“Për shkak të kësaj pune kam edhe probleme shëndetësore, me frymëmarrje nuk jam mirë. Edhe çika mu ka paralizu për shkak të kushteve, u infektu se nuk ka lind kshtu”, shprehet Zymeri.
Ekipi i Preportr ka përcjellë punën e përditshme që e bën Zymeri. Ai për një punë dyditore kishte arritur që të mbledhë një thes e gjysmë me shishe të plastikës dhe po i dërgonte për t’i shitur.
Mbeturinat e mbledhura i dërgon vetëm tek kompania “Rrezi Com”, e cila bën grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme. Edhe pse thesi dukej goxha i madh dhe i mbushur plot, ai nuk peshoi më shumë se 31 kilogramë, përjashtuar këtu edhe peshën që e ka thesi i zbrazët, që në këtë rast ishte 1 kilogram. Pra, nga ky thes gjigant i mbushur me shumë mund, Zymeri nuk mori më shumë se 4 euro e 20 centë dhe u kthye serish për ta zënë pjesën e mbetur të ditës për të mbledhur mbeturina.
Kompania “Rrezi Com” është njëra ndër kompanitë më të mëdha të mbledhjes se mbeturinave të plastikës. Pasi që aty dërgohen mbeturinat nga mbledhës individualë, një grup i punëtorëve merret me presimin dhe përgatitjen e tyre për eksport.
Pronari i kësaj kompanie nuk dëshiroi të prononcohet, por Rrahman Beqiri, punëtor i kësaj kompanie na shpjegoi punën që bëhet aty dhe për mënyrën e eksportimit.
“Këto materialet qa na vijnë i presojna (shtypim me makineri) dhe pastaj vijnë kompani tjera që i dërgojnë jashtë vendit”, thotë Beqiri.
Sipas të dhënave që Preportr ka marrë nga Dogana e Kosovës për këtë kompani, vetëm brenda periudhës 2010 deri në shtator 2015, ajo ka eksportuar 428 mijë e 295 kilogramë (neto) skrap, vlera e këtij eksporti është 76 mijë e 681 mijë euro.
Smajli, një tjetër mbledhës i cili është 56 vjeçar, del dy herë në ditë për të mbledhur mbeturina. Për dallim nga mbledhësit e tjerë, ai e ka pasur pas fatin që të ndihmohet nga organizata “The Ideas Partnership”, e cila ia ka blerë një karrocë për të mbledhur mbeturina më lehtë. Ai thotë se kjo karrocë po i ndihmon shumë në punën e tij të përditshme, por ankohet se ngasja e kësaj karroce është e lodhshme duke marrë parasysh moshën që e ka.
Familja e tij përbëhet prej tetë anëtarësh dhe të gjithë jetojnë nga mbledhja e mbeturinave, përfshirë këtu edhe pagesën e qirasë së shtëpisë ku jetojnë.
Ai thotë se zgjohet në ora pesë të mëngjesit për të shkuar në Prishtinë dhe punën e mbaron rreth orës 9 në mbrëmje. Lëvizja gjatë tërë ditës nëpër lagje të Prishtinës dhe shkuarja e ardhja në shtëpi dy herë në ditë është shumë e lodhshme për të, pasi thotë se brenda një dite i bën deri në 60 kilometra rrugë.
“Më së shumti mledh në kantat që janë në lagjen ‘Dardania’ dhe ‘Lagjen e Spitalit’. Me ket punë merrem që katër vjet. Mledhi hekur, plastikë etj. Përpara kam mledh edhe paketa, po tash nuk po muj mi baj ato se s’po kam as ku mi lan, se nuk është veni jem ktu ku jetoj, e për shishet e plastikës nuk është problem se janë të pastra”, thotë ai.
Ai për dallim prej mbledhëseve të tjerë nuk i dërgon mbeturinat për t’i shitur për çdo ditë, por i dërgon pasi grumbullon një sasi më të madhe, të cilat paraprakisht i klasifikon.
Për ni ditë i mushi dy thasë, i daj shishet veç, najlonin veç. Ni thes i madh i ka 30-40 kilogramë. Zakonisht i boj 6-7 thasë dhe i çoj për mi shit
Smajli
“Për ni ditë i mushi dy thasë, i daj shishet veç, najlonin veç. Ni thes i madh i ka 30-40 kilogramë. Zakonisht i boj 6-7 thasë dhe i çoj për mi shit. Për ni ditë i fitoj 6-7 euro. Por me pas traktor kisha fitu edhe ma shumë”, ka thënë Smajli.
Preportr ka shoqëruar Smajlin duke punuar gjatë një pjesë të ditës. Ai po bënte gati karrocën dhe thasët e mëdhenj për të mbledhur mbeturina në kohën e pasdites. Në oborrin e shtëpisë ku jeton ai kishte grumbulluar katër thasë me mbeturina të plastikës dhe disa prej tyre tashmë i kishte klasifikuar, pra i kishte bërë gati për t’i dërguar për t’i shitur. Ai na tregon se mbledh edhe mbeturina tjera si kanaçe dhe materiale tjera të metalit.
Smajli atë ditë ndjehej më i lodhur dhe kishte vendosur që të shkojë vetëm deri në Fushë Kosovë. Me të arritur në Fushë Kosovë, ai drejtohet tek kontejnerët e parë. Filloi menjëherë që të mblidhte mbeturinat që i duhen për t’i shitur. I pakënaqur me atë që gjeti në këta kontejnerë, shkoi për të kërkuar mbeturina edhe në kontejnerët e tjerë të qytetit, ashtu siç bën për çdo ditë.
Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të banorëve të këtyre lagjeve, organizata “The Ideas Partnership”, po mundohet t’u ndihmojë në arsimim, shëndetësi dhe në forma të ndryshme. Udhëheqësja e kësaj organizate Elizabeth Gowing thotë se që pesë vite angazhohet që t’u dalë në ndihmë banorëve të këtyre lagjeve. Zyra e kësaj organizate ndodhet pikërisht në njërën nga këto lagje.
Elizabeth i njeh shumë mirë hallet e këtyre banorëve, ajo punon në mesin e tyre, madje tregon edhe për përvojën e saj, se si ka dalë që të mbledhë mbeturina bashkë me një familje të këtij komuniteti.
“Unë kam dalë një ditë me e pa për së afërmi si bëhet kjo punë, sepse është punë kryesore në komunitetin ku punojmë tash e pesë vite. Kam dalë një ditë për të mbledh mbeturina me Agronin dhe vajzën e tij Gjejlanen që i ka pasur në atë kohë 11 vjeç”, thotë Elizabeth.
Ajo tregon se për tri orë që thotë se ishin të lodhshme kanë arritur që të mbushin një karrocë me qese dhe se ka menduar se do të fitojnë goxha para, por kur kanë shkuar për t’i shitur, ajo ishte dëshpëruar me atë se sa kanë fituar.
“Kam mendu se do të fitojmë shumë pare, kur kemi shkuar në depo dhe janë matur ne kemi fituar dy euro e tetëmbëdhjetë centë. Kur jam kthyer për Prishtinë, jam ulur në një kafe dhe kam porositur një lëng portokalli, i cili ka kushtuar dy euro. Mendova që e gjithë puna ka shkuar kot”, u shpreh ajo.
Deponia e Gjilanit “industri” e mbledhjes së mbeturinave
Për dallim nga mbledhësit në kontejnerët e qyteteve, dhjetëra persona mbledhin mbeturina duke hallakatur në deponinë e Gjilanit, e cila gjendet mes fshatrave Velekincë dhe Uglarë. Ata presin kamionët të cilët shkarkojnë mbeturinat dhe fillojnë të mbledhin materialet që u nevojiten (kanaçe, shishe plastike, material metalike si shufra alumini, bakri, çeliku, etj). Këto materiale i dërgojnë në pikat e grumbullimit, shumica prej të cilave gjenden në atë rajon.
Këta persona gjatë gjithë ditës qëndrojnë aty për të mbledhur mbeturina. Numri i tyre arrin deri në 100 dhe për dallim prej qyteteve tjera ku mbledhës janë vetëm komunitetet RAE, aty ka edhe një numër të madh të shqiptarëve.
Kjo deponi në pamje të parë duket sikur një industri e mbledhjes së mbeturinave. Aty shihen thasë të mëdhenj të mbushur me mbeturina të ndryshme të cilat janë klasifikuar paraprakisht. Brenda deponisë ka tenda të improvizuara, ku qëndrojnë personat që mbledhin mbeturina. Ata e presin secilin kamion që vjen për t’u zbrazur, ndërsa nuk frikësohen që të mbledhin as mbeturinat që shpërndahen dhe shtypen nga ekskavatori.
Ata kanë dëmtuar edhe rrethojat e larta të deponisë për të hyrë sa më lehtë dhe për të nxjerrë materialet e mbledhura nga aty.
Ekipi i Preportr ka tentuar të bisedojë me ndonjërin prej këtyre mbledhësve, por ishte e pamundur për shkak të kundërshtimit të tyre dhe kërcënimeve që mos t’i xhirojmë me kamerë.
Shqetësues është fakti se në këtë deponi ka një numër të madh të fëmijëve. Ata i ekspozohen rrezikut të vazhdueshëm, duke mbledhur mbeturina afër kamionëve dhe ekskavatorëve, por edhe duke qëndruar në një ambient të kontaminuar gjatë gjithë ditës. Për shkak të punës së përditshme në deponi, këta fëmijë e kanë ndërprerë edhe shkollimin.
Përgjegjësit e deponisë thonë se këta mbledhës e pengojnë punën e punëtorëve të deponisë, pasi që qëndrojnë vazhdimisht afër kamionëve dhe ekskavatorëve, kur zbrazen, përkatësisht kur shtypen mbeturinat. Ata thonë se kanë provuar të bisedojnë disa herë me ta, por nuk kanë arritur që t'i largojnë nga aty. Ka pasur edhe raste të konfrontimit në mes të mbledhësve lidhur me hapësirën ku mbledhin mbeturina dhe për këtë ka edhe kallëzim penal nga policia.
As policia nuk ka arritur t'i largojë këta persona nga deponia pavarësisht se qëndrimi i tyre aty është i ndaluar. Ata largohen sapo të shohin veturat e policisë, për t’u kthyer brenda deponisë menjëherë pas largimit të tyre.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hasahni, ka thënë për Preportr se përgjegjës për largimin e personave që ndodhen në këtë hapësirë është sigurimi i kësaj deponie dhe nëse incidentet eskalojnë, atëherë duhet të lajmërohet policia.
"Policia e Kosovës është njoftuar nga punëtorët mirëmbajtës të deponisë se persona të pandërgjegjshëm e kanë dëmtuar rrethojën nga teli në segmente të caktuara të aksit përgjatë deponisë. Policia ka identifikuar disa persona të dyshimtë dhe ka ngritur disa raste penale për ‘dëmtim prone”. ka thënë Hashani.
Zëdhënësi i Komunës së Gjilanit Muhamet Pajaziti ka thënë për Preportr se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë intervenuar disa herë për të larguar këta persona nga deponia, pasi që është konsideruar se prania e tyre atje ka rrezikshmëri të lartë për shëndetin e tyre.
Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre kryefamiljarëve janë në skemën sociale të Komunës së Gjilanit dhe shumica prej tyre marrin shtesë dhe pako ushqimore nga kjo komunë.
"Në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, jemi duke hartuar strategjinë për riciklimin e mbeturinave, ku mendohet të hapet një fabrikë afër kësaj deponie dhe këta qytetarë të asaj zone të punësohen në atë fabrikë dhe me këtë tentojmë të ndalojmë grumbullimin ilegal të mbeturinave", ka shtuar ai.
Ndërsa, sipas të dhënave që Preportr i ka marrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, aktualisht ndihmën sociale në komunën e Gjilanit e shfrytëzojnë 41familje të komuniteteve RAE.
Larg shkollës, afër kontejnerëve
Ndër mbledhësit e përditshëm të mbeturinave janë edhe fëmijët dhe për shkak të kësaj pune shumë nga ata kanë ndërprerë shkollimin ose nuk e kanë filluar fare.
Elvisi dhe Alberti vinë për çdo ditë nga fshati Plemetin i Komunës së Obiliqit për të mbledhur mbeturina në Prishtinë. Elvisi mbi supe mbante një çantë të shkollës, por në të nuk kishte libra, sepse librat i kishte zëvendësuar me mbeturina. Ai thotë se ka shkuar në shkollë deri në klasën e pestë dhe që së bashku me shokun e tij Albertin, që të dy njëmbëdhjetëvjeçarë, e kanë ndërprerë shkollimin, në mënyrë që t’i ndihmojnë familjeve të tyre për mbijetesë. Ndonëse shprehin dëshirën që të kthehen sërish në bankat shkollore, thonë se këtë e kanë të pamundur sepse duhet të punojnë.
As Ibrahimi, një tjetër fëmijë i komuniteteve RAE që mbledh çdo ditë mbeturina, nuk është bashkë me shoqet e shokët e tij në bankë të shkollës. Ai angazhohet bashkë me vëllanë e tij për të siguruar ushqimin e ditës për familjen tetëanëtarëshe. Nga Fushë Kosova udhëton çdo ditë për në Prishtinë për të mbledhur mbeturina të cilat në fund të ditës i shet. Ai thotë se qëndron për orë të tëra në lagjen “Bregu i Diellit” dhe sa më afër kontejnerëve, pasi që ka edhe mbledhës tjerë që vinë kohë pas kohe për të mbledhur në këtë vend.
Krejt ato çka mledhim, prej Prishtinës i çojmë çdo ditë në deponi për m’i shit. Me kto që mbledhim për ni ditë i fitojmë 3 deri në 5 euro
Ibrahimi
"Për çdo ditë në ora gjashtë të mëngjesit nisna prej Fushë Kosovës për në Prishtinë. Krejt ato çka mledhim, prej Prishtinës i çojmë çdo ditë në deponi për m’i shit. Me kto që mbledhim për ni ditë i fitojmë 3 deri në 5 euro. Ket punë e boj qe 10 vjet, kur jam kanë krejt i vogël kam fillu me dalë me mledh. Paret që i fitojmë i çojmë në shpi për me ble ushqimin", u shpreh ai.
Në rrugët e lagjes ku jetojnë komunitetet RAE në Fushë Kosovë shpesh gjatë ditës shihen fëmijët me karroca apo edhe me thasë në duar duke i dërguar mbeturinat që kanë mbledhur në një pikë grumbulluese që gjendet brenda lagjes.
Ndërkohë në rrugë vijnë tre fëmijë të vegjël. Njëri nga ata e shtyn një karrocë të mbushur plot me mbeturina. Nga sasia e madhe që kishte ngarkuar, ai nuk shihej fare prapa karrocës e cila shpesh nga pesha ia merrte anën.
Këto mbeturina ata i dërguan në pikën grumbulluese që është brenda lagjes. Thesi i mbushur me shishe të plastikës që kishte sjellur peshonte 20 kilogramë, por nuk i llogaritën të gjitha këto, pasi që duhet të matej edhe thesi, i cili në këtë rast peshoi 3 kilogramë e 300 gramë. Pra nga ky thes ata fituan vetëm 1 euro e 95 centë.
Më i madhi nga tre fëmijët thotë se mbledh mbeturina për çdo ditë dhe se me paratë e fituara blejnë gjëra ushqimore dhe i ndihmojnë nënës, pasi thotë se është e sëmurë.
“Paradite dal me mledh kshtu, e masdite pej orës 12 shkoj në shkollë. Edhe në mbramje dal me mledh. Unë edhe vllaznit e mi mledhim bashkë, edhe krejt çka i mledhim i bina këtu afër me kolicë për m’i shit”, thotë ai.
Personi që ka hapur pikën grumbulluese në lagje, thotë se këtë e ka bërë për fëmijët të cilët rrezikohen duke kaluar nëpër rrugë kryesore për t’i dërguar mbeturinat në deponi.
“Ktu i mledhim të gjitha llojet e mbeturinave, plastikë, shishe, metale, najlon, kanaçe etj. Ma së shumti sjellin fmitë dhe unë kam fillu me mledh mbeturina që fmija mos me shku te deponia në Fushë Kosovë, se rrezikohen nga qentë dhe nga kerret. Ka raste që për 20 centë shkon deri te deponia atje. Veç prej fmijëve grumbullohen diku 200 kilogramë mbeturina në ditë”, thotë ai, duke shtuar se mbeturinat e grumbulluara i dërgon në pikën e grumbullimit në Fushë Kosovë çdo 2-3 muaj, ndërsa thotë se i fiton rreth 3 centë për një kilogramë.