English
Scroll top

KeK- Korporata e Korrupsionit

Një hulumtim i Preportr për qarkullim të mbi 1 miliard eurove, mbi 500 milionë euro investime publike që nga viti 2000 dhe i mbi 550 milionë eurove të dhuruara përmes 500 tenderëve publikë që nga viti 2007, nxjerr se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është foleja ku keqpërdorimet kanë në përgjithësi vlera milionëshe, ku ndikimi politik është i pashmangshëm, e ku më të dëmtuarit dalin konsumatorët kosovarë e më të shpërblyerat kompanitë serbe. Hulumtimi nxjerr se edhe...

Prishtinë, 05 Gusht 2012

Biznese të huaja e vendore për dhjetë vjet me radhë kanë marrë qindra- miliona nga KEK-u, shpesh duke i shitur kësaj korporate paisje të amortizuara për të reja, por edhe shërbime e energji me çmim shumëfish më të lartë se ai i tregut

Në kuadër të këtij hulumtimi, ku janë shqyrtuar mbi 500 tenderë publik të lëshuar nga KEK-u, në vlerë prej rreth 550 milionë eurosh ku përfituese e kësaj shume janë 200 kompani vendore e ndërkombëtare, del se janë shpërblyer kompani me tenderë milionësh edhe pse pajisjet që i kanë shitur KEK-ut kanë dalë jashtë përdorimit brenda një kohe shumë të shkurtër. Në mesin e këtyre kompanive përfshihen edhe dy prej kompanive që janë përfituesit më të mëdhenj në KEK, kompania “Eco trade” e familjes Zhugolli, nga Podujeva, dhe kompania “Intering” e familjes Shoshi nga Banja e Pejës.

Po ashtu, “Preportr” ka krahasuar listën e penaltive të akorduara nga KEK-u në vitin 2010 dhe listën e 200 përfituesve më të mëdhenj. Nga këto 200 kompani, 25 prej tyre janë penalizuar nga KEK, përderisa 18 prej tyre, me gjithë penalizmin nga KEK-u, kanë vazhduar të përfitojnë tenderë në vlera deri në 1 milion euro. Në mesin e këtyre kompanive të penalizuara është edhe kompania: “I & A sh.p.k”e familjes Zhugolli.

Informacionet e dala nga ky hulumtimi i “Preportr”, tregojnë po ashtu se edhe kur KEK ka prodhuar mjaftueshëm energji për kërkesat e konsumit vendor, është detyruar të ndalë gjeneratorët e vetë për të përmbushur kontratat e importit të energjisë elektrike, që nga kompanitë serbe blehej me çmime shumëfish më të larta sesa ato të tregut.

Disa herë më të larta kanë qenë çmimet e energjisë së importuar për KEK nga kompanitë, një pjesë e konsiderueshme e tyre kompani serbe, që jo rrallë janë quajtur “mafia ballkanike e energjisë”, por edhe përkundër paralajmërimeve të ndërkombëtarëve e vendorëve se do të ndërmerren masa kundër “obstruksioneve” të Serbisë, deri sot asnjë veprim i tillë nuk dihet të jetë ndërmarrë.

Ndër përfituesit më të mëdhenj në KEK janë kompanitë serbe krahas dy kompanive vendore, ajo e familjes Zhugolli, nga Podujeva dhe ajo e familjes Shoshi nga Banja e Pejës. Në vitin e parë të udhëheqjes të kësaj qeverie, në vitin 2008, Njazi Thaçi nënshkroi kontratat më të mëdha që janë dhënë deri më tash për import të energjisë, prej mbi 51 milionë eurosh, që kryesisht u jepet kompanive serbe. Në një kontratë tjetër, kompania shtetërore serbe “14. Octobar”, ka përfituar rreth 50 milionë euro për furnizimin e KEK-ut me paisje të transportimit të dheut e qymyrit, të cilat kanë dalë nga funksioni për disa javë. Në këtë tender, pjesë e konzorciumit ka qenë edhe “Eco trade”, pronë e familjes Zhugolli nga Podujeva, e cila edhe përkundër djegies së kësaj kontrate, ka vazhduar të marrë tenderë, duke arritur madje shuma marramendëse të tenderëve, rreth 170 milionë euro vetëm nga KEK-u, shumë kjo e fituar vetëm nga viti 2007.

Shtëpia me dy konakë

Ishte viti 2007 dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Kryeministri Hashim Thaçi po përgatitej të vinte në pushtet. Në “kampionin e tenderëve”, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që realizon mbi 30 %  te vlerës së krejt prokurimeve që kryhen në Kosovë, zyrës së prokurimit i printe kushëriri i kryeministrit, Nijazi Thaçi.

Investimet publike, para nga buxheti i Kosovës të alokuara në formë të subvencioneve, të bëra në këtë korporatë që nga paslufta kalojnë vlerën mbi 500 milionë euro. Kurse vetëm me anë të tenderëve të mëdhenj prej vitit 2007, që ka hulumtuar “Preportr”, janë shpërblyer 200 kompani me tenderë që së bashku peshojnë afro 550 milionë euro. Ndikimi politik në KEK është i pashmangshëm në pjesën më të madhe të investimeve duke qenë se kompanitë që kanë dështuar investimet milionëshe të kësaj korporate nuk janë penguar të vazhdojnë biznesin me këtë kompani publike. Në prokurimet publike ka pasur shpërblime të kompanive e familjeve të caktuara në tenderët që së bashku kapin shumën mbi 240 milionë euro. Raporte të ndryshme auditimi tregojnë se KEK është e mbushur me skandale. Ato janë të faktuara edhe nga hetuesit e Komisionit Evropian, por të heshtura nga drejtësia.

PDK-ja që kur erdhi në pushtet është e ndërlidhur ngushtë me tenderët milionësh të KEK-ut, në njërën anë nëpërmjet kushëririt të kryeministrit, Njazi Thaçi që deri vonë udhëhoqi zyrën  e prokurimit të KEK-ut, dhe nëpërmjet ish-drejtorit të Agjencionit të Prokurimit Publik (APP), Ilir Rama që tash punon në KEK, dhe nga ana tjetër nëpërmjet kompanive të familjes Zhugolli nga Podujeva.

Familja Zhugolli ka përfituar nga KEK-u, vetëm nga viti 2007, rreth 170 milionë euro nga tenderët e mëdhenj, shumë kjo e marrë  së bashku me gjithë konzorciume, kompani të regjistruara në Kosovë e me përfaqësitë e saj ndërkombëtare. Përderisa familja Shoshi, nga Banja e Pejës që me krejt kompanitë e saj, me tenderë të fituar me kompani të veçanta e me konzorciume, ka marrë hise në tenderë të KEK-ut në vlerë afro 70 milionë euro.

Familja Zhugolli ka edhe një lidhje tjetër me partinë në pushtet. Bejtush Zhugolli, që ka në pronësi kompaninë “Pejton” dhe “I & A sh.p.k”, për fushatën elektorale të partisë së Kryeministrit Thaçi në vitin 2009 dha zyrtarisht 900 euro.

Bejtush Zhugolli, financuesi i PDK-së, del të jetë edhe më i fuqishëm se vëllezërit e tij kur bëhet fjalë për tenderët e KEK-ut, që deri vonë udhëhiqeshin nga kushëriri i Kryeministrit Hashim Thaçi, Njaziu.

As mos përmbushja e kontratave të fituara me  kompaninë “I & A sh.p.k” nuk e ndalon Bejtush Zhugollin që të marrë nga KEK tenderë. Ai nga kjo korporatë, vetëm në vitin 2010-2011 ka përfituar tenderë në vlerë prej 4.1 milionë eurosh së bashku me konzorciume, por, megjithëse në vitin 2010 u penalizua për mos përmbushje të dy kontratave, në vitin 2011 është shpërblyer edhe me tri kontrata të tjera, vlera e të cilave është mbi 1.5 milionë euro.

Shiko Gazetën #6

Dy familjet prijëtare në tenderë në KEK, Zhugolli e Shoshi bashkohen te tenderi i vitit 2008 prej mbi 70 milionë eurosh për ndërrimin e shiritave transportues të thëngjillit nga Sibovci, investim për të cilin ish- ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala pati thënë se ky projekt është një nga projektet më të mëdha në dy dekadat e fundit, por që dështoi një natë para natës së vitit të ri 2010. Në këtë tender, në një pjesë si konzorcium me “Eco Trade” të familjes Zhugolli është hisedar edhe kompania “IMK 14 Oktobar” nga Serbia, kurse pjesa tjetër, prej mbi 22 milionë eurosh është fituar nga “Intering’ e familjes Shoshi me “Magdeburger ForderantagenUnd Baurnaschinen GmbH”.  KEK-u ka vazhduar të shpërblej këto kompani, të familjes Shoshi e Zhugolli pa problem edhe pas dështimit të investimit në fjalë .

Është interesante se edhe “Eco trade”, por edhe “Intering”, si përfitueset më të mëdha nga KEK-u, kanë një pikë të përbashkët. Ka raste kur për shembull “Intering” e familjes Shoshi futet në konzorcium me kompani të huaja përfaqësuese e të cilave është “Eco trade”. “ThyssenKrupp Fördertechnik”, sipas faqes zyrtare, përfaqësohet nga “Eco trade” e Zhugollëve, por ka fituar tenderë me “Intering” të Shoshëve, në rastin e Rehabilitimit të Bllokut A4 në vlerë prej 8.7 milionë eurosh në vitin 2006. Rehabilitimi i një blloku të Kosova A në vitin 2006 ka dështuar vetëm rreth dhjetë ditë pasi që ish-ministri i energjisë Et’hem Çeku dhe ish-ministri i drejtësisë Januz Salihaj e kishin inauguruar këtë investim. Asnjëherë nuk është bërë e ditur nëse investimi që dështoi për dhjetë ditë ishte ai i bërë nga “Intering”, për shkak se KEK-u nuk ka ose nuk jep të dhëna për tenderët para vitit 2007. Sido që të jetë përshkrimet e dhëna nga mediat në qershor të vitit 2007 dhe atyre të gjetura nga “Preportr” tregojnë se gjatë kësaj periudhe ky ishte investimi i vetëm i kësaj shkalle në rehabilitimin e blloqeve të Termocentralit “Kosova A”. As për këtë dështim nuk ka dhënë askush llogari.

Në një tender tjetër të vitit 2008, partneri i kompanisë Intering, pronë e familjes Shoshi nga Banja e Pejës, “Turbo Care” nga Polonia, i shiti KEK-ut një transformator në shumën prej 3.7 milionë eurosh. Ky transformator u dogj për më pak se 3 orë punë. Ishte blerë i përdorur edhe pse një ofertë e një kompanie bullgare ia kishte ofruar KEK-ut një transformator të ri me të njëjtat karakteristika për rreth 800 mijë euro. Ky grup interesi ka vazhduar të marrë tenderë në KEK edhe përtej këtij dështimi skandaloz dhe deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë nismë ligjore për ta rikuperuar këtë dëm. KEK-u, në përgjigjet e dhëna për “Preportr” në pyetjen nëse ekziston një nismë ligjore kundër kompanisë vetëm konfirmon se ka iniciuar një nismë të tillë, por nuk ka ofruar asnjë dokument që vërteton paraqitjen e kësaj nisme kundër kompanisë që ia dogji 3,7 milionë euro. Çuditërisht, kjo kontratë nuk është gjetur as te njoftimet publike në faqen zyrtare te komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Në korporatë pretendonin se për shkak të dëmit që i ka shkaktuar korporatës “ Turbo Care”, nga një gjykatë e arbitrazhit, ishe ngritur rast automatikisht kundër kësaj kompanie. Fillimisht, deklarimi i zyrtares për media,  Eglantina Hoxha, ka qenë se pasi ka dështuar ky transformator, KEK-u do të blejë një tjetër si ky nga kompania Konçar, kurse ndaj “Turbo Care” do të ndërmerren masa. Kjo nuk ndodhi asnjëherë, por përkundrazi  “Turbo Care”, bashkë me partnerin e saj, kompaninë e Shoshëve “Intering” u shpërblye edhe më tutje me tenderë nga KEK, siç është rasti i tenderit te riparimi kapital i turbinës së avullit dhe gjeneratorit elektik në Bllokun A3, me afro 3 milionë euro. Në të njëjtin tender, në Llotin e dytë partneri i  TurboCare, Intering, merr afro 9 milionë euro për riparimin kapital të kaldajës.

Kurse  familja e Kryeministrit Thaçi është e lidhur me tenderin për shitjen e thëngjillit. “OVE Group”, pronë e Visar Banijcës nga Maqedonia ishte kompania, ankesa e të cilës e anuloi tenderin për shitjen e thëngjillit të shpallur sivjet, që ende ka mbetur në procedurë, i anuluar së fundi për mungesë ofertuesish të përgjegjshëm. Në këtë kompani, kur mbante emrin “BOXON”, aksionar ishte edhe Milaim Cakiqi, biznesmen nga Drenasi që figuron të jetë aksionar në disa biznese me vëllain e vogël  të Kryeministrit Thaçi,  Blerimin. Cakiqi, sipas raportimit të gazetës JNK, aktualisht kanë një kompleks të përbashkët ndërtesash të ndërtuar nga “Iliria Buliding”.

Visar Banjica është edhe person kontaktues edhe në kompaninë tjetër nga Tetova,  “Polog”,  kompani e cila ka fituar ne KEK, 2 tenderë ne vitin 2009 në vlerë 140,240 euro.

Një tjetër familje e rëndësishme në PDK është përfituese në KEK. Familja e deputetit Shaip Muja nëpërmjet kompanisë “Doni” dhe “Ci-Kos”, pronë e Fatmir Mujës, është e kontraktuar për shitjen e skrapit të KEK-ut, ku Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur një sërë parregullsish.

Për hetuesit e Komisionit Evropian (OLAF) Fadil Ismajli, tash kryeshef i KOSTT-it  është në konflikt të interesit për tenderët publik milionësh të fituar të kompanisë “Komtel”, ku ai ishte bashkëthemelues me Vegim Gashin. I fundit ishte kandidat i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës, parti kjo e ish-presidentit e multi-milionerit kosovar, Behgjet Pacolli.

Hetuesit e OLAF-it nuk kanë lënë “rehat” as ish-biznesmenë, tash deputetë të opozitës kosovare. Sipas raportit të hetuesve në fjalë,  dhënia me koncesion e Hidrocentralin e Kozhner (Lumbardhi) kishte shkuar me keqpërdorime. Atë e mori me koncesion kompania “Triangle”, që edhe në deklarimin e pasurisë për vitin 2012, deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi shkruan se i mban ende 25 % të aksioneve. Vetë Krasniqi publikisht kishte deklaruar se në Kosovë asnjë punë nuk kryhet pa dhënë ryshfet.

Korporata edhe para ardhjes së PDK-së në pushtet kishte qenë vend i mirë për t’u keqpërdorur fondet prej dhjetëra milionësh, edhe pse korporata deri në vitin 2010 ishte audituar nga Auditori Gjeneral vetëm një herë, dhe atë në vitin 2005.

“Kurdisja” e tenderëve njëburimor

Sipas raporteve të punës së Agjencionit të Prokurimit Publik (APP), i ndryshuar tash në Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), KEK-u pos në prokurimet në përgjithësi, është korporata që është kampion edhe në tenderët njëburimor. Kjo metodë e dhënies së tenderëve njëburimor, është kritikuar në vazhdimësi nga Raporti i Progresit si metodë që çon te tenderë me rrezikshmëri për favorizim.

Në kohën kur në KEK, Zyra e prokurimit udhëhiqej nga  Njazi Thaçi, në APP drejtor ishte emëruar Ilir Rama, që qëndroi në këtë detyrë deri në korrik të vitit 2010.

Me të lëshuar punën në APP, pasi qëndroi mbi një vit e gjysmë  si ushtrues detyre, në kundërshtim të plotë me ligjin që lejonte atë kohë mbajtjen  e pozitës me ushtrues detyre vetëm deri në gjashtë muaj, Ilir Rama u punësua në KEK si zyrtar për prokurim.

Bazuar në të dhënat e KRPP-së nga viti 2007 deri më 2011, Rama i kishte lejuar KEK-ut 26 tenderë një burimor, për dallim që në kohën kur ky nuk ishte drejtor në APP, KEK-ut i ishin lejuar vetëm 6 tenderë të tillë. Rama ka qëndruar në krye të APP-së për një vit e gjysmë (2008-korrik 2010). Tash, kur legjislacioni i ri në fuqi i lejon institucionit që të procedojë tender njëburimor pa leje të APP-së, KEK-u vetëm deri tash, në vitin 2012, ka realizuar 15 tenderë njëburimor.

Në një përgjigje për “Preportr”, Rama mohon çdo ndërlidhje në mes numrit më të madh të tenderëve njëburimor të lëshuar për KEK-un nga APP-ja e drejtuar nga ai, në krahasim me APP-në e drejtuar më vonë nga Mursel Raci. Rama dhe menaxhmenti i KEK-ut, shprehen se ka pasur një degradim për të, nga drejtor i APP-së në zyrtar të Prokurimit në KEK.

Për ta gjithçka ka shkuar “OK”, pasi që Ilir Rama u pranua në KEK me një konkurs publik dhe ishte më i miri i krejt konkurrentëve. Njëjtë shprehen edhe në APP për punësimin e kushërirës së Njazi Thaçit, Libonës, njëherë si asistente e drejtorit, atëherë Ilir Ramës, dhe tash e avancuar në zyrtare e prokurimit në këtë institucion.

Për ta, nuk ekziston asnjë lidhje në mes këtyre lëvizjeve, ani pse me largimin e Ilir Ramës nga APP, numri i tenderëve njëburimor për KEK-un ka rënë dukshëm.

“Lidhur me zvogëlimin e aprovimit të kërkesave në KEK, percepcioni shumicë e pakicë, janë më shumë çështje të prirjeve për thashetheme dhe paragjykime, sepse numri i aprovimeve llogaritet në raport me kërkesat e inicuara në periudhë kohore, e jo në raport numerik”, konstaton ish-drejtori i APP-së, tash i punësuar te tenderët e KEK-ut.

Me shkuarjen e Ramës në KEK,  Njazi Thaçi është avancuar nga shefi i prokurimit, në pozitën e drejtorit operativ të kompanisë që në vazhdimësi ka luajtur rolin edhe të zëvendësdrejtorit të korporatës.

Bajraktari i përfitimeve - Serbia

Kompanitë serbe, duke llogaritur edhe blerjet e energjisë, të cilat që nga paslufta e deri më tani janë mbi 365 milionë euro, por edhe tenderët e tjerë, janë përfituese të afro 400 milionë eurove vetëm nga KEK-u.

OLAF gjeti lidhje të dyshimta te tenderët e kompanive serbe të importit të energjisë, që kryesisht që nga viti 2000 e deri më tani paraqiten emrat “Rudnap” me seli në Beograd, “Geni”, po ashtu nga Beogradi, dhe kompanisë “EFT” që ka seli në Londër, por që  rrënjët i ka në shtetin serb.

Për hetuesit evropian mes  KEK-ut e kompanive serbe janë kryer transaksione të dyshimta. Për këtë është përdorur “Artesia Bank” me seli në Greqi, ku përfitues ka qenë biznesmeni Vuk Hamovic, e në këtë bankë kanë përfunduar pagesat për firmat “EPCG”, “EFT” dhe “Rudnap”, që sipas “OLAF”-it konsiderohen si rrjeti ballkanik i energjetikës. Poashtu, sipas këtij hetimi, dyshohet për lidhje të ndërmjet “EFT”-së dhe “Rudnap”, të cilat udhëhiqen nga një grup i njëjtë i biznesmenëve, si Vuk Hamoviç, Vojin Lazareviç e James Nye.  Përveç në “Artesia Bank”, Hamoviç dhe Lazareviç janë partnerë edhe në  bankën “EuroAsix”, me seli në Beograd. Aksionar në kompaninë “Rudnap”është edhe biznesmeni Damir Fazlliç, i cili akuzohet për krime ekonomike në  Ballkan, kurse në Shqipëri opozita e akuzon Kryeministrin Sali Berisha se e mban Fazlliqin për mik të afërt.

Nga këto përfitime të kompanive serbe nuk llogaritet dëmi prej afro 10 milionë eurosh për çdo vit që ia shkakton shteti serb Kosovës nëpërmjet restriksioneve e taksave shtesë në rrjetin e transmisionit, dëme këto që i bënë publike vetë kryeshefi i KOSTT-it, Fadil Ismaili. Ai, në prani të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqajt akuzon Serbinë se po përkrah, siç e quan ai, mafian ballkanike të energjisë, e ministri garanton se  do ta denoncojnë këtë shtet në mekanizmat përkatës, por nuk dihet se çka kanë bërë tutje, ani pse nga këto deklarime gati u bënë një vit. Gati u bënë një vit edhe nga deklarimet e Krye-këshilltarit të KEK-ut, Masoud Keyan, që po planifikon të ankohet në Vjenë kundër Serbisë për deformimin e çmimit të energjisë që importojnë kosovarët pasi kjo mund të jetë në kundërshtim me rregullat e Komunitetit të energjetikës. Ai nuk ka dashur t’i përgjigjet ‘Preportr” se a e ka realizuar planin për ankesë dhe as nëse KEK është ankuar ndonjëherë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Pyetjeve të ‘Preportr” për rrjetet e transmisionit u  kanë ikur personat përgjegjës në KOSST. Ata thonë se që nga viti 2007 më nuk publikojnë se prej nga hynë energjia elektrike e importuar, përderisa në raportet publike përmendet më së shumti transmisioni me Serbinë, ani pse Kosovës i kushton shumëfish më shtrenjtë kjo energji për shkak të tarifave shtesë që ky shtet aplikon kundër Kosovës, gjë të cilën e pranojnë edhe zyrtarët e KEK-ut. Kosova nga kompanitë e importit blenë energji me çmim prej 75 eurosh për megavat, përderisa një  MW nga KEK-u prodhohet me një kosto prej  27-30 euro.

Transmisioni me Malin e Zi përmendet të ketë shkuar në remont shumë shpesh dhe nuk përjashtohet mundësia që brenda vitit të jetë riparuar edhe më shumë se një herë.

Sabotimi i termocentraleve kosovare për llogari të importit nga kompanitë serbe

Për këshilltarët ndërkombëtarë të KEK-ut pse kjo korporatë në vitin 2008 bleu më së shumti energji elektrike, mbi 51 milionë euro, ishte fajtor vetë kushëriri i Kryeministrit Thaçi, Nijaziu.

Në një raport intern të vitit 2008 të kompanisë PA, e kontraktuar nga USAID-i si këshilltar i KEK-ut konstatohet se pas disa muajsh të lojërave të luajtura nga shefi i prokurimit të KEK-ut, siç thuhet në raport “ një kushëri i Kryeministrit”, dhe pasi që Ministria e Ekonomisë dhe Financave siguroi se kishte fonde, u hap një tender për blerjen e energjisë për periudhën tetor 2008 – mars 2009. “Çmimet ishin 20% më të shtrenjta sesa në tenderët e mëhershëm”, konstaton raporti.

Raporti i PA bënë një akuzë serioze ndaj menaxhmentit të KEK-ut. Ky raport thotë se në nëntor të po këtij viti KEK-u kishte tepricë të prodhimtarisë edhe pas furnizimit me 24 orë energji për shkak të motit të ngrohtë. “Megjithatë KEK-u është dashur të ndalë gjeneratorët e vet për shkak të kontratave të bëra për blerjen e energjisë me kompani importuese”, thuhet në raportin në fjalë.

Sipas këtij raporti këto kontrata, që kryesisht u lidhën me kompani serbe e u nënshkruan nga dora e kushëririt të Kryeministrit Thaçi, e kanë obliguar KEK-un, të paguaj edhe nëse praktikisht nuk e shfrytëzon këtë energji.

Hordhitë e huaja

Hetuesit e Komisionit Evropian patën gjetur që e mbrapshta e KEK-ut filloi me një fond prej 5.4 milionësh të dhënë nga AER nëpërmjet UNMIK-ut për punëtorët e KEK-ut, të cilat në fund i përvetësuan, sipas hetuesve të OLAF-it, Joan Pierce e Mott McDonald.

OLAF-i ngriti dyshime edhe për tenderët njëburimor të përfituar nga kompania franceze “Allstom”, kompania gjermane “Siemens”, kompanitë “Swedpower”, “Wattenfall”,  “ESBI”, “Llyr Rowlands”, etj.

Për krejt këto, e shumë çështje të tjera të ngritura nga hetuesit e OLAF, ditë më parë ka shkruar edhe gazeta italiane “La Republika”. Gazeta shkruan se Parlamenti Evropian dyshon për shpërdorime masive të fondeve ndërkombëtare për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Aeroportin e Prishtinës. Fjala është për 11 dosje lidhur me hetimin se ku kanë shkuar 3 miliardë euro financime për rindërtimin e Kosovës. Këto dy subjekte, KEK-u e Aeroporti kanë qenë përfituesit kryesorë të 3 miliardë eurove fonde ndërkombëtare, që u dhanë nga donatorët në arkat e UNMIK ut.

Sipas shkrimit , EULEX po pengon dhënien e një informacioni të plotë, sidomos lidhur me KEK. Një kërkesë për sqarime  që i ishte dorëzuar Olli Rehnit, komisionar për Zgjerimin në vitin 2008, nga Parlamenti Evropian, nuk mori nga ky i fundit përgjigje deri në përfundimin e mandatit të tij.

EULEX nuk ka pasur përgjigje as për “Preportr”, kur është pyetur nëse janë nisur hetime për dyshimet për keqpërdorime në KEK.