Prishtinë, 07 Shkurt 2013
Në raportin monitorues të Organizatës për Antikorrupsion dhe Dinjitet ÇOHU! “Shqyrtimi i Veprave të Korrupsionit nga Organet e Drejtësisë”, del që në prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës, lëndët kundër korrupsionit trajtohen në nivel shumë të ulët.
Nga të dhënat e raportit të organizatës del që gjatë viteve 2008-2011, kanë arritur që t’i shqyrtojnë rreth 46 për qind (prokuroritë), dhe më pak se 30 për qind (gjykatat) e të gjitha lëndëve kundër korrupsionit që kanë qenë në punë.
Për sa i përket natyrës së dënimeve, raporti tregon që si tek prokuroritë, por edhe te gjykatat, vendimet që kanë përfunduar me aktakuzë, ose aktgjykime dënuese, janë po ashtu shumë të ulëta.
Në raport thuhet se gjykatat shqyrtojnë si në përqindje po ashtu edhe në numër, nivel më të ulët të lëndëve të korrupsionit për dallim nga prokuroritë publike. Nga 46 për qind e totalit të lëndëve të shqyrtuara nga prokuroritë del se vetëm 11.7për qind e tyre kanë përfunduar me aktakuzë, si dhe 33.8 për qind e tyre janë hedhur poshtë ose kanë përfunduar me urdhër ndëshkimor ose janë zgjidhur në mënyrë tjetër.
Te gjykatat raporti vëren trend të njëjtë të karakterit të gjykimeve ku nga 29.7 për qind të rasteve, që janë zgjidhur, 18.3 për qind e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 8.6 për qind kanë përfunduara me gjobë.
Gjykatat e prokuroritë arsyetohen për mungesë stafi të specializuar që merret me lëndët e korrupsionit e organizatat joqeveritare thonë se nuk ka pasur seriozitet të duhur për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre lëndëve.
Nuk zgjidhen as gjysma e lëndëve kundër korrupsionit
“Nga viti 2008 deri më 2011, del që prokuroritë publike në Kosovë kanë pasur në punë 4024 raste që kanë të bëjnë me vepra penale kundër detyrës zyrtare, të klasifikuara si vepra të korrupsionit. Nga kjo shifër del se janë zgjidhur 1836 raste, përderisa kanë mbetur pa u zgjidhur 2188 raste kundër korrupsionit”, thuhet në raportin e Organizatës ÇOHU!
Në përgjithësi,sipas këtij raporti del se vetëm 46 për qind e lëndëve kundër detyrës zyrtare janë shqyrtuar nga prokuroritë në këto katër vite, ndërsa lëndët kundër ekonomisë janë shqyrtuar me 63 për qind.Përderisa, mesatarja e shqyrtimit të lëndëve penale në përgjithësi është 75.2 për qind.
“Po të shikojmë vendimet e rasteve të shqyrtuara nga prokuroritë publike del se nga gjithsej 46 për qind (1836), e lëndëve të shqyrtuara, vetëm 11.7 për qind (473) e tyre kanë përfunduar me aktakuzë dhe 33.8 për qind e tyre janë hedhur poshtë ose kanë përfunduara me urdhër ndëshkimore ose janë zgjidhur në mënyrë tjetër”, thuhet në raport.
Në gjykatat komunale dhe të qarkut gjatë viteve 2008-2011, në punë sipas këtij raporti kanë qenë 1548 raste të dyshuara për korrupsion, nga të cilat 460 (29.7 për qind), raste janë zgjidhur, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur edhe 1088 raste të dyshuara për korrupsion (vepër penale kundër detyrës zyrtare). Nga gjithsej 460 raste sa janë zgjidhur nga gjykata në periudhën raportuese, 33 raste ju përkasin gjyqtarëve të EULEX-it.
“Nga 29.7 për qind e lëndëve të gjykuara nga gjykata komunale dhe të qarkut për vitet 2008-11, vetëm 18.3 për qind e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 8.6 për qind kanë përfunduara me gjobë. Ndërsa 11.3 për qind e lëndëve të gjykuara kanë përfunduara me aktgjykim lirues”, thuhet në raport.
KGJK: Korrupsionin e nivelit të lartë e lufton EULEX-i!
Gjykatat dhe prokuroritë në Kosovë nivelin e ultë të luftimit të korrupsionit e kanë ndërlidhur me një numër faktorësh, duke filluar nga mungesa e prokurorëve të specializuar për këtë fushë, mungesa e gjyqtarëve, numrit të madh të lëndëve…
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas zëdhënëses Aishe Qorrajt-Berishes me vendim të veçantë i ka obliguar gjykatat që me prioritet t’i procedojnë lëndët që kanë të bëjnë me korrupsion. Por korrupsionin e nivelit të lartë sipas këtij institucioni kompetencë e ka ta luftojë Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
“Nëpër gjykatat e Kosovës kemi raste të tilla të korrupsionit, por jo të nivelit të lartë ngase lëndë të tilla janë në kompetencë të gjykatësve të EULEX-it”, thotë Aishe Qorraj-Berisha, zëdhënëse e KGJK-së.
Ajo ka njoftuar se ende nuk ka përfunduar raporti vjetor i KGJK-së, në bazë të rezultateve të të cilit do të ndërmerren masa aty ku ka ngecje.
“Tani gjyqësori është më i kompletuar me gjykatës dhe ka mundësi të përballet edhe me vepra të kësaj natyre”, thotë Qorraj-Berisha.
Në anën tjetër zyrtarë të prokurorisë flasin për mungesë të prokurorëve të specializuar për luftimin e korrupsionit. Koordinatorja e Prokurorisë së Shtetit në luftën kundër korrupsionit, Drita Hajdari, ka thënë se veç mungesës së prokurorëve të specializuar për fushën përkatëse deri në vitin 2011, prokurorët janë përballur edhe me vështirësinë e hetimit dhe të argumentimit të këtyre veprave penale.
Ajo ka thënë se natyra e veprave penale korruptive është specifike dhe vështirë vërtetohet. Pos kësaj, Prokurorja Hajdari shprehet se lëndët që vijnë nga Agjencia Kundër Korrupsionit, sillen të pa argumentuara dhe se është shumë e vështirë të ngritët ndonjë aktakuzë nga informacionet e AKK-së.
Arsyetimet e gjykatave dhe prokurorive për mos inicim të hetimeve për rastet korruptive nuk qëndrojnë për Betim Musliun nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Përkundër iniciativave konkrete të Prokurorit të Shtetit dhe Gjykatës Supreme për krijimin e task forcave vendore për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, bazuar në statistikat zyrtare të këtyre institucioneve, rezulton se në praktikë nuk ka pasur seriozitet të duhur në zgjidhjen e këtyre rasteve, rrjedhimisht në luftimin e korrupsionit”, thotë ai.
Shqetësuese për IKD-në nuk janë vetëm statistikat, që flasin se nuk janë zgjidhur një numër i madh i rasteve të korrupsionit, por fakti se çka ka në ato statistika, se çfarë rastesh janë zgjidhur.
“Tashmë është fakt i njohur që rastet e korrupsionit që ndiqen dhe gjykohen janë të nivelit të ultë, sidomos atyre që dënohen me aktgjykim përfundimtar, ndërsa në procedura hetimore ka edhe raste të profileve të larta, por me të cilat më shumë bëhet bujë mediatike sesa luftë e vërtetë”, thotë Musliu.
Në këtë kontekst Musliu përmend edhe luftën mediatike që EULEX-i e bën në luftën kundër korrupsionit. Krejt këto rezultate sipas Musliut dëshmojnë se prokurorët e EULEX-it vazhdimisht janë dëshmuar si joprofesional dhe të papërgjegjshëm në kryerjen e punës së tyre. “Në përpjekje për të arsyetuar dështimet e vazhdueshme dhe nën presionin publik se s'ka bërë asgjë, EULEX ka bërë spektakle me disa arrestime të personaliteteve të larta politike dhe publike, por që në fund rezultatet ka qenë dështim total”, thotë ai