English
Scroll top

Korrupsioni nuk po luftohet as me letra

Komisioni për Legjislacion e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, projektligjin për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprës penale. Në Kuvend e ka dërguar edhe Strategjinë Kundër Korrupsionit 2013-2017

Prishtinë, 08 Shkurt 2013

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, të premten në një mbledhje të jashtëzakonshme me 6 vota për dhe tri kundër e ka dërguar në Kuvend, Projektligjin për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprës penale.

Dërgimi në mënyrë të shpejtë i këtij projektligji në Kuvend, u tha se po bëhet në kuadër të realizimit të agjendës evropiane që e ka Kosova në kompletimin e legjislacionit në luftë kundër korrupsionit.  Kryetari i këtij Komisioni, Arben Gashi dhe anëtarët  nga radhët e VETËVENDOSJES!, Albulena Haxhiu e nga LDK, Armend Zemaj, kanë shprehur skepticizmin e tyre për përmbajtjen e këtij projektligji.

Haxhiu tha se as në grupin punues për këtë projektligj nuk është bërë asgjë në ndryshimin e tij edhe pse sipas saj, nevoja ka qenë që të bëhen ndryshime përmbajtjesore.

Kryetari i këtij grupi punues Behar Selimi duke e pranuar që nuk është bërë asgjë në grup punues pasi nuk ka pasur konsensus, ka propozuar që projektligji ta ketë një amendament, ku thuhet që ai hynë në fuqi 15 ditë pas shpalljes në gazetën zyrtare.

Në këtë komision është diskutuar edhe lidhur me rekomandimin e deputetit të PDK-së, Behar Selimi, bërë në Kuvendin e Kosovës që Strategjia Kundër Korrupsionit 2013-2017 e hartuar nga Agjensia Kundër Korrupsionit, t’i kthehet Komisionit për Legjislacion për ndryshimet e nevojshme.

Kryetari i këtij komisioni Arben Gashi, tha se kjo përben precedent, pasi kurrë në të kaluarën nuk ka ndodhur që Komisioni për Legjislacion të bëjë ndryshime në një strategji që është hartuar nga një agjenci e pavarur.

Selimi tha se qëllimi ka qenë i vullnetit të mirë që strategjia të plotësohet dhe të miratohet në Kuvend, duke e pranuar që rekomandimi i tij mund të jetë precedent.

Për përmbajtjen e strategjisë i kanë dhënë vërejtjet e tyre anëtarët e komisionit që vijnë nga opozita Albulena Haxhiu e Armend Zemaj. Pa e kritikuar këtë strategji nuk e ka lënë as anëtari i këtij komisioni nga PDK, Arsim Bajrami. Ai tha se kjo strategji mëton më shumë të jetë strategji kombëtare, duke aluduar në përmbajtjen e saj dhe caktimin e disa detyrave që agjencia u ka bërë disa agjencive tjera që janë të pavarura siç janë gjykatat e prokuroritë.

Megjithatë sipas anëtarëve të këtij komisioni nga PDK, Kosova është më mirë të miratojë një strategji me këso të meta sesa mos të këtë fare strategji kundër korrupsionit.

Vetëm 10 për qind e kësaj strategjie po të zbatohej është mjaft

Behar Selimi, anëtar i PDK-së

“Vetëm 10 për qind e kësaj strategjie po të zbatohej është mjaft”, tha Behar Selimi , duke kujtuar se të gjitha grupet parlamentare janë të interesuara në luftimin e korrupsionit, por barra më e madhe i bjen partisë që është në pushtet.

 

 

Projektligj që mbron pushtetarët

Për Projektligjin për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprës penale, ka reaguar edhe shoqëria civile.

OJQ-të të mbledhura në një forum prej 10 organizatash kanë pasur vërejtjet e tyre rreth emërtimit të këtij projektligji. Ata kanë rekomanduar që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme”, rekomandim i cili nuk u mor parasysh.

Shoqëria civile kishte sugjeruar që pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare.  Ata kishin rekomanduar që me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandojmë ne, paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.

“Ky draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra të lejohej retroaktiviteti i tij”, ishte rekomandimi tjetër i këtyre organizatave.

Po ashtu ishte sugjeruar krijimi i mekanizmave të veçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë thënë se nëse ky ligj kalon i tillë sikurse është, ai nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fituar në mënyrë të kundërligjshme. Mirëpo do të amnistojë të gjitha ata persona që mbas lufte e tutje kanë krijuar pasuri milionëshe nga hiç gjë.

Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe opozita në Komisionin për Legjislacion. Ata kanë pasur vërejtje që nga emërtimi i projektligjit e deri te përmbajtja e tij. Albulena Haxhiu nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka thënë se projektligji është dashur të ndryshohet përmbajtësisht, por që partia në pushtet nuk i kishte lejuar ndryshimet e nevojshme dhe grupi punues i krijuar për këtë qëllim nuk kishte arritur të bëjë këto ndryshime.

Strategji që nuk e lufton korrupsionin

Strategjia Kundër Korrupsionit 2013-2017 ishte rikthyer në Qeveri për rishikim për shkak të përmbajtjes së saj mirëpo nuk kishte pësuar asnjë ndryshim. Me përmbajtjen e saj nuk janë pajtuar në Komisionin për Legjislacion as pozita dhe as opozita, megjithëse e para ka qenë pro miratimit të saj në Kuvend me gjithë mangësitë e mëdha.

Veç që ka caktuar detyra për agjenci tjera të pavarura AKK, sipas Albulena Haxhiut, për zbatimin e kësaj strategjie nuk ka caktuar fare kosto buxhetore.

Pas dërgimit të kësaj strategjie në Kuvendin e Kosovës, KDI vlerëson se versioni aktual i kësaj strategjie, nuk adreson problemet themelore të cilat e pengojnë luftimin korrupsionit, por i ngjan një dokumenti i cili do t’i kënaqte vetëm kërkesat formale sa për të pasur një strategji.

“Edhe pse i kthyer nga Kuvendi, ky dokument përsëri nuk i ka adresuar vërejtjet të cilat Kuvendi i ka bërë në prill të vitit të kaluar. Ndërkaq, mungesa e vullnetit të Qeverisë për të iu qasur drejtë dhe seriozisht problemit të te korrupsionit, u konfirmua edhe nga mos pjesëmarrja e anëtarëve të Qeverisë në seancën e fundit që shqyrtoj këtë strategji”, deklaroi Merita Mustafa, duke shtuar se Strategjia dhe Plani i veprimit aktual do të mund eventualisht të japin efekte në korrupsionin e nivelit të ulët dhe çështjeve që lidhen me ryshfetin, mirëpo, asnjëherë nuk do të mund të sulmojnë korrupsionin e nivelit të lartë, që është problemi kryesor tek ne.

Është thënë  se bartëse e luftës kundër korrupsionit nuk mund të jetë Agjencia kundër Korrupsionit, pasi që i njëjta është agjenci ekzekutive dhe nuk ka kompetencat e duhura për të kryer këtë mision.