English
Scroll top

Biznesi i partisë në pushtet

Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Fehmi Mujota ka shpërblyer konzorciumin “Beni Com & Ekskavatori”, me tenderin për ndërtimin e rrugës Kuqishtë-Bogë, për një vlerë afro 900 mijë euro më shtrenjtë se kompania që pati ofertën më të lirë në këtë garë. Ndonëse kriteri i tenderit ishte çmimi më i ulët, fitues në fund del konzorciumin “Beni Com & Ekskavatori”, ku njëra nga këto kompani, gjegjësisht “Beni Com”, është financues “kronik” i Partisë...

Prishtinë, 25 Nëntor 2011

Qeveria ka vendosur ta shpërblejë me mbi 3 milionë euro kompaninë që financoi fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për dy herë radhazi.  Rruga Kuqishtë-Bogë, e tenderuar nga Ministria e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Fehmi Mujota, është paraparë të asfaltohet nga “Beni Com” në konzorcium me kompaninë “Ekskavatori” nga Ferizaj, edhe përkundër ofertës prej afro 900 mijë euro më të lartë se dhjetë kompani tjera që ishin në garë.

Ani pse tenderi kishte si kriter të vetëm çmimin më të ulët, Ministria e Infrastrukturës, e shpërbleu me këtë tender konzorciumin në fjalë, me një ofertë prej 3,152,497, ku udhëheqësi i njërës prej kompanisë në konzorcium, “Beni Com”, është njëri prej financuesve besnik të PDK-së, duke eliminuar kështu dhjetë kompani të  tjera nga njëzeteshtatë sa ishin në garë.

Dhjetë konkurrentët e konzorciumim “Beni Com&Ekskavatori” në këtë tenderë u shpallën të papërgjegjshëm nga Ministria e Infrastrukturës,  për t’i hapur kështu rrugë këtij konzorciumi që ta fitoj këtë tender.

Kompania më e lirë në garë, sipas procesverbalit të hapjes së ofertave të cilin e ka siguruar “Preportr”, ka pasur një ofertë prej 2,271,673 eurosh.

Sipas procesverbalit që ka siguruar “Preportr”, (shih dokumentin në fund) diferenca në mes konzorciumin të shpërblyer “Beni Com & Ekskavatori” dhe kompanisë më të lirë në garë, “Toni”-Prishtinë, është 880, 824 euro. Në njoftimin për dhënie të tenderit, dokument i Departamentit i Prokurimit i MI-së i nënshkruar nga Bekim Gojani, thuhet se “Beni Com & Ekskavatori” ishte kompania më e lirë në mesin e 27 kompanive në garë për këtë tender.

Nga procesverbali del se në garë për ta fituar këtë tender kishin konkurruar gjithsej 27 kompani, prej të cilave 10 sosh janë eliminuar. Dokumentet e procesverbalit tregojnë se në mesin e kompanive të eliminuara kishte edhe kompani që deri më tani kanë fituar miliona euro nga vetëm nga Ministria e Infrastrukturës.

“Mbyllet” Ministria e Infrastrukturës

“Preportr” ka provuar që të marrë një përgjigjeje për këtë tender nga Ministria e Infrastrukturës , por në këtë institucion nuk kanë pranuar të flasin. Edhe pas pritjes prej dy ditëve për të siguruar një përgjigjeje, se a është shkelur kriteri i tenderit nga Ministria e Infrastrukturës, duke shpërblyer konzorciumin “Beni Com & Ekskavatori” për një vlerë afro 900 mijë euro më të shtrenjtë se kompania që pati ofertën më të lirë në këtë garë, si dhe për të siguruar informacion mbi eliminimin e 10 kompanive nga gara, në këtë ministri nuk kanë dashur që të flasin.

Megjithëse nuk ka pasur përgjigje për dy ditë, Drejtoresha e Zyrës për Informim në këtë ministri, Saranda Jusufi, ka një arsye  se pse nuk është përgjigjur zyra që ajo drejton. “Përgjigje kemi për këtë rast, por nuk kemi përgjigje për ty (i adresohet autorit të këtij hulumtimi)”, ka thënë Jusufi nëpërmjet telefonit.

Dy ankesa, sa për fillim

“Preportr” ka provuar të kontaktoi të dhjetë kompanitë që ishin më të lira se ‘BeniCom & Eksavatori”, kurse dy nga to kanë konfirmuar se kanë deponuar ankesat e tyre kundër Ministrisë së Infrastrukturës në Organin Shqyrtues të Prokurimit për tenderin për ndërtimin e rrugës Kuqishtë –Bogë.

Kompania “Çlirimi” dhe “Rrukolli” kanë konfirmuar për “Preportr” se të premten (24 nëntor 2011) kanë dërguar ankesa në lidhje me eliminimin  tyre nga gara, pretendimet e të cilave nuk kanë qenë të gatshëm që ti publikojnë, me arsyetimin që do ti lënë hapësirë OSHP-së që të vendos për ligjshmërinë e eliminimit të tyre nga gara.

Sipas tyre, edhe arsyetimet që ka dërguar Ministria e Infrastrukturës në adresë të kompanive që ishin më të lira se “Beni Com& Ekskavatori” për ti eliminuar janë të njëjta. Ato kryesisht lidhen me përgatitjen shkollore të inxhinierëve nëpër kompanitë e eliminuara.

Afati i fundit për tu ankuar ndaj vendimit të MI-së për këtë tender, në të cilin u shpërblye për kundër kritereve të tenderit konzorciumi “Beni Com& Ekskavatori” është 28 nëntori.

“Beni Com”, financues “kronik” i PDK-së

E njëri prej liderëve të këtij konzorciumi ka edhe një arsye për të qenë i shpërblyer në tenderët e ministrive të PDK-së. Pronari i kompanisë “Beni Com”,Ismet Kunushefci, është financues “kronik” i partisë së Kryeministrit Hashim Thaçi, PDK-së.

Në fushatën elektorale të viti 2009, emri i tij figuron si financues i degës së PDK-së në Podujevë, për të cilën kishte dhënë afro 2 mijë euro, kurse në fushatën e viti 2010, e përgjysmoi donacionin ndaj kësaj partie. Sipas raportit të auditimit mbi financimin e partive  politike për fushatën e viti 2010, Ismet Konushefci për PDK-në ka dhënë veç 1 mijë euro.

Megjithëse ua përgjysmoi financat, PDK-ja nuk ia ndali tenderët kompanisë “Beni Com”, pasi që kjo kompani vetëm në periudhën 2008-2010, vetëm nga ish Ministria e Transportit dhe Post-telekomunikacionit (MTPT), tash Ministria e Infrastrukturës, ka marrë tenderë publikë në vlerë mbi 9 milionë euro.

Por, as ortaku i tij në konzorciumin e fundit, kompania “Ekskavatori” nga Ferizaj nuk qëndron keq me tenderët publik. Kjo kompani, vetëm nga MTPT-ja gjatë viteve 2008 - 2010, ka përfituar tenderë publik në vlerë mbi 11.7 milionë euro.

Në Ministrin e Infrastrukturës nuk kanë pasur përgjigje as nëse në dhënien e tenderit këtij konzorciumi ka ndikuar edhe fakti që lideri i “Beni Com”, është financues i PDK-së për fushatën e vitit 2009 dhe atë të vitit 2010.

Koha për ankesa

Njoftimi për këtë tender është shpallur më 20 shtator të këtij viti dhe në të kanë konkurruar 27 kompani. Javën e kaluar, më 18 nëntor u publikua njoftimi për dhënie të kontratës, me të cilin bëhet me dije se shpërblehet konzorciumi “Beni Com & Ekskavatori” për një shumë prej 3.1 milionë euro, ani pse 10 nga 27 kompanitë në garë ishin më të lira se kjo kompani. Oferta më e shtrenjtë në këtë garë ishte ajo e kompanisë “Famis Co” nga Suhareka me 4,259,946 euro.

Edhe kjo kompani kohë më parë është shpërblyer me një tender që kishte kritere të njëjta, por që nuk ishte më e lirë. “Famis Co”  u shpërblye me tenderin  “Sanimi i rrugës Regjionale, segmenti Klinë-Brojë”, saktësisht tek fshati i lindjes së  Kryeministrit Hashim Thaçi në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh, ndonëse ka qenë e teta në renditjen e aplikimit të tenderëve dhe për rreth 300 mijë euro më e shtrenjtë se shtatë kompanitë e tjera konkurruese.

Për këtë tender tashmë është ushtruar një ankesë nga kompania “Jehona”  nga Malisheva, në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucioni  i njohur edhe si  “gjykatën e tenderëve”.