English
Scroll top

Kasaphanet e tregjeve ilegale

Në disa tregje të Kosovës, e të cilat janë ilegale, shiten dhe theren pula. Aty shihen mbetjet e tyre të cilat lihen pas nga tregtarët. Përveç që krijohet një pamje e shëmtuar dhe e dëmshme për mjedisin, ekspertët shëndetësor thonë se therja e pulave në kushte të tilla paraqet rrezik për infeksione të ndryshme. Në Kosovë nuk ka deponi për trajtimin e këtyre mbeturinave

Prishtinë, 19 Tetor 2022

“Licencë s’kam, po që ku e kam sakicën”, thotë një nga shitësit e pulave, derisa therte një pule dhe rrobat i kishte krejtësisht të gjakosura. Ai këtë e bënë çdo të diele në zonën industriale të tregut në Fushë Kosovë.

Therja e pulave në këtë treg tashmë është bërë normalitet. Mjafton të biesh dakord me shitësit për çmimin që është mesatarisht tetë euro për një pulë, e pastaj të kushton vetëm një euro për ta therur në atë ambient.

Ekipi i Preportr ka vizituar disa herë tregjet në zonën industriale në Fushë Kosovë, në fshatin Bresje të kësaj komune dhe në Mitrovicë, për të parë nga afër se si zhvillohet ky aktivitet.

Qysh në orët e para të mëngjesit shitësit zënë vend në këto tregje, ku i ekspozojnë pulat dhe e përgatitin vendin për t’i therur. Interesimi për blerje të pulave është i madh qysh në mëngjes dhe kështu “kasapët” e pulave e fillojnë aktivitetin e tyre.

Ata nuk pranuan të prononcohen e as të tregojnë se si veprojnë me mbetjet e pulave pas prerjes, e as nuk dëshironin të komentonin për mjedisin e gjakosur dhe mbetjet e pulave që po e lënin aty çdo javë.

Ne tregun e zonës industriale në Fushë Kosovë mbetjet nga therja e pulave hedhen në tokë, ndërsa në Bresje dhe në Mitrovicë, prerja bëhet në disa qese të mëdha, të cilat janë vendosur në furgonë dhe pastaj i dërgojnë në kontejner aty afër.

Pavarësisht që këtë aktivitet e kryejnë pa mjete adekuate dhe në mungesë të dukshme të higjienës, qytetarë të shumtë i blejnë këto pula.

Fatmire Gashi, e cila kishte dalë për të blerë një pulë në tregun e Fushë Kosovës thotë se e bënë shpesh një gjë të tillë pasi që ato janë bio. Ajo thotë se këto pula nuk ushqehen me koncentrate të ndryshme dhe nëpër fabrika që vetëm duken të fryra. Kjo është arsyeja që thotë se blenë shpesh pula në këtë treg. Ndërkaq kushtet se si dhe nga kush theren nuk i konsideron shqetësuese.

“Jam konsumatore e rregullt në këtë treg dhe e blej çdo javë nga një pulë. Deri më tash s’kam pas asnjë problem ”, thotë ajo.

Ndërkaq, Mirsad Krasniqi thotë se kushtet se ku theren pulat nuk janë të duhurat, por sipas tij, mishi i tyre është i mire dhe se nuk ka mundësi tjetër se ku të blejë mish të freskët.

“Unë muj mi pre edhe n’shpi, por mosha pe bon t’vetën. Kështu që ma mirë kta po i prejnë për një euro”, thotë Krasniqi.

Rreziku nga infeksionet

Duke marrë parasysh mungesën e kushteve higjienike në këto tregje, rreziku i bartjes së infeksioneve të ndryshme është i madh. Antigona Ukëhaxhaj, specialiste e shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), thotë se ushqimi reflekton kushtet e ambientit në të cilin theret kafsha, përkatësisht shpeza, trajtohet, përpunohet, prodhohet, paketohet, ruhet, përgatitet dhe konsumohet. Ajo thotë se therja e kafshëve dhe e shpezëve në ditët e tregut në shumicën e komunave të Kosovës tashmë është shndërruar në traditë të keqe, të cilat e shtojnë peshën e këtij problemi.

Në këto ambiente ekziston rreziku që të ketë rritje të mikroorganizmave në momentin e therjes, mungesë të ujit, prani të insekteve, brejtësve dhe qenve endacak, të cilët shkaktojnë përhapjen e sëmundjeve infektive në njerëz dhe kafshët tjera.

Antigona Ukëhaxhaj, specialiste e shëndetit publik në IKSHP

“Therjet në ambient të hapur janë shkaktar të kontaminimit të ushqimit si pasojë e kushteve të higjienës së përgjithshme të ulët, joadekuate. Prandaj në këto ambiente ekziston rreziku që të ketë rritje të mikroorganizmave në momentin e therjes, mungesë të ujit, prani të insekteve, brejtësve dhe qenve endacak, të cilët shkaktojnë përhapjen e sëmundjeve infektive në njerëz dhe kafshët tjera”, shpjegon ajo.

Doktoresha Ukëhaxhaj tregon për llojet e baktereve që përhapen tek njerëzit por edhe mbesin në mjedisin ku bëhet therja e shpezëve. Ndër to, ajo veçon bakterin E.coli, ku thotë se prania e kësaj baktere në ushqim është pasojë e higjienës së ulët të duarve dhe higjienës personale të personave që i therin shpezët në ambiente joadekuate.

“Listeria, klostridium perfringens florë normale e zorrëve te kafshëve, Sallmonella tifi, e cila mund të qëndrojë në dhe (tokë) 1-3 muaj, Shigella 1 muaj në tokë të lagësht, Pseudomonas aureginosa 3 muaj, Mycobacterium tbc 3 vite, Bacillus antracis 3 vite, shkaktarët e gangrenës gazore 17 vite në dhe Clostridium tetani 10 vite”, thotë Ukëhaxhaj, duke shtuar se të gjithë këta mikroorganizma, e bëjnë tokën lehtë të kontaminueshme, infektive dhe si e tillë nuk mund të vetëpastrohet.

Ajo thotë se një faktor tjetër negativ që ndihmon në përhapjen e infeksioneve janë edhe personat që i therin shpezët apo kafshët e ndryshme.

“Personat që therin kafshët asnjëherë nuk u janë nënshtruar vizitave sanitaro –shëndetësore, strisho të hundës, fytit, recesit për bacilbartje, ata shpesh kanë infeksione qelbëzuese stafilokoksike të lëkurës, angine lakunare, rinit”, u shpreh Ukëhaxhaj.

Mbetjen e mbeturinave të pulave të therura në ambiente të hapura, e shohin me shqetësim banorët që jetojnë afër tregut ilegal. Ata thonë se mbetjet shtazore shpesh i shohin aty edhe disa ditë pasi që përfundon “dita e pazarit”. Sipas tyre, askush nuk brengoset për këtë çështje pasi të përfundon shitja e pulave.

“Shpesh nuk i largojnë mbeturinat edhe mas ditës së diele, kur mbahet pazari. Ne punojmë këtu afër edhe disa herë ka ndodh që mbeturinat me qenë këtu edhe të hënën. Përveç pamjes së shëmtuar, ato paraqesin edhe rrezik për ndonjë sëmundje”, thotë një qytetar i Fushë Kosovës që nuk pranoi të identifikohej.

Sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Lamir Thaçi, therjet e shpezëve duhet të bëhen në objekte të licencuara për këtë aktivitet. Ai thotë se aktualisht janë gjithsej shtatë objekte të subjekteve afariste të lejuara për aktivitetin e therjes se shpezëve (pulave) por aktive janë vetëm katër. Thaçi thotë se inspektorët e AUV, e kanë të vështirë të bëjnë inspektime në terren, sepse këto aktivitete ndodhin në tregje ilegale. Por ajo, çka dihet është se lokacionet e këtyre tregjeve janë të njëjta dhe të njohura për qytetarët.

Preportr ka kontaktuar me kompanitë që janë të licencuara për therjen e pulave. Disa nga kompanitë ka qenë e pamundur që të kontaktohen.

Lidhur me këtë çështje, Hasan Malokaj, pronar i kompanisë “Eko-Farm” ka thënë se mbetjet nga therjet e pulave, i fusin në qese të plastikës, ngrijnë në minus 40 gradë celsius dhe i hedhin në kontejner.

“Për  një kohë i kam groposur në një vend privat. Ne nuk therim sasi të mëdha kushedi sa, një herë ose dy herë në muaj. Kështu që pak mbeturina mbesin por e kam zgjedhur problemin e tyre përmes kësaj që i thonë dhomë e shpejtë, për 40 minuta i ngrinë dhe mbetet një sasi shumë e vogël dhe hidhen me qese sikurse mbeturinat tjera”, thotë Malokaj.

Nga kompania “Kon Soni” thonë se pasi që kryhen procedurat e therjes, mbetjet i groposin. Agim Sahiti, pronar i kësaj kompanie thotë se kompanitë rajonale për menaxhim të mbeturinave nuk i marrin këto mbeturina edhe pse i kanë lutur për një gjë të tillë.

Sipas tij, krejt këto materie inorganike që i kanë, nuk marrin kohë të treten me qindra vjet, por treten menjëherë sepse janë organe të shpezëve të ri.

“Përveç që dëmtohet mjedisi edhe neve na nxjerrin telashe, se është procedurë më e gjatë me e hap kanalin dhe me i gropos, me i qit gëlqere, edhe shpenzimet janë shtesë, por nuk ka formë tjetër, përveç disa pjesë që i marrin njerëzit për qen, ua japim pa pagesë”, u shpreh ai.

Dëmet mjedisore

Përveç rreziqeve që mund të shkaktohen nga njerëzit, mbetjet e tilla konsiderohen të dëmshme për mjedisin, qoftë në vendin ku theren, qoftë në vendin ku hedhen, përveç nëse trajtohen siç duhet, pra dërgohen në deponitë përkatëse.

Zeqir Veselaj, njohës i fushës së mjedisit, thotë se mbetjet e therjes së kafshëve dhe shpezëve paraqesin një lloj të veçantë të mbeturinave që në Kosovë pak trajtohen.

“Kur ato trajtohen sipas dispozitave sanitare, nuk përbëjnë rrezik të madh, sepse dërgohen në deponi të veçanta, kompostohen në tokë ose incenerohen (digjen). Por në rastin e therjes së bagëtive dhe shpendëve nëpër vend të hapura, pa kushte sanitare dhe jo të destinuara për këtë veprimtari, paraqesin rrezik të madh”, thotë Veselaj.

Inspektorati sanitar duhet të marrë masa ligjore që kjo dukuri e shëmtuar për mjedisin dhe e rrezikshme për shëndetin e njerëzve të vihet nën kontroll.

Zeqir Veselaj, njohës i fushës së mjedisit

Ai thotë se së pari mund ta pësojnë ata që bëjnë këtë veprimtari por edhe njerëzit e tjerë që për nevoja të tyre kalojnë rreth atyre zonave.

“Inspektorati sanitar duhet të marrë masa ligjore që kjo dukuri e shëmtuar për mjedisin dhe e rrezikshme për shëndetin e njerëzve të vihet nën kontroll”, thotë Veselaj.

Ndërkaq, Antigona Ukëhaxhaj thotë se në kuadër të mbrojtjes së mjedisit nga këto mbeturina, është e nevojshme mbrojtja e ujërave mbledhëse dhe dheut nga kontaminimi, sepse pas therjes të gjitha mbetjet shtazore mbesin të pa eliminuara në vendin e therjes.

Ndërkaq, kompanitë që merren me pastrim dhe bartjen e mbeturinave në lokacionet ku gjenden tregjet ilegale thonë se nuk merren me këto mbeturinave të cilat tregtarët i lënë aty.

Nga kompania “Pastrimi” , thonë se kjo kompani merret vetëm me pastrimin e rrugës kryesore dhe jo me pjesët tjera, siç janë në këtë rast mbetjet nga therja e pulave.

Nuk ka deponi për këtë lloj të mbeturinave

Sipas KMDK-së deponia e Prishtinës (Mirash), deponia e Prizrenit (Landovicë), deponia e Gjilanit (Velekincë) dhe Stacionin e Transferit Ferizaj që menaxhohen nga kjo kompani, janë të destinuara të pranojnë mbeturina të ngurta komunale (mbeturina të përziera komunale) dhe fraksione të mbeturinave jo të rrezikshme.

Për mbeturinat shtazore, nga KDMK-ja thonë se nevojitet një vendim i veçantë që lëshohet nga Ministria e Mjedisit, në mënyrë që ato të pranohen në deponi.

Në këtë institucion thonë se këto mbeturina pranohen vetëm përkohësisht, derisa të gjendet apo funksionalizohet një formë e përshtatshme për trajtimin e tyre.

“Kjo është lejuar në funksion të mbrojtjes së mjedisit, përkatësisht deponimi i tyre në një vend të sigurt siç janë deponitë”, thuhet në përgjigjen e KMDK-së.

Në rastet kur mbetjet shtazore dërgohen në deponi si mbeturina të përziera dhe kur në ngarkesat e dërguara në deponi një përqindje e madhe e mbeturinave janë mbetje shtazore, atëherë ato trajtohen ndaras si asgjësim.

Derisa të ndërtohet një deponi e re që trajton mbeturinat shtazore dhe të shpezëve, dhe derisa nuk merren masa nga inspektoratet përkatëse për ta parandaluar therjen e pulave në tregje ilegale, qytetarët mund të rrezikohen nga mishi i kontaminuar dhe ambienti në ato tregje do të vazhdojë të ndotet e të duket i shëmtuar me këto mbeturina.

Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)

Redaktuar nga Preportr