English
Scroll top

Lufta kundër korrupsionit me televizor

Rezultatet nuk tregojnë se EULEX-i është duke e luftuar korrupsionin në Kosovë. Në të gjitha rastet ku të dyshuarit u arrestuan me shumë zhurmë ata ose u shpallën të pafajshëm, ose u dënuan me kusht. Zhurmën gjatë arrestimeve shoqëria civile e sheh si hedhje hi syve, për të mbuluar dështimet para opinionit

Prishtinë, 04 Tetor 2012

Një luftë e pashoqe kundër korrupsionit, që nga viti 2009, është nisur nga misioni më i madh i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Kosovarët kanë përcjellur shumë raste të shfaqura dramatikisht në televizor me skena që u ngjanin kategorisë së filmave “FBI”. Kjo luftë, tani për tani, ka ngelur kryesisht e fokusuar në fushatë , përderisa mund të flasim për pak raste periferike dhe asnjë rast të gjykuar të nivelit të lartë të pushtetit. Aktualisht EULEX-i është i fokusuar në ngritjen e një rasti të suksesshëm të ish-ministrit të transportit, Fatmir Limaj, pasi që ai ishte detyruar qysh herët të tërhiqej nga funksionet qeveritare. Pra, mos-ndëshkueshmëria e njerëzve me pushtet, princip i trashëguar nga UNMIK-u, duket se do të vazhdojë akoma në Kosovë.

Lufta e EULEX-it  kundër korrupsionit ka qenë e ndarë në dy pjesë. Fillimisht, EULEX ka qenë jashtëzakonisht i fokusuar në krijimin e një përshtypje të fuqishme se do të veprojë kundër korrupsionit duke i arrestuar të dyshuarit përmes aksioneve spektakulare dhe të transmetuara në media. Së fundmi, ky mision ka lënë anash këtë metodë duke u fokusuar në aspektin e marrëdhënieve me publikun përmes reklamimit në media të punës dhe arritjeve të tij në luftë kundër korrupsionit.

EULEX-i i ka trajtuar dhe po i trajton me ekskluzivitet disa raste të profilit të lartë të korrupsionit për të cilat në shumicën e rasteve të akuzuarit ose janë shpallur të pafajshëm ose janë dënuar me kusht.

“Preportr”,  ka nxjerr dhe analizuar disa të dhëna të rasteve që u janë shpallë aktgjykimet, disa prej të cilave kanë marrë formën e prerë. Nga të dhënat e nxjerra nga faqja e internetit të EULEX-it del se ky mision i ka  shfajësuar të akuzuarit për korrupsion në nëntë raste të konsideruara të profilit të lartë, , në nëntë raste të tjera të akuzuarit janë dënuar me kusht, në gjashtë raste të akuzuarit i ka dënuar me burgim që sillet prej një deri në pesë vite, një rast është kthyer në rigjykim, përderisa tri raste janë duke u gjykuar.

EULEX-i është duke i hetuar disa raste, për të cilat nuk dëshiron të flasë. Por nga rastet që janë bërë publike, hetimet po zhvillohen vetëm në dy raste, kurse në një tjetër rast hetimet janë ndërprerë dhe janë ngritur 2 aktakuza.

“EULEX-i nuk ka bërë asgjë për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë?” është motoja e një fushate të EULEX-it në televizionet kosovare. Kjo fushatë ofron informacionin se 60 raste janë nën hetime, 8 raste janë duke u gjykuar, janë shpallë 33 aktgjykime me 55 të akuzuar, e 37 persona janë shpallë fajtorë.

Mirëpo në dy prej rasteve më të mëdha që misioni i BE-së i ka pasur në dorë, ai i ish Ministrisë të Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe ai i ish- guvernatorit Hashim Rexhepi, akuzat kundër tyre në fillim ishin shumë të rënda për t’u reduktuar pastaj në disa, e në fund, në rastin e Hashim Rexhepit, i akuzuari është shpallur i pafajshëm.

Ish-guvernatori Hashim Rexhepi, dyshohej se ishte aksionar i një firme që përfitonte nga kontratat e lidhura me Bankën Qendrore. Ish-prokurori Nazmi Mustafi në rastin e Rexhepit në fillim pretendonte se Rexhepi e ka një banesë në bregdetin shqiptar dhe atë e kishte marrë si mito nga kompania e sigurimeve “Dardania”. Poashtu prokurori para ngritjes së aktakuzës kishte akuzuar Rexhepin se ai kishte shfrytëzuar autoritetin si “kryetar” i Klubit Futbollistik të Prishtinës tek Banka për Biznes për ta sponsorizuar këtë klub.

Mirëpo, këto pretendime të Mustafit nuk janë shfaqur edhe në aktakuzën e ngritur ndaj Rexhepit. Në aktakuzë nuk ka pasur banesë e as nuk ka figuruar se Rexhepi ka qenë aksionar i një firme që përfitonte nga BQK. Në seancën për konfirmim të aktakuzës po ashtu është sqaruar se Rexhepi nuk ka qenë kryetar i Klubit Futbollistik “Prishtina”, por anëtar i bordit të Klubit Basketbollistik “Prishtina”.

Rexhepi ishte akuzuar nga pjesëtari i komunitetit boshnjak i zgjedhur nga kryeministri i Kosovës shef i Task- Forces Kundër Korrupsionit, Nazmi Mustafi, i cili pak muaj më vonë pasi  kishte dështuar me rastin kundër Rexhepit është arrestuar me akuzat për korrupsion. EULEX-i në fillim të hetimeve në rastin e Ministrisë së Transportit,  pati hedhur dyshimet ndaj ish-ministrit Fatmir Limaj se  kishte keqpërdorur 80 milionë euro, para të buxhetit. Ky pretendim i prokurorisë së EULEX-it i përmendur para 2 vitesh e gjysmë nuk ka rezultuar, me një aktakuzë të ngritur ndaj Limajt. Në këtë rast koha e hetimeve e paraparë me Kodin e Procedurës Penale ka përfunduar edhe pse jashta afatit një prokuror i EULEX-it ka intervistuar Limajn në lidhje me këto dyshime.

EULEX-i ka bërë edhe gabime të tjera. Në rastin e blerjes së veturave për presidencën e Kosovës, EULEX e kishte dënuar Blerim Svircën në cilësinë e personit zyrtar. Shkalla e dytë e kishte hedhur poshtë aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ka shfajësuar të akuzuarin për arsye ligjore. I akuzuari nuk ka qenë shërbyes civil.

Shfajësohen peshqit e mëdhenj

Rasti më i madh që EULEX-i e ka pasur në dorë është ai i Ministrisë së Transportit dhe ish-ministrit të saj Fatmir Limajt. Kjo ministri dhe shtëpia e Limajt qenë bastisur në prill të vitit 2010. Fillimisht ministri Limaj është hetuar për keqpërdorimin e 80 milionë eurove. Hetimet e zhvilluara prej dy vjetësh nuk dhanë rezultate.  Hetimet ndaj deputetit të PDK-së, Fatmir Limajt kanë përfunduar në prill të këtij viti, por EULEX-i në fillim të këtij muaji e ka ftuar atë përsëri në pyetje.  EULEX-i ka zgjeruar hetimet kundër Demir Limajt dhe Endrit Shalës, që lidhen me ish-ministrin e Transportit, Fatmir Limaj, dhe ka nxjerrë vendim për nisje të hetimeve kundër Florim Limajt.

Rasti më i madh që EULEX-i e ka pasur në dorë është ai i Ministrisë së Transportit dhe ish-ministrit të saj Fatmir Limajt. Kjo ministri dhe shtëpia e Limajt qenë bastisur në prill të vitit 2010. Fillimisht ministri Limaj është hetuar për keqpërdorimin e 80 milionë eurove. Hetimet e zhvilluara prej dy vjetësh nuk dhanë rezultate.

EULEX

EULEX-i nuk i ka lënë pa i prekur as Doganat e Aeroportin e Prishtinës. Sido që të jetë, në të dy këto raste të akuzuarit janë shfajësuar. Ish-drejtori i Aeroportit, Afrim Aziri  dhe një zyrtare e ANP-së Vlora Ferizi, u shpallën të pafajshëm meqë nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar se ata  kishte pasur për qëllim përvetësimin e përfitimeve materiale të paligjshme për ndonjë person tjetër, se e kishte shpërdoruar pozitën e tij zyrtare dhe se i kishte tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tija. Aziri qe arrestuar në zyrën e tij shumë shpejt pas deklarimit të kryeministrit Thaçi në vitin 2008 se do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit. Në vend të tij në Aeroport qe emëruar pa asnjë konkurs një person i afërt me PDK-në, Agron Mustafa.

Të pafajshëm janë shpallë edhe drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica dhe Lulzim Rafuna drejtor i Zyrës ligjore.

Ish- guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës, Hashim Rexhepi qe arrestuar dramatikisht në zyrën e tij me përcjellje të kamerave, nën akuza të rënda nga ish-shefi i Task-Forces Antikorrupsion në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, i cili pasi Rexhepi u lirua u arrestua vetë për dyshime për korrupsion. Po aktakuza e ngritur nga ky prokuror nuk e pati bindur gjyqtarin e procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i cili e pati hedhur poshtë atë (aktakuzën), për mungesë provash. Disa muaj me vonë vetë Mustafi është arrestuar nga EULEX-i. Ai është denoncuar nga Pashk Mirashi ish-likuidator i ish-Bankës Kreditore të Prishtinës. Mustafi, sipas kallëzimit penal të ngritur nga Pashk Mirashi, i kishte kërkuar këtij të fundit që të bashkëpunonte në rastin kundër Hashim Rexhepit, por kur ky nuk kishte pranuar Mustafi i kishte thënë se ishte nën hetime. Për këto hetime ai i kishte kërkuar Mirashit 50 mijë euro. Njëzetmijë euro i kishte marrë. Pasi nuk kishte arritur t’i marrë të tjerat, Mustafi kishte lëshuar urdhër për arrestimin e Mirashit, të cilit iu pat caktuar masa e arrestit shtëpiak prej një muaji.

Mustafi qe tërhequr vetëm kur Mirashi kishte dhënë para tjera për t’iu hequr masa e arrestit shtëpiak. Mirashi e kishte kuptuar që nuk ka asnjë bazë për hetime ndaj tij, prandaj për këtë e kishte ngritur kallëzimin penal kundër Mustafit. Prej disa muajsh ky i fundit po mbahet në paraburgim. Kundër tij  gjyqtari i procedurës paraprake të  EULEX-it para disa ditësh e ka konfirmuar aktakuzën.

Rastet e Mustafit

Super-Prokurori Mustafi, ndryshe prej prokurorëve të tjerë ka qenë shumë i afërt me gazetarët. Ai nuk ka hezituar t’ua paraqesë rezultatet, gazetarëve edhe në korridore gjykatash duke e cilësuar punën e tij si shumë të frytshme kundër korrupsionit. Por epilogu i të gjithave rasteve që i ka pasur Mustafi në dorë ka treguar për diçka tjetër.

Veç dështimit më rastin ndaj ish-guvernatorit, Mustafi gati ka dështuar edhe në një rast tjetër të madh, atë të “Fondit Haradinaj”. Në këtë fond sipas aktakuzës së ngritur nga Mustafi ishin derdhur në mënyrë të parregullt qindra-mijëra euro. Gjykata në këtë rast e kishte gjetur fajtor vetëm Jahja Llukën dhe kishte liruar ish-drejtorin e Kasabankës, Milazim Abazin, si dhe ish-drejtorin e filiales së kësaj banke në Prishtinë, Hashim Sejdiun. Lluka është dënuar me kusht dhe me 10 mijë euro gjobë.

Bashkë me një prokuror gjerman të EULEX-it, Mustafi ka ngritur aktakuzë edhe për të përfshirët në falimentimin e Bankës Kreditore të Prishtinës. Në këtë rast janë dënuar Zeqir Shamolli, Mehmet Nuredini, Hysen Sadiku, Bedri Humolli, Mazar Kazagiqi, Orhan Ismajli, Besim Hasani dhe Halil Gjergjizi, të cilët ishin anëtarë të Bordit dhe të menaxhmentit të Bankës Kreditore të Prishtinës. Këta janë dënuar me 26 vjet e 6 muaj burgim. Pothuajse në të gjitha rastet dënimi me burgim u është shqiptuar me kusht.

Nuk e “arrin” drejtësia

I vetmi rast i profilit të lartë që është dënuar me burgim prej tre vjetësh është ai i ish-drejtoreshes së PTK-së Leme Xhema. Xhema që i kishte “shpërndarë” paratë e Postës për projekte fiktive, pasi Gjykata Supreme e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë, u zhduk pa gjurmë. Në kërkim të saj është vënë edhe Interpoli.

Për këto para nuk u dënua vetëm Xhema. Bashkë me të paratë e Postës i kishte keqpërdorur shtetasi i Norvegjisë,  ish-menaxheri i kompanisë Norëay Invest, Ove Johansen. Këtij  i është shqiptuar dënimi me kusht prej dy vjetësh dhe është urdhëruar të paguajë 300 mijë euro gjobë për dëmin shkaktuar Postës dhe Telekomit të Kosovës.

I vetmi rast i profilit të lartë që është dënuar me burgim prej tre vjetësh është ai i ish-drejtoreshes së PTK-së Leme Xhema. Xhema që i kishte “shpërndarë” paratë e Postës për projekte fiktive, pasi Gjykata Supreme e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë, u zhduk pa gjurmë. Në kërkim të saj është vënë edhe Interpoli.

EULEX

Kthimi prej Anglisë për ta marrë kreun e njërës prej ndërmarrjeve publike më profitabile në vend, Shyqri Haxhës i kushtoi me një aktakuzë të ngritur.  Ai po akuzohet për marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it Sh.p.k dhe bartjen e mëvonshme të licencës për Dardafon.net Sh.p.k në vitin 2008 dhe 2009. Bashkë me të po akuzohet edhe Rexhë Gjonbalaj,  Ismet Bojku, përfaqësues ligjor i Dardafon, Blerim Devolli dhe Shkëlqim Devolli, dy pronarë të kompanive private që i përkasin “Devolli Group”.

PTK është përmendur edhe te rasti i ish-Bankës Kreditore të Prishtinës, pasi nga falimentimi i kësaj banke PTK ka humbur 16 milionë euro, deri me tani i janë kthyer vetëm 3 milionë.

Një tjetër arrestim i përcjellur Live nga kamerat e TV-ve kosovare ishte ai i Ilir Tolajt, ish-sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë. Ai u nxor me pranga në duar. Kjo gjendje e detyroi atë që t’i lë përgjegjës edhe gazetarët. Përveç që vetë u akuzua për korrupsion, Tolaj mori me vete ish-eprorin e tij Bujar Bukoshin dhe nëntë zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Veç shpërdorimit të pozitës zyrtare, aktakuza e ngarkon Tolajn edhe me një vepër tjetër penale, atë të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrave. Që Tolaj nuk ishte njeri pa ndikim në Ministrinë e Shëndetësisë shihet në faktin se ai edhe nga burgu e ka shfrytëzuar autoritetin e vet në persona të caktuar në Ministrinë e Shëndetësisë për t’i penguar hetimet. Një vizitë në burg për Tolajn nga ish-zv.ministri i Financave, Astrit Haraqija, i ishte siguruar nga ministri aktual dhe zv.kryeministri, Hajredin Kuçi. Përndryshe Haraqia qe dënuar edhe nga Haga në lidhje me ndikimin tek dëshmitarët në rastin Haradinaj. Kuçi iu tha gazetarëve që ka bërë një telefonatë për këtë vizitë, porse ka kërkuar që vizita të bëhet brenda kuadrit ligjor. E kuadri ligjor gjithsesi nuk përfshinë telefonatat e ministrit të Drejtësisë për të siguruar vizitat e të akuzuarve për korrupsion. Janë autoritete të veçanta që kryejnë këtë punë.

Kur shikohen këto raste që po kalojnë sot ndërmjet gishtave të drejtësisë, një rast tjetër duket krejtësisht paradoksal. Për krejt pak send është dënuar edhe ish-kryeparlamentari Nexhat Daci. Ai kishte blerë syze e vënë dhëmb me para të taksapaguesve kosovarë. Kjo kishte ndodhur shumë kohë më përpara, por gjykimi i ishte caktuar atij pak para zhvillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet nacionale të vitit 2010. Daci nuk pati hezituar ta quajë krejt këtë proces të motivuar politikisht, por kjo nuk i ndihmoi shumë. Ai u dënua me një vit e 6 muaj burgim me kusht.

Cak i EULEX-it, në luftën kundër korrupsionit është edhe Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve. Prej kësaj ministrie po gjykohen dy ish- ministra.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, EULEX-i është duke e zhvilluar gjykimin ndaj ish-ministrit Sllavisha Petkoviq dhe 10 të tjerëve. Ata akuzohen se ndërmjet 1 janarit dhe 31 dhjetorit të vitit 2006 kanë përvetësuar të paktën 1. 1 milion euro, mjete këto të buxhetit të Kosovës.

Kjo aktakuzë e ngarkon Petkoviqin se me paratë e taksapaguesve kosovarë ka ndërtuar një shtëpi në të cilën jeton edhe sot në vlerë prej 95 mijë eurosh. Po me paratë e buxhetit aidyshohet të kishte rinovuar edhe një restorant të quajtur “Tropikana” në Çagllavicë.

Prokuroria i ka ndërprerë hetimet në një rast tjetër që lidhet me Ministrinë e Kthimit dhe Komuniteteve. Duke u hetuar për keqpërdorime ka qenë sekretarja permanente e kësaj ministrie Zana Kotorri.

Dënime për veturat e zyrtarëve të lartë

Në tri raste të ndara janë akuzuar persona për blerjen e veturave dhe goma të veturave të zyrtarëve të lartë shtetëror e të cilat nuk ishin sjellë kurrë në Kosovë. Megjithëse gjyqësori konstatoi se të përfshirët në këto raste kishin kryer veprime të tilla, dënimet i kanë marrë me kusht ose janë shfajësuar.

Shefka Shasivari u shpall fajtore dhe u dënua me një vit burg me kusht për abuzim të pozitës zyrtare. Shasivari u dënua pasi në vitin 2005, si pronare e një kompanie, ka shkelur ligjin gjatë prokurimit të një automjeti të blinduar për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, që asokohe ishte Nexhat Daci. Bashkë me Shasivarin u dënuan edhe Jusuf Nikçi me tre vjet burg me kusht dhe ahmet Alishani me dy vjet me kusht.

Shefka Shasivari është dënuar edhe një një rast tjetër. Në rastin për blerjen e gomave për automjetet e presidencës në vitin 2004. Ajo e ndihmuar nga Suzana Bahtijari dhe Riza Kuka, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe  për këtë është dënuar me 2 vjet burgim me kusht, kurse Suzana Bahtijari është dënuar me 4 muaj me kusht, e Riza Kuka është dënuar me 6 muaj burgim me kusht.

Për veturat e blinduara të presidencës së Kosovës, të cilat nuk u sollën kurrë në Kosovë, Gjykata e Qarkut e Prishtinës i pati shpallur fajtor Mujë Ukaj,  Nexhat Shatrin dhe Blerim Svircën. Megjithatë, Gjykata Supreme e Kosovës e hodhi poshtë këtë aktgjykim duke i shpallur të pafajshëm tre të dënuarit. Trupi gjykues i Gjykatës Supreme i miratoi ankesat e të akuzuarve dhe e modifikoi aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës duke i shfajësuar të akuzuarit për arsye ligjore.

Shumë raste ndaj gjyqtarëve e komunarëve- pak dënime

EULEX-i në fushatën e fundit të lansuar para disa javësh, në mesin e të dënuarve për korrupsion ka përmendur edhe policë, gjyqtarë e zyrtarë komunalë. Në vitin 2010 dhe 2011, një sërë gjykimesh janë zhvilluar ndaj gjyqtarëve sidomos të Gjykatës së Qarkut dhe asaj komunale të Prishtinës. Në shumicën e rasteve që “Preportr” i ka nxjerrë nga faqja e EULEX-it, këta persona që akuzoheshin për shpërdorim të detyrës, marrje të ryshfetit dhe nxjerrje të vendimeve gjyqësore të paligjshme janë dënuar më kusht  ose janë shpallë të pafajshëm.

“Preportr”,  ka nxjerr dhe analizuar disa të dhëna të rasteve që u janë shpallë aktgjykimet, disa prej të cilave kanë marrë formën e prerë. Nga të dhënat e nxjerra nga faqja e internetit të EULEX-it del se ky mision i ka  shfajësuar të akuzuarit për korrupsion në nëntë raste të konsideruara të profilit të lartë, , në nëntë raste të tjera të akuzuarit janë dënuar me kusht, në gjashtë raste të akuzuarit i ka dënuar me burgim që sillet prej një deri në pesë vite, një rast është kthyer në rigjykim, përderisa tri raste janë duke u gjykuar.

EULEX-i është duke i hetuar disa raste, për të cilat nuk dëshiron të flasë. Por nga rastet që janë bërë publike, hetimet po zhvillohen vetëm në dy raste, kurse në një tjetër rast hetimet janë ndërprerë dhe janë ngritur 2 aktakuza.

Shemsije Sheholli, ish gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Zahide Gjonaj, Selman Bogiqi, Ekrem Agushi nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës janë shpallur të pafajshëm. Me kusht janë dënuar Myrvete Berisha asistente ligjore në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, Xhevat Dança ish-prokuror i Qarkut të Prishtinës.

Më burgim janë dënuar ish-gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të Prishtinës Elez Hoxha, ish-gjyqtari i Gjykatës Komunale të Klinës, Kolë Puka. I pari është dënuar me 4 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë e tjetri me 5 vjet burgim.

Rasti më i madh kundër gjyqtarëve është ai ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, me ish-gjyqtarët e kësaj gjykate Olga Janiçijeviq, Sanije Muqolli, Shemsije Sheholli dhe Jehomir Milaliq, ish-gjyqatarët e Gjykatës së Qarkut Ekrem Agushi, Ferid Bislimi dhe Rrahman Retkoceri,  juristen e ish-ndërmarrjes shoqërore në Fushë-Kosovë, KBI “Kosova Export”, Hasnije Balidemaj, si dhe avokatit Gazmend Gashi nga Prishtina, dhëndër i Nuhi Ukës, dyshohen se janë përfshirë në 15 lëndë civile që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër Ndërmarrjes Shoqërore (NSH), të cilat ishin nën kompetencën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Më pak se gjyqtarët janë hetuar apo dënuar policët. “Preportr”, ka gjetur në ueb-faqen e EULEX-it dy raste, në njërin që Adedin Muzliaj ish-hetues në stacionin policor të Pejës është dënuar me 1,6 vjet burgim dhe rastin e tre policëve të tjerë Bedri Januzit, Mustaf Gashit dhe Shkelzen Zogianit, rast i cili është kthyer në rigjykim.

Në komuna ajo që dihet është se është ngritur n jë aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kamenicës, Begzad Sinanit dhe po zhvillohën hetime ndaj kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja. EULEX-i nën dyshimin për korrupsion ka arrestuar kryetarin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamitin i cili po mbahet në paraburgim.

Spektakle gjatë arrestimeve-pak rezultate

Puna e EULEX-it në luftën kundër korrupsionit nuk e ka bindur fort shoqërinë civile. EULEX nuk ishte shumë i mirëpritur nga qytetarët e Kosovës kur ai po zbarkohej më 2009 me një bazë ligjore të paqartë. Disa demonstrata masive qenë organizuar në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit kundër mënyrës si vinte EULEX. Për ta fituar përkrahjen e opinionit në atë kohë EULEX dhe shefi i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, patën premtuar se objektivat primarë të këtij misioni do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe shtrirja e mbisundimit të ligjit në pjesën veriore. Duket se objektivi i parë nuk u arrit, kurse i dyti më keq se i pari.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se  bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se EULEX ka shënuar rezultate minimale në luftimin e veprimtarive korruptive dhe të krimit të organizuar në Kosovë. “Pritjet e qytetarëve të Kosovës nga ky mision për sundim të ligjit, kanë qenë tejet të mëdha, por rezultatet e deritashme dëshmojnë për rezultate minimale dhe dështime të njëpasnjëshme”, thotë ai.  Krejt këto rezultate sipas Musliut dëshmojnë se prokurorët e EULEX-it vazhdimisht janë dëshmuar si joprofesional dhe të papërgatitur në kryerjen e punës së tyre. “Në përpjekje për të arsyetuar dështimet e vazhdueshme dhe nën presionin publik se s'ka bërë asgjë, EULEX ka bërë spektakle me disa arrestime të personaliteteve të larta politike dhe publike, por që në fund rezultatet ka qenë dështim total”, thotë ai.

Madje edhe lansimi i fushatës së EULEX-it që ka për qëllim promovimin e punës në luftën kundër korrupsionit sipas Musliut veç sa e përforcon edhe më shumë bindjen se ky mision nuk e ka kryer punën për të cilën është thirrë në Kosovë.

“Kjo reklamë është dështim për të mbuluar dështimet e punës së EULEX-it, njëjtë sikurse dështimet e kaluara të bëra përmes spektakleve të arrestimeve publike”, thotë ai.

Avokati i Popullit shqetësohet për një anë tjetër të krejt luftës së EULEX-it kundër korrupsionit. Ky institucion ka reaguar për mënyrën se si janë arrestuar personat e dyshuar duke bërë spektakël para medieve.

“Në mediat elektronike dhe të shkruara janë transmetuar momente nga arrestimet, pamje të operacioneve policore në të cilat shfaqen të arrestuarit, pa u mbuluar fytyra e tyre, me duar të lidhura dhe në shoqërim të policëve. Kjo mënyrë e arrestimeve të individëve (nga vendi i punës, nga shtëpia etj) dhe shpërfaqja e pamjeve të tilla përmes mediave, është një lloj linçimi publik, pa e thënë drejtësia fjalën e vet”, thotë Majlindë Lulaj zëdhënëse e Avokatit të Popullit.

Ajo kujton se kjo gjë dëmton të akuzuarit, të cilët ligjërisht, nuk janë fajtor, përderisa një gjykatë nuk jep verdiktin e fundit për këtë gjë.