English
Scroll top

Siç ua pati ënda

Projekti kombëtar në telefoninë mobile: si dështoi? - Çfarë ndodhi me kompaninë e përbashkët Shqipëri-Kosovë në telefoni mobile – të iniciuar nga kryeministrat e këtyre dy vendeve? Si u tkurren aksionet e PTK-së në “Plus” për dhjetë fish? A ishte ky një projekt që ia shtoi vlerën PTK-së, siç u proklamua në Prishtinë, apo thjesht një nismë bashkëpunimi mes të dy kryeministrave që të përfitojnë nëpërmjet retorikës patriotike?

Prishtinë, 23 Nëntor 2011

Operatori i katërt i telefonisë mobile në Shqipëri është marrë në emër të PTK-së. Pasi e proklamuan si një projekt që do të ndryshojë praktikën e nxjerrjes së parasë jashtë vendit nga ky sektor shumë profitabil, kryeministrat, Berisha e Thaçi, morën përsipër që në mënyrë indirekte të ndërtojnë një operator të përbashkët në telefoninë mobile. Më pak se një vit nga fillimi i punës së këtij operatori u bë e qartë se PTK u shfrytëzua vetëm si emër për të shtuar pikët në tenderin për operatorin e katërt.

Një konsorcium i formuar ad-hoc, ka bashkuar PTK-në me disa biznese dhe individë nga Shqipëria, për të fituar licencën për operatorin e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri.

Kjo ndërmarrje e Qeverisë së Kosovës, e mbyllur pothuajse tërësisht për publikun, ka premtuar një pjesëmarrje të PTK-së me 30% në këtë projekt, por sapo ka filluar implementimi i projektit, aksionet e PTKsë janë zbritur për dhjetë fish, pra nga 30 % në 3%.

Nga dokumenti për themelimin e konsorciumit kuptohet se Qeveria e Kosovës e ka pasur të qartë qysh prej fillimit se PTK-ja obligohet që të investojë jo vetëm në marrjen e licencës, por edhe në zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë. Fillimisht, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë PTK-në në këtë biznes, duke i dhënë 2.4 milionë euro për të plotësuar ofertën prej 7.2 milionë eurove sa ky konsorcium ka ofruar për marrjen e licencës. Kjo u proklamua se i siguroi PTK-së 30 % të aksioneve në operatorin e katërt të telefonisë mobile të Shqipërisë. Më vonë, pasi “Plus” bëhet një kompani e licencuar dhe operative, në vend se të kishte një rritje të vlerës së investimit në para, “brand” dhe në “know how” të PTK-së, Qeveria e Kosovës ndërron mendjen dhe vendosë të mos lejojë PTK-në të kryej investimet që kërkohen për këtë operator.

Shiko Gazetën #4

Ky investim, sipas zyrtarëve të PTK-së, mund të kapte një shumë prej 20 milionë eurosh, si fazë e parë e investimeve, që në total ishte llogaritur diku pak mbi 60 milionë euro, por që potencialisht mund t’i sillte PTK-së të hyra shumë më të mëdha dhe posaçërisht t’ia rriste vlerën në privatizim, ashtu siç kishin pretenduar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në fillim të kësaj iniciative. Kjo pasi që praktikisht Vala do të mund të konsiderohej se tashmë është pjesë e një tregu përtej kufijve të vendit.

Sido që të jetë, me të marrë licencën, “PLUS” ia kthen PTK-së paratë e investuara dhe me këtë ia merr edhe 27 % të aksioneve, duke e reduktuar atë nga aksionarin kryesorë në një pjesëmarrës simbolik në aksione me vetëm 3%. Procedura me të cilën është bërë ky evaluim dhe veprim është tërësisht e paqartë si shumëçka në lidhje me këtë operator.

Megjithëse në kuptimin e investimeve dhe pjesëmarrjes në aksione PTK-ja praktikisht ka marrë një profil tepër të ulët, duke thënë se vetëm në baza preferenciale i janë lënë kësaj kompanie 3% të aksioneve, PTK-ja gjithmonë para publikut është shfaqur si aksionar i rëndësishëm në këtë operator. Me dhënien e licencës këtij konsorciumi, në komunikatat e para të dala nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit i Shqipërisë, PTK-ja është konsideruar si fitues i tenderit. Në anën tjetër, në një komunikatë të lëshuar nga PTK-ja, më 31 maj 2010, nuk jepet asnjë informacion se PTK-ja nuk ka bërë investimet e duhura në këtë operator, por lihet të kuptohet se aksionarët tjerë do të investojnë. Në këtë komunikatë vetëm thuhet se “PTK është në rrugë të mirë të bëhet lider në rajon në përputhje me vizionin dhe misionin e saj”.

Privatizimi i PTK-së arsyetim për tërheqje:

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, këtë tërheqje e arsyeton me privatizimin e PTK-së. Ai thotë se Bordi i Drejtorëve dhe qeveria nuk e kanë parë të nevojshme të investohej më jashtë vendit. Fjala është për pak më shumë se 20 milionë euro investim shtesë që do t’ia ruante PTK-së aksionet në “Plus”, në fazën e parë të investimeve.

Në atë kohë, pra në periudhën 2008-2010, Qeveria e Kosovës ka marrë në formë të dividentës nga PTK vlera shumë më të mëdha se sa duhej për t’ia ruajtur aksionet në tregun shqiptar. Qeveria Thaçi njëherë i kishte marrë 200 milionë euro buxhetit të PTK-së e më vonë edhe 80 milionë euro tjera.

Patriotizmi: 3% loaded

Prania e një kompanie të telefonisë mobile në një treg tjetër jashtë vendit, njihet si një përparësi e jashtëzakonshme në tregun e telefonisë mobile. Ky fakt praktikisht shndërron kompaninë nga një kompani me biznes lokal, në një kompani që kapërcen kufijtë nacional dhe për investitorët në këtë sektor vetëm ky fakt ndryshon perceptimin në kuptim pozitiv. Pse atëherë ka një tërheqje nga projekti “Plus”, nëse Qeveria, siç është shprehur në nismën e këtij projekti, ka qenë aq e bindur se ky investim do t’ia shtojë vlerën PTKsë? Nga kompania “Plus” nuk është dhënë asnjë sqarim në lidhje me këto veprime, përkundër insistimit tonë disa mujor. “Preportr”, po ashtu ka bërë përpjekje të vazhdueshme, disa javore që të kontaktojë Ministrin për Zhvillim Ekonomik, për të sqaruar këtë gjë, mirëpo kjo ka qenë e pamundshme pasi Ministri Beqaj, rregullisht ka refuzuar takimet me arsyetimin e agjendës së ngjeshur.

Nga të gjitha dokumentacionet e siguruara dhe intervistat e bëra nga “Preportr” kuptohet se ky proces është koordinuar nga niveli kryeministror. Vendimi që gjendet në arkivin e Qeverisë së Kosovës, me nënshkrimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, thotë: “...miratohet kërkesa e Bordit të Drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës mbi mundësinë e zgjerimit të veprimtarisë së saj edhe në tregun e Shqipërisë – pjesëmarrjen në tenderin për licencën e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri”.

Në anën tjetër kryeshefi ekzekutiv i PTKsë, Shyqyri Haxha, tregon për një ujdi mes dy qeverive, asaj në Tiranë dhe asaj në Prishtinë, e cila madje ishte arritur edhe para se të hapej ky tender. “Shteti shqiptar ka dashur një kompani të vendit që do e mbante fitimin në Shqipëri pasi tre operatorët e tjerë nxjerrin shuma të mëdha jashtë shtetit”, thotë Haxha. Kjo ndoshta shumë më tepër tregon se Qeveria e Shqipërisë e kishte marrë vendimin qysh para nisjes së procedurave të tenderit se kush do jetë fituesi. Sidoqoftë, ajo që ndodh me kalimin e kohës nxjerr në shesh vendime të cilat iu vënë pikëpyetje përfitimeve të PTK-së nga ky projekt.

Cilët janë aksionarët e “Plus-it”?

Duket se qëllimi asnjëherë nuk ka qenë që PTK-ja të futet në tregun shqiptar, të paktën jo aq i rëndësishëm sa qëllimi për t’ua mundësuar tjerëve një gjë të tillë. Në mesin e atyre që u është krijuar mundësia të nisin biznesin në tregun e telefonisë mobile nuk janë vetëm kompanitë, por edhe personat fizik.

Një dokument që e ka siguruar “Preportr” tregohet saktë se kush janë aksionarët e “Plus-it” shqiptar. Dokumenti themelues i konsorciumit që mori licencën për operatorin “Plus” tregon ndarjen e aksioneve qysh ishte në fillim, pra atëherë kur PTK kishte ende 30 % të aksioneve.

Ky dokument thotë se Union Group dhe ACI Engineering kanë nga 12.5 % të aksioneve. Më tej në të njejtin dokument thuhet se Albania Drink Distributtion ka 16.0 % të aksioneve dhe Infosoft Systems Sh.A ka vetëm 4 % të aksioneve.

Sidoqoftë pjesa më interesante e këtij dokumenti është fakti që Saimir Mane – me seli në Qendrën Tregtare Universe (periferi e Tiranës) del të jetë pronar i 25 % të aksioneve të “Plus”-it.

Në vitin 2008, si person fizik, shumë shpejt pasi që i kishte shitur një qendër tregtare biznesmenit të njohur serb Miroslav Mishkoviq, Mane u fut në një konsorcium me operatorin publik Vala, gjegjësisht PTKnë, e vlerësuar atë kohë rreth një miliardë euro.

Në dokumentin për themelimin e konsorciumit për operatorin e katërt në Shqipëri thuhet se Mane ka qendrën në QTU edhe pse pas një transaksioni të njoftuar në Shqipëri kjo qendër i ishte shitur Delta Group, e themeluar nga Mishkoviq, ish-zv.kryeministër i Serbisë në kohën e Millosheviqit.

Në këtë “projekt kombëtar”, PTK-ja nga statusi i aksionarit kryesor, me më së shumti aksione, prej 30%, tani është aksionar jorelevant. Në aspektin ligjor është e vështirë të kuptohet se cila ishte procedura që përcaktoi rënien për plot 27 pikë të aksioneve. Zyrtarët e PTK-së thonë se madje edhe tre përqindëshi i ngelur i aksioneve është rezultat i zemërgjerësisë së “Plus-it”. Në anën tjetër në një komunikatë për shtyp, PTK-ja thotë se ka investuar “në të ashtuquajturin model ‘Know How’, edhe pse asnjëherë nuk është raportuar se cila ka qenë vlera e “know how” dhe e aseteve tjera të PTK-së të futura në këtë konsorcium, siç është për shembull brandi, apo edhe ekspertiza.

Shyqyri Haxha, Shef Ekzekutiv i PTK-së, shprehet se pasi që fillimisht i janë marrë PTK-së aksionet, ‘Plus’ i ka ofruar PTK-së që të blejë sërish aksione. “Tani ato aksione janë shtrenjtuar”, thotë ai.

Plus” minus PTK

Në anën tjetër të kufirit, përfshirja e PTKsë në operatorin e katërt të telefonisë mobile të Shqipërisë pothuajse nuk ekziston fare, edhe pse ajo ishte vendimtare për licencimin e kompanisë. “Preportr” ka bërë dhjetëra përpjekje përmes telefonatave apo postës elektronike që të caktojë një intervistë me përfaqësues të “Plus” në Tiranë, por kjo ka qenë e pamundur. Në momentin e publikimit të lajmit për fitimin e licences në Tiranë në plan të parë del PTK-ja si operator i katërt, duke nxjerrë nën hije biznesmenët e afërt me qeverinë shqiptare, të cilët dukej se nuk ankoheshin për këtë.

Situata ndryshon me t’u konsumuar interesimi i parë i publikut mbas funksionalizimit të operatorit “Plus”. Në faqen e internetit të “Plus”, komunikata e parë për media e kësaj kompanie nuk e thotë asnjë fjalë për PTK-në. “Kompania u themelua më 26 Qershor 2009... PLUS i është akorduar licenca e GSM-së pas ofertës më të lartë prej 7.2 milionë eurosh në tenderin ndërkombëtar mbajtur më datë 23 Janar 2009”, thuhet në faqen e internetit të operatorit shqiptar të telefonisë mobile. Në një nga bisedat e shumta telefonike me zëdhënësen e “Plus”, Jonilda Filipi, kjo e fundit vetëm e ka konfirmuar se “PTK ka aksione të saj në këtë kompani”, pa thënë asnjë detaj rreth përfshirjes apo rëndësisë që PTK ka në operatorin e katërt të telefonisë mobile ë tregun shqiptar.

Dividenda në fund të vitit

E vetmja gjë që thuhet rreth tërheqjes së fitimeve të PTK-së, nga ajo që i ka mbetur në “Plus” nuk është shuma e parave sa kanë marrë deri më tash, por vetëm fakti se ato tërhiqen në fund të çdo viti. Sipas përfaqësuesit të PTK-së në “Plus”, Elvis Pista, “çdo shoqëri aksionare e ndan dividendën në fund të vitit”, dhe kjo sipas tij vlen edhe për PTK-në. Pra kjo i bie që nëse supozohet se fitimi vjetor i “Plus” është 100 milionë euro, atëherë 300 mijë eurot që i takojnë PTK-së mbesin në llogarinë bankare të operatorit të katërt të telefonisë mobile të Shqipërisë deri në fund të vitit duke pamundësuar kështu operimin e këtij keshi nga kompania publike kosovare përgjatë tërë vitit.

Në fakt, zyrtarët e intervistuar të PTKsë e përsërisin pandërprerë se PTK-ja në “Plus” e ka statusin e të privilegjuarit”, diçka që asnjëherë nuk është konfirmuar nga zyrtarët e “Plus” në Tiranë dhe as me ndonjë të dhënë apo dokument solid. Sidoqoftë, ajo që duket se i siguron PTKsë “statusi i të privilegjuarit”, sipas Pistës, është se PTK-ja mund të kërkojë auditim të brendshëm apo të ketë qasje në çfarëdo forme apo elementi të “Plus”.

Çka për kosovarët?

Në njoftimet për shtyp dhe në intervistat e dhëna për “Preportr”, përfaqësuesit e PTKsë refuzojnë që të flasin në terma absolut për çmimet që do paguajnë konsumatorët e Vala kur shfrytëzojnë rrjetin e “Plus” edhe pse insistohet se këta konsumatorë do të kenë një trajtim preferencial. Informacioni i PTK-së i dhënë për operatorin “Plus” është i gjerë, por në asnjë moment nuk hedhet dritë mbi tarifat e vërteta që konsumatori do paguaj.

Në ditën e lansimit të “Plus”, që u zgjodh të ishte dita e flamurit kombëtar 28 nëntori, shefi i PTK-së, Shqyryqi Haxha thotë se çmimet me operatorin ‘Plus” do të jenë 200% më të lira se ato ekzistueset”.

“Një verë me çmime shumë më të lira në aspektin e komunikimit, do të ofrojë Postë Telekomi i Kosovës si aksionar në operatorin e katërt në Shqipëri”, thotë PTK në Maj të vitit 2010. Në anën tjetër, “Plus” kurrë nuk ka lëshuar ndonjë informacion për tarifat që konsumatorët e Valës do të paguajnë kur përdorin rrjetin e këtij operatori.

Një reklamë e PTK-së, porositë konsumatorët e vet që të lidhen me operatorin “Plus”. “Lidhu….lidhu me Plus”, përmes së cilës dy vajza të bukura “magjepsnin” kosovarët gjatë periudhës së verës në reklamë që transmetohej në televizionet e Kosovës.

Përmes kësaj “magjie”, PTK-ja u premton kosovarëve çmime më të lira kur e vizitojnë Shqipërinë. Kjo nuk është konfirmuar asnjëherë nga “Plus” edhe pse ka mbi një vit që funksionon ky operator.

Shefi i zyrës për informim në PTK, Menduh Abazi, thotë se hyrja e PTK-së në tregun shqiptar është bërë me qëllim që të ketë: “Çmime më të lira për të gjithë konsumatorët e Vala-s që hyjnë në Republikën e Shqiperisë dhe marrja e ‘statusit të privilegjuar”. Mirëpo kur pyetet se si mund ta konfirmojmë këtë Abazi citon teoricienin e famshëm të tregut të lirë Adam Smith duke mos dhënë asnjë çmim për një produkt të caktuar.

Çështja e statusit të privilegjuar nuk është konfirmuar asnjëherë nga përfaqësuesit e “Plus-it” në Tiranë, ndërsa edhe kur janë në pyetje çmimet më të lira për kosovarët që udhëtojnë në Shqipëri, kjo nuk qëndron gjithashtu.

Kur PTK flet për çmimet me “Plus” zakonisht përdor një metodë jo të zakonshme në këtë treg. Zakonisht jepen përqindje, por operatorët e telefonisë mobile në marketingun promovues të tyre dhënë çmime gjegjëse për produktet specifike. PTK-ja mjaftohet duke thënë se mesazhet telefonike do të kushtojnë 50% më lirë. Një verifikim i gazetarëve të “Preportr” ka treguar se as kjo nuk qëndron. Një vizitë në Shqipëri e tregon që kosovarët me SIM kartela të Vala 900, e që lidhen me rrjetin e “Plus-it”, paguajnë çmime të njëjta sikur me operatorët e tjerë, p.sh. Eagle Mobile apo Vodafone. Nëse lidhesh me “Plus” dhe dërgon një mesazh telefonik, një klienti kosovar i harxhohen 0.40 euro, njëjtë siç ndodhë edhe kur je i lidhur me operatorë të tjerë. Më herët me Vala 900, për shërbimet me roaming, nga Shqipëria është paguar 1.95 euro,ndërsa tani paguhet 0.50 euro për thirrjet drejt Valës dhe Telekomit të Kosovës (linjës tokësore).

Abazi thotë se tani me Plus-in, mesazhet telefonike janë 50 % më lirë, megjithëse nuk e tregon sakt se sa janë ato çmime.

Përpos kësaj, edhe nëse klientët e Vala 900 duan të lidhen me rrjetin e “Plus-it”, kjo gjë është shumë e vështirë pasi operatori i katërt i telefonisë mezi gjendet në listën e operatorëve. Zyrtarë të PTK-së, jo zyrtarisht e kanë arsyetuar “Plus-in” se instalimi i antenave ka shumë pak kohë që ka filluar dhe hapësira që e mbulon tani ky operator në territorin shqiptar është mjaft e madhe në krahasim me kohën që e kanë pasur.

Kjo kompani pothuajse nuk ka fare rrjet përgjatë një pjesë të bregdetit shqiptar, e bregdeti mbetet ndër arsyet kryesore të vizitave të kosovarëve në Shqipëri. Duket se kjo është arsyeja pse zyra për informim e “Plus-it” në Tiranë nuk pranoi të flas fare për atë se sa përqind të territorit shqiptar mbulojnë antenat e tyre.

Është lehtë e kuptueshme që formulës së PTK-së :“Lidhu….lidhu me Plus” i mbaron magjia në momentin që kosovarët dalin në territorin shqiptar, pasi të verifikojnë edhe vet se sa vërtetë kanë harxhuar gjatë telefonatave apo dërgimit/pranimit të sms-ve.