English
Scroll top

Tenderi që ekspozoi kapjen e qeverisë

Ku ishte sikleti i vërtet i qeverisë kur po bënte presion në Kuvend për Strategjinë për privatizimin e PTK-së?
Kush janë kompanitë e individët që kontrolluan procesin e përgatitjes dhe hedhjes në privatizim të PTK-së, që prej vitit 2007?

Prishtinë, 23 Nëntor 2011

Tenderi për shitjen e PTK-së ka dështuar, pasi që Hrvatski Telekom ka qenë i bindur që fitues i tenderit për blerjen e PTK-së në fund do të dal Telekom Austrian AG. Kjo kompani ka ikur nga gara pasi e ka parë tendencën e qeverisë që me çdo kusht PTK-në t’ia jap Telekom Austrian AG. Ikja e Hrvarski Telekom nga gara ka bërë që tenderi për shitjen e PTK-së të dështojë në fazën e para-kualifikimit.Tenderi për shitjen e PTK-së ka dështuar pasi që qeveria është munduar të përmbushë kërkesat e kompanisë që ka një histori në tregun e telekomunikimit në Kosovë, Telekom Austrian AG. Më 2007, Telekom Austrian AG, ka qenë njëri prej pretendentëve për ta fituar licencën për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Pasi humbi garën për të marrë licencën për telefoninë e dytë mobile, kjo kompani ndërmori nisma ligjore kundër autoriteteve të Kosovës, për shkak të shkeljeve të procedurave të tenderimit. Prej atëherë e deri më tani, ky rast i paraqitur nga Telekom Austrian AG, asnjëherë nuk është shqyrtuar nga drejtësia. Në atë kohë, si përfaqësues i Austrian Telekom AG në Kosovë, për ta fituar licencën e operatorit të dytë të telefonisë mobile, ka qenë pikërisht këshilltari i qeverisë për privatizimin e PTK-së, Tibor Kartik nga Telco Ag dhe Wolf Theiss.

Ky hulumtim i “Preportr” tregon se tërë procesi i përgatitjes së bazës për këtë privatizim si dhe vetë tenderi ishin të njëanshme dhe të orientuara drejt një qëllimi të krijuar që në vitin 2007. Qeveria ka pasur për synim që PTK-në t’ia jap si monedhë kusuri Telekomit Austriak, këshilltarët e së cilës e kanë kontrolluar këtë proces qysh nga fillimi.

Pse u largua “Hrvatski Telekom” nga gara?

Meqë largimi i Hrvatski Telekom d.d qoi në kolaps automatik tenderin për shitjen e PTK-së, arsyet pse sollën këtë kompani deri tek ky vendim ishin shumë të rëndësishme për publikun. Në disa prononcime për media, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë që arsyeja kryesore e tërheqjes së Hrvatski Telekom është dështimi i kësaj kompanie, gjegjësisht principalit të saj Deutche Telecom, që të shesë aksione në Amerikë.

Vetë kompania, në anën tjetër, jep një arsyetim tjetër zyrtar. “Arsyet pse po largohemi janë akuzat për korrupsion ndaj menaxhmentit të PTK-së”, thonë zyrtarisht nga Hrvatski Telekom.“Ne kemi deklaruar se T-HT është duke e shqyrtuar pjesëmarrjen e saj në procesin e privatizimit për shkak të akuzave ndaj menaxhmentit të PTK-së, të dyshuar për korrupsion”, kanë thënë zyrtarët e telekomit kroat për Preportr.

Mirëpo, persona të afërt me përfaqësuesit e kroatëve në Kosovë, kanë bërë me dije se prej përgatitjes së raportit nga këshilltari i transaksionit Telco AG dhe përparësisë indirekte që i ka dhënë qeveria Telekomit Austriak, ka bërë që Hrvatski Telekom të largohet nga gara.

Në një incizim, të siguruar nga Preportr, të një bisede private mes drejtorit të PTKsë, Shyqyri Haxha dhe Sinisha Gjyranoviq, zyrtar pranë telekomit Kroat, të dyja palët flasin për arsyet e largimit nga gara të operatorit kroat. Haxha ka kërkuar sqarim nga ata nëse kanë thënë se menaxhmenti është i korruptuar, duke e vlerësuar si deklaratë që mund t’i shkaktojë dëm sidomos në prag të procesin gjyqësor të nisur kundër tij.

Ndërkohë, që përfaqësuesi kroat thotë se ata kanë kërkuar rreth dy muaj më parë nga Qeveria që ta pezullojë procesin derisa të sqarohet çështja e akuzave ndaj menaxhmentit të PTK-së për korrupsion. “Nuk kemi deklaruar se ju jeni të korruptuar asnjëherë, por kemi thënë që duhet ndërprerë njëherë procesi derisa të sqarohen dyshimet dhe akuzat, ne nuk e kemi ditur se do të mbahet seancë gjyqësore dhe nuk kemi pasur asnjë qëllim që t’ju shkaktojmë problem, ne nuk duam të paragjykojmë”, i ka thënë përmes telefonit Gjyranoviq, drejtorit të PTK-së Haxha.

Nga kjo bisedë telefonike mësohet se kroatët kanë kërkuar nga Qeveria pezullimin e procesit të shitjes së PTK-së, por përkundër këtyre kërkesave, është vazhduar me procesin e privatizimit të PTKsë, deri sa Hrvatski Telekom zyrtarisht tërhiqet nga gara. Burimet nga Hrvatski Telekom thonë se arsyeja e vërtetë e dështimit të privatizimit të PTK-së ka të bëjë me dyshimet se procesi i shitjes së kësaj kompanie ka qenë i kurdisur dhe për këtë, Hrvatski Telekom është tërhequr nga gara. “Hrvatski Telekom e ka parë tendencën që Qeveria është duke e përkrahur Telekom Austria me faktin që Këshilltari i Transaksionit më 2007 ka qenë përfaqësues i Telekom Austria për tenderin e dytë të telefonisë mobile, dhe po i njëjti ka qenë i angazhuar nga Qeveria si Këshilltar për privatizimin e PTK-së”, thotë për Preportr në kushte anonimiteti, një përfaqësues i Hrvatski Telekom.

Para-kualifikimi si pararojë e dështimit

Në fund të vitit të kaluar, qeveria bëri përzgjedhjen e pesë kompanive për të garuar për fazën e para-kualifikimit në tenderin për shitjen e PTKsë: “AlbTelecom” Sh.A nga Shqipëria (shumica e aksioneve janë në pronë të “Calik Group” dhe “Turk Telekom”), “Hrvatski Telekom” d.d. (HT),nga Kroacia (shumica e aksioneve të HT janë në pronë të “Deutsche Telekom”), “Orascom Telecom Holding” S.A.E. nga Egjipti, “Telekom Austria” AG nga Austria dhe “Sabafon” nga Jemeni. Disa muaj më vonë, më 2 qershor të këtij viti, u eliminuan tri kompani dhe mbetën vetëm dy në garë, “Telekom Austria AG” dhe “Hrvatski Telekom d.d”, dhe nga qeveritarët u deklarua se procesi përfundoi me sukses. “Komisioni Qeveritar për Privatizim, e vlerëson shumë të suksesshme këtë fazë të para kalifikimit për shitjen e aksioneve të PTK-së ”, thuhet në komunikatën e MZHE të lëshuar në qershor. Ministria e Zhvillimit Ekonomik kishte lëshuar po ashtu një komunikatë më 20 Qershor në të cilën thuhet se: “Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës është duke u zhvilluar sipas strategjisë dhe planit të paraparë, bazuar në dispozitat ligjore dhe me transparencë të plotë”.

Kështu u vendos që tenderi të vazhdohej, dhe as Qeveria, por as mekanizmat tjerë të përfshirë në këtë proces, nuk e nxorën as më të voglin dyshim, deri sa Këshilltari i Transaksionit e dorëzoi raportin e parë të vlerësimit të PTK-së për aksionarin, pra Qeverinë. Burimi i Preportr, tregon që me rastin e daljes në publik të raportit të vlerësimit të PTK-së nga Telco AG, në korrik të këtij viti, procesi i privatizimit të PTK-së hyn në ujëra të turbullta. “Me daljen e raportit të vlerësimit të Këshilltarit të transaksionit, si dhe duke pasur parasysh lidhjet e këshilltarit, Tibor Kartik, me Telekom Austria, është bërë e qartë se kush i ka gjasat që ta fitojë tenderin”, ka thënë për “Preportr”, një burim i afërt me operatorin kroat. Ky raport nxiti debat në mes të drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxha, dhe Këshilltarit të Transaksionit, -Tibor Kartik, ku ky vlerësim i PTK-së u quajt si tendencë për dëmtimin e PTK-së.

Shiko Gazetën #4

Qeveria duke parë rrezikun se Hrvatski Telekom mund të tërhiqet nga gara, gjë që do sillte dështimin e tenderit, në shtator vendosi të shtyjë fazën e para-kualifikimi edhe për dy javë, duke i dhënë mundësinë, për herë të dytë, kompanive që vetëm tre muaj më parë ishin diskualifikuar për mospërmbushje të kritereve të futet sërish në garë. “Ky vendim (i Komitetit për privatizim) është marrë me qëllim të arritjes së një niveli më të lartë të konkurrencës në proces, duke pasur kujdes gjithnjë sigurimin e një trajtimi të barabartë dhe fer të të gjitha kompanive pjesëmarrëse në këtë proces”, thuhet në komunikatën e lëshuar të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik më 2 shtator të këtij viti.

Mirëpo, si u bë që në Qershor, qeveria të deklarojë dy herë që gjithçka me tenderin është në rregull dhe papritmas në Shtator të vendosë të shtyjë fazën e para-kualifikimi edhe për dy javë dhe kështu t’iu jap një mundësi të re kompanive, që i kishte diskualifikuar në Qershor, të marrin prapë pjesë në tender.

Nga kjo perspektivë, del se Qeveria mund të ketë pasur indikacione se njëri nga ofertuesit e para-kualifikuar, Hrvatski Telekom d.d mund të tërhiqet, dhe për pasojë, shpërblimi i Telekom Austria, si fitues i tenderit do të bëhej i pamundur. Në një intervistë për “Preportr”, të dhënë nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, qysh në fillim të tetorit, kur në atë kohë nga autoritetet publikisht ende flitej për një proces tërësisht normal dhe pa probleme të tenderimit, ministrja kishte lënë të hapur mundësinë që tenderi për privatizimin e PTK-së edhe mund të dështonte. “Në fazën ku është, ky si proces mund edhe mos të realizohet. Po e shohim se ka vonesa, ka mundësi të ndryshimit të gjendjes së ofertuesve, është diçka shumë reale për shkak te situatës së përgjithshme ekonomike evropiane” pat thënë ministrja Kusari për Preportr.

Favorizimi i Telekomit Austriak AG

Në të vërtetë, ndikimi i fortë i Telekom Austria AG tek autoritetet vendim-marrëse në procesin e privatizimit të PTK-së, ka qenë shumë evident edhe më herët.

Drejtori aktual i PTK-së, Shyqyri Haxha, thotë në një intervistë për “Preportr” se ka qenë kërkesë e përfaqësuesit të Telekom Austria, në një konferencë të donatorëve në Prishtinë, në Mars të vitit 2010, që të anulohet nga ish-ministri Ahmet Shala një kontratë e rëndësishme e PTK-së, përkatësisht kontrata me Amdocs për platformën e faturimit. Sipas zyrtarëve të PTK-së, anulimi i kësaj kontrate dhe rrjedhimisht i sistemit të faturimit nga qeveria, ka shkaktuar një disfavor të jashtëzakonshëm për këtë kompani dhe e ka kufizuar atë në përballimin e konkurrencës me operatorë tjerë.

Zyrtarë të lartë në PTK-së deklaruan për Preportr se qëllimi i vërtetë i ndaljes së këtij projekti si dhe projekteve tjera kapitale, siç është projekti për fibrat optik apo edhe faza e gjashtë e zgjerimit të kapaciteteve, ka qenë devalvimi i vlerës së PTK-së në prag të privatizimit me një qëllim të vetëm, shitjen e saj sa më lirë. “Ju them sinqerisht dhe me përgjegjësi të plotë se qëllimi i vërtetë i ndaljes së këtyre projekteve ka qenë devalvimi i vlerës së

PTK-së në prag të privatizimit”, thotë ky zyrtar i lartë në PTK. Madje ky zyrtar pranon se ka pasur edhe një konflikt verbal me përfaqësuesit e Telekom Austrian AG rreth çështjes së sistemit të faturimit. “Në sy i kam thënë përfaqësuesve të Telekom Austrian, se ju nuk mund të diktoni investimet në PTK-së”, thotë burimi i Preportr në PTK.

Një marrëdhënie shumë e çuditshme mes privatizimit të PTK-së dhe të dy kompanive që kanë këshilluar qeverinë për këtë privatizim, na e zbulon vetë profili i kompanisë këshillëdhënëse të Qeverisë, Wolf Theiss. Në këtë profil, krahas shumë punëve të kryera nga kjo kompani për AKM, Qeveri dhe PTK, shfaqet edhe një aktivitet i kësaj kompanie në inicimin e procedurave kundër autoriteteve kosovare për shkak të shkeljeve në tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile në vitin 2007 nga ART-ja.

Wolf Theiss, e angazhuar për këshillim në privatizimin e PTK-së, ka qenë po ashtu këshilltare e Telekom Austria AG në tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Në profilin e Kompanisë thuhet, “pasi që tenderi nuk pati sukses, Wolf Theiss ka iniciuar një numër kontestesh rreth proceduarve të tenderit në disa gjyqe dhe institucione të Kosovës”.

Kjo marrëdhënie dhe fakti që Telekom Austria AG, e përfaqësuar dikur nga Wolf Theiss dhe Telco AG, ishte pretendentja kryesore në blerjen e PTK-së, krijoi potencial për një tender të shitjes së kompanisë më fitimprurëse kosovare nën kushte të një konflikti interesi që cenoi seriozisht qeverisjen e mirë të privatizimit të PTK-së.

Kontratën për ta këshilluar Qeverinë për privatizimin e PTK-së, ish-përfaqësuesi i Telekom Austrisë, Tiborg Kartik, e ka marrë në konzorcium me një kompani tjetër që në Kosovë kanë qenë ujqër të vjetër. Wolf Theiss qe angazhuar në shumë projekte tjera nga AKM-ja në kohën kur ajo kishte për drejtor të zyrës,

Ahmet Shalën. Si ministër i Ekonomisë dhe Financave, Shala e përfshiu sërish këtë kompani në Privatizimin e PTK-së, kësaj here bashkë me Tibor  Kartik ish shpërfaqësues i kompanisë Telekom Austria AG në tenderin për operator të dytë të telefonisë mobile në Kosovë.

Në profilin e kompanisë Wolf Theiss, të botuar në dhjetor 2010, tregohet sa e përfshirë ka qenë kjo kompani në Kosovë në sektorin e ekonomisë, ku për një kohë të gjatë mbretëronte emri i ish-ministrit Shala. Siç shihet, Wolf Theiss, praktikisht ka qenë prezent në Kosovë në sektorët në të cilët ka udhëhequr ish-ministri i ekonomisë dhe ishdrejtori i AKM-së, Ahmet Shala. Kjo kompani, së bashku me Telko AG, janë angazhuar sërish nga i njëjti person për ta këshilluar qeverinë në privatizimin e PTK-së, duke injoruar faktin se ata kanë qenë të afërt me njërin nga ofertuesit kryesor, Telekom Austria, si e vetmja kompani e ngelur deri në fund të procesit për blerjen e PTK-së.

Raporti që zhvlerësoi PTK-në kundërshtohet nga menaxhmenti i kompanisë

Në një raport të bërë nga Këshilltari i Transaksionit, pasuria e PTK-së vlerësohet vetëm 110 milionë euro. Ky raport është kundërshtuar nga menaxhmenti i PTK-së dhe nga Bordi i saj, por është mbrojtur nga ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, në një intervistë dhënë RTK-së në nëntor të këtij viti.

Në raport të Telco AG mbi vlerën e PTKsë, flitet për konfliktet e krijuara mes PTK-së dhe kompanive që ka angazhuar menaxhmenti dhe qeveria për projekte të ndryshme si kërcënim serioz të vlerës së kompanisë. Kontrata më problematike shihet ajo me kompaninë Amdocs, cilës në prill të vitit 2010, i është dhënë një tender për ndërtimin e një platforme faturimi, por që është anuluar nga ish-ministri Shala vetëm disa ditë pas nënshkrimit të saj.

Anulimi i kësaj kontrate ishte kërkuar nga Telekom Austria AG, në një konferencë në mars të vitit 2010. Amdocs tashmë ka krijuar një rast për këtë çështje dhe sipas raportit të bërë nga vetë këshilltari i qeverisë, gjasat janë që ky anulim t’i kushtojë PTK-së aq sa ka qenë vlera e projektit, pra 20 milionë euro.

Përndryshe, anulimi i këtij projektit, sipas drejtorit menaxhues të PTK-së, Shyqyri Haxha, ka zhvlerësuar PTK-në në masën prej 20% qysh në momentin e anulimit, por që ka pasur pasoja edhe më të rënda për shkak të pamundësimit të PTK-së që të përballojë konkurrencën e operatorëve tjerë.

Vazhdojnë me avazin e vjetër

Tani që tenderi ka dështuar, qeveria planifikon ta përsëris tenderin për shitjen e PTK-së me bazë të njëjtat dokumente të përpiluara deri më tani.

Sipas deklarimeve zyrtare, të zyrës për informim të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, procesi i privatizimit të PTK-së, kurdo që të fillojë, do të ketë për bazë dokumentet dhe raportet e prodhuara deri më tani. “Deri tani janë analizuar mijëra dokumente dhe janë përgatitur dokumente tenderuese e raporte me një vëllim prej mbi 3000 faqesh dhe ato do të përdoren kurdo që të rifillojë procesi i ri”, kanë thënë nga zyra për informim e MZHE-së. Po ashtu, Qeveria nuk planifikon të nxjerrë ndonjë vendim të ri për privatizimin e PTK-së, para Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar nenin 4 të Ligjit për Buxhetin e viti 2011, si bazë të mjaftueshme ligjore për të vazhduar me një tender të ri. Ata konfirmojnë se, edhe pse Ligji për Buxhetin 2011, në kuadër të të cilit është kaluar Strategjia për Privatizimin e PTK-së dhe marrë vendimi për shitje, skadon në fund të këtij viti, procesi i privatizimit të PTK-së do të vazhdojë pa asnjë ndryshim.

“Jemi konsultuar edhe me jurist vendorë dhe ndërkombëtarë, strategjia dhe baza ligjore mbetet e njëjta”, ka thënë për Preportr, Ministri për Ekonomi dhe Financa, Bedri Hamza.