English
Scroll top

Drejt Evropës me kufij të brisht

Hulumtimi i “Preportr” për gjendjen e kufijve të Kosovës ka nxjerrë se kufinjt janë të brisht dhe të kalueshëm leht ilegalisht jo vetëm më këmbë por edhe me vetura. Këto konstatime kanë dalur nga analiza policore e konstatime të Komisionit Evropian në Raportin e Progresit. Ato gjenden edhe në një vendim gjyqësor në hetimet që janë duke u zhvilluar për një rast të dyshimt për korrupsion ndaj zyrëtarëve të profilit të lartë. Megjithë këtë konstatim, por...

Prishtinë, 28 Shkurt 2012

Kufinjt e Kosovës janë të brishtë dhe leht të kalueshëm ilegalisht. Këtë e konstatojnë institucioneve vendore e ndërkombëtare. Ky fakt madje është përdorur edhe nga gjykata.   “…është fakt i njohur që kufinjtë e Kosovës janë të brishtë dhe nëse duhet lehtësisht mund të kalohen ilegalisht…”, thuhet në një të  vendimit për masën e paraburgimit për së paku  një rast të profilit të lartë të hetimeve për korrupsion, rast që mbete i njohur për “Preportr”.

Në EULEX nuk kanë pranuar që të komentojnë se në çka u bazua gjyqtari kur e nxori këtë vendim, pos që kanë bërë me dije se ndaj këtij vendimi është ankuar mbrojtja, ankesë kjo  që  nuk ka arritur ta rrëzojë vendimin në fjalë.

Hulumtimi i “Preportr” për këtë çështje nxjerr se konstatimi i gjyqtarit të EULEX-it, që kufinjtë e Kosovës janë të leht  kalueshëm ilegalisht, është i njëjtë me konstatimet që dalin si rezultat i analizave që ka bërë Policia Kufitare e Kosovës si dhe hartuesit e Raporti të Progresit nga Komisioni Evropian. Megjithatë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Integrimeve Evropiane nuk mendojnë që ky fakt do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave.

Policia: Kufinjt kalohen ilegalisht edhe me veturë

Në Policinë e Kosovës flasin hapur për “kufinjt e hapur”. “Mund të konstatojmë se ka pozicione dhe pjesë të kufirit ku mund të kalohet shumë lehtë jo vetëm në këmbë por edhe me vetura”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës për “Preportr”.

Për këtë konstatim, si fakt Policia përmend terreni malor të kufirit, që sipas tyre në shumë pjesë është i vështirë. “Gjatësia e kufirit e Republikës së Kosovës, me gjatësi të përafërt 740 kilometra, tereni malor në shumë pjesë të Kosovës i vështirë por duke mos përjashtuar edhe pjesë të kufirit lehtë të kalueshme ka bërë që në Kosovë të jenë 117 raste të Hapura në vitin 2011”, thonë në Polici.

Por për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), nën përgjegjësinë e të cilës është Policia, thonë se ky nuk është konstatim i Policisë. “Së pari nuk qëndron fakti se Policia e Kosovës ka konstatuar se kufinjtë e Kosovës janë të kalueshëm ilegalisht. Ky është vlerësimi juaji”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të kësaj mistrie për “Preportr”.

Një javë më vonë, në MPB, vijnë përsëri tek i njejti konstatim sikurse ai i policisë. “Të gjitha vlerësimet operative të Shtyllës së Kufirit në kuadër të Policisë së Kosovës konstatojnë se ka disa pjesë të vijës së gjelbër të kufirit në të cilat dyshohet se ka kalim ilegal të personave dhe mallrave”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Në MPB, sikurse edhe në Polici, arsyetohen se kjo situatë është pjesërisht si pasojë e konfiguracionit të terrenit dhe  si pasojë e kushteve tjera, por pa thënë se për cilat kushte e kanë fjalën.

Konstatimin e Policisë, që është i njëjtë me të EULEX-it, që kufinjt e Kosovës janë lehtësisht të kalueshme ilegalisht, në MPB fillimisht e kanë konsideruar si të paqëndrueshëm, ndërsa tash në këtë ministri e dijnë edhe cila pjesë e kufirit është më e prekur nga ky fenomen.

“Një sfidë që po adresohet në trajtë të vazhduar është kontrolli i vijës kufitare me Serbinë, e cila në bazë të analizave të riskut vlerësohet si pjesa ku ka kalime ilegale të kufirit”, thonë në MPB.

Raporti i Progresit: Kosova keq me kufij

Më i drejtpërdrejt se EULEX-i e Policia Kufitare në konstatime për gjendjen e kufijve të Republikës së Kosovës është Komisioni Evropian. Në Raportin e Progresit për vitin 2011 ky institucion konstaton se Kosova ende nuk ka filluar t’i zgjedh problemet me kufinjtë, por vetëm është në fazën fillestare të adresimit të tyre.

“Kosova ka arritur ca përparim, por është ende në një fazë të hershme të adresimit të sfidave të menaxhimit të integruar të kufirit”, konstaton Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.

Në këtë dokument, derisa vihet edhe një herë në theks se “Kosova nuk ka asnjë politikë të vizave”, thuhet se Task-forca e përbashkët e doganave dhe shërbimeve policore,  e themeluar për ta luftuar kriminalitetin tej-kufitar, tash është në fazën e vlerësimit të rrezikut.

Në Raportin e Progresit të vitit të kaluar për Kosovën janë përmendur edhe marrëveshjet që janë nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe që kanë rezultuar me patrullime të përbashkëta të policisë kufitare. Si progres është përmendur nxjerrja e procedurave të reja standarde nga Policia për operimin për procedurat e kontrollit në kufinj, bartjen e përgjegjësive  për vëzhgimin e kufirit me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Malin e Zi nga KFOR-i te Policia e Kosovës.

Në rrethin e këtyre “progreseve”, Komisioni Evropian ka renditur edhe memorandumet e nënshkruara në mes të vetë institucioneve kosovare, si ai në mes të Doganave e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Doganave me Prokurorinë e Shtetit.

Këto memorandume ishin nënshkruar për të pasur më të leht luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe implementimin e menaxhimit të integruar të kufirit, por Komisioni Evropian konstaton se parimet e menaxhimit të integruar të kufirit nuk zbatohen sa duhet në praktikë, pasi që Policia nuk ka qasje as në të dhënat e veta.

“Qendra e përbashkët operative për kontrollin e kufirit nuk është plotësisht funksionale, pasi që policia kufitare nuk ka qasje në bazën e vet të të dhënave”, thuhet në Raportin e Progresit, pjesa për kufinjt. Në lidhje me këtë, Komisioni Evropian rekomandon që të bëhet ndërlidhje të mëtutjeshme ndërmjet hisedarëve të ndryshëm në kufinj, në mënyrë që të zhvillohen dhe zbatohen plane të përbashkëta operative, të përdoren paisje të përbashkëta dhe sisteme të integruara të menaxhimit të të dhënave në bazë të procedurave standarde të operimit të miratuara.

“Shkëmbimi i pamjaftueshëm i informatave me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë pengon luftimin e krimit tej-kufitar”, thuhet në Raportin e Progresit derisa edhe për ta, sikurse për MPB-në,  veriu i Kosovës mbetet sfidë e veçantë për menaxhimin e integruar të kufirit.

MPB e MIE: S’ka ndikim te liberalizimi i vizave

Me gjithë konstatimet e dala nga EULEX-i, në vendimin gjyqësorë për dyshimet për korrupsion në një rast të profilit të lartë, analizat e Policisë së Kosovës e konstatimet e Komisionit Evropian që kufinjtë e Republikës së Kosovës janë të kalueshëm ilegalisht, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Integrimeve Evropiane mohojnë që ky fakt do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave.

“Për MPB-në janë të qarta edhe detyrimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave, prandaj me optimizëm e presim Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave, gjithmonë të vetëdijshëm se të gjitha kriteret teknike do të zbatohen me kohë”, thotë MPB për “Preportr”.

Kjo, sipas përgjigjeve të MPB-së, për faktin se është bërë progres substancial në implementimin e konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, funksionalizimit të sistemi “Border Management System” (BMS) që bashkëvepron me sistemin “Schengen Information System” (SIS), përkrahja që i ka dhënë Komisioni Evropian Policisë së Kosovës nëpërmjet Instrumentit të Para-Anëtarësimit me projekte të shumta dhe më një  asistencë teknike në vlerë prej 9 milionë eurosh.

Në ministrinë që është themeluar posaçërisht për të punuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, Ministrinë e Integrimeve Evropiane (MIE) konfirmojnë edhe një herë se Menaxhimi i Kufijve është një ndër kriteret që duhen të përmbushet sa i përket procesit te liberalizimit të vizave dhe se kjo nënkupton edhe bashkëpunim ndërshtetëror me shtetet me të cilat kufizohet Republika e Kosovës.

Megjithëse  janë në dijeni për faktin që aktualisht kufinjtë e Kosovës janë të kalueshëm ilegalisht, në MIE janë të bindur se kjo nuk do të pengoj në procesin e liberalizimit të vizave.

“Duke iu referuar raportit dhe punës së organeve shtetërore, përkatësisht MPB-së dhe Policisë Kufitare, ky përkushtim na fuqizon bindjet se nuk do të kemi ndonjë pengesë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të Integrimit të Kosovës në BE në përgjithësi”, thuhet në qëndrimin zyrtar të MIE-së për “Preportr”.

2011, hapen 107 raste të kalimit ilegal të kufirit

Rrëfimi i Policisë së Kosovës në lidhje me kalimet ilegale të kufirit nis me vështirësitë që ata kanë në mbledhjen e provave që duhet t’ia prezantojnë gjykatës për personat që i kapin në flagrancë.

Në vitin e kaluar Policia Kufitare u përball me mbledhjen e provave për 194  persona që kishin vendosur të kalonin ilegalisht kufirin . “Në total, për vitin 2011 numri i personave të përfshirë në këtë vepër penale është gjithsej 194 persona të dyshimt për kryerje të kësaj vepre. Prej numrit total të personave të dyshuar se e kanë kryer këtë vepër, 190 janë të gjinisë mashkullore ndërsa vetëm 4 të gjinisë femërore. Nga gjithë këto kalime të paligjshme apo të paautorizuara në Policinë Kufitare janë hapur 107 raste”, thuhet në përgjigjet e Policisë për “Preportr”.

Në të dhënat e Policisë, të cilat i janë  ofruar  “Preportr”, konstatohet se mbi 90 %  rasteve të kapura në tentim për të kryer veprën penale të kalimit ilegal të kufirit janë duke hyrë në Kosovë. “Në një Analizë të bërë nga Njësia e Analizave në Policinë Kufitare shohim se nga 107 rastet sa kanë ndodhur në kufirin e Kosovës, 92 raste janë kapur personat që kanë dashur të hyjnë në Kosovë ndërsa vetë 15 raste duke dalë nga Kosova”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Në këtë institucion, që tashmë e pranojnë se ka pozicione dhe pjesë të kufirit ku mund të kalohet shumë leht jo vetëm më këmbë por edhe me vetura thonë se kanë aktivitetet të pa ndashme  dhe se puna e tyre  ka ndikuar në ruajtjen e kufirit dhe kapjen e shumë kryesëve të veprës  penale të kalimit ilegal të kufirit.

Policia deklaron se po punon edhe në identifikimin e pikave të nxehta, personave të dyshimt e rrugëve që shfrytëzohen për kalim ilegal të kufirit me vizionin e tyre: “Se shteti mbrohet në kufi”.