon Ekrem Gjokaj, kryeshef në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB). Ai thotë se të dhënat tregojnë se ka rritje të prodhimtarisë, të konsumit të brendshëm dhe të punësimit.

“Edhe pse viteve të fundit kemi pasur një trend të rënies së eksporteve në nivel vendi, e vetmja është fusha e bujqësisë që ka pasur rritje të eksportit të produkteve bujqësore”, thotë Gjokaj.

Gjokaj thotë se synimi i AZhB-së është që përveç eksportit, kur kemi potencial të eksportojmë, të rritet konsumi i brendshëm. Të rritet produktiviteti në nivel të fermës, pasi që dihet Kosova njihet për produktivitet shumë të ulët krahasuar me vendet e rajonit.

“Synimi ynë është që të eksportojmë aty ky kemi potencial dhe ta zëvendësojmë importin për aq sa kemi mundësi me produkte bujqësore”, ka thënë Gjokaj.

Ai thotë se kërkesat për grante janë shumëfish më të mëdha sesa buxheti që e ka në dispozicion Ministria e Bujqësisë për këtë formë të përkrahjes.

Gjokaj fton të gjithë fermerët që të aplikojnë, ndërsa thotë se do të ketë vlerësim korrekt nga komisionet përkatëse dhe në rast se ndonjë fermer është i pakënaqur me vlerësimin, e ka mundësinë të shkojë në AZhB dhe ta shohë nga afër dosjen e tij dhe pikët që i ka fituar në aplikacionin e tij.