English
Scroll top

Hakmarrja graduale ndaj punëtorëve të aeroportit

Në vitin 2019 qindra punëtorë të Aeroportit të Prishtinës kishin hyrë në grevë për të kërkuar të drejtat e tyre që burojnë nga Ligji i Punës dhe Kontrata Kolektive. Sipas sindikalistëve, pas grevës ka filluar largimi i një pjese të punëtorëve nga puna dhe se largimet po vazhdojnë ende si shenjë hakmarrje. Inspektorati i Punës iu ka dhënë të drejtë punëtorëve. Gjatë kohës sa është mbajtur greva, në mungesë...

Prishtinë, 14 Dhjetor 2022

Visar Xhekaj, pasi që kishte përfunduar ndërrimin e natës, ishte duke pushuar në shtëpi, kur e ka pranuar një thirrje telefonike nga zyrtarët e aeroportit me kërkesën se duhet të shkojë urgjentisht në vendin e punës. Duke marrë parasysh se pozita e tij e punës ishte operator i skanimit të valixheve, ai me urgjencë shkoi në Aeroportin e Prishtinës, ku i thanë se duhet të paraqitet në zyrën e burimeve njerëzore. Kur arriti aty i pa dhjetëra kolegë të tij duke pritur në radhë në korridor.

“Ishte një situatë e paqartë. Shikoja vetëm fytyra të zymta dhe të shqetësuara”, thotë Xhekaj.

Shiko Gazetën #B-23

Ai thotë se askush nuk e dinte se për çka ishin ftuar konkretisht, derisa nga ajo zyrë doli punëtori i parë dhe u tregoi se ia kanë shkëputur kontratën.

“Ky person ka pasur rreth 20 vite përvojë pune në aeroport dhe kur e ka marrë vendimin se e kanë larguar ka qenë shokuese. Shumë të tjerë kanë filluar të qajnë në atë korridor”, tregon ai.

Xhekaj që kishte pesë vite përvojë të punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thotë se kur i erdhi radha të hyjë në zyre i thanë edhe atij se nuk do t’i vazhdohet kontrata e punës.

“Përgjigja zyrtare që është shkruar në dokumente ka qenë përfundimi i kontratës”, ka thënë Xhekaj

Por ai nuk ishte i vetmi që e kishte këtë fat. Bashkë me të deri më tani janë larguar nga puna edhe 86 punëtorë të tjerë.

Të gjithë punëtorët me të cilët ka biseduar Preportr kanë thënë se ky largim masiv arsyen e vetme e ka se të larguarit kanë marrë pjesë në një grevë të organizuar në vitin 2019.

“Me bindje të plotë e them që punëdhënësi është hakmarrë ndaj nesh, duke na larguar nga puna”, thotë Visar Xhekaj.

Të njëjtin mendim e ka edhe Bashkim Latifi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, sindikatë e cila e kishte organizuar grevën në vitin 2019. Latifi i cili po ashtu është pushuar nga puna, thotë se largimet janë bërë duke mos ua vazhduar kontratën disa punëtorëve, ndërsa disa të tjerë, sipas tij, janë larguar duke u bazuar në vlerësimin negativ të punës, apo ndonjë shkelje gjatë punës, e që sipas Latifit këto ishin vetëm sajesa të menaxhmentit sa për të marrë vendime të tilla.

Ai thotë se në muajin e parë pas grevës, punëdhënësi ka punësuar 65 punëtorë të rinj, të cilët i ka trajnuar, dhe i ka licencuar për të punuar në aeroport. Latifi thotë se pasi i kanë marrë punëtorët e rinj, pas dy muajve me dhjetëra punëtorë i kanë proceduar në komisione disiplinore.

“Këto veprime kanë qenë hakmarrëse, fyese dhe mos respektim i marrëveshjes”, thotë Latifi.

Kërkesat e refuzuara të punëtorëve

Gjatë grevës së vitit 2019, kërkesat e punëtorëve grevistë karshi punëdhënësit të tyre kanë qenë që t’u paguhet rrezikshmëria në vendin e punës, të mos ketë diskriminim në paga për punëtorët që e kanë të njëjtin vend pune, të paguhen shujtat e punëtorëve me kontratë kolektive, të paguhen 50 përqind orët shtesë të punës në vikende dhe të paguhet përvoja e punës.

Se këto kërkesa ishin të bazuara, në një formë e ka konstatuar edhe Inspektorati i Punës pas inspektimeve të bëra në aeroport. Sipas një raporti të lëshuar më 5 mars të vitit 2021, inspektorati kishte evidentuar disa nga shkeljet e bëra nga punëdhënësi.

“Punëdhënësi ka bërë shkelje të nenit 5 paragrafi 1 te Ligjit Nr.03/L-212, duke diskriminuar punonjësit në pagë pasi që punonjësit për pozita të njëjta, detyra të njëjta të punës marrin paga të ndryshme ku një pjese e tyre favorizohen me paga më të larta ku në bazë të kësaj dispozite është i ndaluar diskriminimi lidhur me marrëdhënie te punës”, thuhet ndër të tjera në raportin e Inspektoratit të Punës.

Sindikalisti Latifi thotë se gjatë mbajtjes së grevave kanë arritur një marrëveshje me punëdhënësin që të pranohen kërkesat e punëtorëve, por sipas tij janë mashtruar pasi që ajo marrëveshje nuk është respektuar nga punëdhënësi.

Përveç që nuk është respektuar marrëveshja, Latifi thotë se menaxhmenti i aeroportit ka planifikuar largimin e punëtorëve si formë të hakmarrjes dhe si mënyrë për t’i frikësuar punëtorët që të mos i bashkohen grevave tjera.

Në disa raste edhe janë paralajmëruar punëtorët për pasojat që do t’i kenë në rast se i bashkohen grevës.

Menaxherët e kompanisë më kanë paralajmëruar që mos të dal në grevë, duke më thënë se do të më largojnë nga puna

Besnik Ademi, ish-udhëheqës i menaxhimit të ngarkesave të bagazheve

“Menaxherët e kompanisë më kanë paralajmëruar që mos të dal në grevë, duke më thënë se do të më largojnë nga puna. Këtë e dinë të gjithë, sepse atë ditë ju kam treguar të gjithëve në aeroport për këtë kërcënim që më është bërë”, thotë Besnik Ademi, i cili ka qenë udhëheqës i menaxhimit të ngarkesave të bagazheve.

Ai thotë se e ka dëshpëruar edhe mosvlerësimi i punës së tij nga menaxhmenti, pasi që sipas tij, e ka respektuar orarin dhe të gjitha rregullat e punës dhe se çdo herë ka qenë shumë i angazhuar në punë.

“Ka pasur raste kur kemi ngarkuar mbi pesë mijë kilogramë në dy aeroplanë në të njëjtën kohë. Ka ndodhur që një aeroplan e kam ngarkuar i vetëm, për shkak të mungesës së punëtorëve. Asnjëherë nuk e kemi ruajt shëndetin tonë. Shumica e punëtorëve që kemi punuar në atë sektor kemi probleme me kurrizin”, thotë ai.

Ademi thotë se pas përfundimit të grevave, sjelljet e menaxhmentit të aeroportit karshi punëtorëve kishin ndryshuar. Sipas tij, punëtorët kanë qenë në përcjellje më shumë se sa që duhet, e madje u kanë dhënë urdhra për punë të cilat nuk i kanë bërë më herët.

“Na kanë detyru edhe me pastru. Shumë herë i kam thënë shefit të ndërrimit që unë nuk e kam pozitën e pastruesit dhe nuk e bëj këtë punë, ndërsa ai më ka thënë që duhet të punosh sepse ke dashtë rritje të rrogës, ke dashtë me mbajt grevë”, u shpreh Ademi.

Ai thotë se përveç dëmeve në aspektin financiar dhe emocional, në muajt e parë e ka vuajtur edhe perceptimin e rrethit shoqëror e familjar se ka bërë diçka shumë të keqe që e kanë larguar nga puna.

Të njëjtën gjë thotë se e ka përjetuar edhe Sami Hasolli.

“Rrethi ku jetoj nuk e dinë për çfarë arsye jam larguar nga puna. Paragjykimet kanë filluar duke thënë se paska bërë probleme në punë për atë arsye e kanë larguar”, thotë Hasolli, i cili ka qenë operator i mjeteve në Aeroportin e Prishtinës.

Inspektorati dhe gjykata iu dha të drejtë punëtorëve

Duke e konsideruar si të padrejtë vendimin e menaxhmentit të aeroportit, Visari, Besniku dhe Samiu, filluan të ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar të drejtën e tyre. Ata bashkë me të gjithë punëtorët e larguar nga puna, përmes sindikatës kanë bërë ankesë në Inspektoratin e Punës.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të aeroportit, Bashkim Latifi, thotë se të gjithë punëtorët që kanë bërë ankesë në inspektorat e kanë fituar rastin në shkallën e parë dhe të dytë.

Lidhur me këtë çështje, Inspektorati i Punës gjatë shqyrtimit të ankesave të punëtorëve ka evidentuar shkelje nga ana e punëdhënësit në kundërshtim me Ligjin e Punës lidhur me ndërprerje të kontratave pa paralajmërim, ndërprerje e kontratës pa dhënë arsyet e ndërprerjes së saj apo mos vazhdim të kontratës nga ana e punëdhënësit dhe me të gjitha procedurat e ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Preportr ka siguruar disa nga vendimet që inspektorati i ka nxjerrë lidhur me ankesat e disa prej punëtorëve.

Përgjithësisht në këto vendime ndër të tjera thuhet se referuar doracakut të njësisë së burimeve njerëzore rezulton se vendimet për mos vazhdim te marrëdhënies se punës së punonjësve janë nënshkruar nga personi jo kompetent për nxjerrjen e vendimeve për marrëdhënie pune përkatësisht nga drejtori i burimeve njerëzore.

“Në përshkrimin e detyrave të punës të punëtorit rezulton se të njëjtit punëdhënësi nuk i ka dhënë autorizimin për vendimet përkitazi me mos vazhdimet ndërprerjet apo shkëputjet e marrëdhënies së punës dhe në përshkrimin e detyrave të punës së të njëjtit rezulton se është përgjegjës vetëm për rekrutimin në punësim”, thuhet në vendimet e inspektoratit.

Tutje, inspektorati konstaton se duke marrë për bazë faktin se përformanca e të punësuarave përgjatë vitit 2017 dhe 2018 ka qenë mbi mesatare dhe kompania me rastin e inspektimit nuk ka ofruar dokumentacion me të cilin do të dëshmonte se kushtet e kompanisë dhe rrethanat operacionale të kompanisë kanë ndryshuar në të keq, konsiderohet se punëdhënësi me rastin e nxjerrjes se njoftimeve dhe vendimeve për mos vazhdim të kontratave individuale të punës së të punësuarve ka vepruar në kundërshtim të plotë me dispozitën e nenit 1 të Kontratës Individuale te punë së punonjësve.

Në disa nga vendimet e inspektoratit theksohet se për një pjesë të punonjësve punëdhënësi nuk ka ofruar raportet e përformancës për vitin 2019 me arsyetimin se të njëjtit janë të angazhuar në punë si punonjës sezonal dhe përkundër faktit se me dispozitën e nenit 1 paragrafi 1.1 të kontratës individuale të punës punëdhënësi ka qenë i obliguar që të ju bëjë vlerësim të përformancës përpara se të nxjerrë njoftim/vendim për mos vazhdim të marrëdhënies së punës.

Sipas inspektoratit të punës, aspekt tjetër diskriminues paraqet edhe fakti se punëdhënësi me njoftimin e largimit nga puna të punëtorëve, arsyeje të vetme ka dhënë mos respektim te rregullave të punës së punëdhënësit, mirëpo i njëjti nuk ka paraqitur asnjë dëshmi se punëtoret e larguar nuk kanë respektuar rregullat e punës

Gjithashtu Inspektorati i Punës ka konstatuar se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të ofruar për inspektim nga ana e punëdhënësit si dhe nga shoqata sindikale e pavarur e ANP “Adem Jashari” rezulton se punonjësit të cilëve u është dhënë njoftimi për mos vazhdim të kontratës janë anëtarë të shoqatës sindikale të cilët në grevën e datës 19/20/21.08.2019 të organizuar nga Shoqata Sindikale e ANP-së Adem Jashari rezulton të kenë qenë pjesëmarrës në grevën në të cilën kanë pretenduar se nga ana e punëdhënësit po ju cenohet e drejta në trajtim të barabartë në punë dhe proceset e punës”

Por, kompania e cila menaxhon Aeroportin e Prishtinës Limak Kosova nuk ka përfillur vendimet e inspektoratit të punës, e ku ndër të tjera theksohet se punëtorët duhet të kthehen në vendet e tyre të punës dhe të paguhen për periudhën që janë larguar nga puna. Duke marrë parasysh këtë gjë, të gjithë punëtorët e larguar e kanë dërguar rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës në degën në Lipjan.

Bashkim Latifi thotë se gjykata tashmë ka marrë vendime për disa nga punëtorët dhe u ka dhënë të drejtë atyre. Sipas tij, në vendime theksohet se punëtorët duhet të kthehen në punë dhe të kompensohen financiarisht për kohën që janë larguar nga puna.

Por këto vendime, menaxhmenti i aeroportit i ka apeluar në Gjykatën e Apelit dhe punëtorët janë në pritje të vendimit të kësaj gjykate, ndërsa shprehen të zhgënjyer me vonesat që po bëhen në trajtimin e këtyre rasteve.

Skandali i valixheve

Menaxhmenti i aeroportit nuk e kishte pritur aspak mirë grevën e punëtorëve. Duke mos dashur ta përfillë atë dhe për të vazhduar punën, në aeroport ka ndodhur një skandal, ku dyshohet se 99 valixhe janë ngarkuar në aeroplan pa iu nënshtruar kontrollit dhe skanimeve përkatëse.

Dëshmitar i kësaj ngjarje ishte Visar Xhekaj. Ai thotë për Preportr se kur e ka vërejtur një gjë të tillë menjëherë ka lajmëruar policinë dhe shefin e ndërrimit.

Xhekaj thotë se gjatë kohës kur personi i ka kaluar bagazhet pa u kontrolluar, ka bërë video me telefon që ta ketë si dëshmi dhe ato pamje ua ka treguar organeve kompetente.

“E kam pyet atë (punëtorin) se a e din çfarë është duke bërë me këtë veprim dhe se një gjë e tillë nuk është e lejuar, më është kthyer “fol me zotëri Gokmen (drejtori i Limak Kosova)”. Krejt çka ka ndodhë aty ka qenë në dijeni të plotë edhe menaxhmenti i aeroportit”, ka thënë ai.

Përgjegjës për ekzaminimin e pasagjerëve dhe bagazhit të tyre, janë vetëm operatorët e trajnuar dhe të certifikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, sipas programit Kombëtar për Siguri të Aviacionit Civil për Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, personat tjerë nuk lejohet që ta bëjnë atë punë.

Pas kësaj ngjarje inspektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë “ateruar” në Aeroportin e Prishtinës për të bërë një inspektim mbi dyshimet e ngritura dhe kanë përpiluar një raport.

Zyrtari ka keqpërdorur pozitën. Zyrtari i aeroportit nuk ka qenë i autorizuar për të aktivizuar sistemin e skenimit (përfshirë x-ray dhe shiritin për bartje) për kontrollim të bagazhit

Raporti i inspektimit të MPB-së

Në këtë raport të cilin e ka siguruar Preportr, thuhet se 99 çanta janë dërguar në aeroplan pa u kontrolluar (skanuar-ekzaminuar) me pajisje të skenimit dhe nga operatorët e skenimit, duke e kaluar bagazhin vetëm përmes pajisjes rezervë “X-ray”, e cila ka operuar pa operator të skenimit gjithashtu janë dërguar edhe 6 bagazhe të ndara, të cilat janë cilësuar si të dyshimta, e që do të duhej të rikontrolloheshin nga operatori i rrezeve Xray.

“Zyrtari ka keqpërdorur pozitën. Zyrtari i aeroportit nuk ka qenë i autorizuar për të aktivizuar sistemin e skenimit (përfshirë x-ray dhe shiritin për bartje) për kontrollim të bagazhit”, thuhet ndër të tjera në raportin e MPB-së.

Në raport, gjithashtu thuhet se zyrtarit të aeroportit duhet t’i ndalohet qasja në mirëmbajtjen e pajisjeve të skenimit për shkak të keqpërdorimit të pozitës dhe t’i ndalohet qasja në zonën e sigurisë së aeroportit për shkak të kryerjes së punëve për të cilat nuk ka qenë përgjegjës dhe as i autorizuar.

Raporti kërkon që të zbardhen rrethanat pse udhëheqësi i ndërrimit nuk ka reaguar me kohë, pas njoftimit nga ana e operatorit të skenimit për shkelje të rregullave të sigurisë në pikën e kontrollit të skenimit të bagazheve të destinuara për depo të aeroplanit.

Mbi bazën e këtij raporti, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit i cili ka kaluar valixhet pa iu nënshtruar kontrolleve përkatëse e që shihet edhe me pamje nga video incizimet të cilat janë të përfshira në raportin e MPB-së, mirëpo së bashku me të , të akuzuar janë edhe tre persona të tjerë që kanë qenë zyrtar të licencuar për të operuar me “X-ray”.

Drizan Shala, njohës i fushës së sigurisë, incidentin e ndodhur në aeroport e cilëson si shkeljen më të rëndë të sigurisë që ka ndodhur në Aeroportin e Prishtinës, pasi që sipas tij janë cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pasagjerët që kanë qenë në atë aeroplanë, dhe infrastruktura e aeroportit.

“Një mosveprim korrekt dhe anashkalim në këto bagazhe ka mundur të përdoret nga personat që janë të lidhur më krimin e organizuar duke shfrytëzuar këtë hapësire dhe në ato bagazhe të futen materiale të dyshimta”, ka thënë Shala.

Lidhur me të gjitha këto çështje, Preportr ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në anën tjetër, punëtorët nuk heqim dorë nga e drejta e tyre. Edhe pse të zhgënjyer dhe të demotivuar për shkak të largimit, ata shprehen te gatshëm t’i kthehen punës në mënyrë që të japin edhe një shembull se duhet luftuar për të drejtat që i takojnë punëtorëve.

“Nëse gjykata e apelit më jep të drejtë, dua të kthehem vetëm për t’iu treguar të tjerëve që shteti funksionon si duhet, ligji funksionon dhe është një gjë që të gjithë duhet të mbështeten dhe të kenë besim në institucionet e vendit”, thotë Xhekaj.