English
Scroll top

“Lufta” me konfliktin e interesit

Parandalimi i konfliktit të interesit është një prej mekanizmave më të rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit përgjatë viteve ka trajtuar një numër të madh të rasteve të dyshuara për konflikt interesi. Qytetarët dhe zyrtarët publikë kanë dhënë opinionet e tyre rreth këtij procesi në dy pyetësorë që Preportr i ka realizuar. Qytetarët thonë se zyrtarët me qëllim e fshehin konfliktin e interesit

Prishtinë, 15 Mars 2023

Shmangia e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik të zyrtarëve publikë është njëra nga kompetencat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Kjo agjenci në mandatin e saj e ka identifikimin, parandalimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve te konfliktit të interesit. Përgjatë viteve në këtë agjenci janë trajtuar një numër i madh i rasteve të konfliktit të interesit, epilogu i të cilave është i ndryshëm. Në shumicën e rasteve agjencia nuk gjen konflikt të interesit për rastet e dyshuara.

Përveç agjencisë një barrë për të shmangur konfliktin e interesit, sa herë të ketë dyshime i është lënë edhe zyrtarëve publikë. Me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, thuhet se zyrtarët duhet edhe vetë ta shmangin konfliktin e interesit nëse ata kanë dyshime se janë të përfshirë në konflikt të interesit.

Shiko Gazetën #B-29

Parandalimi i konfliktit të interesit është një prej mekanizmave  të rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit. Organizatat e shoqërisë civile që janë marrë me këtë çështje  në vazhdimësi kanë sugjeruar që duhet të ketë forcim të mekanizmave për parandalimin e konfliktit të interesit në administratën publike.

Për të parë njohuritë, sfidat dhe problemet nga vetë zyrtarët publikë po edhe nga qytetarët rreth konfliktit të interesit Preportr, ka realizuar dy pyetësorë, njërin me qytetarë dhe tjetrin me zyrtarët publikë të cilët përmes këtij pyetësori kanë shprehur mendimet e tyre rreth konfliktit të interesit. Nga këta dy pyetësorë Preportr ka marrë 134 përgjigje.

Për të shmangur konfliktin e interesit qytetarët kanë thënë se zyrtarët vetë duhet ta deklarojnë se janë në konflikt të interesit, ndërkaq nuk besojnë se këto raste trajtohen si duhet, ndryshe prej zyrtarëve të cilët besojnë se rastet trajtohen nga agjencia me profesionalizëm.

Preportr i ka marrë dhe analizuar të dhënat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për rastet e konfliktit të interesit që i ka pasur në punë për vitet 2019-2022. Po ashtu ka siguruar të dhëna për rastet e konfliktit të interesit për këto vite edhe nga prokuroritë e Kosovës, por edhe pas disa javësh pritjeje nuk ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për të parë se cilat kanë qenë vendimet e gjykatave për këto raste.

Zyrtarët qëllimisht e fshehin konfliktin e interesit

Në kuadër të këtij hulumtimi, Preportr ka publikuar një pyetësor online përmes të cilit ka marrë përgjigje nga zyrtarët publikë lidhur me pikëpamjet e tyre për konfliktin e interesit në institucionet publike.

Sipas përgjigjeve të marra 70 për qind e tyre mendojnë se rastet e konfliktit të interesit trajtohen si duhet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Të pyetur se a kanë qenë ndonjëherë duke u hetuar për konflikt interesi, 97 për qind prej tyre kanë thënë se jo. Ndërsa në anën tjetër sipas zyrtarëve publikë mënyra më e mirë e sanksionimit të konfliktit të interesit do të ishte që të shmanget konflikti i interesit nga vetë zyrtarët.

Lidhur me konfliktin e interesit janë pyetur edhe qytetarët, ku 84 përqind e respodentëve kanë thënë se rastet e konfliktit të interesit nuk trajtohen si duhet, dhe se zyrtarët qëllimisht e fshehin konfliktin e interesit.

Disa nga arsyet për të cilat zyrtarët e fshehin konfliktin e interesit, sipas qytetarëve, janë për të vazhduar përfitimet e tyre, për të mbajtur dy ose më shumë poste, dhe për shkak të përfitimit të aseteve në mënyrë jo ligjore

Sipas qytetarëve, mënyra më e mirë e sanksionimit të konfliktit të interesit do të ishte efikasiteti më i lartë i institucioneve të cilat merren me këtë çështje, por edhe shmangia nga vet zyrtarët publikë.

Nga zyrtarët të cilët janë përgjigjur në pyetësor, 47 përqind prej tyre mendojnë se parandalimi i konfliktit të interesit e ndihmon luftimin e korrupsionit në administratën publike

Më shumë se gjysma e qytetarëve të përgjigjur në pyetësorin e Preportr,  mendojnë se luftimi i korrupsionit në administratën publike bëhet përmes parandalimit të konfliktit të interesit.

Rastet e trajtuara në agjenci dhe prokurori

Në rastet e trajtuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit statistikat tregojnë se një numër shumë i madh i tyre i drejtohen këtij institucioni për opinione, këshilla, përgjigje. Në të tri vitet që kanë qenë subjekt i trajtimit po ashtu numër i madh i zyrtarëve publikë, rastet e të cilëve kanë qenë duke u trajtuar e kanë shmangur konfliktin e interesit.

Gjatë vitit 2021 Agjencia ka trajtuar gjithsej 126 raste për konflikt të interesit, ku 25 prej tyre janë bartur nga viti paraprak.

Rezultatet e 126 rasteve të trajtuara, janë:13 raste kanë shmangur konfliktin e interesit; 12 pa konflikt të interesit; 2 janë proceduar për hetim;1 kërkesë për kundërvajtje, 77 opinione\këshilla\përgjigje; dhe 21 raste janë në procedurë.

Gjatë vitit 2020, 160 raste të trajtuara prej tyre 70 e kanë shmangur konfliktin e interesit, 19 raste pa konflikt të interesit 25 raste në procedim, 2 raste të përcjella për hetim, 1 kërkesë për kundërvajtje dhe për 43 raste janë dhënë këshilla opinion, përgjigje

Gjatë vitit 2019, APK, ka iniciuar dhe trajtuar 167 raste për situatë të konflikt të interesit. I gjithë procesi ka kaluar përmes një bashkëpunimi që APK ka pasur me institucionet publike, autoritetet përgjegjëse, me nëpunësit publikë, me media, shoqërinë civile, si dhe përmes informacioneve të marra nga burime të ligjshme.

Prej tyre 26 e kanë shmangur konfliktin e interesit, 7 raste pa konflikt të interesit, 25 raste në procedim, 3 raste të përcjella për hetim, 2 kërkesa për kundërvajtje dhe 104 opinione këshilla përgjigje

Ndërkaq numër më i vogël i rasteve që lidhen me konfliktin e interesit trajtohen nëpër prokurori. Sipas statistikave të prokurorive gjatë vitit 2019 të pranuara në punë kanë qenë tri raste, të cilat janë zgjidhur po gjatë atij viti.

Në vitin 2020 ka pasur më shumë raste në punë, gjithsej 20. Prej tyre  19 janë zgjidhur dhe vetëm një ka mbetur pa u zgjidhur.

Në vitin 2021 më shumë raste ka pasur të trashëguara nga vitet paraprake gjithsej tetë raste, ndërkaq të pranuara në punë kanë qenë pesë raste prej të cilave vetëm dy janë zgjidhur, për një person është ngritur aktakuzë, për një person tjetër janë pushuar hetimet. Në fund të vitit 2021 të pazgjidhura kanë mbetur 12 raste.

Numër shumë i vogël i rasteve të konfliktit të interesit të pranuara në punë   janë shënuar gjatë vitit 2022. Për këtë periudhë në prokuroritë e Kosovës për rastet që lidhen me konfliktin e interesit në punë janë pranuar gjithsej 3 raste, kurse numri më i madh i rasteve kanë qenë të pazgjidhura dhe të trashëguara me gjithsej 14 raste. Gjatë vitit 2022 janë zgjidhur pesë raste, për dy persona është hedhur kallëzimi penal, për tre persona është ngritur aktakuzë, kurse numri më i madh i rasteve kanë mbetur të pazgjidhura, gjithsej 12 raste.

Konflikti i interesit duhet të shmanget nga zyrtari

Shmangia e konfliktit të interesit nga vetë zyrtarët apo trajtimi i rasteve të konfliktit të interesit me prioritet nga institucionet përgjegjëse konsiderohet të jetë një nga shtyllat e luftimit të korrupsionit në administratën publike.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, është mjaft specifik me rastet kur zyrtari gjendet në konflikt interesi gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare. Me këtë ligj i lihet hapësirë vetë zyrtarit që nëse dyshon që është në konflikt interesi ta shmang atë duke marrë opinion për këtë gjë nga organet kompetente, siç është Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Me këtë ligj u jepet hapësirë edhe zyrtarëve të tjerë të lajmërojnë rastet në qoftë se dyshojnë që kolegët e tyre janë në konflikt interesi.

“Pavarësisht çdo detyrimi tjetër ligjor, çdo person që ka njohuri ose dyshim të arsyeshëm
për konflikt interesi të ndonjë zyrtari duhet ta lajmërojë institucionin punëdhënës të zyrtarit ose
Agjencinë kundër Korrupsionit (në tekstin e mëtejmë Agjencia).”, thuhet në nenin 7 të këtij ligji.

Personi që ofron informata të bazuara për rastet e konfliktit të interesit sipas këtij ligji gëzon mbrojtje në pajtim me ligjin.

Në rast të shkeljes së dispozitave të këtij ligji, në rastet kur konflikti i interesit nga zyrtarit nuk përbën vepër penale parashihen edhe sanksione që përfshijnë gjoba që shkojnë nga 1000 deri 15 mijë euro varësisht nga nenet e ligjit që është shkelur edhe masën mbrojtëse të
ndalimit të ushtrimit të funksionit publik me kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj deri në dy (2) vjet.

Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë që parandalimi i konfliktit të interesit është një prej mekanizmave shumë të rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit në administratën publike.

“Konflikti i interesit është temë brenda kornizës së temave që kanë për qëllim luftimin dhe parandalimin e dukurive antiligjore dhe antidemokratike në sferën institucionale. Si i tillë, rregullimi i shmangies së konfliktit të interesit përbën një nga tri shtyllat themelore në fushën kundër korrupsionit, paralelisht me Deklarimin e Pasurisë dhe Konfiskimin e Pasurisë”, thuhet në një raport të organizatës Çohu! mbi konfliktin e interesit.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik është një ligj konsiderueshëm i avancuar, që përpos formave të konfliktit të interesit ka përcaktuar edhe rregulla të ndryshme të veçanta të cilat kanë për qëllim ndalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

“Sipas dispozitave të këtij ligji por edhe standardeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me parandalimin e konfliktit të interesit, shfaqja e konfliktit të interesit nuk është diçka negative në vetvete, për shkak se në secilin rast secili zyrtar publik mund të hasë në situata kur paraqitet konflikt i interesit”, thotë ai.

Por, në kuptim të dispozitave ligjore, zyrtari publik në secilin rast sipas tij duhet të shmang konfliktin e interesit, përmes një mënyrë të përshtatshme, siç është e parashikuar edhe në ligj.

Që të shmanget konflikti i interesit, sipas Shalës, është i nevojshëm fuqizimi i të gjitha mekanizmave të cilët mundësojnë identifikimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve të konfliktit të interesit.

“Në këtë kuptim, është shumë e rëndësishme që fillimisht Agjencia për Parandalimin e Korrupsioni të ketë kapacitete profesionale për trajtimin e këtyre rasteve si dhe brenda institucioneve të fuqizohen mekanizmat që kanë për qëllim parandalimin e konfliktit të interesit’, shton ai.

Që ligji të zbatohet si duhet Shala mendon se e rëndësishme është që edhe tek zyrtarët publikë të rriten njohuritë mbi Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.