English
Scroll top

Profesioni i panjohur

Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë ka bërë që një numër i madh i grave sidomos në zonat urbane të ofrojnë shërbime të përkujdesjes për fëmijët, të moshuarit dhe mirëmbajtjes së shtëpive. Kjo formë e punës është jo formale në Kosovë. Ndonëse kjo kategori e punëtorëve është në rritje, puna e tyre nuk është e rregulluar me ligj. Si rrjedhojë punëtorët nuk kanë kontrata pune, punojnë jashtë orarit të punës dhe mund të jenë viktima të sulmeve të ndryshme në ambientet ku ata...

Prishtinë, 26 Janar 2023

Drita nga Prishtina, kishte gjetur punë para dy vitesh. Puna e saj ishte përkujdesja për dy fëmijë. Me kalimin e kohës edhe pse ishte marrë vesh me pronarët se duhej të përkujdesej vetëm për fëmijët, punët në ndërkohë iu shtuan, orari iu zgjatë, por paga i mbeti e njëjtë. Ajo thotë se tani përveç përkujdesjes për fëmijët, i duhet të merret me pastrim, hekurosje dhe përgatitje të ushqimit për gjithë familjen.

“Kur kam hy ne fillim në punë me kanë thënë se orari i punës është deri në ora një e ditës dhe më ka konvenuar sepse kisha nevojë për punë, por edhe me u kujdes edhe për fëmijët e mi edhe me pas kohë për ta. Mirëpo kohë pas kohe filloj me ndryshu orari, njëherë deri në dy pastaj deri në tre, duke e shtyrë deri në dhjetë orë pune”, thotë ajo.

Drita thotë se mbyllja në katër mure po i shkakton shumë stres në shumë aspekte, si pasojë e mungesës së kontaktit me njerëz ose mungesës së një kolektivi të punës. Ajo thotë se më së shumti e brengosë mendimi se nuk po zhvillohet në asnjë drejtim personal apo profesional, e që në fund nuk po fiton asgjë nga kjo punë.

Shiko Gazetën #B-26

“Shumë herë i harroj fëmijët e mi, sepse duhet të koncentrohem në kujdes të fëmijëve të familjes për të cilën punoj. Shumë herë jam e lodhur psiqikisht dhe fizikisht dhe e dëshpëruar, sepse punët e njëjta që i bëjë te punëdhënësi, prapë i bëjë kur shkoj në shtëpinë time”, thotë ajo.

Njëjtë sikurse Drita, edhe Shpresa dhe Afërdita me të cilat biseduam, i shprehen shqetësimet e njëjta. Ato, na treguan se përveç mirëmbajtjes së shtëpive, punëdhënësit u kërkojnë të bëjnë edhe punë tjera, por që nuk i paguajnë për to.

“Kam pasur raste kur përveç që kam pastruar banesën, pronarët e banesës më kanë thënë edhe me hekurosë, mirëpo jam paguar vetëm për pastrim e jo shtesë edhe për punët tjera të cilat i kam kryer”, thotë Afërdita.

“Gjithmonë kur përgatitë ushqim për familjen, ushqimin për të rriturit e bëjë tjetër ndërsa për fëmijën tjetër, pra çdo ditë dy ose tre lloje të ushqimit i përgatisë për këtë familje”, ka shtuar gjithashtu Shpresa.

Njohësja e çështjeve gjinore Mirishahe Syla, thotë se ky lloj i punës nuk u ofron qasje në jetën publike sepse punëtorët e kujdesit dhe mirëmbajtjes e vazhdojnë jetën private edhe në punë për shkak të ambienteve të mbyllura ku ato e zhvillojnë punën.

“Fillimisht në familje po konsiderohet si zgjatje e rolit të punëve në shtëpi, po e bënë të njëjtën punë si në shtëpi, veç se po paguhesh për ato punë, mirëpo kur kthehen në shtëpi prapë e vazhdojnë punën e njëjtë, por prapë nuk u njihet si punë”, thotë ajo.

Refuzim publik për njohje si lloj i punës

Sot shumë familje, sidomos në vendet urbane, punësojnë persona për pastrim të shtëpisë, përkujdesje për fëmijët e të moshuarit. Viteve të fundit është zhvilluar mjaft shumë ky lloj i punës, edhe për shkak të punësimit të të dy prindërve, mungesës së besimit në institucionet arsimore për të dërguar fëmijët e tyre, mungesës së e institucioneve të cilat ofrojnë shërbime adekuate të përkujdesjes ndaj të moshuarve, e ndër të tjera nevojës për mirëmbajtje dhe pastrim të shtëpive.

Pavarësisht se sa i rëndësishëm është ky shërbim, pa të cilin shumë familje nuk kanë mundësi as të funksionojnë si duhet, për shkak të nevojës që kanë për persona të cilët e ofrojnë këtë shërbim, po mbetet një profesion i cili jo vetëm që nuk po paguhet si duhet, por që nuk po njihet as nga institucionet shtetërore, as me Ligjin e Punës.

Preportr ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, lidhur me kategorizimin e këtij lloji të punës, dhe planet apo strategjitë e kësaj ministrie lidhur me funksionimin dhe qasjen për këtë kategori të të punësuarve, mirëpo edhe pas pritjes për disa javë, nuk ka marrë përgjigje.

Drita na ka treguar se i ka kërkuar shumë herë punëdhënësit kontratën e punës, por për shkak të mos kategorizimit të këtij lloji të punës, punëdhënësi nuk ka pasur njohuri se në çfarë të bazohet për rregullimin e një kontrate për persona të cilët ofrojnë këto shërbime dhe individëve që i kërkojnë këto shërbime.

Mungesa e kontratës së punës, ia ka pamundësuar asaj që të përfitojë nga pakot e rimëkëmbjes që po realizohen kohë pas kohe nga Qeveria e Kosovës.

Artan Mustafa, kërkues në fushën e politikës sociale, thotë se Qeveria është fokusuar në sundimin e ligjit, por krahas kësaj duhet të merret me rregullimin e të drejtave sociale brenda punës, sigurimin e të drejtave shoqërore, transfereve, shërbimeve sociale etj. , pasi që Kosova është një ndër vendet më të pabarabarta në botë dhe se ka shumë mangësi serioze në të drejtat e punës.

Ai po ashtu thekson faktin se duhet të ketë një monitorim dhe formalizim të këtij lloj punësimi, por edhe lehtësime të tjera për familjet që i punësojnë këta punëtorë.

“Një incentivë kish me qenë që mos me pas obligim shumë të madh të taksave mbi familjet që i punësojnë këta persona, ndërsa shteti do të kishte marrë përgjegjësinë që t’i mbulojë kontributet, taksat në të hyra për punëtorët”, thotë ai.

Mirishahe Syla ka thënë se arsyeja që ka një refuzim publik për ta njohur si punë këtë kategori informale të punës, është se ky lloj i punës bëhet edhe në shtëpi veç se gratë nuk paguhen për të.

Nëse e njeh këtë punë në shtëpi fillon edhe jashtë shtëpisë me e njoftë dhe me e kategorizu si punë dhe si kontribut, mandej edhe në shtëpi fillon me u trajtu ndryshe mirëpo këtë gjë shumica nuk e duan dhe nuk e bëjnë

Mirishahe Syla

“Nëse e njeh këtë punë në shtëpi fillon edhe jashtë shtëpisë me e njoftë dhe me e kategorizu si punë dhe si kontribut, mandej edhe në shtëpi fillon me u trajtu ndryshe mirëpo këtë gjë shumica nuk e duan dhe nuk e bëjnë”, ka thënë ajo.

Në kushtet e papunësisë së madhe në Kosovë, shumë gra përkujdesjen për fëmijët, të moshuarit dhe mirëmbajtjen e shtëpive e kanë parë si mundësi që të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre.

Shifrat e papunësisë që i prezanton Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ndër vite tregojnë se ka një numër të madh të grave të papuna.

Përderisa ndër vite papunësia ka shkuar duke u ulur, ende ka vazhduar te jetë problem predispozita e papunësisë mes grave dhe burrave. Sipas ASK-së, nga viti 2001 ku ishin 51.8% e burrave të papunësuar, në vitin 2021 përqindja ishte në 19.0%, ndërsa nga 69.9% e grave, tani numri i papunësisë është 25.0%.

Diferenca e papunësisë mes grave dhe burrave, gjatë viteve të ndryshme, ka vazhduar të ketë një hendek të madh. Në vitin 2012 janë regjistruar 40% e grave si të papunësuara, ndërsa burrat ishin me 28.1%. Ky hendek ka shkuar duke rënë në dhjetëvjeçarin e fundit, por ende mbetet një diferencë e lartë në numrin e papunësisë tek gratë.

Në këtë situatë, shkalla e lartë e papunësisë te gratë, e ka për pasojë direkte varfërinë.

Në anën tjetër, mungesa e rregullimit ligjor për këtë lloj të punës, dhe mungesa e një kontrate punë, sipas drejtoreshës së Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), Leonida Molliqajt, paraqet një rrezik të madh duke filluar nga cenimi i të drejtave bazike të punëtorëve, për shkak se punëtorët nuk kanë bazë ligjore që të dëshmojnë lidhur me shkeljet dhe padrejtësitë që u bëhen në vendin e punës.

Fakti që nuk ke kontratë punë i bie që ti fatkeqësisht nuk mund ta dëshmosh para institucioneve asnjë shembull që ke qenë e abuzuar, ose që ke qenë duke punuar jashtë orarit, ose nuk je paguar aq sa duhet për punën tënde, apo ka ushtruar dikush dhunë, çfarëdo lloji të dhunës ndaj teje

Leonida Molliqaj, QIKA

“Fakti që nuk ke kontratë punë i bie që ti fatkeqësisht nuk mund ta dëshmosh para institucioneve asnjë shembull që ke qenë e abuzuar, ose që ke qenë duke punuar jashtë orarit, ose nuk je paguar aq sa duhet për punën tënde, apo ka ushtruar dikush dhunë, çfarëdo lloji të dhunës ndaj teje”, thotë ajo.

Edhe gratë që kanë folur për Preportr, e kanë pranuar se asnjëherë nuk janë ankuar në asnjë institucion, qoftë për kushtet e punës, mungesën e kontratës, largimin nga puna etj, sepse nuk kanë mundur ta dëshmojnë që ato kanë pasur një vend punë në aspektin zyrtar.

“Asnjëherë nuk jam ankuar askund sepse nuk kam besim në institucione, sepse gjithmonë fitojnë ata të cilët kanë pushtet më shumë e ne shtresat më të ulëta asnjëherë”, thotë Shpresa..

Në kuadër të këtij hulumtimi, Preportr ka publikuar një pyetësor online përmes të cilit ka marrë përgjigje nga punëtorët e kësaj kategorie të punës, lidhur me kontratat e punës, mungesën e kontributeve dhe problemet tjera me të cilat ballafaqohen ata.

Sipas përgjigjeve të marra, rezulton se punëtorët e mirëmbajtjes dhe pastrimit kanë pasur probleme në vendin e punës, por që nuk janë ankuar në asnjë institucion të vendit. Disa nga arsyet që ata thonë, se nuk janë ankuar, kanë qenë: zgjatja e procedurave nga institucionet shtetërore, kanosje ose kërcënim me largim nga vendi i punës, si dhe mungesa e dëshmive lidhur me rastet e problemeve në vendin e punës.

Inspektorati i Punës, në një përgjigje me shkrim, ka thënë për Preportr se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë ankesë të parashtruar sa i përket të punësuarve të cilët ofrojnë shërbime për individë/familje në kryerjen e obligimeve siç janë mirëmbajtje, pastrimi, dhe përkujdesja.

“Inspektorati i Punës inkurajon te gjithë të punësuarit të cilët pretendojnë që u shkelen të drejtat nga marrëdhënia e punës dhe siguria e shëndeti në punë që t’i drejtohen institucionit të Inspektoratit të Punës”, thuhet gjithashtu në përgjigjen e IP-së.

Në anën tjetër, Preportr ka pyetur Policinë e Kosovës nëse ka pasur raste kur persona të cilët punojnë në këtë kategori të punës kanë kërkuar ndihmë, në rast se janë kanosur, sulmuar, ngacmuar në vendin e tyre të punës, mirëpo përgjigjja e kësaj të fundit ka qenë se nuk kanë statistika specifike sipas kërkesës së parashtruar, por vetëm statistika të përgjithshme të rasteve të kanosjes, sulmeve dhe ngacmimeve.

Mos siguria në vendin e punës

Për faktin se shumica që e bëjnë këtë punë janë gra, dhe ky lloj i punës kërkon të punohet në hapësira siç janë banesat apo shtëpitë e personave të cilët kërkojnë shërbimet e përkujdesjes dhe mirëmbajtjes, atyre u duhet të punojnë në hapësira private të cilat janë krejtësisht të panjohura për to, e që në një formë nuk janë aspak të sigurta si vende të punës.

Gratë duhet të krijojnë siguri për vete në vendin e punës, por përveç sigurisë për vetën, atyre u duhet të krijojnë dhe të ofrojnë siguri edhe për anëtarët e asaj familjeje për të cilët kujdesen apo për mjedisin ku punojnë.

Molliqaj thotë se ky lloj i punës nuk ofron siguri për gratë për shkak të punës në hapësira private, ku format e dhunës dhe ngacmimeve mund të jenë të pranishme për shkak se nuk u ofrohet mbrojtje, e mungesa e kontratës e bën edhe më të vështirë, për shkak të mos raportimit të rasteve të dhunës dhe ngacmimeve të ndryshme që mund të ndodhin në vendin e punës.

“Ndërkohë që as nuk ke kontratë pune, as nuk mund të shkosh ta raportosh rastin në polici edhe kjo e bënë edhe më të mundshme ose i bënë ato më të cenueshme ndaj formave të dhunës, e sidomos atyre seksuale”, thekson ajo.

Jo vetëm ngacmimet dhe rastet e dhunës janë pasiguria e vetme e këtyre punëtoreve. Afërdita thotë se shumë herë ndihet e pasigurt për shkak të rrezikshmërisë së punës së saj duke pastruar dritare të mëdha dhe ballkone në katet e larta, dhe në qoftë se i ndodhë diçka asaj, nuk e siguron asgjë shëndetin e saj, për shkak të mungesës së kontratës së punës dhe mungesës së sigurimeve shëndetësore.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti Riinvest lidhur me aktivizimin e grave në tregun e punës, 1 në 3 gra që punojnë në sektorin privat nuk kanë kontratë punë, gjë që e cila i përballë ato me vështirësi të ndryshme.

Profesionet të cilat Instituti Riinvest i nxjerr si të më paqëndrueshme në ekonominë e hirtë janë: shitëse (me 32%), floktare (me 19 %), rrobaqepëse (me 15 %), kuzhiniere (me 11 %), pastruese (me 7 %) dhe farmaciste (me 6 %), kjo pasi që shumica e këtyre profesioneve nuk kërkojnë apo kërkojnë pak arritje arsimore, por kërkojnë më shumë trajnime profesionale.

“Njëkohësisht këto profesione gjithashtu punojnë më orare të gjata (10 deri në 12 orë) dhe me më shumë ditë në javë (punojnë gjatë gjithë javës, 7 ditë) sesa profesionet tjera. Përveç mbingarkesës, pagesës së ulët dhe oraret e gjata, gratë në këto profesione tregojnë shqetësim më të madh për sigurinë e tyre të punës sesa gratë me profesione të tjera”, thuhet në këtë raport.

Status social në shoqëri

Mirishahe Syla thotë se ky lloj i shërbimit ka krijuar në shoqëri një ndarje klasore të familjeve të cilat punësojnë persona të cilët ofrojnë këto shërbime.

Ajo tregon se më herët vetëm klasat e larta socio-ekonomike në zonat më urbane kanë punësuar persona të cilët i ofrojnë këto shërbime si pastrimi dhe përkujdesja, ndërkaq zonat në rurale kanë jetuar në familje tradicionale, ku secili prej anëtarëve të familjes ka pasur rolin e vet brenda familjes për të kryer punët e shtëpisë.

Sipas saj, edhe familjet të cilat nuk kanë të ardhura shumë të larta, punësojnë persona për pastrim ose mirëmbajtje shkaku që nuk kanë kohë për mirëmbajtjen e shtëpisë apo kujdesin për personat e tjerë.

Mirëpo në anën tjetër sipas saj, ka familje të cilat punësojnë njerëz për këtë shërbim me qëllimin për të krijuar një status social në shoqëri. Edhe pse punët e pastrimit ose kujdesit për disa persona mund t’i kryejnë vet anëtarët e familjes, e ndonëse u kushton më pak ekonomikisht, ata punësojnë persona që ofrojnë shërbime të tilla.

“Po krijohen disa klasa që kush ka dikë që pastron për to e kush nuk ka, e ndërsa po i paguajnë pak për atë luks. Ma shumë se sa për të pastruar shtëpinë ti po e paguan pak statusin tënd social”, shtoi ajo

E sa i përket përforcimit të roleve gjinore ajo thotë se ky lloj i punës në të cilën më së shumti po e bëjnë gratë, po i bënë që ato të besojnë se puna e tyre nuk po njihet si kontribut pavarësisht faktit se ky lloj i punës është kontribut i drejtpërdrejtë në ekonominë dhe shoqërinë e një vendi.

Ajo thotë se grave që punojnë këto punë shpesh kur kontaktohen për t’u punësuar u kërkohen disa kushte për t’i plotësuar. Kushtet janë që gratë të jenë të moshës më të re, të jenë më të forta fizikisht për shkak të natyrës së punës etj.

Fakti që kërkohet një përkufizim në moshë, Drita ka filluar që të shqetësohet për të ardhmen e saj dhe ka filluar të mendojë më seriozisht në këtë drejtim. Ajo thotë se me kushtet që u caktohen nuk mund ta bëjë edhe shumë gjatë këtë punë.

Lidhur me këtë çështje, Leonida Molliqaj thotë se gratë që kanë punuar disa vite në këtë lloj të punës, vjen një moment ku nuk mund të punojnë më fizikisht këtë lloj pune, është fakt çka ndodh në ndërtimtari. Sipas saj, kjo është formë e punës ku trupi është më i vlefshëm se gjithçka tjetër dhe çka pret shoqëria prej teje është që e thithin energjinë fizike dhe nuk ke mundësi të zhvillohesh në asgjë tjetër dhe në momentin që ti nuk ke më energji fizike, je i pa vlefshëm për tregun.

“Është momenti më i keq për këto gra kur nuk mund t’i bëjnë më këto punë dhe ato mund të ndjehen se janë shfrytëzuar për një periudhë tepër të gjatë dhe derisa nuk mund ta bëjnë më atë punë janë të pavlefshme për shoqërinë”, thotë Molliqaj.

Mungesë e shërbimeve publike për përkujdesje për të moshuar dhe fëmijë

Një nga sfidat më të mëdha sa i përket kësaj çështjeje mbetet edhe mungesa e shërbimeve publike për përkujdesje për fëmijë dhe për të moshuarit. Mirëpo edhe pse ka disa të tilla, shumë njerëz nuk u besojnë sa duhet të lënë familjarët e tyre në duart e këtyre institucioneve dhe detyrohen të punësojnë persona të tjerë të cilët ofrojnë këto shërbime të përkujdesjes.

Artan Mustafa mendon se duhet të bëhen më shumë investime në çerdhe publike, në shërbime të edukimit të hershëm dhe kujdesit në mënyrë që të ndihmohet edhe punësimi i gruas, dhe në anën tjetër të mos mbetet gjithmonë barrë e grave apo nënave në aspektin që të mos kenë mundësi punësimi, për shkak të kujdesit për fëmijë.

“Gjithashtu ndihmohet mobiliteti i fëmijëve që mos të varen çka mësojnë vetëm brenda familjes, por mësojnë edhe me fëmijët tjerë, mëson prej një plan programi që monitorohet prej qendrës, d.m.th. prej asaj moshe përgatiten për të hyrë në tregun e punës, kanë më shumë sukses në shkollë”, shtoi ai.

Ndërsa sa i përket përkujdesjes për të moshuar, e mendon të kundërtën e asaj të përkujdesjes për fëmijë. Mustafa thotë se nuk duhet të institucionalizohen shtëpitë publike për përkujdesje ndaj të moshuarve, por që të bëhet një zgjidhje që ata të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të kenë përkujdesje nga ekipet mobile të cilat i siguron shteti.

“Shumë shtete mundohen të punësojnë njerëz, mundohen brenda familjeve të gjejnë zgjidhje që të jetojnë ata në shtëpitë tyre, të shkojë një ekip i shërbimit shëndetësor, një ekip mobil p.sh., që shkon, kujdeset. Këtë duhet me e fuqizu/rregullu se ka një trend të deinstuticionalizimit që shumica e shteteve po mundohen ta heqin”, thotë Mustafa

Edhe Leonida Molliqaj mendon se shteti duhet të ndërtojë më shumë çerdhe dhe shtëpi të përkujdesjes ndaj të moshuarve, si mundësi për familjet që t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre pa e pasur në barrë se ku mund t’i lënë fëmijët apo të moshuarit.

Ndërkaq, Afërdita e ka një kërkesë kryesore që kategoria e të punësuarve ku bën pjesë edhe ajo të trajtohet dhe paguhet më me dinjitet dhe këto vende të punës të jenë më të sigurta. Ajo kujton kohën e pandemisë Covid 19, ku për gati dy vite nuk kishte punuar për shkak se familjet frikësoheshin që t’u jepnin punë atyre, për shkak të natyrës së punës. Në atë periudhë ajo nuk kishte përfituar as nga pakot e ndihmave që po realizoheshin nga Qeveria e Kosovës, pasi nuk kishte një kontratë pune.

*Shënim: Emrat e grave të përmendura në këtë artikull janë ndryshuar, me kërkesën e tyre që të mbesin anonim