Prishtinë, 05 Dhjetor 2014
Është kohë kur formimi i institucioneve po mbahet peng nga dy partitë e mëdha që janë duke u munduar t'i ndajnë privilegjet ardhshme. Në ambientin politik kosovar ardhja në pushtet paraqet rastin e artë për konsolidim të partive politike, grupeve e individëve brenda tyre. Kjo duket të jetë edhe mënyra e vetme për mbijetesë, posaçërisht të partive që për vite me radhë nuk kanë qenë pjesë e pushtetit qendror.
Në një vend ku sektori publik është punëdhënësi më i madh me rreth 84 mijë kontribuues dhe ku qeveria e vendi ka rol thelbësor në ekonomi, kontrolli i frerëve të qeverisë paraqet karrem shumë të vlefshëm për partitë politike. Mundësitë e punësimit nëpër institucione shtetërore dhe të shpërndarjes së të mirave publike, sipas rregullit të pashkruar, përdoren për shpërblime të anëtarëve dhe militantëve politik, por edhe të bizneseve të lidhura me politikën.
Patronazhi politik - apo politizimi i institucioneve publike përmes punësimit të anëtarëve dhe militantëve partiak në pozita të larta publike - ka qenë dhe vazhdon të jetë një rregull i pushtetit politik në Kosovë. Shtrirja dhe konsolidimi i patronazhit politik bëhet kryesisht për qëllime të dyfishta: shpërblim dhe kontroll. Përmes kësaj qasjeje, partitë politike kanë arritur t'i konsolidojnë organizatat e tyre, t'i forcojnë bizneset dhe grupet e caktuara ekonomike dhe të interesit, por edhe t'i mbajnë lidhjet me votuesit e tyre. Kjo, kryesisht në dëm të konkurrencës së drejtë, të paanshme dhe të profesionalizmit gjatë procesit të rekrutimit të resurseve humane për administratën dhe institucionet e reja publike të vendit.
Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese - Preportr, ka ndërmarrë këtë hulumtim me qëllim të sigurimit të të dhënave empirike për sa i përket shtrirjes së patronazhit politik në institucione publike. Të dhënat e siguruara tregojnë se punësimi i individëve që kanë lidhje me ndonjë parti politike është i lartë, i shtrirë nëpër të gjitha institucionet publike si dhe prekë të gjitha pozitat në hierarkinë vendimmarrëse të institucioneve. Në kuadër të të gjeturave dëshmohet se vëllimi i punësimeve në institucione publike i individëve me përkatësi partiake është në proporcion të drejtë me fuqinë që partia apo koalicioni qeverisës ka në pushtetin qendror. Hulumtimi vërteton se trendi i politizimit të institucioneve publike brenda viteve 2010-2014 ka shënuar rritje konstante, me një rënie të lehtë në vitin 2014.
Një studim mbi patronazhin politik i realizuar nga Instituti D4D, ka nxjerrë se indeksi i patronazhit në Kosovë është 0,928, vlerë kjo e cila renditet më lartë se të gjitha 15 shtetet evropiane të marra në shqyrtim dhe shumë më e lartë se mesatarja prej 0,34 për këto shtete.
Fizionomia e patronazhit politik
Hulumtimi i realizuar nga Preportr, ka ardhur në disa përfundime për sa i përket patronazhit politik.
E para, të dhënat e dala nga hulumtimi tregojnë se institucionet publike, posaçërisht pozitat me fuqi vendimmarrëse, janë të politizuara në masë të lartë. Hulumtimi i Preportr, i cili është i shtrirë brenda viteve 2010-2014 ka gjetur se 250 zyrtarë të lartë publik që janë punësuar nëpër pozita vendimmarrëse në institucione shtetërore, kanë qenë dhe janë anëtarë të partive politike. Nga ky numër, sot ende janë duke punuar 185 zyrtarë të lartë publik.
E dyta, të gjeturat kanë treguar se patronazhi politik ka shtrirje gjithëpërfshirëse si në aspektin horizontal - i pranishëm nëpër të gjitha institucionet (qendrore dhe lokale) - ashtu edhe në atë vertikal - prekë shumë pozita vendimmarrëse në kuadër të hierarkisë së institucioneve publike.
E treta, ndikimi i partive politike për sa i përket punësimit të anëtarëve dhe militantëve të tyre nëpër institucione publike reflekton plotësisht fuqinë e partive përkatëse në nivel qendror. Nga të dhënat e hulumtuara tregohet se nga 250 zyrtarë të lartë publik që Preportr, ka arritur t'i identifikojë si persona me prapavijë të qartë partiake dhe të cilët mbajnë pozita të larta në institucione publike, PDK prinë me 120 sosh, e pasuar nga LDK me 72, AAK me 25, AKR me 12, LDD me 9, të pasuara nga partitë e tjera më të vogla. (Shih tabelën me emra dhe pozita në fund të gazetës)
E katërta, hulumtimi ka treguar se trendi i punësimeve të individëve me përkatësi partiake në pozita të larta publike nga viti 2010, ka shënuar rritje konstante, me një rënie të lehtë në vitin 2014.
Patronazhi politik, ndarja sipas institucioneve
Në sektorin e shërbimit civil në administratën e Kosovës pozita më e lartë është ajo e sekretarit të përgjithshëm. Kapja e pozitës së sekretarit të përgjithshëm konsiderohet si njëri nga mjetet kryesore për shtrirjen e patronazhit politik, marrë parasysh kompetencat e larta të tij në aspektin e punësimeve dhe largimeve nga puna të stafit të ministrive.
Preportr, ka arritur të identifikojë nëntë (9) sekretarë të përgjithshëm me prapavijë të qartë partiake. Nga ky numër, aktualisht këto pozita i ushtrojnë katër prej tyre dhe të gjithë kanë lidhje me PDK-në. Zgjedhja e sekretarit të përgjithshëm në baza politike, sipas studimit të D4D-së, hap rrugë për një proces i cili krijon mundësi të shumëfishimit të vetvetes pasi që përmes kësaj pozite mund të pasojnë emërimet në baza partiake të nivelit të lartë, të mesëm dhe të ulët duke u shtrirë kështu patronazhi politik në institucionet shtetërore.
Konstatimi i lartpërmendur mund të vërehet më së miri nga të dhënat e siguruara nga hulumtimi i Preportr. Të gjeturat tregojnë se nga 250 zyrtarët e lartë publik, që janë identifikuar me prapavijë të qartë partiake, 117 punojnë nëpër ministri dhe janë të pozicionuar në hierarki të ndryshme, përfshirë këtu: 65 drejtorë nëpër ministri të ndryshme, 9 kryeshefa , e deri tek pozita si ato të kryeinspektorëve dhe auditorëve të brendshëm.
Nga 117 zyrtarë në fjalë, 85 prej tyre janë duke punuar ende në pozitat përkatëse, përderisa pjesa tjetër janë ndërruar. Ndërrimet e këtyre zyrtarëve kanë ndodhur edhe për shkak të ndërrimit të ministrave dhe sekretarëve të përgjithshëm të cilët i kanë takuar ndonjë subjekti tjetër politik apo edhe të njëjtit subjekt.
Preportr, ka hulumtuar edhe zyrtarët e rinj që zëvendësuan ata paraprakë në pozita të njëjta dhe në ato raste që është arritur të vërtetohen është vërejtur se edhe disa nga ardhjet e reja nëpër këto pozita kanë prapavijë partiake. Nga një mostër prej 26 zyrtarëve që kanë zëvendësuar ata paraprakë, gjashtë (6) prej tyre kanë lidhje me partitë politike. Ndër ta, pesë (5) kanë lidhje me PDK-në, ndërsa një (1) me LDK-në.
Ka raste kur departamente të caktuara janë mbyllur pas largimit të drejtorit të departamentit, dhe të njëjtit janë sistemuar në institucione tjera publike. Një rast i tillë ka ndodhur me drejtorin e Departamentit për Politika të Diasporës, i cili pas mbylljes së departamentit është punësuar në Ambasadën e Kosovës në Zvicër si Ministër Këshilltar. Ky fakt dëshmon për sistemimin e zyrtarëve me lidhje politike nëpër institucione publike.
Në Zyrën e Kryeministrit, edhe pse pjesa më e madhe e stafit përbëhet nga ai politik, në disa pozita të larta që janë jopolitike janë të punësuar katër (4) zyrtarë të lartë që kanë lidhje direkte me partitë politike. Këta zyrtarë vazhdojnë të punojnë ende në këto pozita.
Duke marrë si pikë referente vitin 2010, rezultatet e hulumtimit tregojnë se ka një trend të rritjes (sidomos në tri vitet e fundit pas vitit 2010) të numrit të zyrtarëve që janë punësuar në poste të larta publike në baza partiake. Një rënie e lehtë e të punësuarve me lidhje partiake në pozita të larta publike vërehet në vitin 2014. Por kjo rënie mund të jetë rezultat i mungesës së të dhënave rreth të punësuarve të rinj gjatë vitit 2014, sepse në kohën kur është realizuar grumbullimi dhe analizimi i të dhënave për nevoja të këtij hulumtimi, regjistrat e deklarimit të pasurisë për vitin 2014 nuk kanë qenë të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).
Institucionet e pavarura në duar të pushtetarëve
Hulumtimi i Preportr, ka treguar se politizimi i pozitave të larta në institucione publike përveçse është i pranishëm në administratën publike, prekë edhe institucionet e pavarura si: agjencitë, rregullatorët e ndryshëm dhe ndërmarrjet publike.
Në institucione të pavarura punojnë 28 zyrtarë me pozita vendimmarrëse për të cilat Preportr, ka gjetur fakte se kanë lidhje me partitë politike.
Sidoqoftë, për dallim prej institucioneve tjera ku ka ndërrime më të shpeshta të zyrtarëve, në institucionet e pavarura nuk ka lëvizje të shpeshta. Nga 28 zyrtarë të lartë me pozitë vendimmarrëse, 25 janë duke punuar ende.
Tek institucionet e pavarura duhet veçuar se PDK-ja ka ndikim në institucionet kryesore që lidhen me aktivitetet e prokurimit publik në Kosovë. Kryetari i 'gjykatës së tenderëve' - OSHP-së, ka qenë asambleist i PDK-së në Komunën e Prizrenit, përderisa kryetari i Bordit të KRPP-së ka qenë po ashtu asambelist i PDK-së në Komunën e Therandës.
Për ta kuptuar më mirë dhe nga një perspektivë më e gjerë rëndësinë e institucioneve përgjegjëse në fushën e prokurimit publik, duhet të merret në konsideratë fakti se vetëm pas shpalljes së pavarësisë së vendit më 2008 e deri më 2013, autoritetet publike kontraktuese kanë shpenzuar afër 3,6 miliardë euro në prokurime publike. Këtu nuk hyjnë edhe shpenzimet për autostradën “Ibrahim Rugova”, e cila nga viti 2010 deri më 2013 i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 789 milionë euro.
Vendosja e individëve me përkatësi të qartë partiake në institucionet kryesore të prokurimit publik paraqet faktor dominant jo vetëm në ngritjen dhe konsolidimin e patronazhit politik por edhe në krijimin dhe shtrirjen e një kulture klienteliste tek partitë politike. Në një hulumtim të mëhershëm të Preportr, tregohet se shtrirja e klientelizmit tek partitë politike ka përmasa shqetësuese. Nga hulumtimi është treguar se vetëm brenda viteve 2008-2010, dhe atë vetëm nga dy ministri - ajo e Transportit (tash e Infrastrukturës) dhe ajo e Arsimit - janë shpërndarë rreth 100 milionë euro tek financuesit e partisë më të madhe politike - PDK. Hulumtimet e Preportr, kanë gjetur fakte se klientelizmi - dhënia e tenderëve financuesve të partive politike - është i pranishëm edhe në nivel komunal, ku kanë udhëhequr ose udhëheqin partitë tjera si LDK dhe AAK.
Ky politizim i institucioneve publike përveç se bëhet për arsye të shpërblimit, duket se bëhet edhe për qëllime të vendosjes së kontrollit mbi sasinë dhe cilësinë e të dhënave zyrtare që bëhen publike. Një rast i tillë është shënuar kur kreu i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Shtimes, nga radhët e PDK-së, pati iniciuar idenë për heqjen e regjistrave të pasurisë së zyrtarëve publik nga interneti duke u thirrur në mbrojtjen e të dhënave personale.
Shtrirja e patronazhit politik në ndërmarrjet publike
Shtrirja e patronazhit politik është shumë prezente edhe në ndërmarrjet publike. Preportr, ka arritur të verifikojë 84 zyrtarë me fuqi vendimmarrëse të punësuar nëpër ndërmarrje publike (qendrore dhe komunale) të cilët kanë lidhje direkte me partitë politike.
Vendosja e personave partiakë në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike ndodh për shkak të dy interesave madhore të partive politike. Së pari, kjo shërben si joshje apo shpërblim nga partia për anëtarët e saj. Së dyti, kjo shërben edhe për të afruar njerëz të tjerë në parti, pasi që partia konsiderohet nga ato “që kryejnë punë për anëtarët dhe votuesit e saj”.
Nga ana tjetër, vendosja e anëtarëve të partisë në borde drejtuese të ndërmarrjeve publike i jep fuqi partive politike që të ndikojnë në këto ndërmarrje për të shtyrë politikat e tyre, duke shtrirë patronazhin politik dhe duke realizuar interesat e tyre private dhe partiake.
Ndër më e veçuara në këtë rrafsh është kompania publike më fitimprurëse në vend, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës - PTK. Kjo kompani, deri më 1 tetor 2014, është udhëhequr nga një drejtor ekzekutiv, anëtar i PDK-së, ndërsa vazhdon ta ketë si kryesues të bordit të saj mbikëqyrës po ashtu një anëtar nga PDK-ja.
Preportr, ka hulumtuar vetëm për pozitat më të larta drejtuese dhe ka gjetur se 11 nga zyrtarët e lartë që drejtojnë PTK-në kanë lidhje direkte me politikën. Prej tyre tetë (8) janë të PDK-së, një (1) i LDK-së dhe një (1) i AKR-së. Të gjithë këta drejtues të PTK-së, janë duke punuar ende.
Universitetet e politizuara
Përkatësia partiake si duket është kusht për të marrë pozita edhe në universitetet publike. Preportr, ka arritur të verifikojë se 18 persona që kanë pozita vendimmarrëse nëpër fakultete janë të lidhur direkt me partitë politike. Ndërkaq 13 prej tyre janë duke punuar ende.
Duhet përmendur se këto janë vetëm pozita udhëheqëse në universitete publike pasi që ka një numër të konsiderueshëm të profesorëve që kanë lidhje me partitë politike duke qenë madje edhe pjesë e listave zgjedhore. Në një hulumtim të mëhershëm të Preportr, tregohet se 102 politikanë dhe zyrtarë të lartë publik janë të angazhuar si profesorë në Universitetin e Prishtinës, por edhe në kolegje private.
Shëndetësia partiake
Institucionet shëndetësore kosovare nuk kanë arritur të krijojnë imunitet ndaj patronazhit politik. Hulumtimi i Preportr, tregon se 29 zyrtarë (shumica prej tyre mjekë) që janë në pozita udhëheqëse nëpër klinika të QKUK-së, spitale rajonale etj., janë të lidhur direkt me partitë politike. Nga ky numër, 25 prej tyre ende i mbajnë këto pozita. Për dallim nga institucionet tjera në shëndetësi duket se primatin e mbanë LDK-ja për punësime partiake.
Ky fakt tregon se tendenca për kontroll të institucioneve të shëndetësisë nga ana e partive politike është e njëjtë si tek të gjitha institucionet tjera publike.
Një shtrirje kaq e gjerë e patronazhit politik që ka depërtuar në të gjithë infrastrukturën publike institucionale si dhe ka prekur pothuajse të gjitha pozitat vendimmarrëse, ka betonizuar perceptimin se punësimi, por edhe avancimi profesional në hierarkinë e institucioneve publike, mbahet peng nga vullneti i partive politike.
Ligjet lejojnë politizimin e institucioneve
Kuadri ligjor i cili e rregullon punësimin në administratë publike, duke filluar nga sekretarët e përgjithshëm e deri tek ai që rregullon punësimin në agjenci, rregullatorë të pavarur, përfshirë ndërmarrjet publike, duket se lejon politizimin e institucioneve publike.
Ndonëse Ligji për Shërbimin Civil, neni 11, specifikon se “pranimi në Shërbimin Civil të Kosovës bëhet në pajtim me parimet e meritës, aftësisë profesionale, paanshmërisë, mundësive të barabarta, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve”, megjithatë ky ligj nuk ka arritur ta parandalojë politizimin e administratës publike.