English
Scroll top

Masoud KEKyan – Zoti i energjisë

Këshilltarët e huaj në KEK pyeten që nga blerjet e mëdha, tek dokumentet strategjike e deri në largim të punëtorëve nga puna. Nga komunikimet interne shihet se këshilltarët e huaj kontrollojnë prokurimin dhe blerjet që kapin vlera milionëshe, por fuqia vendim-marrëse e tyre shkon deri aty sa edhe i rekomandojnë menaxherëve të distrikteve rajonale që të përjashtojnë punëtorë nga puna. Këta këshilltarë, komunikojnë/ndikojnë edhe deputetët kur duhet votuar ndonjë...

Prishtinë, 05 Gusht 2012

Sektori i energjisë në Kosovë është i dominuar nga organizata, konsulentë e kompani ndërkombëtare. Konsulenca të vazhdueshme ndërkombëtare dhe investimet e pafund nuk kanë rritur efiçencën e këtij sektori. Në KEK nuk është dhënë përgjegjësi asnjëherë për dështimin e dhjetëra milionëve investime, por as për faktin se ky sektor përkundër konsulencave të shumta ndërkombëtare dhe resurseve të pakufishme natyrore, nuk u ngrit në këmbë ndonjëherë.

Kosova jeton mbi rezervat e pesta në botë të linjitit, por vazhdon të ketë reduktime më shumë se çdo vend në rajon. Një pjesë e mirë e investimeve në KEK kanë dështuar, kurse rryma vazhdon e blihet me pesëfishin e çmimit të eksportit të saj nga Kosova.

Potenciali energjetik i Kosovës është enorm dhe dokumente të rëndësishme ndërkombëtare për sektorin e energjisë e shohin Kosovën si një furnizuese të rëndësishme për Ballkanin. Duke analizuar mënyrën e menaxhimit të këtij sektori mund të kapen disa paradokse. Investimet e shumta nën tutorimin e kompanive konsulente ndërkombëtare mund të konsiderohen se kanë dështuar në krijimin e një sektori të qëndrueshëm energjetik.

Shiko Gazetën #6

Të njëjtat kompani e individë të jashtëm që “këshilluan” Qeverinë e Kosovës vazhdojnë të merren edhe me hulumtimet e analizat që përgatisin këtë sektor për privatizim. Dështimi i këtyre konsulencave nuk është konstatuar asnjëherë nga punëdhënësi i tyre, në këtë rast Qeveria e Kosovës, por e vërteta është që me tërë ekspertizën e tyre KEK-u nuk u bë ndërmarrje rentabile. Kjo para së gjithash për shkak se institucionet e Kosovës pothuajse nuk janë marrë me krijimin e politikave në këtë sektor, por kanë pasur pak rol edhe në nivelin e menaxhimit të ndërmarrjes së vetme të rëndësishme për energji në Kosovë, KEK-ut.

Me ndikimin e këshilltarëve të huaj dhe lidhjeve të tyre me kompani të huaja, KEK-u bëri shumë blerje me kosto shumë më të shtrenjta përmes tenderëve njëburimor, blerje që shpesh kanë dështuar, ndërsa janë refuzuar ofertat më të lira.

Ajo që karakterizon këtë sektor është mungesa e masave kundër personave e kompanive që dogjën miliona euro investime,  edhe pse ndonjëherë këto dështime të investimeve janë dukur sikur të ishin sabotazhë ndaj kësaj kompanie. Madje në disa raste të investimeve të dështuara ka raste kur kompanitë që kanë bërë liferimet e pajisjeve milionëshe kanë vazhduar të shpërblehen me tenderë nga KEK-u edhe pse kësaj korporate i kanë shitur pajisje të prishura dhe e kanë dëmtuar për miliona euro.

Përfaqësuesit e KEK-ut japin përgjigje kontradiktore ose nuk japin fare kur pyeten nëse është ndërmarrë diçka në lidhje me dëmtimin e KEK-ut nga kompanitë e ndryshme. Me ndikimin e këshilltarëve të huaj dhe lidhjeve të tyre me kompani të huaja, KEK-u bëri shumë blerje me kosto shumë më të shtrenjta përmes tenderëve njëburimor, blerje që shpesh kanë dështuar, ndërsa janë refuzuar ofertat më të lira.

Spastrimi i terrenit nga kundërshtarët

Këshilltarët e huaj ende e kanë në dorë plotësisht menaxhimin e KEK-ut. Por edhe këta këshilltarë e kanë “bossin” e tyre, e ai është Masoud Keyan, i cili është angazhuar në KEK në fillim të vitit 2007 pothuajse njëkohësisht me ish-drejtoreshën Pranvera Dobruna. Sipas njerëzve që kanë punuar dhe punojnë ende në KEK, Keyan tërë këtë kohë ka qenë njeriu kryesor në këtë korporatë dhe pa “aminin” e tij nuk mund të bëhet asgjë. Masoudi është i kontraktuar përmes USAID-it si përfaqësues i kompanisë “PA Consulting”, por edhe pse kompania këshillëdhënëse ka ndryshuar, Keyan ka ngelur stoik duke u angazhuar edhe me kompaninë pasuese në KEK, “Tetra Tech”. Të gjithë ata që kanë kundërshtuar propozimet e tij janë larguar nga puna dhe janë zëvendësuar nga njerëz të dëgjueshëm që i nënshkruajnë e aprovojnë kërkesat e tij.

“Preportr” ka gjetur një listë me dhjetëra persona që janë larguar nga puna, brenda pak muajsh, pa u vlerësuar si duhet përformanca e tyre. Krejt kjo ka ardhur sipas njerëzve që i njohin rrethanat në KEK dhe që kanë punuar aty, si spastrim i terrenit nga Keyan prej njerëzve që do të mund t’ia “zinin rrugën”.

Me ndikimin e këshilltarëve të huaj dhe lidhjeve të tyre me kompani të huaja, KEK-u bëri shumë blerje me kosto shumë më të shtrenjta përmes tenderëve njëburimor, blerje që shpesh kanë dështuar, ndërsa janë refuzuar ofertat më të lira

Të larguar sipas një liste që e ka siguruar “Preportr”, janë: Visar Kelmendi, Fëllanza Hoxha, Fëllanza Pula, Selami Gashi, Lazër Krasniqi, Shemsedin Klaiqi, Farhedin Maqestena, Nazmi Gashi.

Të larguar sipas një liste që e ka siguruar “Preportr”, janë: Visar Kelmendi, Fëllanza Hoxha, Fëllanza Pula, Selami Gashi, Lazër Krasniqi, Shemsedin Klaiqi, Farhedin Maqestena, Nazmi Gashi.Kjo listë nuk përfundon me këta emra. Një komunikim i brendshëm tregon për presionin që këshilltarët ndërkombëtar i kanë bërë menaxhmentit për të larguar nga puna të tjerë punëtorë nën arsyetimin  e “performancave të dobëta”.

Përfaqësues të sindikatës së Elektrokosovës thonë se veç këtyre menaxherëve, ka edhe shumë të larguar në nivel të distrikteve. Numri i tyre shkon në dhjetëra dhe asnjërit prej tyre nuk i është dhënë ndonjë arsye konkrete për pushim nga puna. Madje sipas drejtuesëve të Sindikatës së Elektrokosovës punëtorët që largohen nga puna në KEK nuk kanë të drejtë ankese. Ata kryesisht janë njerëz me përvojë prej dekadash në punën e tyre, që nuk janë pajtuar me mënyrën e menaxhimit të KEK-ut nën grushtin e Keyan.

Dominimi i këshilltarëve të huaj tashmë është bërë një mënyrë e menaxhimit në KEK, pasi që edhe këshilltarët e tjerë më të “vegjël”, japin urdhra ekzekutive, duke rekomanduar hapjen e konkurseve në mënyrë të vazhdueshme dhe duke përjashtuar punëtorë që kanë punuar që disa vite, gjoja për shkak të përformancave jo të mira.

Në një komunikim me shkrim që ka siguruar “Preportr ” njëri prej këshilltarëve të huaj, Babukhadia Irakli, ua ka kërkuar menaxherëve të distrikteve rajonale largimin e menjëhershëm nga puna të punëtorëve që kanë punuar në inkasim.  Gjuha që përdorët në këtë e-mail është urdhëruese dhe ekzekutive, duke ua kujtuar menaxherëve që nëse nuk implementohen ndryshimet që i janë bërë Rregullores së Distriktit do të ndërmerren masa administrative ndaj tyre. Në këtë letër si arsyetim përdoret “performanca e dobët”, por përfaqësuesit e sindikatës thonë se këto largime bëhen pasi që bëhen lista pritjeje nga njerëz tjerë që kërkojnë të punësohen në KEK dhe prandaj duhej larguar punëtorët aktual për të liruar vendin të përzgjedhurve të këshilltarëve ndërkombëtarë. “Preportr”, gjithashtu ka siguruar edhe dokumente të tjera ku shihet pozita dominuese, vendimmarrëse e këshilltarëve të huaj, të cilët në fakt janë shefa si dhe nënshtrimi i vendorëve ndaj tyre.

Na keni ndihmu, na keni......

Avni Kurshumliu, i cili në KEK ka punuar për 40 vite, thotë se Masoud Keyan ka fuqi të madhe në KEK pasi e ka përkrahjen edhe nga vetë kryeministri. Për më tepër ai thotë se këshilltari i KEK-ut hyn pa trokitur në zyrën e kryeministrit.

“Mbështetja ka qenë shumë e fuqishme dhe është edhe sot nga USAID-i dhe presioni nga Ambasada Amerikane tek Qeveria e Kosovës për të mos lëshuar pe nga kjo rrugë dhe kjo  strategji nuk udhëhiqet vetëm në Bordin ekzekutiv, por edhe në Bordin drejtorëve. Pra problemi më i madh i KEK-ut nuk janë ekzekutivët, por bordi i drejtorëve të cilët vetëm janë marioneta dhe kanë për t’i çuar duart për të miratuar çdo propozim”, ka thënë Kurshumliu.

Mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Amerikane që e ka Keyan e pranon edhe ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula.

Të gjithë në KEK dhe ne e dimë që ai (Masoud) e menaxhon KEK-un për shkak se ka përkrahjen nga institucioni i cili e ka angazhuar. Çdo ndryshim pozitiv që ka pak, apo negativ është nën direktivat e tij

Justina Pula

“Ai në fakt e menaxhon KEK-un edhe pse ka ardhur si këshilltar për ta rregulluar situatën në distribucion. Pra  ky ka ardhë si ekspert për ta rregulluar situatën në distribucion dhe tash po shihen rezultatet e tij. Është e treta qeveri që Masoudi është pjesë e menaxhimit në mënyrë direkte apo indirekte”, thotë Shiroka-Pula.

Për ta dëshmuar fuqinë e tij në KEK, ish-ministrja Shiroka-Pula, tregon se kur e ka marrë timonin për të udhëhequr me ministrinë, ka gjetur shumë dokumente ku ai ose bashkëpunëtori i tij kanë qenë pjesë e pranimit të punëtorëve në KEK, pjesë e tenderëve dhe proceseve të ndryshme.

“Ndërsa më vonë nuk kam gjetur dokumente ku ai ka qenë pjesë, por të gjithë në KEK dhe ne e dimë që ai e menaxhon KEK-un për shkak se ka përkrahjen nga institucioni i cili e ka angazhuar. Çdo ndryshim pozitiv që ka pak, apo negativ është nën direktivat e tij”, thotë ajo.

Për të gjitha këto çështje, Preportr ka tentuar që të bisedojë edhe me drejtorin gjeneral të KEK-ut Arben Gjukaj,  sikur edhe me vetë Masoud Keyan, por kjo nuk na është mundësuar. Për intervistimin e Gjukajt, Zyra për informim e KEK-ut ka kërkuar të bëhet kërkesë. Edhe pse kjo kërkesë është bërë me datën 25 qershor, nuk na është mundësuar takimi.

Ndikimin e madh të Keyan në KEK e tregon ish-drejtori financiar i kësaj korporate, Visar Kelmendi. Ai thotë se Keyan ka ardhur me strategji për ndërrimin e drejtorëve.

“Ka qenë strategji e Masoud Keyan krijimi i një ekipi të dyfishtë të drejtorëve për çdo divizion dhe brenda gjashtë muajve fillojnë me  ndërrimin e drejtorëve në të cilët janë investuar miliona euro për profesionalizimin  e tyre  dhe “emërohen disa ‘sabi’, të pashkolluar që të vetmin argument e kanë që dinë të thonë “Yes”.

Sipas tij, çdo plan pastaj është bërë nga të huajt dhe shihej shkrimi që ishte një përkthim me direktiva nga anglisht në shqip, “e që në fakt në shqip as nuk mund të kuptohej mirë, por nënshkrimet ishin të Pranverës, Remzi Shahinit e deri të Arben Gjukaj”.

“Ato dokumente shiheshin që ishin të përpiluara prej “PA Consluting” dhe vetëm i dorëzoheshin drejtorëve shqiptarë për t’i nënshkruar dhe për t’i zbatuar. Çdo propozim i tij, vjen i nënshkruar nga drejtorët e KEK-ut dhe del si propozim i KEK-ut dhe Bordi gjithmonë vetëm jep miratim”, u shpreh Kelmendi.

Ndryshimet kadrovike në KEK i sheh me pesimizëm edhe Naim Hoxha nga Instituti Riinvest. Ai konsideron se është i paarsyeshëm largimi i menjëhershëm i disa menaxherëve nga pozitat e tyre. “Në KEK është bërë një ndërrim i madh i drejtorëve, po jo vetëm i drejtorëve në nivelin gjeneral, por edhe në nivelin e njësive. Pra ka pasur një ndërrim enorm të cilin edhe shtetet më të pasura më kuadro nuk do të kishin mundur ta përballojnë sepse në secilën njësi ka pasur 6 a 7 drejtorë të cilët janë ndërruar”, thotë Hoxha.

Ai thotë se nga KEK-u janë larguar një seri e inxhinierëve të dëshmuar si të suksesshëm dhe në këtë kontekst e përmend Ali Hamitin. “Është e panatyrshme.... nuk po them që është e pamundur, as nuk po them që këta djemtë që janë tani në qeverisje nuk vlejnë, por është e panatyrshme që kuadrot më të mira që i ka pasur Kosova në këtë lëmi dalin të pasuksesshëm dhe përnjëherë dalin të suksesshëm këta që kanë qenë në periferi”, thotë ai.

Të njëjtën gjë e pohon edhe kryetari i Sindikatës së Elektrokosovës Fehmi Pajaziti, i cili thotë se “me direktiva të ndërkombëtarëve në KEK, janë larguar dhe po largohen shumë punëtorë dhe po zëvendësohen me të tjerë që janë më pak të zotë në punën e tyre”.

Këshilltari anti-feminist

Fëllanza Pula është emëruar në postin e drejtores së furnizimit me datë 03.04.2007, me vendim të drejtoreshës Pranvera Dobruna, ndërsa me 30.05.2007 është larguar nga ky post pa iu dhënë asnjë arsye. Ajo thotë se arsyeja e largimit ka qenë “mosdëgjueshmëria” e saj për të nënshkruar dokumente të propozuara nga Keyan. Ndërsa “fërkimi” më i madh i saj me Keyan ka qenë kur ky i fundit i ka thënë që ta nënshkruajë një dokument në të cilin thuhej se nuk mund të bashkëpunonte me drejtoren e rrjetit, që në atë kohë ishte Fllanza Hoxha dhe përmes këtij nënshkrimi të largohej Hoxha nga pozita e drejtores, pasi që nuk i pëlqente këshilltarit Keyan.

Ajo thotë se vendimi për largim nga puna nuk ka përmbajtur asnjë arsye dhe për këtë ajo ka kërkuar sqarime nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut. Gjithashtu thotë se është ankuar edhe në Inspektoratin e Punës, por nuk është bërë asgjë.

Pas këtij largimi nga puna, Fllanza Pula ka paditur KEK-un dhe e ka fituar rastin dhe gjykata e ka urdhëruar KEK-un për ta kthyer në punë, por ajo nuk është kthyer në postin që e ka pasur. Asaj i është ofruar një post tjetër i cili “nuk ka ekzistuar kurrë”. Dhe me datë 22.08.2007  u.d i drejtorit Remzi Shahini ia shkëput marrëdhënien e punës me KEK-un me arsyetimin se kjo pozitë nuk ekziston dhe nuk është e nevojshme.

Largimin e Fëllanza Pulës e kanë kundërshtuar edhe menaxherët e të gjitha njësive të divizioneve të furnizimit, të cilët kanë kërkuar nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut dhe nga institucionet relevante që të shqyrtohet vendimi në fjalë, pasi që “drejtoresha Pula ka pasur përformancë të mirë gjatë punës së saj”.

“Propozimet kanë qenë të shumta, që nga kërkesat e thjeshta e deri tek kërkesat që unë të nënshkruaj që nuk kuptohem apo kemi mosmarrëveshje me drejtoren e rrjetit. Por në fakt, unë me drejtoren e rrjetit kam pasur bashkëpunim shumë të mirë, pasi që bashkë me të e kemi përgatitur para kohe planin e biznesit dhe planin aksional të rrjetit dhe furnizimit. Pra një prej arsyeve që më ka larguar nga puna Masoud Keyan ka qenë mosdëgjueshmëria”. Sipas saj Keyan nuk bën asgjë direkt, por e shfrytëzon ndikimin vet për t’i realizuar planet. “Jo zyrtarisht ka thënë se drejtori duhet me qenë i dëgjueshëm ndaj shefit, e në atë kohë shefe ka qenë Pranvera Dobruna”, thotë Pula.

Ajo thotë se Masoudi ka qenë hapur kundër femrave që janë në pozita ekzekutive, ndërsa i ka larguar ato që nuk ia kanë përfillur propozimet. “Masoud mendon se nuk duhet me pas femra në pozitë, pra është komplet shovinist”.

“Mua ma ka thënë që femrat dinë vetëm të flasin për flokë, për shminka, për gardërobë’ thotë Pula. Ajo thotë se për këto fyerje i ka shkruar punëdhënësit të Keyan, por nuk ka marr asnjë përgjigje.

Pas vendimit për largim, Fëllanza Pula thotë se i është ofruar një deklaratë për ta nënshkruar. Në këtë deklaratë thuhet se ajo nuk do të ngre padi kundër KEK-ut, apo ndonjë zyrtari të kësaj korporate dhe do të pranojë 11 mijë e 400 euro ne emër të shkëputjes së kontratës. Ajo thotë se i është thënë se ky dokument nuk duhet që të dalë jashtë KEK-ut.

Nga ardhja e Keyan në KEK janë larguar menaxherë me përvojë disa dekadëshe. Një nga ta ishte edhe Fëllanza Hoxha, e cila ka punuar si menaxhere dhe drejtor në Distribucion për 28 vjet. Burime nga brenda thonë se Hoxha është larguar pas disa mospajtimeve të saja me këshilltarin Keyan. Që Masoudi kishte ardhur me tendencën e pastrimit të terrenit nga “njerëzit e padëgjueshëm”, ndaj tij e thonë edhe Visar Kelmendi ish-drejtor financiar dhe Skënder Krasniqi, ish-kryetar i bordit të drejtorëve në KEK.

Të dy thonë të mos kenë qenë në të njëjtin mendim me Keyan. Skënder Krasniqi thotë se me të takuar atë (në një mbledhje të Bordit), kur ai ka folur nga mbrapa, ky i ka sugjeruar të heshtte pasi nuk kishte dijeni se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte. Largimi i tij thotë të mos ketë ardhur nga ky fërkim, por që ai vetë nuk kishte konkurruar për pozitën e kryetarit të Bordit të Drejtorëve ku ka qenë ushtrues detyre për 6 muaj.

Ndërsa Visar Kelmendi thotë se ndikimi i Masoudit në Pranvera Dobrunën bëhet shumë i madh. Sipas tij, në takimin e parë të Bordit, Dobruna thotë se prej sot jam drejtoreshë dhe fjalën po ia jep zotit Masoud Keyan, ndërsa ky i thotë veç dy fjalë: ‘krejt çka keni bërë me ESBI-n nuk vlen dhe ky Bord nuk ka për të ekzistuar më’.

“...pa e kryer fjalën unë i kërkova shpjegim se me çfarë kompetencash po flet para Bordit, kurse ai reagoi shumë fort dhe mbledhja u mbyll atë ditë”, thotë Kelmendi. Pas një jave Pranvera e mbyll divizionin e Kelmendit dhe e lë atë pa vend pune.

Shkon bregu te Masoud-i

Shkon mali te Muhameti, apo Muhameti te Mali? Është kjo një metaforë me të cilën mund të kuptohet rëndësia e Masoud Keyan në KEK. Në fillim të vitit 2007, Keyan ka ardhur si këshilltar i kontraktuar nga USAID me kompaninë “PA Consulting”. Kështu, në maj 2010, “PA Consulting” ka qenë poashtu kompania që është angazhuar për të bërë vlerësimin e termocentralit Kosova B. Më vonë kur Keyan kalon me kompaninë tjetër konsulente që angazhohet për këshilldhënie në KEK, sipas “Kosovo Energy Sector Strategy Briefer” “Tetra Tech” bën edhe një vlerësim të fizibilitetit të termocentralit Kosova B. Sipas ekspertëve, në këtë termocentral, hulumtimi i fundit ka treguar se ky termocentral është riparuar deri në masën saqë mund t’i jetë ripërtërirë jetëgjatësia për disa dekada

Këto studime nuk i janë dhënë Qeverisë së Kosovës. Përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në kuadër të së cilës është sektori i energjisë, kanë thënë se kompania që ka bërë vlerësimin e Kosovës B thjesht “ka ndarë të gjeturat kryesore” të këtij vlerësimi, por nuk i ka dhënë qasje qeverisë në këtë dokument. Këto dokumente sido që të jetë kanë një rëndësi të veçantë në ndërtimin e strategjisë për sektorin e energjisë. Deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se presionet më të mëdha për ta aprovuar dokumentin strategjik për sektorin e energjisë në Kuvend i kanë bërë pikërisht këshilltarët ndërkombëtarë. Në disa prononcime për media edhe vetë ish-ministrja Pula-Shiroka ka folur për një “presion enorm” të këshilltarëve ndërkombëtarë në Parlament për kalimin e Strategjisë për Energjinë.

Fakti që Qeveria e Kosovës pranon se nuk ka në posedim vlerësime të tilla siç janë ato të fizibilitetit për termocentralin Kosova B, tregon se sa i përjashtuar është ekzekutivi nga këshilltarët ndërkombëtar në sektorin e energjisë. Kryeministri i Kosovës nuk e ka asnjë këshilltar për energjinë, por ata që kanë frekuentuar takimet për këtë sektor thonë se ai thjesht i ka lënë këtë sektor zotit Keyan. Pothuaj se të gjithë ekspertët vendor që merren me energji kanë kundërshtuar në vazhdimësi zgjidhjet strategjike për energjinë.