English
Scroll top

Memoriali “Ibrahim Rugova” drejt përfundimit

Izolimi i pllakave në memorialin “Ibrahim Rugova”, në Istog po bëhet për herën e tretë. Dy herët e kaluara kompanitë kontraktuese kishin dështuar ta kryejnë këtë punë siç duhet. Ky projekt ka filluar në vitin 2015 dhe është shoqëruar me shumë probleme

Prishtinë, 20 Shkurt 2019

Punimet për ndërtimin e memorialit “Ibrahim Rugova”, në qendër të Istogut gati kanë përfunduar. Kjo është faza e katërt e punimeve që bëhen në këtë projekt. Kontratën për kryerjen e punimeve e ka fituar kompania nga Istogu “Çeta - General Invest Group”. Vlera e kontratës është 348 mijë e 934 euro.

Fillimisht kontratën e ka fituar operatori ekonomik “N.P Izolimi” nga Prishtina si operatori ekonomik më çmimin më të ulët prej 319 mijë e 966 euro. Ky operator e kishte ofertën më të ulët se ai fitues për 28 mijë e 968 euro. Pas ankesës që ka bërë “Çeta - General Invest Group”, procesi është pezulluar dhe tenderi ka shkuar në rishqyrtim dhe pas rishqyrtimit komuna e ka shpallur fituese kompaninë në fjalë.

Në dokumentet përkatëse të dosjes së tenderit thuhet se pas rishqyrtimit, kompania “N.P Izolimi”, nuk i ka plotësuar disa kritere dhe për këtë arsye nuk e ka fituar kontratën.

“Pjesës së dosjes së ofertës tuaj i mungojnë kërkesa e përshtatshmërisë, nuk është në pajtim dëshmia juaj e dosjes. Kërkesa e kapaciteteve teknike dhe profesionale. Dëshmia juaj në dosje për menaxherin e projektit është diploma (kopje). Kërkesat teknike, kërkesa për tri mjetet e punës – dëshmia e juaj në dosje nuk është në pajtim me kërkesat e FLD-së (evidenca certifikata ISO 9001:2015), një autovinç – mjet ngritës me pirun, një vinç, një gjenerator”, thuhet ndër të tjera në letrën standarde për tenderuesin e eliminuar, që Komuna e Istogut ia ka dërguar operatorit ekonomik “N.P Izolimi”.

Çuditërisht mungesa e këtyre dokumenteve nuk është vërejtur herën e parë në procedurat e vlerësimit. As kompania “N.P Izolimi” nuk ka bërë ankesë në lidhje me këtë vendim.

Nga Zyra për Informim e Komunës së Istogut na është thënë se rekomandimi i komisionit ri-vlerësues ka qene që të shpërblehet kompania “Çetta - Invest Genaral Group” me arsyetimin se është oferta e vetme përgjegjëse, pas ankesës që ka bërë kjo e fundit në afatin e paraparë dhe duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Kontrata fitohet ne momentin e nënshkrimit të saj. Pas rekomandimit të komisionit për vlerësim të ofertave, zyra e prokurimit bënë njoftimin për vendimin e autoritetit kontraktues”, thuhet në përgjigje.

Tri herë izolim

Punimet në memorialin “Ibrahim Rugova”, po kryhen me një dinamikë të shtuar. Ekipi i Preportr ka vizituar vendpunimin dhe aty ishte duke punuar kompania “N.P Izolimi”, e cila tashmë është angazhuar si nënkontraktor për kryerjen e disa punëve që kanë të bëjnë me izolimin e pllakave të memorialit.

Preportr ka raportuar për disa parregullsi që kanë ndodhur në realizimin e këtij projekti qysh në fazën fillestare. Dy tenderë iu patën dhënë kompanisë së vëllait të asambleistit të LDK-së, që gjatë punimeve kishte blerë beton nga kompania e vëllait të kryetarit të Istogut, Haki Rugovës. Tenderi tjetër i ishte dhënë një kompanie, drejtori i së cilës ishte dënuar për mashtrim në një aktivitet të prokurimit.

play

Izolimi i pllakave në memorialin “Ibrahim Rugova”, në Istog po bëhet për herën e tretë. Dy herët e kaluara kompanitë kontraktuese kishin dështuar ta kryejnë këtë punë siç duhet. Ky projekt ka filluar në vitin 2015 dhe është shoqëruar me shumë probleme

Kompania “Intering Construction” e cila e pati fituar kontratën për fazën e parë të projektit e ka pasur obligim që të bëjë izolimin e pllakave. Izolimi i pllakave nuk ishte bërë siç duhej, pasi që ka pikuar uji brenda objektit.

Për këtë arsye kompania tjetër që e ka fituar kontratën e radhës “Conex Group”, ka punuar sërish në izolimin e pllakave. Drejtori i kësaj kompanie Vigan Syla pati deklaruar për Preportr se domosdoshmëria për ta bërë izolimin, ka ndikuar që punët tjera të vonohen. Sipas tij, nuk mund të vendosej fasada brenda, derisa pikonte uji.

Për shkak të vonesës së këtyre punimeve dhe përfundimit të vitit buxhetor, Komuna e Istogut pati humbur vitin e kaluar184 mijë e 545 euro të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të dedikuara për këtë projekt, të cilat janë kthyer suficit.

Kompania që aktualisht e ka për obligim ta kryejë izolimin, është dashur t’i largojë të gjitha pllakat në mënyrë që ta bëjë izolimin nga fillimi. Këtë e konfirmon kryepunëtori i kompanisë “N.P Izolimi”,Adil Zeneli.

“Izolimi nuk ka qenë i mirë pasi që e ka lëshuar ujin dhe për shkak të izolimit të keq është dashur t’i heqim pllakat, të vendoset izolimi i ri dhe mandej do të vendosën sërish pllakat”, thotë Zeneli.

Ai thotë se më nuk do të pikojë uji brenda pasi që izolimi po bëhet në mënyrën e duhur. Zeneli tregon edhe praktikisht se si do ta bëjnë izolimin.

“E kemi vendosur izolimin kryesor, pastaj kemi vendosur styrodur pesë centimetërsh, do të vendoset një lloj batanije dhe mbi të do të vendoset zhavorr diku pesë centimetra dhe në fund do të vendosen pllakat. Kemi vendosur nivelizim me rënie, për të mos peshuar uji në pllakë, por të dalë në pikën e jashtme të objektit”, thotë Zeneli.

Kjo është hera e dytë që investohet për të njëjtën punë në izolimin e pllatosë. Kompania Intering Construction e ka bërë izolimin herën e parë në vlerë prej 7 mijë e 950 eurove.

Izolimi nuk ka qenë i mirë pasi që e ka lëshuar ujin dhe për shkak të izolimit të keq është dashur t’i heqim pllakat, të vendoset izolimi i ri dhe mandej do të vendosën sërish pllakat.

Adil Zeneli, punëtor i kompanisë "Izolimi".

Por izolimi nuk është kryer siç duhet dhe uji ka depërtuar brenda objektit. Për këtë arsye në fazën vijuese të punimeve, komuna ka paguar edhe 43 mijë e 125 euro për kompaninë “Çeta General Invest Grup”.

Për t’u bërë sërish izolimi punëkryesi është dashur që fillimisht t’i largojë të gjitha pllakat e pllatosë, ta bëjë izolimin dhe t’i vendos ato sërish.

Pra për shkak se punimet në izolimin e pllatosë nuk janë kryer siç duhet, Komuna e Istogut është dashur të paguajë edhe 43 mijë e 125 euro. Ndërsa nuk ka ndërmarrë fare masa ndaj kompanisë “Intering Construction” për moskryerjen e izolimit siç duhet.

Punimet për realizimin e këtij projekti kanë filluar në tetor të vitit 2015. Faza e radhës e kryerjes së punimeve ka filluar në gusht 2016, por kompania “Conex Group” nuk ka arritur t’i kryej punët që duhej të përfundonin deri në dhjetor të vitit 2016. Për këtë arsye i është ndërprerë kontrata. Kompania në fjalë nuk është ndëshkuar fare nga komuna për mosrespektim të kontratës. Për shkak të moskryerjes së punimeve me kohë komuna ka humbur 184 mijë e 545 euro nga granti i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kontrata e fundit për kryerjen e punimeve në këtë memorial është nënshkruar në tetor të vitit 2018.

Pra moskryerja e punëve mirë dhe me kohë sipas kontratës, ka ndikuar që realizimi i këtij projekti të vonohet për dy vite.

Duke marrë parasysh se punët paraprake rreth këtij projekti nuk kanë shkuar sipas dinamikës së paraparë, nuk janë kryer siç duhet dhe kritikave që janë bërë për këto punime, Preportr merr vesh se mbikëqyrja e punimeve aktuale është më e rreptë dhe se ka prani të shpeshtë të zyrtarëve përkatës për mbikëqyrjen e tyre.

Për realizmin e punimeve që janë duke u bërë aktualisht, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës ka ndarë 200 mijë euro, ndërsa Komuna e Istogut 150 mijë euro.