English
Scroll top

Licencë për dhëndrin e ish-shefit të kabinetit Limaj

Dhëndri i Endrit Shalës, Sherif Kastrati, ka marrë nga Qeveria licencë për të operuar me biznesin “Ko Tek” si kontroll teknike e automjeteve deri më 2016-ën. Procedurat për këtë licencë ishin nisur në kohën kur Shala ishte shef kabineti në Ministrinë e Transportit ët udhëhequr nga Fatmir Limaj, dhe në aktakuzën e EULEX-it është pjesë e “grupit Limaj”. Pasi që licencën për dhëndrin ë tij nuk e...

Prishtinë, 17 Dhjetor 2012

Shefi i kabinetit të Fatmir Limajt, Endrit Shala derisa Limaj po udhëhiqte me dikasterin më të fuqishëm të Qeverisë Thaçi, Ministrinë e Transportit, ishte kujdesur edhe për miqtë e tij të familjes.

Gjatë kësaj kohe biznesi “Ko Tek” , pronë e Sherif Kastratit, që është burri i motrës (dhëndri) i Endrit Shalës, kishte filluar procedurat për t’u licencuar si kontroll teknike për automjetet mbi 3.5 tonësh. Ishin problemet që u dolën me komunën e Graçanicës që ia pamundësuan këtë dhe Kastrati vendosi që biznesin ta zhvillojë në Prishtinë, ku lejet jepen nga Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga lideri i opozitës duke qenë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Ky biznes i miqve të familjes së Endrit Shalës licencën zyrtarisht e mori në mars të vitit 2011, vetëm dy muaj pasi që kishin dalë nga Ministria e Transportit, tash Ministria e Infrastrukturës (MI), “grupi i Limajt”.

Edhe prokurori  i EULEXI-it, Johannes Pickert në aktakuzën e tij  për këtë grup pretendon se Limaj, që udhëhoqi një grup të organizuar, vazhdoi ta ushtronte këtë autoritet edhe prej kur nuk është ministër, deri më tash. Në këtë aktakuzë EULEX-i akuzon deputetin aktual të PDK-së, dhe njëherit nënkryetarin e saj, Fatmir Limaj për udhëheqje të një grupi kriminal që përfituan nga arka e shtetit duke shfrytëzuar brishtësinë e institucioneve, duke u marr kështu kompanive ryshfet. Si pjesë e “grupit Limaj” për korrupsion EULEX-i ka akuzuar edhe dy vëllezërit  tij, Florim e Demir Limaj, Endrit Shalën, shef I kabinetit të Fatmir Limajt,, Nexhat Krasniqin, shef I zyrës së Prokurimit në MTPT dhe biznesmenin Florim Zuka, pronarë I kompanisë “Tali”.

Shala: Licencën e nënshkroi Mujota

Miku Endrit Shala dhe  dhëndri i tij, Sherif Kastrati nuk e pranojnë që licenca për “Ko Tek” u dha me ndikim. Të kontaktuar nga Preportr, ata kanë përdorur deklarata si; “jemi familje biznesmenësh” njëri dhe “licencën e nënshkroi Fehmi Mujota’, tjetri.

“I përkas një familje që bëjmë biznes moti. Për licencën që e kam tash nuk ka ndikuar miku, pasi që i kam plotësuar kriteret dhe për dhënien  e licencës ka vendosur një komision profesional”, ka thënë për Preportr Kastrati.

Ndërsa Endrit Shala, që deri në janar të vitit 2011, dy muaj para se t’i jepej licenca biznesit të dhëndrit të tij, “Ko Tek”, ishte shef kabineti në MTPT-në e udhëhequr nga Fatmir Limajt, vetëm sugjeron që të këqyret se kush e nënshkroi këtë licencë. “Këtë licencë e ka nënshkruar Fehmi Mujota, dhe atë dy muaj pasi që kemi dalë nga ministria. Prandaj ,mund t’ ju them që për këtë rast asnjë lloj ndikimi nuk ka pasur”, thotë Shala për Preportr.

Sipas listës së kompanive të licencuara për kontrolle teknike  nga Ministria e Infrastrukturës “Ko - Tek” posedon licencën deri më 27.03.2016, Në MI thonë edhe se deri më tani nuk kanë ndonjë vërejtje për shkelje të licencës nga kjo kompani.

Bizneset e Kastratëve

Dhëndri i Endrit Shalës, Sherif Kastrati që tashmë deri më 2016-ën ka një licencë për kontroll teknike me kompaninë “Ko Tek”  është person i autorizuar edhe te restauranti “Freskia”  në Gërmi ku pronar është Nazmi Kastrati. Në këtë biznes person i autorizuar është edhe Kastrit Kastrati i cili është edhe pronar i “Premium Company” , kompani që shet teknikë të bardhë. Në pronësi të kësaj familje është edhe biznesi për riparimin e automjeteve “Auto Kastrati”  te Gërmia.