English
Scroll top

Shteti i pafuqishëm përballë shkeljeve të hidrocentraleve

Ndërtimit i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta ligjore dhe me mosrespektim të të drejtave të qytetareve. Këto shkelje kanë paraqitur rrezik që në zonat në të cilat janë ndërtuar ato, të degradohet mjedisi dhe burimet ujore. Deri tani, institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ndaj personave zyrtarë të cilët kanë tejkaluar kompetencat e veta si dhe ndaj...

Prishtinë, 07 Janar 2022

Ndërtimi i hidrocentraleve duke mos respektuar legjislacionin në fuqi, ka shkaktuar dëme të rënda dhe të pariparueshme në mjedis. Paaftësia e shtetit që përmes mekanizmave përkatës të ndalojë degradimin mjedisit nga operimet e këtyre hidrocentraleve, u ka shkaktuar probleme banorëve përreth.

Veprimet e operatorëve ekonomikë, institucioneve lokale dhe atyre qendrore me rastin e ndërtimit të hidrocentraleve HC “Deçani”, “Brezovica” dhe “Shtërpca”, kanë shkaktuar zvogëlimin apo edhe ndalimin e qasjes së qytetarëve në përdorimin e resurseve ujore dhe në tharjen e tokave bujqësore të cilat gjenden pranë këtyre rrjedhave.

Veç dëmeve në mjedis gjatë pajisjes me leje të hidrocentraleve, organizata të shoqërisë civile, institucionet dhe aktivistë të ndryshëm kanë vërejtur se ka pasur shkelje ligjore. Rastet janë dërguar në gjykatë dhe si rrjedhojë janë marrë vendime për pezullimin e licencave.

Shiko Gazetën #B-20

Preportr, i ka siguruar të gjitha vendimet që janë ndërmarrë nga gjykatat për hidrocentralet si dhe të gjitha paditë që janë dërguar në gjykatë për shkeljet ligjore dhe dëmet e shkaktuara në mjedis nga këto hidrocentrale.

Se procesi i licencimit dhe ndërtimit të hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta, thuhet edhe në raportin e publikuar në qershor të vitit 2021, nga një grup punues i krijuar me vendim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Ky raport identifikon shkelje të bëra nga personat fizikë dhe juridikë nga sektori privat si dhe ai publik.

Preportr ka kontaktuar me Këshillin Prokurorial dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për të diskutuar rreth pretendimeve për shkelje që janë evidentuar në raporte të ndryshme në raport me hidrocentralet. As pas dy muajve pritje kërkesa jonë për intervistë nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), autoritet që i lëshon licencat për hidrocentralet, kanë thënë për Preportr, se pretendimet për shkeljet ligjore të identifikuara në raporte të ndryshme për licencat e lëshuara, nuk qëndrojnë.

Shkelje të shumta

MMPHI muaj më parë kishte angazhuar një grup punues të përbërë nga ekspertë për evidentimin e procedurave ligjore dhe shkeljeve eventuale në kohën kur janë dhënë lejet mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve. Ky grup punues ka dalë me një raport në të cilin numërohen shkelje të shumta të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit, duke filluar nga anashkalimi i zbatimit të Ligjit për Ujëra nga Ministria e Mjedisit kur dhënia e të drejtës ujore për qëllime afariste është bërë me leje ujore dhe jo me koncesion ashtu siç parashihet me ligj.

Dallimi ndërmjet lejes ujore dhe koncesionit qëndron në faktin se koncesioni jepet përmes një procesi konkurrues, ndërkaq leja ujore jo.

Shkelja e parë që është bërë është se atyre u është dhënë leje ujore, në vend se të përdorej procedura e koncesionit, sipas ligjit, pra procedura e konkursit publik ku edhe buxheti i Kosovës do të gjeneronte të hyra

Donika Çeta, hulumtuese në GLPS

Se hidrocentralet në Kosovë janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin e thotë edhe Donika Çeta nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Ajo thotë se ka pasur shkelje të shumta ligjore edhe në procedurën e lejeve ujore, mjedisore dhe atyre të ndërtimit.

“Shkelja e parë që është bërë është se atyre u është dhënë leje ujore, në vend se të përdorej procedura e koncesionit, sipas ligjit, pra procedura e konkursit publik ku edhe buxheti i Kosovës do të gjeneronte të hyra”, thotë Çeta.

Gjithashtu distanca e ndërtimit të hidrocentraleve (30 metra prej vijave të plota, vija e ujërave maksimale 100 vjeçare), e përcaktuar me ligj nuk është respektuar, rrjedhimisht hidrocentralet janë ndërtuar në afërsi të drejtpërdrejtë të lumenjve në kundërshtim me dispozitat e këtij ligjit.

Linda Çavdarbasha zëvendësministre në MMPHI, thotë se nga 20 hidrocentrale të cilat janë në operim, 16 prej tyre nuk posedojnë leje mjedisore, që do të thotë të njëjtat janë duke operuar në mënyrë ilegale në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Pavarësisht kësaj, sipas grupit punues, nuk ka informacione që Inspektorati të ketë marrë ndonjë veprim.

Ndërkaq, pëlqimet dhe lejet mjedisore janë lëshuar për ndërtimet në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Zona e Veçantë e Mbrojtur Manastiri i Deçanit, zona këto të mbrojtura me Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, thuhet në raportin e grupit punues.

Zonat e veçanta në vendin tonë, janë pjesët tokësore dhe ujore me vlera të veçanta, të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ofrojnë.

Çavdarbasha, thotë se këto hidrocentrale sipas Ligjit për Zona të Mbrojtura, nuk do të duhej të ishin ndërtuar.

Sipas saj, Ministria e Mjedisit është duke analizuar në detaje raportin e grupit punues, dhe se për shkeljet të cilat mund të zgjidhën më shpejt ne do të veprojmë në mënyrë që ato të zgjidhen.

Ajo thotë se ka disa shkelje të cilat kanë impakt më të gjerë mjedisor, andaj për të njëjtat nevojiten studime adekuate para se të merret një vendim për to.

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis “Kelkos Energy” SHPK nuk përfshin fare në përmbajtjen e saj ndërhyrjen e ndërtimit të HC në Zonën e Mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, vendosjen e digave për furnizimin/marrjen e ujit për këto, ku bëhet edhe shkelja e rëndë e Ligjit Nr.04/L-086 për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna, thuhet në raportin e grupit punues.

Sipas gjetjeve të grupit punues, pëlqimi mjedisor është lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.

Zëvendësministrja Çavdarbasha, thotë se vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk e tregon gjendjen reale të mjedisit në vendin ku operojnë këto hidrocentrale.

“Vlerësimi i ndikimit në mjedis i bërë prej anës së operatorëve nuk i plotëson kriteret dhe është i dobët” thotë ajo.

Sipas raportit të grupit punues, leja e ndërtimit për veprat marrëse, tubacionet, kabllot dhe fibrat optike për “HC Belaje” dhe “HC Deçani” nuk është lëshuar asnjëherë nga Ministria e Mjedisit me justifikimin se në projektin e dorëzuar nuk kanë mundur të identifikohen parcelat kah kalon traseja e tubacioneve. Punimet në trasenë për vendosjen e kabllove, tubacioneve janë kryer pa leje të ndërtimit pra në mënyrë të paligjshme, thuhet në raport.

Ndërtimi i hidrocentraleve ka pasur ndikim në degradimin e resurseve ujore dhe në mjedis. Në një shkrim të mëhershëm të realizuar nga Preportr, tregohet se ndërtimi i hidrocentraleve ka ndërruar gjeografinë në Grykën e Deçanit. Në shkrim theksohet se në disa fshatra të Deçanit dhe Shtërpcës, gjurmët e punimeve në shumë prej vendeve janë ende të freskëta. Në shumë vende shihen hapësira të shumta të degraduara, rrëshqitje të dheut si dhe vende ku janë prerë pyjet për t’u ndërtuar kanali për futjen e gypave.

Grupi punues i cili ka përpiluar raportin ka konsideruar se lëshimi i lejes ujore për HC “Deçani’’ dhe “Belaja” është bërë pa e verifikuar prurjen e pranueshme ekologjike.

Edhe zëvendësministrja Çavdarbasha tregon se prurja e pranueshme ekologjike nuk është respektuar gjatë ndërtimit të hidrocentraleve, duke e shkatërruar biodiversitetin që ndodhet përreth vendeve ku operojnë ato.

“Kemi parë se kjo rrjedhë ekologjike nuk është respektuar, nuk është llogaritë në mënyrën e duhur edhe pastaj ka pasur raste kur nuk ka pasur rrjedhje të peshqve, që zakonisht duhet të bëhet në momentin kur ndërtohen hidrocentralet”, thotë ajo.

Pezullohet puna e hidrocentraleve

Pas një beteje të madhe të shoqërisë civile dhe pas dërgimit të rasteve të hidrocentraleve në gjykatë, Gjykata Supreme e Kosovës, ka vendosur pezullimin e punës së hidrocentraleve në Deçan dhe Brezovicë.

Rastin në gjykatë për Deçanin e ka dërguar aktivisti i Vetëvendosjes!, Faton Selmanaj.

Për këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë në fillim të këtij viti ka vendosur t’i pezullojë lejet dhe licencat e hidrocentraleve pasi që është konsideruar se po e shtjerrin Lumbardhin e Deçanit dhe po e dëmtojnë mjedisin.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për këtë rast thuhet se shtyhet ekzekutimi i lejeve ujore e mjedisore dhe licencave për prodhimin e energjisë që organet shtetërore i kanë dhënë kompanisë “Kelkos Energy” për tri hidrocentralet. Shtyrja e ekzekutimit sipas aktvendimit vendoset për të parandaluar dëmin e pariparueshëm që është bërë nga puna e hidrocentraleve.

Padinë për këtë rast e kishte ngritur Faton Selmanaj, por Gjykata në aktvendim kishte miratuar zgjerimin e dyfishtë të padisë. Përveç aktivistit Selmanaj, paditës janë edhe dy qytetarë të Deçanit.

play

Ndërtimit i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta ligjore dhe me mosrespektim të të drejtave të qytetareve. Këto shkelje kanë paraqitur rrezik që në zonat në të cilat janë ndërtuar ato, të degradohet mjedisi dhe burimet ujore. Deri tani, institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ndaj personave zyrtarë të cilët kanë tejkaluar kompetencat e veta si dhe ndaj shkelësve të tjerë të ligjit, veprimet e të cilëve kanë kontribuar në shkaktimin e dëmeve në mjedis

Pala e paditur në këtë rast Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit (sipas emrit të mëhershëm) ishte ankuar për këtë rast në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. Kjo gjykatë e kishte aprovuar ankesën e kësaj ministrie, Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe palës së interesit juridik Kelkos Energy sh.p.k.

Gjykata e Apelit dy muaj më vonë kishte refuzuar kërkesën për pezullim të përkohshëm të lejeve dhe licencave të KelKos Energy të lëshuar nga MMPHI dhe ZRrE. Me këtë vendim kjo gjykatë kishte vendosur që mos ta dërgojë rastin në Gjykatën Themelore, por vendosi vetë për kërkesën në fjalë. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur dy herë që të pezullojë lejet dhe licencat e tri hidrocentraleve të Kelkos në Lumbardhin e Deçanit.

Në fund të këtij viti Gjykata Supreme për këtë rast dhe një rast tjetër, ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e hidrocentraleve në Deçan dhe Brezovicë.

Kjo gjykatë ka konstatuar së paditësit Faton Selmanaj dhe banorët tjerë të Deçanit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm dhe shtyrja e ekzekutimit të lejeve të hidrocentraleve nuk ishte kundër interesit publik dhe se kompanisë nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje e madhe.

Një padi tjetër ndaj Kelkosit është ngritur nga organizata të shoqërisë civile. Grupi për Studime Politike dhe Juridike - GLPS së bashku me organizatën “Pishtarët”, kanë dërguar padi në gjykatë për hidrocentralet në Deçan.

Sipas padisë për hidrocentralet në Deçan, Ministria e Ambientit dhe ZRrE kanë lëshuar gjashtë leje dhe licenca në tërësi, që ia mundësojnë kompanisë Kelkos të vazhdojë përdorimin e ujit të Lumbardhit në Deçan.

Këto leje sipas organizatave nuk është dashur të lëshohen, sepse Kelkos nuk e ka rehabilituar mjedisin dhe se MMPHI dhe ZRrE nuk kanë zhvilluar konsultime publike me qytetarët e Deçanit për këto leje.

Sipas padisë, gjykatës i ishte kërkuar që urgjentisht të suspendohej zbatimi i lejeve dhe licencave nga ana e Kelkosit.

Padia tjetër që kishin ngritur këto organizata ishte ajo kundër hidrocentralit Brezovica në Shtërpcë.

Pezullimi i duhur

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që hidrocentraleve në Deçan dhe Brezovicë t’u pezullohet puna. Kryetari i kësaj gjykate Enver Peci, ka thënë për Preportr se kolegji i gjykatës të cilën ai e udhëheq ka dhënë arsye të qarta se pse e kanë marrë vendimin për pezullim. Arsyetimet e dhëna në vendim, ka thënë se janë edhe arsyetimet e tij, pasi që vlerëson se gjyqtarët e Gjykatës Supreme janë me përvojë shumë të gjatë. Për rastin e Deçanit ai ka thënë se masa e përkohshme është lëshuar për arsye se mund të shkaktohen pasoja të pariparueshme.

Kolegji i kësaj gjykate ka konsideruar se në rastin konkret, nëse pritet përfundimi i rastit mund të shkaktohen pasoja të pariparueshme pa paragjykuar se si do të vendoset çështja kryesore”, thotë ai.

Sa i përket faktit se a po zbatohet ky vendim në terren, Peci ka thënë se Gjykata Supreme është gjykatë që vendos në lidhje me mjetin dhe nuk është gjykatë ekzekutuese. Sipas tij, Ministria e Mjedisit duhet ta zbatojë vendimin, duhet të ndalojë aktivitetin e hidrocentraleve në mënyrë automatike ashtu siç shkruan në vendim derisa të vendoset për çështjen kryesore.

Kolegji i kësaj gjykate ka konsideruar se në rastin konkret, nëse pritet përfundimi i rastit mund të shkaktohen pasoja të pariparueshme pa paragjykuar se si do të vendoset çështja kryesore

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme

Vendimet e gjykatave për pezullim të lejeve të hidrocentraleve i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme Rina Kika, avokate për të drejtat e njeriut.

“Vendimi i Gjykatës Supreme i cili e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili vendosi t’i pezullojë licencat e lëshuara për Kelkos, ka qenë vendim i drejtë pasi që duke pasur parasysh se proceset në Kosovë zgjasin shumë vite ka qenë me patjetër që gjykata t’i pezullojë këto licenca për ta evituar një dëm të pariparueshëm, i cili do të mund të shkaktohej ndaj ambientit”, thotë Kika.

Ajo ka qenë e përfshirë në rastin e hidrocentraleve duke përfaqësuar aktivistët e shoqërisë civile, të cilët ishin paditur nga kompania Kelkos. Dy aktivistë të shoqërisë civile, Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi ishin paditur nga Kelkos me arsyetimin se e kanë dëmtuar reputacionin e kësaj kompanie duke kërkuar dëmshpërblim 100 mijë euro nga Shpresa Loshaj dhe 10 mijë euro nga Adriatik Gacaferi. Vetë kompania ka hequr dorë nga paditë e saj para disa javësh, por Kika thotë se nuk e ka parë ende arsyetimin.. Ajo thotë që gojarisht i është thënë nga kompania se paraqitja e padive ka qenë gabim.

“Paraqitja e padive të tilla e krijon një ambient të frikës për aktivistët dhe për këtë kemi insistuar që “Kelkos” duhet t’i tërheq paditë dhe duhet të mos vazhdojë me procesin gjyqësor të cilin e ka iniciuar. Nuk mund të them se ka pasur frikësim apo kërcenim të aktivistëve, mirëpo vet dërgimi i këtyre padive ka pasur një qëllim të keq që besoj se ka shkaktuar dëm. Por pas tërheqjes së padive u dëshmua se aktivizmi sjellë rezultate”, thotë Kika.

Që aktivizmi sjell rezultate e thonë edhe në GLPS, organizatë kjo që bashkë me akterë të tjerë të shoqërisë civile kanë dërguar paditë në gjykatë për rastin e hidrocentraleve.

Donika Çeta, e quan fitore të madhe pezullimin e lejeve për hidrocentralet në Deçan dhe Shtërpcë.

Kjo fitore thotë se ishte edhe e qytetarëve, jeta e të cilëve u vështirësua nga ndërtimi i këtyre hidrocentraleve.

“Ne gjatë përgatitjes së rasteve kemi pasur takime me plot qytetarë të cilët na kanë informuar se sa u është vështirësuar jeta atyre pas ndërtimeve të hidrocentraleve, e të cilët pavarësisht sfidave dhe sulmeve të shumta, asgjë nuk i ka ndalur të protestojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre ndër vite”, thotë Çeta.

Procesi i licencimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji

Lëshimi i licencave është kusht që operatori të ushtrojë aktivitete në sektorin e energjisë, Ligji për Rregullatorin e Energjisë, ka paraparë se aktivitetet e energjisë për të cilat nuk kërkohet licencë është gjenerimi i energjisë me kapacitet total që nuk kalon 5 MW.

Kriter i veçantë që operatori ekonomik të pajiset me licencë është sigurimi i lejes mjedisore nga Ministria e Mjedisit. Megjithatë, nga 20 hidrocentrale që janë duke operuar, 16 nuk i kanë plotësuar kriteret për marrjen e lejes mjedisore. Ligjërisht të njëjtat nuk mund të pajisen me licencë nga ZRrE.

Në raportin e KOSID të publikuar në nëntor të vitit 2020, thuhet se ZRRE i ka mundësuar HC “Lepenci” operimin duke e pajisur me licencë për prodhimin e energjisë për një periudhë 40 vjeçare. Tutje në raport thuhet se e gjithë kjo është bërë në shpërfillje ligjore, duke theksuar se leja mjedisore është kusht thelbësor që operatori të pajiset me licencë.

Afrim Ajvazi udhëheqës i departamentit ligjor dhe licencimit në ZRrE ka thënë se asnjë licencë e përhershme nuk është lëshuar pa leje mjedisore dhe se në rastet kur janë lëshuar ato licenca, kanë qenë me afat të caktuar.

“Në vendimin për pëlqim licence, kemi precizuar se kjo licencë lëshohet për afat 12 mujor. Brenda këtij afati obligohet i licencuari ta sjellë lejen mjedisore dhe nëse brenda këtij afati nuk e sjellë lejen mjedisore, kjo licencë skadon”, thotë Ajvazi.

Në vendimin për pëlqim licence, kemi precizuar se kjo licencë lëshohet për afat 12 mujor. Brenda këtij afati obligohet i licencuari ta sjellë lejen mjedisore dhe nëse brenda këtij afati nuk e sjellë lejen mjedisore, kjo licencë skadon

Afrim Ajvazi, udhëheqës i departamentit ligjor dhe licencimit në ZRrE
Në raportin e KOSID, konsiderohen të jashtëligjshme rastet kur disa hidrocentrale janë pajisur me licencë të përkohshme për prodhimin e energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, për periudhë 12 mujore. Hidrocentralet e pajisura me licencë të përkohshme janë HC “Lumbardhi II”, HC “Deçani” dhe HC “Belaje”.

Gjithashtu në raport thuhet se të gjitha këto parregullsi dhe shkelje ligjore shpijnë në krijimin e një zinxhiri të shkeljes së disa ligjeve tjera të cilat prekin direkt të drejtat e qytetarëve/banorëve, mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit, zhurmës, pyjeve, ajrit, atë të mbeturinave, ndërtimit etj.

Afrim Ajvazi thotë se janë dy procese, ai i ndërtimit si dhe ai i licencimit. Procesi i ndërtimit pas pranimit të certifikatës së përdorimit konsiderohet se projekti është i përfunduar, pastaj kur vjen tek procesi i licencimit, nëse gjeneratori është më i madh se 5 MW, kërkohet licenca, e që këtu kriter është edhe leja mjedisore, e cila është shumë specifike.

“Në vitin 2017 e kemi modifikuar rregullin për procedurën e licencimit, ku kemi thënë që nëse gjeneratori ndërtohet sipas procedurës së autorizimit, mund të hyjë në operim për një periudhë një vjet. Duke menduar që brenda një viti, ministria pas fazës testuese, e cila është e precizuar në pëlqim mjedisor do të lëshojë leje mjedisore, dhe pasi që të lëshohej leja mjedisore, ne do t’i lëshonim leje afatgjate”, theksoi Ajvazi.

Mosrespektimi i drejtës për të jetuar në mjedis të shëndoshë

Keqpërdorimet e shfrytëzimit të ujit dhe ndërtimit të hidrocentraleve pranë lumenjve janë përcjellë me shqetësime dhe reagime nga qytetarët të cilëve u janë mohuar të drejtat e tyre mbi mjedisin.

Aktet ndërkombëtare si dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës garantojnë të drejtën e njeriut për të jetuar në mjedis të shëndoshë. Neni 52 (2) i Kushtetutës garanton që "Institucionet e pushtetit publik angazhohen për t'i garantuar secilit mundësinë që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton” , përkundër kësaj, qytetarëve u është mohuar e drejta e tyre që të marrin pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin në të cilin jetojnë.

Se procesi i licencimit dhe operimit të hidrocentraleve është përcjellë me mangësi dhe me shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat kanë të bëjnë me të drejtën e qasjes në drejtësi, pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe qasjes në informata, thuhet edhe në raportin ex-officio të Avokatit të Popullit.

Ky raport ka paraqitur bazën ligjore dhe kushtetuese si dhe instrumentet ndërkombëtare të cilat garantojnë të drejtat e qytetarëve. Institucioni i Avokatit të Popullit përmes këtij raporti ndër të tjera, sjellë në vëmendje nenin 41 të Kushtetutës, i cili garanton qasje në dokumente zyrtare, nenin 52 (2) i cili vë në pah obligimin e organeve kompetente për të siguruar pjesëmarrje të publikut në vendimmarrje. Përveç kësaj, në raport flitet edhe për praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në rastet kur kemi të bëjmë me mjedisin, ka vlerësuar se autoritetet përkatëse gjatë procesit të vendimmarrjes duhet të respektojnë: qasjen në informata mjedisore, pjesëmarrjen në procesin e vendimmarrjes dhe qasjen në drejtësi në rastet mjedisore.

Lidhur e këtë çështje, Donika Çeta thotë se një ndër shkeljet më të rënda jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj sundimit të ligjit në Kosovë është se procedurat kanë qenë jo-transparente.

Ajo thekson se kanë hasur në vështirësi edhe për qasje në dokumente zyrtare dhe se e drejta për qasje në dokumente zyrtare nuk është realizuar plotësisht.

“Disa herë nuk kemi pranuar fare dokumentet e kërkuara, kurse atëherë kur i kemi pranuar, nuk kanë qenë dokumentet që kërkonim, apo na janë dërguar dokumentet e gabuara”, thotë Çeta.

Pavarësisht obligimeve ligjore dhe kushtetuese, organet e nivelit lokal dhe atij qendror nuk kanë arritur të jenë të qarta lidhur me ligjshmërinë e hidrocentraleve. Veprimet e organeve kompetente kanë vazhduar të jenë të mangëta në lidhje me mënyrat e parandalimit dhe zgjidhjes se çështjeve të ndikimit në mjedis nga hidrocentralet, degradimi i shtretërve të lumenjve, tejkalimin e shfrytëzimit të ujërave të lumenjve, mos përmbushjen e obligimeve kontraktuale e të tjera.

Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2010 kishte marrë vendim në lidhje me një ankesë, ku parashtruesit e kërkesës ndër të tjera ishin ankuar se u ishin shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenin 52 të Kushtetutës së Kosovës.

Në këtë rast gjykata kishte vlerësuar të gjitha shkeljet e supozuara të parashtruesit të kërkesës dhe në përputhje me rrethanat kishte vendosur që kërkesa është e pranueshme.

Në këtë vendim thuhet se, meritat e pranimit të këtij rasti janë të: Nenit 52(2) të Kushtetutës së Kosovës i cili ia garanton secilit të drejtën që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton, të akteve ndërkombëtare, Deklaratës së Rios për Mjedis dhe Zhvillim, Konventës së Aarhusi, Rekomandimit 1614 të Asamblesë të Këshillit të Europës. Sipas këtyre akteve ndërkombëtare çdo qytetarë duhet të ketë qasje në informata që kanë të bëjnë me mjedisin si dhe t’u ofrohet mundësia për pjesëmarrje në proceset e vendimmarrjes lidhur me çështjet që ndikojnë në mjedis. Gjithashtu, në vendim thuhet se Gjykata Evropiane për Drejta të Njeriut, ka dhënë udhëzime të qarta për mbrojtjen e mjedisit.

Rina Kika avokate për të drejtat e njeriut, thotë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon se është e drejtë fondamentale njerëzore se personat të cilët jetojnë në një ambient duhet patjetër të konsultohen në lidhje me vendimet të cilat mund të kenë ndikim në të drejtën e tyre në ambient dhe se në procesin e licencimit -ndërtimit të hidrocentraleve, është e qartë se kjo nuk ka ndodhur në mënyrën e duhur.